Kapitulli 10
Një mbret pason tjetrin—Disa nga mbretërit janë të drejtë; të tjerët janë të ligj—Kur mbizotëron drejtësia, njerëzit janë të bekuar dhe begatohen nga Zoti.
1 Dhe ndodhi që Shezi, i cili qe pasardhës i Hethit—meqë Hethi dhe të gjithë njerëzit e shtëpisë së tij, me përjashtim të Shezit kishin mbaruar nga uria—prandaj, Shezi filloi të mëkëmbte një popull të dërrmuar.
2 Dhe ndodhi që Shezit iu kujtua shkatërrimi i etërve të tij dhe ai ndërtoi një mbretëri të drejtë; pasi mbante mend ç’kishte bërë Zoti, duke sjellë Jaredin dhe të vëllanë përmes thellësisë; dhe ai eci në udhët e Zotit; dhe atij i lindën bij dhe bija.
3 Dhe biri i tij i madh, emri i të cilit ishte Shez, ngriti krye kundër tij; megjithatë Shezi u godit nga dora e një hajduti, për shkak të pasurive të tij të jashtëzakonshme, që i solli paqe përsëri atit të tij.
4 Dhe ndodhi që ati i tij ndërtoi shumë qytete mbi faqen e dheut dhe njerëzit filluan përsëri të përhapen mbi gjithë faqen e dheut. Dhe Shezi jetoi deri në një moshë jashtëzakonisht të vjetër; dhe atij i lindi Riplakishi. Dhe ai vdiq dhe Riplakishi mbretëroi në vend të tij.
5 Dhe ndodhi që Riplakishi nuk bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, pasi ai kishte shumë bashkëshorte dhe konkubina; dhe ai vuri mbi shpatullat e njerëzve atë që ishte e vështirë për t’u mbajtur, po, ai u vuri atyre taksa të rënda; dhe me taksat ndërtoi shumë ndërtesa të mëdha.
6 Dhe ai ndërtoi për vete një fron jashtëzakonisht të bukur dhe ndërtoi shumë burgje, dhe futi në burg të gjithë ata që nuk donin të paguanin taksa ose që nuk ishin në gjendje të paguanin taksa; dhe ai bëri që ata të punonin vazhdimisht për mbajtjen e tyre; dhe të gjithë ata që nuk donin të punonin, i bëri që të vriteshin.
7 Prandaj, ai mori çdo gjë të zgjedhur, po, madje arin e tij të pastër, ai bëri që të përpunohej në burg; dhe bëri që të punohej në burg çdo lloj zejtarie e mirë. Dhe ndodhi që ai e mjeroi popullin me lavirësitë dhe neveritë e tij.
8 Dhe, pasi ai mbretëroi për hapësirën e dyzet e dy viteve, populli ngriti krye kundër tij; dhe filloi të bëhej përsëri luftë në tokë, kaq sa Riplakishi u vra dhe pasardhësit e tij u dëbuan nga vendi.
9 Dhe ndodhi që pas hapësirës së shumë viteve, Moriantoni (ai ishte një pasardhës i Riplakishit) mblodhi tok një ushtri të dëbuarish dhe shkoi dhe luftoi kundër popullit; dhe ai fitoi pushtet mbi shumë qytete; dhe lufta u bë jashtëzakonisht e rreptë dhe zgjati për hapësirën e shumë viteve; dhe ai fitoi pushtet mbi gjithë vendin dhe e vendosi veten mbret mbi të gjithë vendin.
10 Dhe pasi e vendosi veten mbret, ai ia lehtësoi barrën popullit, me anë të së cilës ai fitoi dashamirësi në sytë e popullit dhe ata e vajosën të ishte mbreti i tyre.
11 Dhe ai qe i drejtë me popullin, por jo me veten e tij, për shkak të lavirësive të shumta të tij; prandaj ai u përjashtua nga prania e Zotit.
12 Dhe ndodhi që Moriantoni ndërtoi shumë qytete dhe njerëzit u bënë jashtëzakonisht të pasur nën sundimin e tij, si në ndërtesa ashtu dhe në ar dhe argjend, dhe duke rritur drithëra, dhe grigja, dhe kope, dhe gjëra të tilla që iu kthyen atyre.
13 Dhe Moriantoni jetoi deri në një moshë jashtëzakonisht të vjetër dhe atëherë atij i lindi Kimi; dhe Kimi mbretëroi në vend të atit të tij; dhe mbretëroi tetë vjet dhe i ati i tij vdiq. Dhe ndodhi që Kimi nuk mbretëroi me drejtësi, prandaj ai nuk qe i favorizuar nga Zoti.
14 Dhe vëllai i tij ngriti krye kundër tij dhe për këtë ai e çoi në robëri; dhe qëndroi në robëri gjithë ditët e tij; dhe në robëri atij i lindën bij dhe bija dhe në pleqëri atij i lindi Levi; dhe ai vdiq.
15 Dhe ndodhi që pas vdekjes së atit të tij, Levi shërbeu në robëri për hapësirën e dyzet e dy vjetëve. Dhe ai bëri luftë kundër mbretit të vendit, duke marrë në këtë mënyrë për vete mbretërinë.
16 Dhe, pasi mori mbretërinë për vete, ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit; dhe njerëzit përparuan në tokë; dhe ai jetoi deri në një moshë të shkuar dhe i lindën bij dhe bija; dhe atij i lindi edhe Koromi të cilin e vajosi mbret në vend të tij.
17 Dhe ndodhi që Koromi bëri atë që ishte e mirë në sytë e Zotit gjithë ditët e tij; dhe atij i lindën shumë bij dhe bija; dhe pasi kishte parë shumë ditë, ai vdiq, madje, sikurse çdo njeri tjetër i tokës; dhe Kishi mbretëroi në vend të tij.
18 Dhe ndodhi që edhe Kishi vdiq dhe Libi mbretëroi në vend të tij.
19 Dhe ndodhi që edhe Libi bëri atë që qe e mirë në sytë e Zotit. Dhe në ditët e Libit gjarpërinjtë helmues u shkatërruan. Prandaj, ata shkuan në tokën në jug, për të bërë gjah si ushqim për njerëzit e vendit, pasi vendi ishte mbushur me kafshë pylli. Dhe Libi u bë dhe vetë një gjahtar i madh.
20 Dhe në rripin e ngushtë të tokës, ku deti ndan tokën, ata ndërtuan një qytet të madh.
21 Dhe ata e ruajtën tokën në jug për të patur një vend të shkretë për gjah. Dhe e tërë faqja e dheut në tokën në veri u mbulua me banorë.
22 Dhe ata ishin jashtëzakonisht punëtorë dhe blinin, shisnin dhe bënin tregti me njëri-tjetrin për t’u pasuruar.
23 Dhe ata përpunonin të gjitha llojet e mineraleve dhe nxirrnin ar dhe argjend, dhe hekur, dhe tunxh, dhe të gjitha llojet e metaleve; dhe ata i nxirrnin nga toka; prandaj ata grumbullonin sasi të mëdha dheu për të marrë mineralin e arit dhe të argjendit dhe të hekurit, dhe të bakrit. Dhe ata bënin të gjitha llojet e punëve të mira të artizanatit.
24 Dhe ata kishin mëndafshe dhe pëlhura të mira liri; dhe bënin të gjitha llojet e pëlhurave për të veshur lakuriqësinë e tyre.
25 Dhe ata bënin të gjitha llojet e mjeteve për të punuar tokën, si për të lëruar ashtu dhe për të mbjellë, për të korrur dhe për të mihur, si dhe për të shirë.
26 Dhe ata bënin të gjitha llojet e veglave për punën e kafshëve të tyre.
27 Dhe ata bënin të gjitha llojet e armëve të luftës. Dhe ata bënin të gjitha llojet e punëve me mjeshtëri jashtëzakonisht të madhe.
28 Dhe nuk mund të kishte kurrë një popull më të bekuar, sesa ishin ata dhe më të begatuar nga dora e Zotit. Dhe ata ishin në një tokë që ishte e zgjedhur mbi të gjitha tokat, pasi Zoti e kishte thënë.
29 Dhe ndodhi që Libi jetoi shumë vite dhe i lindën bij dhe bija; dhe atij i lindi gjithashtu Hearthomi.
30 Dhe ndodhi që Hearthomi mbretëroi në vend të atit të tij. Dhe pasi Hearthomi mbretëroi për njëzet e katër vjet, vini re, atij iu hoq mbretëria. Dhe ai shërbeu shumë vjet në robëri, po, madje gjithë ditët e tij të mbetura.
31 Dhe atij i lindi Hethi dhe Hethi jetoi në robëri gjithë ditët e tij. Dhe Hethit i lindi Aaroni; dhe Aaroni jetoi në robëri gjithë ditët e tij; dhe atij i lindi Amnigada dhe Amnigada gjithashtu jetoi në robëri gjithë ditët e tij; dhe atij i lindi Koriantumi dhe Koriantumi jetoi në robëri gjithë ditët e tij; dhe atij i lindi Komi.
32 Dhe ndodhi që Komi shtiu në dorë gjysmën e mbretërisë. Dhe ai mbretëroi mbi gjysmën e mbretërisë për dyzet e dy vjet; dhe ai shkoi të luftonte kundër mbretit Amgid; dhe ata luftuan për hapësirën e shumë viteve, kohë gjatë së cilës Komi mundi Amgidin dhe siguroi pushtet mbi pjesën tjetër të mbretërisë.
33 Dhe në ditët e Komit filloi të kishte vjedhës në tokë; dhe ata përvetësuan planet e vjetra dhe bënë betime sipas mënyrës së të vjetërve, dhe u përpoqën përsëri të shkatërronin mbretërinë.
34 Tani Komi luftoi shumë kundër tyre, megjithatë ai nuk mundi të fitonte.