Shkrimet e Shenjta
Mosia 9


Anali i Zenifit—Një rrëfim i popullit të tij, nga koha që ata u larguan nga vendi i Zarahemlës deri në kohën që ata u çliruan nga duart e Lamanitëve.

Përfshin kapitujt 9 deri në 22, duke përfshirë edhe të fundit.

Kapitulli 9

Zenifi udhëheq një grup nga Zarahemla për të zotëruar tokën e Lehi-Nefit—Mbreti Lamanit i lejon ata që të trashëgojnë tokën—Ka luftë midis Lamanitëve dhe popullit të Zenifit. Rreth 200–187 para K.

1 Unë, Zenifi, duke qenë i mësuar në të gjithë gjuhën e Nefitëve dhe pasi kisha njohuri për vendin e Nefit, ose vendin e trashëgimit të parë të etërve tanë, dhe pasi u dërgova si spiun mes Lamanitëve, që unë të mund të spiunoja forcat e tyre, që ushtria jonë të mund të vinte mbi ta dhe t’i shkatërronte—por, kur pashë atë që ishte e mirë mes tyre, unë pata dëshirë që ata të mos shkatërroheshin.

2 Prandaj, unë u grinda me vëllezërit e mi në vendin e shkretë, pasi doja që sundimtari ynë të bënte një traktat me ta; por ai duke qenë një njeri i rreptë dhe gjakatar urdhëroi që unë duhet të vritesha; por unë u shpëtova nga derdhja e shumë gjaku, pasi ati luftoi kundër atit dhe vëllai kundër vëllait, deri kur numri më i madh i ushtrisë sonë u shkatërrua në vendin e shkretë; dhe ne u kthyem, ata nga ne që shpëtuan, në vendin e Zarahemlës, për t’u treguar atë ndodhi bashkëshorteve të tyre dhe fëmijëve të tyre.

3 Dhe megjithatë, unë duke qenë shumë i zellshëm që të trashëgoja tokën e etërve tanë, mblodha të gjithë ata që donin të shkonin për të zotëruar tokën dhe nisëm përsëri udhëtimin tonë në vendin e shkretë për të shkuar te toka; por ne u goditëm me uri dhe vuajtje të rënda, pasi ishim të ngadalshëm të kujtonim Zotin, Perëndinë tonë.

4 Megjithatë, pas shumë ditësh endjeje në vendin e shkretë, ne ngritëm çadrat tona në vendin ku u vranë vëllezërit tanë, që ishte afër tokës së etërve tanë.

5 Dhe ndodhi që unë shkova përsëri me katër nga njerëzit e mi në qytet, pranë mbretit, që unë të mund të dija për natyrën e mbretit dhe që unë të mund të dija në qoftë se mund të shkoja me njerëzit e mi dhe të zotëroja tokën në paqe.

6 Dhe unë shkova te mbreti dhe ai bëri besëlidhje me mua, që unë të mund të zotëroja tokën e Lehi-Nefit dhe tokën e Shilomit.

7 Dhe ai urdhëroi gjithashtu që njerëzit e tij duhej të largoheshin nga toka dhe unë dhe njerëzit e mi shkuam te toka, që ne të mund ta zotëronim atë.

8 Dhe ne filluam të ndërtonim ndërtesa dhe të ndreqnim muret e qytetit, po, madje muret e qytetit të Lehi-Nefit dhe të qytetit të Shilomit.

9 Dhe ne filluam të punonim tokën, po, madje me të gjitha llojet e farave, me fara misri dhe gruri dhe elbi, dhe neasi, dhe sheumi, dhe me farat e të gjitha llojeve të frutave; dhe ne filluam të shtoheshim dhe të përparonim në tokë.

10 Tani, qe dinakëria dhe dredhia e mbretit Laman, që ta sillte popullin tim në robëri, që ai hoqi dorë nga toka, që ne të mund ta zotëronim atë.

11 Prandaj, ndodhi që pasi ne kishim banuar në tokë për hapësirën e dymbëdhjetë vjetëve, mbreti Laman filloi të kishte frikë se në ndonjë mënyrë populli ynë do të bëhej i fortë në tokë dhe se ata nuk do të mund ta mposhtnin dhe ta sillnin atë në robëri.

12 Tani, ata ishin një popull përtac dhe idhujtar; prandaj ata dëshironin të na sillnin ne në robëri, që të ngopnin veten e tyre me punët e duarve tona, po, që të ushqenin veten e tyre me kopetë e fushave tona.

13 Prandaj, ndodhi që mbreti Laman filloi të ngacmonte popullin e tij, që ata të grindeshin me popullin tim; prandaj filloi të kishte luftëra dhe grindje në tokë.

14 Pasi, në vitin e trembëdhjetë të mbretërimit tim në tokën e Nefit, larg në jug të tokës së Shilomit, kur njerëzit e mi ishin duke u dhënë ujë dhe duke ushqyer kopetë e tyre dhe duke punuar tokat e tyre, një ushtri e madhe në numër e Lamanitëve erdhi mbi ta dhe filluan t’i vrisnin ata dhe të merrnin kopetë e tyre dhe misrin e fushave të tyre.

15 Po, dhe ndodhi që ata ikën me vrap, të gjithë ata që nuk u kapën, madje në qytetin e Nefit dhe më kërkuan mua për mbrojtje.

16 Dhe ndodhi që unë i armatosa ata me harqe dhe me shigjeta, me shpata dhe me kordha, me topuza dhe me hobe dhe me të gjitha llojet e armëve që ne mund të shpiknim; dhe unë dhe populli im shkuam përpara të luftonim kundër Lamanitëve.

17 Po, në fuqinë e Zotit, ne shkuam përpara të luftonim kundër Lamanitëve; pasi unë dhe populli im iu lutëm me fuqi Zotit, që të na shpëtonte nga duart e armiqve tanë, pasi ne u zgjuam në një kujtesë të çlirimit të etërve tanë.

18 Dhe Perëndia i dëgjoi thirrjet tona dhe iu përgjigj lutjeve tona; dhe ne shkuam përpara në fuqinë e tij; po, ne shkuam përpara kundër Lamanitëve dhe brenda një dite dhe një nate ne vramë tre mijë e dyzet e tre; ne i vramë ata madje derisa i kishim nxjerrë ata nga toka jonë.

19 Dhe unë vetë, ndihmova me duart e mia të varrosja të vdekurit e tyre. Dhe vini re, që për dhembjen dhe pikëllimin tonë të madh, dyqind e shtatëdhjetë e nëntë nga vëllezërit tanë u vranë.