Kapitulli 19
Gideoni përpiqet të vrasë mbretin Noe—Lamanitët pushtojnë vendin—mbreti Noe vuan vdekjen nga zjarri—Limhi sundon si mbret haraçpagues. Rreth 145–121 para K.
1 Dhe ndodhi që ushtria e mbretit u kthye, pasi kërkoi më kot për njerëzit e Zotit.
2 Dhe tani vini re, forcat e mbretit ishin të pakta, pasi ishin zvogëluar dhe filloi të bëhej një përçarje mes pjesës së mbetur të popullit.
3 Dhe pakica filloi të bënte kërcënime kundër mbretit dhe filloi të ketë një grindje të madhe mes tyre.
4 Dhe tani, mes tyre ishte një njeri, emri i të cilit ishte Gideon dhe, duke qenë një njeri i fortë dhe armik i mbretit, prandaj ai nxori shpatën dhe u betua në zemërimin e tij se do ta vriste mbretin.
5 Dhe ndodhi që ai luftoi me mbretin; dhe kur mbreti pa se ai do ta mundte, iku, vrapoi dhe shkoi në kullën që ishte afër tempullit.
6 Dhe Gideoni e ndoqi nga pas dhe qe gati të ngjitej në kullë për ta vrarë mbretin dhe mbreti hodhi sytë rreth e përqark tokës së Shemlonit dhe vini re, ushtria e Lamanitëve ishte brenda kufijve të vendit.
7 Dhe tani mbreti thirri në ankthin e shpirtit të tij, duke thënë: Gideon, më kurse, sepse Lamanitët janë mbi ne dhe ata do të na shkatërrojnë; po, ata do ta shkatërrojnë popullin tim.
8 Dhe tani, mbreti nuk ishte aq shumë i shqetësuar për popullin e tij, sa ishte për jetën e vet, megjithatë Gideoni ia kurseu jetën e tij.
9 Dhe mbreti urdhëroi që njerëzit të iknin para Lamanitëve dhe ai vetë iku para tyre dhe ata ia mbathën në vendin e shkretë, me gratë e tyre dhe me fëmijët e tyre.
10 Dhe ndodhi që Lamanitët i ndoqën dhe i arritën ata dhe filluan t’i vrisnin.
11 Tani ndodhi që mbreti i urdhëroi ata, që të gjithë burrat duhej të linin bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e tyre dhe të iknin para Lamanitëve.
12 Tani, pati shumë që nuk deshën t’i linin ata, por më mirë të rrinin dhe të vdisnin me ta. Dhe pjesa tjetër i la bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e tyre dhe ia mbathi.
13 Dhe ndodhi që ata që qëndruan me bashkëshortet e tyre, dhe me fëmijët e tyre, bënë që bijat e tyre të bukura të dilnin dhe t’u luteshin Lamanitëve, që të mos i vritnin.
14 Dhe ndodhi që Lamanitët patën mëshirë për ta, pasi u magjepsën nga bukuria e grave të tyre.
15 Prandaj, Lamanitët ua falën jetën dhe i morën robër dhe i çuan në tokën e Nefit, dhe u dhanë atyre tokën që ta zotëronin, me kusht që ata të dorëzonin në duart e Lamanitëve mbretin Noe dhe të dorëzonin pasurinë e tyre, madje gjysmën e gjithçkaje që kishin, gjysmën e arit të tyre dhe të argjendit të tyre dhe të të gjitha gjërave të çmueshme të tyre dhe kështu t’i paguanin haraç mbretit të Lamanitëve nga viti në vit.
16 Dhe tani, mes atyre që u zunë robër ishte edhe një prej të bijve të mbretit, emri i të cilit ishte Limhi.
17 Dhe tani Limhi donte që i ati të mos vritej; megjithëse Limhi kishte njohuri të paudhësive të atit të tij, pasi ai vetë ishte njeri i drejtë.
18 Dhe ndodhi që Gideoni dërgoi fshehtas njerëz në vendin e shkretë, që të kërkonin mbretin dhe ata që ishin me të. Dhe ndodhi që ata i takuan njerëzit në vendin e shkretë, me përjashtim të mbretit dhe të priftërinjve të tij.
19 Tani, ata ishin betuar në zemrat e tyre se do të ktheheshin në tokën e Nefit dhe në qoftë se bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e tyre ishin vrarë, dhe gjithashtu ata që kishin ndenjur me ta, atëherë do të kërkonin hakmarrje dhe gjithashtu do të vdisnin me ta.
20 Dhe mbreti urdhëroi që ata të mos ktheheshin; dhe ata ishin zemëruar me mbretin dhe bënë që ai të vuante, madje deri në vdekje nga zjarri.
21 Dhe ata qenë gati të kapnin gjithashtu priftërinjtë dhe t’i vrisnin, por ata ikën para tyre.
22 Dhe ndodhi që ata ishin gati të ktheheshin në tokën e Nefit dhe u takuan me njerëzit e Gideonit. Dhe njerëzit e Gideonit u treguan gjithçka që u kishte ngjarë bashkëshorteve të tyre dhe fëmijëve të tyre; dhe se Lamanitët u kishin dhënë të drejtë të zotëronin tokën, duke u paguar haraç Lamanitëve gjysmën e gjithçkaje që zotëronin.
23 Dhe njerëzit u thanë njerëzve të Gideonit se ata kishin vrarë mbretin dhe priftërinjtë e tij kishin ikur më larg në vendin e shkretë.
24 Dhe ndodhi që pasi i dhanë fund ceremonisë, ata u kthyen me gëzim në tokën e Nefit, sepse bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e tyre nuk ishin vrarë; dhe i treguan Gideonit se ç’i kishin bërë mbretit.
25 Dhe ndodhi që mbreti i Lamanitëve u bëri një betim atyre, se populli i tij nuk do t’i vriste ata.
26 Dhe gjithashtu Limhi, duke qenë i biri i mbretit, pasi kishte mbretërinë të dhënë tek ai nga populli iu betua mbretit të Lamanitëve se populli i tij do t’i paguante haraç, madje gjysmën e gjithçkaje që zotëronin.
27 Dhe ndodhi që Limhi filloi të vendosë mbretërinë dhe të vendosë paqe mes popullit të tij.
28 Dhe mbreti i Lamanitëve vendosi roja rreth e përqark tokës, që ai të mund ta mbante popullin e Limhit në vend, që ata të mos iknin në vendin e shkretë; dhe ai i mbante rojat nga haraçi që ai merrte nga Nefitët.
29 Dhe tani mbreti Limhi pati paqe të vazhdueshme në mbretërinë e tij për hapësirën e dy viteve, gjatë të cilëve Lamanitët nuk i trazuan ata, as nuk u përpoqën t’i shkatërronin ata.