Kapitulli 14
Paudhësia e njerëzve sjell mallkim mbi vendin—Koriantumri përfshihet në luftë kundër Gileadit, pastaj kundër Libit dhe pastaj kundër Shizit—Gjaku dhe kërdia mbulojnë vendin.
1 Dhe tani filloi të kishte mallkim të madh mbi të gjithë vendin, për shkak të paudhësisë së popullit, në të cilën nëse një njeri linte veglën e tij ose shpatën e tij mbi sergjen ose në vendin ku e mbante zakonisht, vini re, të nesërmen ai nuk do ta gjente më, kaq i madh qe mallkimi mbi atë vend.
2 Kështu që çdo njeri kapej me dorë pas asaj gjëje që ishte e tija dhe as nuk merrte gjë hua, as nuk jepte gjë hua; dhe çdo njeri mbante dorezën e shpatës së tij në dorën e tij të djathtë, për të mbrojtur mallin e tij dhe jetën e tij dhe të bashkëshorteve, dhe fëmijëve të tij.
3 Dhe tani, pas hapësirës së dy vjetëve dhe pas vdekjes së Sharedit, vini re, u ngrit vëllai i Sharedit dhe i dha luftë Koriantumrit, gjatë së cilës Koriantumri e mundi dhe i vajti pas, deri në vendin e shkretë të Akishit.
4 Dhe ndodhi që në vendin e shkretë të Akishit, vëllai i Sharedit bëri luftë me të; dhe beteja qe jashtëzakonisht e rreptë dhe shumë mijëra ranë nga shpata.
5 Dhe ndodhi që Koriantumri e rrethoi vendin e shkretë; dhe vëllai i Sharedit doli natën nga vendi i shkretë dhe vrau një pjesë të ushtrisë së Koriantumrit, ndërsa ata ishin të dehur.
6 Dhe ai erdhi në tokën Moron dhe u vu në fronin e Koriantumrit.
7 Dhe ndodhi që Koriantumri me ushtrinë e tij ndenji në vendin e shkretë për hapësirën e dy viteve, gjatë të cilave ai mori fuqi të madhe për ushtrinë e tij.
8 Tani, vëllai i Sharedit, emri i të cilit ishte Gilead, mori edhe ai fuqi të madhe për ushtrinë e tij, për shkak të lidhjeve të fshehta.
9 Dhe ndodhi që kryeprifti i tij e vrau, ndërsa ai qe ulur në fronin e tij.
10 Dhe ndodhi që një nga pjesëtarët e lidhjeve të fshehta e vrau atë në një kalim të fshehtë dhe e mori mbretërinë për vete; dhe ai quhej Lib; dhe Libi ishte një njeri me shtat shumë të madh, më të madh se çdo njeri tjetër mes gjithë popullit.
11 Dhe ndodhi që në vitin e parë të Libit, Koriantumri erdhi në tokën Moron dhe i shpalli luftë Libit.
12 Dhe ndodhi që ai luftoi kundër Libit dhe Libi e goditi në krah dhe ai u plagos; megjithatë, ushtria e Koriantumrit shkoi përpara dhe e detyroi Libin të ikte në kufijtë në bregun e detit.
13 Dhe ndodhi që Koriantumri e ndoqi nga pas; dhe në bregdet Libi luftoi kundër tij.
14 Dhe ndodhi që Libi e goditi ushtrinë e Koriantumrit, e cila iku përsëri për në vendin e shkretë të Akishit.
15 Dhe ndodhi që Libi e ndoqi atë gjersa arriti në rrafshinat Agosh. Dhe Koriantumri, mori gjithë popullin me vete, gjatë ikjes nga Libi, në atë pjesë të vendit ku ai shkoi.
16 Dhe kur arriti në rrafshinat Agosh, ai luftoi kundër Libit dhe e goditi derisa ai vdiq; por, vëllai i Libit erdhi kundër Koriantumrit në vend të tij dhe lufta u bë jashtëzakonisht e rreptë, gjatë së cilës Koriantumri iku përsëri nga ushtria e vëllait të Libit.
17 Tani, emri i vëllait të Libit ishte Shiz. Dhe ndodhi që Shizi ndoqi Koriantumrin dhe ai pushtoi shumë qytete dhe vrau si gra, ashtu edhe fëmijë dhe i dogji qytetet.
18 Dhe gjithë vendin e përshkoi një frikë nga Shizi; po, një thirrje u ngrit në të tërë vendin—Kush mund t’i bëjë ballë ushtrisë së Shizit? Vini re, ai e fshin tokën para tij!
19 Dhe ndodhi që njerëzit filluan të mblidheshin së bashku në ushtri, në të gjithë faqen e dheut.
20 Dhe ata ishin të përçarë; dhe një pjesë e tyre iku për tek ushtria e Shizit; dhe një pjesë tjetër shkoi dhe u bashkua me ushtrinë e Koriantumrit.
21 Dhe kaq e madhe dhe e vazhdueshme qe lufta dhe kaq e gjatë qe pamja e gjakderdhjes dhe e kërdisë, saqë e tërë faqja e dheut qe mbuluar me trupat e të vdekurve.
22 Dhe kaq e shpejtë dhe e papritur qe lufta, saqë nuk mbeti njeri për të varrosur të vdekurit, por ata shkonin nga gjakderdhja në gjakderdhje, duke lënë si trupat e burrave, ashtu dhe të grave dhe të fëmijëve të hedhur mbi faqen e dheut, duke u bërë pre e krimbave të mishit.
23 Dhe kundërmimi u përhap mbi faqen e dheut, madje mbi të gjithë faqen e dheut; prandaj njerëzit ishin të trazuar ditë e natë, për shkak të kundërmimit të tyre.
24 Megjithatë, Shizi nuk pushoi së ndjekuri Koriantumrin; pasi ai ishte betuar të hakmerrej vetë kundër Koriantumrit për gjakun e vëllait të tij që kishte qenë vrarë dhe kundër fjalës së Zotit që i arriti Ethërit që Koriantumri nuk do të binte nga shpata.
25 Dhe kështu ne shohim se Zoti i vizitoi ata me tërë zemërimin e tij të plotë dhe ligësia dhe neveritë e tyre kishin përgatitur një udhë për shkatërrimin e tyre të përhershëm.
26 Dhe ndodhi që Shizi e ndoqi Koriantumrin nga pas drejt lindjes, madje, deri në kufijtë bregdetarë dhe aty ai luftoi kundër Shizit për hapësirën e tri ditëve.
27 Dhe kaq i tmerrshëm qe shkatërrimi mes ushtrive të Shizit, saqë njerëzit filluan të frikësohen dhe filluan të ikin nga ushtritë e Koriantumrit; dhe ikën në tokën e Korihorit dhe i fshinë banorët përpara tyre, të gjithë ata që nuk deshën të bashkohen me ta.
28 Dhe ata ngritën çadrat e tyre në luginën Korihor; dhe Koriantumri ngriti çadrat e tij në luginën e Shërit. Tani, lugina e Shërit ishte afër kodrës Komnor; prandaj, Koriantumri mblodhi tok ushtritë e tij mbi kodrën Komnor dhe i ra një trumpete për ushtritë e Shizit, për t’i ftuar ata për luftë.
29 Dhe ndodhi që ata erdhën drejt tyre, por u dëbuan përsëri; dhe ata erdhën për së dyti dhe u dëbuan përsëri herën e dytë. Dhe ndodhi që ata erdhën përsëri për herën e tretë dhe lufta u bë jashtëzakonisht e rreptë.
30 Dhe ndodhi që Shizi e goditi Koriantumrin dhe i dha atij shumë plagë të rënda; dhe Koriantumrit, pasi kishte humbur shumë gjak, i ra të fikët dhe u mor së andejmi sikur të ishte i vdekur.
31 Tani humbja e burrave, grave dhe e fëmijëve nga të dyja palët qe kaq e madhe, sa Shizi i urdhëroi njerëzit e tij, që ata të mos i ndiqnin ushtritë e Koriantumrit; prandaj ata u kthyen në kampin e tyre.