Shkrimet e Shenjta
Alma 58


Kapitulli 58

Helamani, Gidi dhe Teomneri marrin me anë të dredhisë qytetin e Mantit—Lamanitët tërhiqen—Bijtë e popullit të Amonit shpëtojnë, pasi qëndrojnë të vendosur në mbrojtje të lirisë dhe të besimit të tyre. Rreth 63–62 para K.

1 Dhe vër re, tani ndodhi që qëllimi tjetër që kishim ishte të merrnim qytetin Manti; por vër re, nuk kishte mënyrë sesi t’i nxirrnim ata nga qyteti me grupet tona të vogla. Pasi vër re, ata mbanin mend atë që u kishim bërë më parë; prandaj, nuk mund t’i nxirrnim përjashtë fortesave të tyre.

2 Dhe ishin aq më të shumtë se ushtria jonë, saqë nuk guxonim të shkonim dhe t’i sulmonim në fortesat e tyre.

3 Po, dhe u pa e nevojshme që forcat tona të punonin për mbajtjen e atyre pjesëve të vendit që kishim rivënë nën kontroll të pronave tona; prandaj u pa e arsyeshme që të pritnim, që të merrnim forca të tjera nga toka e Zarahemlës, si dhe një furnizim të ri ushqimesh.

4 Dhe ndodhi që unë i çova një të dërguar guvernatorit të vendit, për ta informuar në lidhje me punët e popullit tonë. Dhe ndodhi që po pritnim të merrnim furnizime dhe forca nga toka e Zarahemlës.

5 Por vër re, kjo nuk na sillte dobi shumë të madhe; pasi edhe Lamanitët po merrnin nga dita në ditë forca të mëdha si edhe shumë furnizime; dhe kështu ishin rrethanat në të cilat gjendeshim në atë periudhë kohe.

6 Dhe Lamanitët nga hera në herë dilnin e na sulmonin, duke menduar se me dredhi mund të na shkatërronin; megjithatë, ne nuk mund të luftonim kundër tyre, për shkak të vendmbrojtjeve të tyre dhe të fortesave të tyre.

7 Dhe ndodhi që ne pritëm në këto rrethana të vështira për hapësirën e shumë muajve, madje derisa po mbaronim nga nevoja e ushqimit.

8 Por, ndodhi që morëm ushqim, i cili u ruajt për ne nga një ushtri prej dy mijë ushtarësh, si përforcim tonin; dhe kjo qe e gjithë ndihma që morëm për të mbrojtur veten dhe vendin tonë, për të mos rënë në duart e armiqve tanë, po, për të luftuar një armik që ishte i panumërt.

9 Dhe tani, shkakun e këtyre vështirësive tona, ose shkakun pse nuk na dërguan më forca, nuk e dinim; prandaj qemë të pikëlluar si dhe plot frikë, që në ndonjë mënyrë, gjykimet e Perëndisë do të binin mbi vendin tonë, për të na përmbysur dhe për të na shkatërruar krejtësisht.

10 Prandaj ne ia derdhëm tërë shpirtrat tanë në lutje Perëndisë, që ai të na forconte dhe të na çlironte nga duart e armiqve tanë, po, dhe të na jepte gjithashtu fuqi që të mund të mbanim qytetet tona dhe tokat tona, si edhe pronat tona, për të mbajtur popullin tonë.

11 Po, dhe ndodhi që Zoti, Perëndia ynë, na vizitoi me sigurime se do të na shpëtonte; po, aq sa ai i qetësoi shpirtrat tanë dhe na dha besim të madh dhe na bëri të shpresojmë në të për çlirimin tonë.

12 Dhe ne morëm zemër me forcën tonë të vogël që na erdhi dhe kishim caktuar me vendosmëri të mposhtnim armiqtë tanë dhe t’i mbanim tokat tona dhe zotërimet tona, dhe bashkëshortet tona, dhe fëmijët tanë, dhe çështjen e lirisë sonë.

13 Dhe kështu, u hodhëm me gjithë fuqinë tonë kundër Lamanitëve që ishin në qytetin e Mantit; dhe ngritëm çadrat tona nga ana e vendit të shkretë që ishte pranë qytetit.

14 Dhe ndodhi që të nesërmen, kur Lamanitët panë se ishim në kufi të vendit të shkretë, që ishte pranë qytetit, dërguan spiunët e tyre rreth e përqark nesh, që të zbulonin numrin dhe fuqinë e ushtrisë sonë.

15 Dhe ndodhi që kur panë se ne nuk ishim të fortë për nga numri dhe duke pasur frikë se ne do t’u pritnim furnizimet, në qoftë se ata nuk do të dilnin dhe të luftonin kundër nesh dhe të na vritnin, dhe duke menduar se do të mund të na shkatërronin me lehtësi me ushtritë e shumta të tyre, prandaj filluan të bënin përgatitje të dilnin e të luftonin kundër nesh.

16 Dhe kur pamë se po bënin përgatitje që të dilnin kundër nesh, vër re, bëra që Gidi, me një numër të vogël ushtarësh të fshiheshin në vendin e shkretë dhe gjithashtu që Teomneri me një numër të vogël ushtarësh të fshiheshin edhe ata në vendin e shkretë.

17 Tani, Gidi me ushtarët e tij ishin në të djathtë, kurse të tjerët në të majtë; dhe pasi u fshehën, vër re, unë qëndrova me pjesën e mbetur të ushtrisë sime, në të njëjtin vend ku ngritëm së pari çadrat tona, duke pritur që Lamanitët të dilnin për të luftuar.

18 Dhe ndodhi që Lamanitët dolën me ushtrinë e tyre të madhe kundër nesh. Dhe kur erdhën dhe ishin gati të binin mbi ne me shpata, bëra që ushtarët e mi, ata që ishin me mua, të tërhiqeshin në vendin e shkretë.

19 Dhe ndodhi që Lamanitët na ndoqën nga pas me shpejtësi të madhe, pasi kishin dëshirë të madhe të na arrinin që të mund të na vrisnin; prandaj na ndoqën në vendin e shkretë dhe kaluam afër, mes Gidit dhe Teomnerit, në mënyrë të tillë që ata nuk u zbuluan nga Lamanitët.

20 Dhe ndodhi që kur Lamanitët mbaruan së kaluari andej ose kur kaloi ushtria, Gidi dhe Teomneri u ngritën nga vendet e tyre të fshehta dhe u prenë udhën spiunëve të Lamanitëve, për t’i penguar të ktheheshin në qytet.

21 Dhe ndodhi që kur ua prenë udhën, ata vrapuan për në qytet dhe ranë mbi rojat që ishin lënë të ruanin qytetin, aq sa i shkatërruan dhe morën zotërimin e qytetit.

22 Tani, kjo u bë sepse Lamanitët kishin lënë tërë ushtrinë, me përjashtim të vetëm ca rojave, të tërhiqeshin larg prej andej në vendin e shkretë.

23 Dhe ndodhi që Gidi dhe Teomneri vunë në këtë mënyrë nën kontroll fortifikimet e tyre. Dhe ndodhi që ne morëm drejtimin tonë për në tokën e Zarahemlës, pasi udhëtuam shumë në vendin e shkretë.

24 Dhe kur Lamanitët panë se po shkonin në drejtim të tokës së Zarahemlës, patën jashtëzakonisht shumë frikë, se mos ishte përgatitur një plan që do t’i shpinte për në shkatërrim; prandaj filluan të tërhiqen në vendin e shkretë përsëri, po, madje nëpër të njëjtën udhë, nëpër të cilën kishin ardhur.

25 Dhe vini re, ishte natë dhe ata ngritën çadrat e tyre, pasi kryekapitenët e Lamanitëve mendonin se Nefitët ishin lodhur nga marshimi i tyre; dhe duke besuar se kishin dëbuar tërë ushtrinë e tyre, prandaj, nuk e vranë mendjen në lidhje me qytetin e Mantit.

26 Tani ndodhi që kur u bë natë, unë nuk i lashë ushtarët e mi të flenë, por të marshonin përpara nëpër një rrugë tjetër në drejtim të tokës së Mantit.

27 Dhe për shkak të këtij marshimi gjatë natës, vër re, të nesërmen ne i kishim tejkaluar Lamanitët, aq sa arritëm para tyre në qytetin e Mantit.

28 Dhe kështu ndodhi që nëpërmjet kësaj strategjie, ne shtimë në dorë qytetin e Mantit pa gjakderdhje.

29 Dhe ndodhi që kur ushtritë e Lamanitëve arritën afër qytetit dhe panë se ne ishim gati t’i pritnim, ata u çuditën jashtëzakonisht shumë dhe i mbuloi një frikë kaq e madhe, saqë ia mbathën në vendin e shkretë.

30 Po, dhe ndodhi që ushtritë e Lamanitëve ikën nga e gjithë kjo pjesë e vendit. Por, vër re, ata morën me vete shumë gra dhe fëmijë.

31 Dhe të gjitha ato qytete, të cilat qenë marrë nga Lamanitët, që të gjitha janë tani, në këtë periudhë kohe, në zotërimin tonë; dhe etërit tanë dhe gratë tona dhe fëmijët tanë po kthehen në shtëpitë e tyre, që të gjithë me përjashtim të atyre që u morën robër dhe që Lamanitët i morën me vete.

32 Por vër re, ushtritë tona janë të vogla, që të mbajnë një numër kaq të madh qytetesh dhe pronash kaq të mëdha.

33 Por vër re, ne besojmë në Perëndinë tonë që na dha fitoren mbi ato toka, kaq sa ne morëm ato qytete dhe ato toka, që ishin tonat.

34 Tani, ne nuk e dimë shkakun pse qeveria nuk na jep më shumë forca; as ata ushtarë që erdhën te ne nuk e dinë pse nuk kemi marrë forca më të shumta.

35 Vër re, ne nuk e dimë, por ndoshta nuk keni pasur sukses dhe keni tërhequr forca në atë pjesë të vendit; në qoftë se është kështu, nuk dëshirojmë të mërmërisim.

36 Dhe në qoftë se nuk është kështu, vër re, kemi frikë se ka ndonjë fraksion në qeveri, që nuk na dërgon më njerëz në ndihmë; pasi e dimë se ka më shumë në numër, sesa ata që na dërguan.

37 Por vër re, nuk ka rëndësi—ne besojmë se Perëndia do të na çlirojë, me gjithë dobësinë e ushtrive tona, po, dhe do të na çlirojë nga duart e armiqve tanë.

38 Vër re, ky është viti i njëzetenëntë, pothuaj mbarimi i tij dhe ne zotërojmë tokat tona; dhe Lamanitët kanë ikur për në tokën e Nefit.

39 Dhe ata bijtë e popullit të Amonit, për të cilët kam folur me kaq admirim, janë me mua në qytetin Manti; dhe Zoti i ka përkrahur, po dhe i ka mbrojtur që të mos bien nga shpata, kaq madje, sa asnjë shpirt prej tyre nuk është vrarë.

40 Por vër re, ata kanë marrë shumë plagë, megjithatë ata qëndrojnë të vendosur në atë liri me të cilën Perëndia i bëri të lirë; dhe janë të zellshëm që të kujtojnë Zotin, Perëndinë e tyre, nga dita në ditë; po, përpiqen të zbatojnë ligjet e tij dhe gjykimet e tij dhe urdhërimet e tij përherë; dhe besimi i tyre është i fortë në profecitë në lidhje me atë që do të vijë.

41 Dhe tani, vëllai im i dashur, Moroni, dhëntë Zoti, Perëndia ynë i cili na shpëtoi dhe na çliroi, që të të mbajë përherë në praninë e tij; po, dhe ta preferojë gjithnjë këtë popull, madje që të kesh sukses për të zotëruar përsëri të gjitha pronat që na u morën nga Lamanitët, që ishin për jetesën tonë. Dhe tani, vër re, unë po e mbyll letrën time. Unë jam Helamani, biri i Almës.