Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Jezusi, Krishti - Princi Ynë i Paqes


2:3

Jezusi, Krishti - Princi Ynë i Paqes

Vëllezër e motra të dashura, çfarë përvoje e mrekullueshme ka qenë kjo. Muzika ka qenë madhështore dhe mesazhet na kanë ngrohur zemrat. Shpirti i Krishtlindjes po vlon në shpirtrat tanë!

Kujtimet e Krishtlindjes sjellin grumbullimin e familjes, dhuratave e shërbimit ndaj të tjerëve. Ato burojnë nga arsyeja e vërtetë pse kemi Krishtlindjen, atë dhuratë të jashtëzakonshme nga Ati ynë Qiellor. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” 1

Përqëndrimi te Zoti dhe jeta e përjetshme mund të na ndihmojë jo vetëm për Krishtlindje, por edhe gjatë sfidave të vdekshmërisë. Njerëzit e papërsosur jetojnë në planetin tokë me njerëz të tjerë të papërsosur. Bota jonë është një botë e prishur nga borxhi i tepruar, luftërat, katastrofat natyrore, sëmundja dhe vdekja.

Vijnë sfida vetjake. Një baba mund të ketë humbur punën. Një nënë e re mund të ketë mësuar për një sëmundje të rëndë. Një bir ose bijë mund të ketë shkuar në rrugë të gabuar. Çfarëdo qoftë ajo që shkakton shqetësim, secili prej nesh është i etur të gjejë paqe të brendshme.

Mesazhi im sonte i përket burimit të vetëm të vërtetë e të pafund të paqes, Jezusin, Krishtin - Princin tonë të Paqes.2 Këtë titull ai e mori përveç të tjerëve sepse ishte diçka për të cilin Ai ishte parashuguruar.

Ai u vajos nga Ati i Tij që të ishte Shpëtimtari i botës. Këta dy tituj - Mesia dhe Krishti - e përcaktuan përgjegjësinë e Tij si i vajosuri.3

Nën drejtimin e të Atit, Jezusi ishte Krijuesi i kësaj bote dhe të tjerave.4 Jezusi është Avokati ynë me Atin.5 Jezusi ishte Emanueli i premtuar,6 Unë Jam-i i madh dhe Jehovai i kohëve të Dhiatës së Vjetër.7

Ai u dërgua nga Ati i Tij për të përmbushur Shlyerjen, veprën qendrore të të gjithë historisë njerëzore. Për shkak të Shlyerjes së Tij, pavdekshmëria u bë realitet për të gjithë dhe jeta e përjetshme u bë një mundësi për ata që zgjedhin ta ndjekin Atë.8 Këto objektiva janë puna dhe lavdia e Perëndisë së Plotfuqishëm.9

Si Shembulli ynë i shkëlqyer, Jezusi na mësoi si të jetojmë, të duam e të mësojmë. Ai na mësoi si të lutemi, të falim e të durojmë deri në fund.10

Ai na mësoi si të kujdesemi për të tjerët më tepër sesa kujdesemi për veten. Ai na mësoi për mëshirën dhe mirësinë - duke bërë ndryshime të vërteta në jetën tonë nëpërmjet fuqisë së Tij. Ai na mësoi si të gjejmë paqe të zemrës dhe mendjes. Një ditë, ne do të qëndrojmë përpara Tij si Gjykatësi ynë i drejtë dhe Mësuesi i mëshirshëm.11

Këto përgjegjësi të Shenjta të Zotit bëjnë që ne ta adhurojmë Atë si Princin tonë vetjak e të përhershëm të Paqes. Ne i thurim lavde Atij për privilegjin tonë si prindër, gjyshër dhe mësues të fëmijëve.

Koha e Krishtlindjes është një kohë e shtrenjtë për t’u kaluar me familjen. Koha që kalohet me familjen është një kohë e shenjtë. Ne mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë që të kthehen te Shpëtimtari. Muzika mund të na ndihmojë. Fëmijëve tanë u pëlqen “I’m Trying to Be Like Jesus” [“Po Përpiqem të Jem si Jezusi”].12

“Jezusi tha: ‘I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë’.”13

Ai mund t’iu sjellë paqe atyre, jeta e të cilëve është rrënuar nga lufta. Familjet e përçara nga detyra ushtarake ruajnë kujtime nga lufta, që më janë ngulitur në mendje gjatë Luftës Koreane.

Luftërat e epokës së tanishme janë më të përparuara, por prapëseprapë janë po aq pikëlluese për familjet. Ata që vuajnë mund të kthehen nga Zoti. Ai është mesazhi ngushëllues i paqes mbi tokë dhe i vullnetit të mirë mes njerëzve.14

Paqja mund t’iu vijë atyre që nuk ndihen mirë. Disa trupa janë të dëmtuar. Të tjerë lëngojnë shpirtërisht për shkak të njerëzve të dashur të humbur ose tronditjeve të tjera emocionale. Vëllezër e motra, paqja mund të vijë në shpirtin tuaj teksa ndërtoni besim te Princi i Paqes.

“A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë? Silleni këtu. A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, ose i gjymtë, ose sakat, … ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata.”15

“E shoh se besimi juaj është i mjaftueshëm që unë t’ju shëroj.”16

Paqja mund t’i vijë dikujt që vuan nga brenga. Qoftë nëse brenga buron nga një gabim apo një mëkat, gjithçka që kërkon Zoti është pendimi i vërtetë. Shkrimi i Shenjtë na lutet që të “largoh[emi] nga pasionet rinore; … [dhe ta] thërr[asim] në ndihmë Zotin me zemër të pastër.”17 Pastaj, “balsami” i tij qetësues “në Galaad” mund të shërojë madje edhe një shpirt të sëmurë nga mëkati.18

Mendoni për ndryshimin e Xhon Njutonit, i lindur në Londër në vitin 1725. Ai u pendua nga jeta e tij mëkatare si një tregtar skllevërish për t’u bërë një klerik anglikan. Pas atij ndryshimi të madh të zemrës, Xhoni shkroi fjalët e himnit “Amazing Grace” [“Hir i Mahnitshëm”].

Hiri i mahnitshëm! Sa i ëmbël tingulli!

Ai shpëtoi një qyqar si unë.

Dikur i humbur isha, por tani jo më;

I verbër isha, por tani shoh.19

“Në qiell do të ketë … gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet.”20

Paqja mund t’iu vijë atyre, punët e të cilëve, janë të rënda:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

“Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.”21

Paqja mund t’iu vijë atyre që vajtojnë. Zoti tha: “Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.”22 Ndërsa durojmë vdekjen e një njeriu të dashur, ne mund të mbushemi me paqen e Zotit nëpërmjet pëshpëritjeve të Shpirtit.

“Ata që vdesin në mua, nuk do ta shijojnë vdekjen, sepse ajo do të jetë e ëmbël për ta.”23

“Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota. zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”24

“Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.”25

Paqja mund t’iu vijë të gjithë atyre që e kërkojnë me zell Princin e Paqes. Ai është mesazhi i ëmbël dhe shpëtues që misionarët tanë shpërndajnë nëpër botë. Ata e predikojnë ungjillin e Jezu Krishtit ashtu siç u rivendos nga Ai përmes Profetit Jozef Smith.26 Misionarët japin mësim këto fjalë të Zotit që ndryshojnë jetë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.”27

Paqja mund t’iu vijë të gjithë atyre që zgjedhin të ecin në udhët e Mësuesit. Ftesa e tij shprehet në tri fjalë të dashura: “Eja, e më ndiq”.28

Ne do t’i këndojmë me brohoritje Princit të Paqes, 29 sepse Ai do të vijë përsëri. Atëherë “lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë”.30 Si Mesia i Mijëvjeçarit, Ai do të mbretërojë si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve.31

Ndërsa e ndjekim Jezu Krishtin, Ai do të na udhëheqë që të jetojmë me Të dhe Atin tonë Qiellor, me familjet tona. Përmes sfidave tona të shumta në vdekshmëri, nëse u qëndrojmë besnikë besëlidhjeve të bëra, nëse durojmë deri në fund, ne do të kualifikohemi për të gjitha dhuratat e Perëndisë, jetën e përjetshme.32 Në praninë e Tij të shenjtë, familjet tona mund të jenë së bashku përgjithmonë.

Perëndia ju bekoftë, vëllezërit e motrat e mia. Pastë secili prej jush një Krishtlindje shumë të gëzueshme! Dhe i gëzofshi ju dhe njerëzit tuaj të dashur përgjithmonë të gjitha bekimet e Zotit - Princit tonë të Paqes - lutem unë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.