Kapitulli 5
Mormoni udhëheq përsëri ushtritë Nefite në beteja të gjakut dhe të kërdisë—Libri i Mormonit do të dalë në dritë për të bindur gjithë Izraelin se Jezusi është Krishti—Lamanitët do të shpërndahen për shkak të mosbesimit të tyre dhe Shpirti do të pushojë së përpjekuri me ta—Ata do të marrin, në ditët e mëvonshme, ungjillin nga Johebrenjtë. Rreth 375–384 pas K.
1 Dhe ndodhi që unë shkova mes Nefitëve dhe u pendova për betimin që kisha bërë, se nuk do t’i ndihmoja më; dhe ata më dhanë përsëri komandën e ushtrive të tyre, pasi mendonin se do të isha në gjendje t’i shpëtoja nga fatkeqësitë e tyre.
2 Por vini re, unë isha pa shpresë, pasi i dija gjykimet e Zotit që do të binin mbi ta; meqë ata nuk ishin penduar për paudhësitë e tyre, por po luftonin për jetën e tyre pa i bërë thirrje asaj Qenieje që i kishte krijuar.
3 Dhe ndodhi që Lamanitët na sulmuan pasi ne ikëm për në qytetin e Jordanit; por vini re, ne i zmbrapsëm, kështu që nuk e morën qytetin në atë kohë.
4 Dhe ndodhi që na sulmuan përsëri dhe ne e mbajtëm qytetin. Dhe pati edhe qytete të tjera që u mbajtën nga Nefitët, fortesa që pengonin mundësinë e hyrjes së tyre në vendin që gjendej para nesh, për të shkatërruar banorët e vendit tonë.
5 Por ndodhi që çdo vend që lamë prapa dhe banorët e të cilit nuk ishin mbledhur tok, u shkatërrua nga Lamanitët dhe qytetet e tyre, dhe fshatrat dhe qytetet u dogjën me zjarr; dhe kështu kaluan treqind e shtatëdhjetë e nëntë vjet.
6 Dhe ndodhi që në vitin treqind e tetëdhjetë Lamanitët erdhën përsëri të luftonin kundër nesh dhe ne u bëmë ballë me guxim; por e gjithë kjo gjë qe e kotë, pasi numri i tyre qe kaq i madh, saqë ata e shkelën nën këmbë popullin e Nefitëve.
7 Dhe ndodhi që ne u vumë përsëri në ikje dhe ata, ikja e të cilëve ishte më e shpejtë sesa e Lamanitëve, shpëtuan dhe ata, ikja e të cilëve nuk ia kalonte asaj të Lamanitëve, u fshinë dhe u shkatërruan.
8 Dhe tani vini re, unë, Mormoni nuk dëshiroj të sfilis shpirtrat e njerëzve, duke vënë para tyre një pamje kaq të tmerrshme gjaku dhe kërdie sikurse m’u paraqit para syve të mi; por unë, duke ditur se këto gjëra duhet të bëhen të ditura me siguri dhe që të gjitha gjërat që janë fshehur duhet të tregohen mbi majat e shtëpive—
9 Dhe gjithashtu, se një njohuri e këtyre gjërave duhet t’i arrijë mbetjes së këtij populli, si dhe Johebrenjve të cilët sipas fjalës së Zotit do ta shpërndajnë këtë popull dhe ky popull duhet të numërohet si asgjë mes tyre—prandaj unë po shkruaj një përmbledhje të shkurtër, duke mos guxuar të jap një rrëfim të plotë të gjërave që kam parë, për shkak të urdhrit që kam marrë dhe gjithashtu që ju të mos keni shumë brengë për shkak të ligësisë së këtij populli.
10 Dhe tani vini re, këtë unë po ia them farës së tyre, si dhe Johebrenjve që kujdesen për shtëpinë e Izraelit, që të kuptojnë dhe të dinë se prej nga u kanë ardhur bekimet.
11 Pasi unë e di se një gjë e tillë do t’i brengosë për fatkeqësinë e shtëpisë së Izraelit; po, ata do të brengosen për shkatërrimin e këtij populli; do të brengosen sepse ky popull nuk u pendua, kështu që ata të mund të ishin marrë në krahët e Jezusit.
12 Tani, këto gjëra janë shkruar për mbetjen e shtëpisë së Jakobit; dhe ato janë shkruar sipas kësaj mënyre, pasi Perëndia e di se ligësia nuk do t’i nxjerrë ato në dritë për ta; dhe se ato duhet të fshihen për Zotin që të dalin në dritë në kohën e tij të përshtatshme.
13 Dhe ky është urdhri që unë kam marrë; dhe vini re, ato do të dalin në dritë sipas urdhërimit të Zotit, kur ai, në urtësinë e tij, do ta shohë të nevojshme.
14 Dhe vini re, ato do t’u shkojnë jobesimtarëve të Judenjve; dhe për këtë qëllim ato do t’u shkojnë—që ata të mund të binden se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë; se Ati mund të plotësojë, nëpërmjet më të Dashurit të tij, qëllimin e tij të madh dhe të përjetshëm, që të rivendosë Judenjtë ose gjithë shtëpinë e Izraelit, në tokën e trashëgimit të tyre, të cilën Zoti, Perëndia i tyre ua ka dhënë, në plotësimin e besëlidhjes së tij;
15 Dhe gjithashtu, që fara e këtij populli të besojë më plotësisht ungjillin e tij, i cili do t’u shkojë me anë të Johebrenjve; pasi ky popull do të shpërndahet dhe ata do të bëhen një popull i errët, i ndyrë dhe i neveritshëm, jashtë përshkrimit që është bërë mbi gjërat që kanë ngjarë mes nesh, po, madje edhe të atyre që kanë ngjarë mes Lamanitëve dhe kjo gjë për shkak të mosbesimit dhe idhujtarisë së tyre.
16 Pasi vini re, Shpirti i Zotit pushoi tashmë së përpjekuri me etërit e tyre; dhe ata janë pa Krisht dhe pa Perëndi në këtë botë; dhe ata hidhen sa andej këtej si byku në erë.
17 Ata ishin njëherë një popull i këndshëm dhe kishin Krishtin për bari të tyre; po, ata udhëhiqeshin madje nga Perëndia, Ati.
18 Por tani, vini re, ata udhëhiqen nga Satani, madje, ashtu sikurse bykun që e hedh era ose sikurse një anije që dallgët e hedhin poshtë e lart, që s’ka vela ose spirancë ose asgjë që të mund të drejtohet, madje sikurse është ajo, kështu janë dhe ata.
19 Dhe vini re, Zoti ka ruajtur bekimet e tyre, që ata mund të merrnin në tokë, për Johebrenjtë të cilët do të zotërojnë atë vend.
20 Por vini re, do të ndodhë që ata do të dëbohen dhe do të shpërndahen nga Johebrenjtë; dhe pasi të jenë dëbuar dhe të jenë shpërndarë nga Johebrenjtë, vini re, atëherë Zoti do të kujtojë besëlidhjen që ai ka bërë me Abrahamin dhe me të gjithë shtëpinë e Izraelit.
21 Dhe gjithashtu, Zoti do të kujtojë lutjet e të drejtëve, të cilat iu bënë atij, për ta.
22 Dhe atëherë, O ju Johebrenj, si do të mund të qëndroni para fuqisë së Perëndisë, në qoftë se ju nuk pendoheni dhe nuk hiqni dorë nga udhët tuaja të liga?
23 A nuk e dini ju se jeni në duart e Perëndisë? A nuk e dini se ai ka gjithë fuqinë dhe se me urdhrin e tij të madh toka do të mblidhet rrotull si një pergamenë?
24 Prandaj, pendohuni dhe përuluni para tij, që ai të mos dalë me drejtësi kundër jush—që një mbetje e farës së Jakobit të mos vijë mes jush, sikurse një luan dhe t’ju shqyejë copë-copë dhe të mos ketë kush t’ju çlirojë.