Shkrimet e Shenjta
Mosia 6


Kapitulli 6

Mbreti Beniamin regjistron emrat e njerëzve dhe cakton priftërinj për t’i mësuar ata—Mosia mbretëron si një mbret i drejtë. Rreth 124–121 para K.

1 Dhe tani, mbreti Beniamin, pasi mbaroi së foluri ndaj popullit, mendoi se ishte e domosdoshme që ai të merrte emrat e të gjithë atyre që kishin hyrë në një besëlidhje me Perëndinë për të zbatuar urdhërimet e tij.

2 Dhe ndodhi që s’pati asnjë shpirt, me përjashtim të fëmijëve të vegjël, që nuk hyri në besëlidhje dhe nuk mori emrin e Krishtit.

3 Dhe përsëri, ndodhi që kur mbreti Beniamin u kishte dhënë fund të gjitha këtyre gjërave, dhe kishte shuguruar birin e tij Mosian të ishte sundimtar dhe mbret mbi popullin e tij dhe i kishte dhënë atij të gjitha detyrat në lidhje me mbretërinë, dhe gjithashtu kishte caktuar priftërinj që mësonin njerëzit, që kështu ata të mund të dëgjonin dhe të dinin urdhërimet e Perëndisë dhe për t’i nxitur ata në kujtim të betimit që kishin bërë, ai e shpërndau turmën dhe ata u kthyen çdonjëri sipas familjeve të tyre në shtëpitë e tyre.

4 Dhe Mosia filloi të mbretëronte në vend të atit të tij. Dhe ai filloi të mbretëronte në vitin e tridhjetë të moshës së tij, duke u bërë gjithsej rreth katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë vjet nga koha që Lehi u largua nga Jeruzalemi.

5 Dhe mbreti Beniamin jetoi tre vjet dhe ai vdiq.

6 Dhe ndodhi që mbreti Mosia eci në udhët e Zotit dhe respektoi gjykimet e tij dhe statutet e tij dhe zbatoi urdhërimet e tij, në të gjitha gjërat çfarëdo që ai e urdhëroi atë.

7 Dhe mbreti Mosia bëri që populli i tij të punonte tokën. Dhe ai gjithashtu vetë punoi tokën që kështu ai të mos bëhej barrë për popullin e tij, që të mund të bënte sipas asaj që i ati kishte bërë në të gjitha gjërat. Dhe nuk pati grindje mes të gjithë popullit të tij për hapësirën e tre vjetëve.