Mësues [të] Ardhur nga Perëndia
Një Mbrëmje me Plakun M. Rasëll Ballard
Fjalim drejtuar Mësuesve të Fesë të SAK-ut • 26 shkurt, 2016 • Tabernakulli i Solt-Lejkut
Vëllezërit e motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që jam me ju këtë mbrëmje. Dua veçanërisht t’u shpreh mirënjohje të gjithë mësueseve e mësuesve dhe bashkëshortëve e bashkëshorteve të tyre që i përkrahin ata që japin mësim. Kam një dhëndër që është mësues i seminarit herët në mëngjes dhe prandaj e njoh sakrificën dhe përkushtimin që duhet për të dhënë mësim në seminar herët në mëngjes dhe e kam parë ndikimin që kanë mësuesit kohëplotë te brezi që po rritet, përfshirë te nipërit e mbesat e mia. Zoti ju bekoftë të gjithëve për atë që bëni.
Gushtin e shkuar ju fola rreth nevojës sonë për t’u ngritur në nivelin e përgjegjësive të mëdha që qëndrojnë mbi ne. Ne duhet ta edukojmë brezin që po rritet, në mënyrë më të thellë dhe më të fuqishme nga sa e kemi bërë ndonjëherë më parë. Dhe kjo do të thotë që të gjithë ne kemi nevojë të jemi më të mirë e të veprojmë më mirë nga sa kemi bërë më parë.
Teksa kam menduar për atë detyrë të ngarkuar nga Zoti dhe për mundësinë që të them disa fjalë sonte, mendja ime ka shkuar tek tregimi i vizitës së Nikodemit te Shpëtimtari natën, sikurse shënohet në kapitullin e tretë të Gjonit. Nikodemi tha: “Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të”.1
Ai pohim jo vetëm që shpalli se kush është Jezusi – një mësues i ardhur nga Perëndia – por edhe çfarë bëjnë mësuesit që vijnë nga Perëndia: Ata bëjnë mrekulli në jetën e atyre, të cilëve u japin mësim, sepse Perëndia është me ta.
E njoh një mësuese të tillë shumë mirë. Dua t’ju tregoj sonte një shëmbëlltyrë rreth saj. Quhet “Shëmbëlltyra e Udhëheqëses së Çerdhes”.
Një motër e caktuar u thirr si udhëheqëse e çerdhes në lagjen e saj. Ajo ishte përgatitur mirë në universitet dhe kishte shumë ide për veprimtaritë dhe punët e dorës që mund të bënin fëmijët. Ajo vendosi ta bënte çerdhen një shembull mësimdhënieje.
Pas shumë javësh, motra u shkurajua. Çerdhja ishte një barrë. Ajo i druhej përballjes me fëmijët. Pavarësisht nga planet e saj, fëmijët bënin rrëmujë e qanin dhe e shpërfillnin çdo javë. Asgjë nga ato që ajo provonte, nuk funksiononte. Çdo javë ajo vinte në shtëpi duke qarë.
Me dëshpërim ajo bërtiti: “Kam bërë gjithçka mundem! Çfarë mund të bëj më tepër?”
Një mendim i erdhi në mendje: Pyete Atin Qiellor çfarë të bësh. Duke fshirë lotët, ajo u gjunjëzua në lutje. U lut rreth çerdhes, shpresave të saj, dëshpërimit të saj dhe zhgënjimit të saj. Ajo u lut për ndihmën dhe udhërrëfimin e Tij.
Ati Qiellor iu përgjigj lutjes së saj. I erdhi një mbresë e fortë: Planet e tua mësimore janë për ty. . Në vend të kësaj përqendrohu te fëmijët, mëso t’i njohësh dhe duaji ata.
Ishte këshillë e mirë, një mesazh i mirë, por i vështirë për t’u dëgjuar. Motra e dinte se duhej të pendohej. Ajo kishte nevojë për një qëndrim të ri dhe një qasje të re ndaj çerdhes. Ajo u lut dhe i studioi shkrimet e shenjta për frymëzim.
Kur mësuesja shkoi në çerdhe të dielën e ardhshme, nuk kishte ndjenja frike. Ajo i mirëbesonte Zotit. I takoi fëmijët te dera, u ul për të qenë në një nivel me ta dhe i përshëndeti në emër. U foli rreth familjeve të tyre, ushqimit të tyre të parapëlqyer dhe për shumë gjëra të tjera. Ajo mbajti orën e këngës dhe u lexoi histori. Disa nga fëmijët qanë dhe bënë rrëmujë, por kishte një ndjenjë të ndryshme në çerdhe atë javë. Dhe kur mbaroi, motra ishte e rraskapitur, por jo e përlotur.
Pak e nga pak, teksa motra e mirë arriti t’i njihte fëmijët më mirë, ndjenjat e saj rreth tyre ndryshuan. Udhëheqësja e çerdhes i priste me padurim të dielat. Ajo ishte e emocionuar dhe e lumtur që ishte me fëmijët e saj të çerdhes. Ajo i donte ata.
Dhe … frymëzimi erdhi. Një javë ajo mori një aparat fotografik në çerdhe dhe i bëri fotografi secilit fëmijë. Përgatiti një tabelë fotografish, e vuri fotografinë e secilit fëmijë në tabelë dhe e çoi tabelën në çerdhe çdo javë. Fëmijëve u pëlqente shumë ta shihnin veten e tyre në tabelë. Ata nuk ndiheshin vetëm të rëndësishëm; ata e ndienin se ajo i donte.
Pas pak kohe, udhëheqësja e çerdhes i përdori veprimtaritë dhe projektet e saj për t’u dhënë mësim. Fëmijëve u pëlqyen shumë. Në fakt, fëmijëve u pëlqente çerdhja aq shumë sa vraponin për në çerdhe pas mbledhjes së sakramentit. Fëmijëve u pëlqente shumë të ishin në çerdhe. Ata e donin udhëheqësen e tyre të çerdhes dhe ajo i donte ata.
Ka shumë parime që secili mund të mësojë nga kjo shëmbëlltyrë. Me rëndësi më të madhe është besimi tek Ati Qiellor dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti. Ishte besimi i mësueses që e gjunjëzoi atë në lutje, besim që i dha shtysë pendimit të saj, dhe besim që e bëri atë të shkonte përpara pa e ditur saktësisht se çfarë të bënte. Besimi është parimi i parë.
E dyta është shpresa. Të qenit në çerdhe mund të jetë e vështirë për fëmijët e vegjël. Ata mund të ndihen të frikësuar, të vetmuar ose madje të braktisur. Ata mund të pyetin veten a ka ndonjë mënyrë për të ikur prej andej. Udhëheqësja e çerdhes i kishte ndier po ato ndjenja, por i kishte zgjidhur ato dhe e dinte se kishte shpresë në Krishtin. Shpresa e saj ishte e “gjallë”, e “ndriçuar” dhe e “shndritshme” dhe fëmijët e ndien atë.
Parimi i tretë është përulësia. Krenaria dhe mirëbesimi te krahu prej mishi është një rrezik profesional për një mësues. Përulësia – të qenit i mësueshëm – është kundërhelmi i shkëlqyer për krenarinë. Udhëheqësja e çerdhes veproi me besim në Krisht që ta përulte veten përpara Atit të saj Qiellor. Ai ia ndriçoi mendjen asaj dhe e bekoi me mençuri me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.
Parimi i katërt është dashuria – dashuria e pastër e Krishtit. Në fillim, nuk ishte e lehtë që t’i doje fëmijët. Por udhëheqësja e çerdhes kishte besim te Krishti dhe shkoi përpara përulësisht me shpresë tek Ai për t’i dashur ata fëmijë. Perëndia e bekoi atë me dashurinë e pastër të Krishtit dhe fëmijët e ndien atë. Në fakt, udhëheqësja e çerdhes krijoi lidhje dashurie hyjnore me ata fëmijë. Ato lidhje u bënë një kanal shpirtëror përmes të cilit mundën të rridhnin të mësuarit, nxitja dhe shpresa.
Vëllezër e motra, unë lutem për bekimet e Perëndisë mbi ne, që të gjithë ne, pavarësisht se ku japim mësim, të mund të veprojmë sipas këtyre parimeve të besimit, shpresës, përulësisë dhe dashurisë me madje më tepër zell, guxim dhe durim se kurrë më parë. E di se, nëse e bëjmë, hiri i Krishtit do të na shoqërojë dhe do të jemi vërtet mësues të ardhur nga Perëndia, duke bërë mrekulli në jetën e studentëve tanë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2016 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 6/15. 12/15. Miratuar për përkthim: 12/15. Përkthim i “Teachers Come from God.” Albanian PD60001102 101