Libri i Ethërit
Anali i Jareditëve, i nxjerrë nga njëzet e katër fletët që u gjetën nga populli i Limhit gjatë ditëve të mbretit Mosia.
Kapitulli 1
Moroni përmbledh shkrimet e Ethërit—Paraqitet gjenealogjia e Ethërit—Gjuha e Jareditëve nuk ngatërrohet në Kullën e Babelit—Zoti premton se do t’i çojë ata në një vend të zgjedhur dhe se do t’i bëjë një komb të madh.
1 Dhe tani, unë, Moroni, po vazhdoj të bëj një rrëfim të atyre banorëve të lashtë që u shkatërruan nga dora e Zotit, nga faqja e këtij vendi verior.
2 Dhe unë po e marr rrëfimin tim nga njëzet e katër fletët që u gjetën nga populli i Limhit, që quhet Libri i Ethërit.
3 Dhe sipas mendimit tim, pjesa e parë e këtij anali, e cila flet në lidhje me krijimin e botës dhe gjithashtu të Adamit dhe një rrëfim nga ajo kohë madje deri në kullën e madhe dhe çdo gjë që ndodhi mes fëmijëve të njerëzve deri në atë kohë, ekziston mes Judenjve—
4 Prandaj unë nuk shkruaj ato gjëra që ndodhën që nga ditët e Adamit dhe deri në atë kohë; pasi ato ndodhen në fletë; dhe kushdo që t’i gjejë ato, po ai do të ketë fuqi të gjejë rrëfimin e plotë.
5 Por vini re, unë nuk jap rrëfimin e plotë, por jap një pjesë të rrëfimit nga kulla dhe deri kur u shkatërruan.
6 Dhe në këtë mënyrë unë po jap rrëfimin. Ai që e shkroi këtë anal qe Ethëri dhe ishte një pasardhës i Koriantorit.
7 Koriantori ishte biri i Moronit.
8 Dhe Moroni ishte biri i Ethemit.
9 Dhe Ethemi ishte biri i Ahahut.
10 Dhe Ahahu ishte biri i Sethit.
11 Dhe Sethi ishte biri i Shiblonit.
12 Dhe Shibloni ishte biri i Komit.
13 Dhe Komi ishte biri i Koriantumit.
14 Dhe Koriantumi ishte biri i Amnigadës.
15 Dhe Amnigada ishte biri i Aaronit.
16 Dhe Aaroni ishte një pasardhës i Hethit që ishte biri i Herthomit.
17 Dhe Herthomi ishte biri i Libit.
18 Dhe Libi ishte biri i Kishit.
19 Dhe Kishi ishte biri i Koromit.
20 Dhe Koromi ishte biri i Levit.
21 Dhe Levi ishte biri i Kimit.
22 Dhe Kimi ishte biri i Moriantonit.
23 Dhe Moriantoni ishte një pasardhës i Riplakishit.
24 Dhe Riplakishi ishte biri i Shezit.
25 Dhe Shezi ishte biri i Hethit.
26 Dhe Hethi ishte biri i Komit.
27 Dhe Komi ishte biri i Koriantumit.
28 Dhe Koriantumi ishte biri i Emerit.
29 Dhe Emeri ishte biri i Omerit.
30 Dhe Omeri ishte biri i Shules.
31 Dhe Shule ishte biri i Kibit.
32 Dhe Kibi ishte biri i Orihës që ishte biri i Jaredit;
33 Jaredi, i cili erdhi me të vëllanë dhe familjet e tyre, dhe me disa të tjerë dhe familjet e tyre, nga kulla e madhe, në kohën kur Zoti ngatërroi gjuhën e njerëzve dhe u betua në zemërimin e tij se do t’i shpërndante mbi gjithë faqen e dheut; dhe sipas fjalës së Zotit njerëzit u shpërndanë.
34 Dhe vëllai i Jaredit, duke qenë njeri i bëshëm dhe i fuqishëm dhe njeri shumë i favorizuar nga Zoti, Jaredi, vëllai i tij, i tha atij: Lute Zotin që të mos na ngatërrojë, që të mos i kuptojmë fjalët tona.
35 Dhe ndodhi që vëllai i Jaredit e luti Zotin dhe Zoti pati dhembshuri për Jaredin; prandaj ai nuk ia ngatërroi gjuhën Jaredit; dhe Jaredi dhe i vëllai nuk u ngatërruan.
36 Atëherë Jaredi i tha vëllait të tij: Lutju përsëri Zotit dhe ndoshta ai do të largojë zemërimin e tij prej atyre që janë miqtë tanë që të mos ua ngatërrojë gjuhën e tyre.
37 Dhe ndodhi që vëllai i Jaredit e luti Zotin dhe Zoti pati dhembshuri për miqtë e tyre dhe familjet e tyre, kështu që ata nuk u ngatërruan.
38 Dhe ndodhi që Jaredi i foli përsëri të vëllait duke thënë: Shko dhe pyete Zotin, në qoftë se ai do të na nxjerrë nga vendi; dhe në qoftë se do të na nxjerrë nga vendi, kërkoi se ku do të shkojmë. Dhe kush e di nëse Zoti nuk do të na çojë në një vend të zgjedhur në të gjithë tokën? Dhe në qoftë se është kështu, të jemi besnikë ndaj Zotit, që të mund ta kemi atë për trashëgimin tonë.
39 Dhe ndodhi që vëllai i Jaredit iu lut Zotit sipas asaj që u tha nga goja e Jaredit.
40 Dhe ndodhi që Zoti e dëgjoi vëllanë e Jaredit dhe pati dhembshuri për të dhe i tha atij:
41 Shko dhe mblidhi së bashku tufat e tua, si meshkuj ashtu dhe femra të çdo lloji; dhe gjithashtu çdo lloj fare nga toka dhe familjet tuaja; si dhe vëllanë tënd, Jaredin dhe familjen e tij; si dhe miqtë e tu dhe familjet e tyre dhe miqtë e Jaredit dhe familjet e tyre.
42 Dhe kur ta kesh bërë këtë gjë, vihu në krye të tyre dhe shko në luginën që është në veri. Dhe aty, unë do të takohem me ty dhe do të shkoj para teje në një tokë të zgjedhur përmbi të gjitha tokat e dheut.
43 Dhe aty do të të bekoj ty dhe farën tënde dhe do të rris për vete nga fara jote, dhe nga fara e vëllait tënd, dhe nga ata që do të vijnë me ty, një komb të madh. Dhe nuk do të ketë më të madh se kombi që do të rris për vete nga fara jote, mbi gjithë faqen e dheut. Dhe këtë, unë do ta bëj për ty, për shkak të kësaj kohe të gjatë që më je lutur.