Biblioteka
Mundësitë dhe Përgjegjësitë e Mësuesve të SAK-ut në Shekullin e 21-të


Mundësitë dhe Përgjegjësitë e Mësuesve të SAK-ut në Shekullin e 21-të

Një Mbrëmje me Plakun M. Rasëll Ballard

Fjalim drejtuar Mësuesve të Fesë të SAK-ut • 26 shkurt 2016 • Tabernakulli i Solt-Lejkut

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, faleminderit për përpjekjet tuaja të jashtëzakonshme për të bekuar jetën e anëtarëve tanë të rinj të Kishës.

Kohët e fundit shqyrtova librin e ri, By Study and Also By Faith: One Hundred Years of Seminaries and Institutes of Religion [Me Anë të Studimit dhe Gjithashtu me Anë të Besimit: Njëqind Vite të Seminareve dhe Instituteve të Fesë]. Është një histori mrekullibërëse! Teksa shfletoja nëpër të, vura re rolet që patën stërgjyshi im Jozef F. Smith dhe gjyshi im Melvin J. Ballard në krijimin dhe zgjerimin e arsimimit të Kishës.

Sot po qëndroj atje ku qëndruan ata dikur për shkak të vetë shoqërimit tim me ju. Që nga viti 1985, kam pasur privilegjin të shërbeja për 14 vjet në Bordin e Arsimimit, 7 vjet prej të cilëve isha në Komitetin Ekzekutiv dhe pothuajse 4 prej atyre viteve shërbeva si kryetar.

Gjatë kohës sime në Bord, zhvillova një vlerësim të madh për Sistemin Arsimor të Kishës. Sonte flas për të gjithë prindërit dhe gjyshërit e madje stërgjyshërit në këtë Kishë kur ju falënderoj ju mësues e administratorë dhe familjet tuaja për shërbimin tuaj besnik. Ajo që ka arritur SAK-u në 100 vitet e fundit, është e mahnitshme. Sidoqoftë jam më i interesuar për 100 vitet e ardhshme dhe për mënyrën se si ju mund t’i ndihmoni studentët tuaj të përballen me sfidat gjithnjë në ndryshim të shekullit të 21-të.

Në një mbledhje trajnimi për Autoritetet e Përgjithshme, Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim mbi temën e “mbajtjes së doktrinës së pastër dhe të Kishës në rrjedhën e duhur”. Ai tha: “Ne nuk mund të jemi tepër të kujdesshëm. Ne duhet të bëjmë rojë që të mos dalim [nga shtegu]. Në përpjekjet tona për të qenë origjinalë e të freskët dhe të ndryshëm, mund të japim mësim gjëra që mund të mos jenë në harmoni të plotë me doktrinat bazë të kësaj Kishe të rivendosur të Jezu Krishtit. … Ne bëjmë mirë të jemi më syçelë. … Ne duhet të jemi roja në kullë.”1

Teksa arsimimi i Kishës shkon përpara në shekullin e 21-të, secili prej jush ka nevojë të marrë parasysh ndonjë ndryshim që duhet të bëjë në mënyrën se si përgatitet për të dhënë mësim, në mënyrën si jep mësim dhe tek ato që jep mësim, nëse dëshiron të ndërtojë një besim të patundur në jetën e të rinjve tanë të çmuar.

Kanë ikur kohët kur një student bënte një pyetje të sinqertë dhe një mësues përgjigjej: “Mos u shqetëso për atë!” Kanë ikur kohët kur një student ngrinte një shqetësim të sinqertë dhe një mësues jepte dëshminë e tij apo të saj si një përgjigje që synonte ta shmangte çështjen. Kanë ikur kohët kur studentët ishin të mbrojtur nga njerëzit që e sulmonin Kishën. Fatmirësisht, Zoti dha këtë këshillë që është e kohës dhe që nuk i ikën koha, për ju mësues: “Dhe ngaqë jo të gjithë kanë besim, kërkoni me zell dhe i mësoni njëri-tjetrit fjalë urtësie; po, kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”2.

Kjo është veçanërisht e zbatueshme sot sepse jo të gjithë studentët tuaj e kanë besimin e nevojshëm për t’u përballur me sfidat e ardhshme dhe për shkak se shumë prej tyre janë tashmë të ekspozuar nëpërmjet internetit ndaj forcave gërryese të një bote gjithnjë e më laike që është armiqësore ndaj besimit, familjes dhe standardeve të ungjillit. Interneti po e zgjeron shtrirjen e tij nëpër botë në pothuajse çdo shtëpi dhe në vetë duart dhe mendjet e studentëve tuaj.

Mund t’i ndihmoni studentët duke u mësuar atyre se çfarë do të thotë ta ndërthurin studimin dhe besimin ndërsa mësojnë. Mësojini ata duke e dhënë si model këtë aftësi dhe qasje në klasë.

Presidenti Harold B. Li vëzhgoi:

“Ne do t’ju kujtonim se marrja e njohurisë me anë të besimit nuk është një rrugë e lehtë drejt të mësuarit. Ajo kërkon një përpjekje të zellshme e një orvatje të vazhdueshme me anë të besimit. …

Shkurt, të mësuarit me anë të besimit nuk është punë për një burrë dembel [ose grua]. Dikush në fakt, ka thënë se një proces i tillë kërkon përkuljen e të gjithë shpirtit, mbledhjen e thellësive të mendjes njerëzore dhe bashkimin e tyre me Perëndinë – lidhja e drejtë duhet të formohet. Vetëm atëherë vjen ‘njohuria me anë të besimit’”3.

Njohuria me anë të besimit do të prodhojë një dëshmi të pastër dhe një dëshmi e pastër ka fuqinë për të ndryshuar jetën, sikurse ilustrohet nga tri histori të shkurtra.

Së pari, Fibi Karter u largua nga shtëpia për t’u mbledhur me shenjtorët në Ohajo në vitet 1830. Ajo kujtoi: “Shokët e mi u mrekulluan nga vendimi im, sikurse unë, por diçka e brendshme më shtynte të vazhdoja. Pikëllimi i nënës sime prej largimit tim nga shtëpia ishte thuajse më tepër nga sa mund të duroja dhe, po të mos kishte qenë për Shpirtin brenda, do të kisha ngurruar në fund.”4

Fibi ndoqi profetin dhe u mblodh me shenjtorët në Ohajo dhe përfundimisht në Juta, ku vdiq si shenjtore besnike e ditëve të mëvonshme dhe si bashkëshorte në partneritet të barabartë e Presidentit të Kishës Uilford Udraf.

Kjo histori e radhës vjen nga biografia e Marion G. Romnit.

Kur ishte student kolegji, Marioni kishte vendosur se nuk mund të shërbente në një mision për shkak të situatës financiare. Në një rast, ai dëgjoi të fliste Plakun Melvin J. Ballard. Biografia shënon: “[Marioni] nuk kishte nga ta dinte se rrjedha e jetës së tij ishte gati të ndryshonte tërësisht në një çast shumë të shkurtër”.

Historia vazhdon: “[Babai i Marionit] u kishte thënë fëmijëve të tij … se kishte po aq ndryshim midis një njeriu që jetonte nën frymëzimin e Shpirtit dhe atij që nuk e bënte këtë, sa kishte midis një peme që po rritej dhe një cungu të tharë. Për herë të parë, Marioni … e kuptoi plotësisht se [si] ishte të ishe nën ndikimin e frymëzimit. Një ndjesi përshkuese, therëse ia mbushi shpirtin. … [Ai] nuk kishte qenë kurrë kaq i prekur sa ishte tani, duke dëgjuar fjalët e këtij më të riut prej Apostujve. …

… I riu Marion … u elektrizua. Shkëlqimi në shprehjen e fytyrës së Apostullit dhe sinqeriteti i dëshmisë së tij e mbushi atë me një dëshirë të parezistueshme për të shkuar në mision. … Ai e dinte se planet e tij për arsimim të mëtejshëm duhej të shtyheshin.”5

Së shpejti, Marioni qe rrugës për në Australi, ku shërbeu besnikërisht. Më vonë, ai u bë një Apostull i fuqishëm dhe një anëtar i Presidencës së Parë.

Historia e fundit u tregua nga Presidenti Bojd K. Paker rreth ndikimit të një mësuesi të moshuar tek Uilliam E. Bereti. Mësuesi, një i kthyer në besim nga Norvegjia, kishte aftësi të papërsosura në gjuhën angleze. Pavarësisht nga kufizimet e mësuesit, Presidenti Paker kujtonte se “Vëllai Beret dëshmo[i] në më tepër se një rast: ‘Ne mund t’i ngrohnim duart tona nga zjarri i besimit të tij’”6.

Më vonë, Uilliami u bë kreu i seminareve, instituteve dhe shkollave të Kishës.

Për Fibin, Marionin dhe Uilliamin, dëgjimi i një dëshmie të pastër u bë katalizatori që e ndryshoi jetën e tyre përgjithmonë. E njëjta gjë mund të jetë e vërtetë për studentët tuaj. Sidoqoftë, duke e pasur parasysh realitetin e botës së sotme, dëshmia e pastër mund të mos jetë gjithnjë e mjaftueshme. Fibi, Marioni dhe Uilliami qenë të pastër e të dëlirë dhe qenë të lirë nga pornografia dhe gjërat e botës teksa u ulën në këmbët e misionarëve, mësuesve dhe udhëheqësve të frymëzuar. Shpirti ua depërtoi lehtësisht zemrat e tyre të buta e të dëlira.

Sot, historia është mjaft ndryshe duke qenë se disa nga studentët tuaj janë infektuar tashmë nga pornografia dhe gjërat e botës përpara se të vijnë në klasat tuaja.

Ishte vetëm një brez më parë kur qasja e të rinjve tanë tek informacioni rreth historisë, doktrinës dhe praktikave tona ishte në parim e kufizuar vetëm te materialet e shtypura nga Kisha. Pak studentë viheshin në kontakt me interpretime të ndryshme. Më së shumti, të rinjtë tanë jetonin një jetë në strehë.

Programi ynë mësimor në atë kohë, edhe pse me qëllim të mirë, nuk i përgatiste studentët për të sotmen, një kohë kur studentët kanë qasje të menjëhershme ndaj çdo gjëje virtuale rreth Kishës nga çdo pikëpamje e mundshme. Sot, ajo që ata shohin në aparatet e tyre telefonike, ka gjasë të jetë sfiduese për besimin po aq sa të jetë rritëse e besimit. Shumë prej të rinjve tanë janë më të familjarizuar me Google-in sesa me ungjillin, më në harmoni me internetin sesa me frymëzimin dhe më të përfshirë në Facebook sesa në besim.

Në dritën e këtyre sfidave, Bordi i Arsimimit kohët e fundit miratoi një nismë në seminar të quajtur Zotërimi i Doktrinës. Duke ndërtuar mbi atë që është bërë tashmë në zotërimin e shkrimeve të shenjta, kjo nismë e re do të përqendrohet te ndërtimi dhe forcimi i besimit të studentëve tanë te Jezu Krishti dhe fortifikimi i tyre me mundësi më të madhe për ta jetuar dhe vënë në zbatim ungjillin në jetën e tyre. Duke i përdorur shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve, ata do të mësojnë si të veprojnë me besim në Krisht për të marrë njohuri shpirtërore dhe kuptueshmëri për ungjillin e Tij. Dhe ata do të kenë mundësi për të mësuar se si ta vënë në zbatim doktrinën e Krishtit dhe parimet e ungjillit për pyetjet dhe sfidat që dëgjojnë dhe shohin çdo ditë midis bashkëmoshatarëve dhe në median shoqërore.

Kjo nismë është e frymëzuar dhe e kohës. Ajo do të ketë një ndikim të mrekullueshëm tek të rinjtë tanë. Sidoqoftë, suksesi i Zotërimit të Doktrinës dhe i të gjitha programeve të tjera studimore në SAK, do të varen deri në një shkallë të rëndësishme nga ju.

Përballë këtyre sfidave, cilat janë mundësitë dhe përgjegjësitë tuaja si mësues të SAK-ut në shekullin e 21-të? Pa dyshim që ju duhet ta doni Zotin, Kishën e Tij dhe studentët tuaj. Ju duhet ta jepni gjithashtu dëshminë tuaj të pastër sinqerisht dhe shpesh. Përveç këtyre, më shumë se në çdo kohë në historinë tonë, studentët tuaj kanë nevojë edhe që të bekohen nga të mësuarit e përmbajtjes dhe të kontekstit doktrinor ose historik me anë të studimit dhe besimit të shoqëruar nga dëshmia e pastër kështu që të mund të përjetojnë një kthim në besim të pjekur dhe të qëndrueshëm tek ungjilli dhe një zotim për të gjithë jetën ndaj Jezu Krishtit. Kthimi në besim i pjekur dhe i qëndrueshëm do të thotë që ata do të “qëndro[jnë] në barkë dhe [të] mbah[en]” gjatë gjithë jetës së tyre.7

ju ta kuptoni përmbajtjen dhe kontekstin doktrinor e historik të shkrimeve të shenjta dhe historisë sonë, do t’ju duhet ta studioni atë nga “librat më të mirë” sikurse udhëzoi Zoti. “Librat më të mirë” përfshijnë shkrimet e shenjta, mësimet e profetëve dhe apostujve bashkëkohorë dhe studimin akademik më të mirë SHDM në dispozicion. Nëpërmjet vetë përpjekjeve tuaja të zellshme për të mësuar me anë të studimit dhe besimit, do të jeni në gjendje t’i ndihmoni studentët tuaj t’i mësojnë aftësitë dhe qëndrimet e nevojshme për të bërë dallimin midis informacionit të besueshëm që do t’ua ngrejë moralin, dhe gjysmë të vërtetave dhe interpretimeve të pasakta të doktrinës, historisë dhe praktikave që do t’i ulin ata moralisht.

Mësojini ata rreth sfidave me të cilat përballen kur mbështeten tek interneti për t’iu përgjigjur pyetjeve me domethënie të përjetshme. Kujtojuni atyre se Jakobi nuk tha: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë në Google!”8

Njerëzit e urtë nuk mbështeten tek interneti për t’u gjetur diagnozën dhe për t’i trajtuar sfidat e shëndetit emocional, mendor dhe fizik, veçanërisht sfidat që kërcënojnë jetën. Në vend të kësaj, ata kërkojnë mjeshtrit e shëndetit, ata që janë të përgatitur dhe të licencuar nga borde mjekësore të njohura dhe shtetërore. Madje edhe atëherë, njerëzit e kujdesshëm kërkojnë një mendim të dytë.

Nëse ai është drejtimi i arsyeshëm që duhet marrë për të gjetur përgjigje për problemet e shëndetit emocional, mendor dhe fizik, ai është akoma më i arsyeshëm kur jeta e përjetshme është në rrezik. Kur diçka ka potencialin për ta kërcënuar jetën tonë shpirtërore, marrëdhëniet tona më të çmuara familjare dhe anëtarësinë tonë në mbretëri, ne duhet të gjejmë udhëheqës të matur dhe besnikë për të na ndihmuar. Dhe, po të jetë e nevojshme, duhet të pyetim ata që kanë përgatitjen, përvojën dhe mjeshtërinë e duhur për ndihmë.

Kjo është saktësisht ajo që bëj unë kur kam nevojë për një përgjigje për pyetjet e mia vetjake, të cilave nuk u përgjigjem dot vetë. Kërkoj ndihmë nga Vëllezërit në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe nga të tjerë me mjeshtëri në fushat e historisë dhe doktrinës së Kishës.

Ju duhet të jeni midis të parëve, jashtë familjeve të studentëve tuaj, që të paraqitni burimet autoritare mbi tema që mund të jenë më pak të mirënjohura ose të diskutueshme në mënyrë që studentët tuaj ta matin çfarëdo që dëgjojnë apo lexojnë më vonë, me atë që ju tashmë u keni mësuar atyre.

Ju e dini që ne u japim vaksina mjekësore misionarëve tanë të dashur përpara se t’i çojmë në fushën e misionit në mënyrë që ata të jenë të mbrojtur kundrejt sëmundjeve të cilat mund t’i dëmtojnë apo vrasin. Në mënyrë të ngjashme, ju lutem, përpara se t’i dërgoni ata në botë, vaksinojini studentët tuaj duke u siguruar interpretim besnik, të matur dhe të saktë të doktrinës së ungjillit, shkrimeve të shenjta, historisë sonë dhe atyre temave që ndonjëherë keqkuptohen.

Për të përmendur tema të tilla që janë më pak të njohura ose të diskutueshme, po flas rreth poligamisë, gurëve shikues, tregimeve të ndryshme të Vegimit të Parë, procesit të përkthimit të Librit të Mormonit ose Librit të Abrahamit, problemeve gjinore, të racës dhe priftërisë ose një Nëne Qiellore.

Përpjekjet për t’i vaksinuar të rinjtë tanë do të bien shpesh mbi ju mësues të SAK-ut. Me ato mendime në mendje, gjeni kohë për të menduar rreth mundësive tuaja dhe përgjegjësive tuaja.

Udhëheqësit e Kishës sot janë plotësisht të vetëdijshëm për qasjen e pakufizuar tek informacioni dhe ne po bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për të dhënë kontekst dhe kuptueshmëri të saktë për mësimet mbi Rivendosjen. Një shembull i shkëlqyer i kësaj përpjekjeje janë 11 esetë mbi Temat e Ungjillit [Gospel Topics] në LDS.org që japin interpretime të drejtpeshuara e të besueshme të fakteve për çështje të diskutueshme dhe jo të njohura, të lidhura me Kishën.

Është e rëndësishme që ta dini përmbajtjen në këto ese sikurse e njihni pëllëmbën e dorës suaj. Nëse keni pyetje rreth tyre, atëherë ju lutem, pyeteni dikë që i ka studiuar dhe i kupton ato. Me fjalë të tjera, “kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” teksa e zotëroni përmbajtjen e këtyre eseve.

Ju duhet të familjarizoheni edhe me faqen e internetit Joseph Smith Papers dhe pjesën e historisë së Kishës te LDS.org dhe burime të tjera nga studiues besnikë shdm.

Përpjekja për tejdukshmërinë e ungjillit dhe vaksinimin shpirtëror nëpërmjet një studimi të matur të doktrinës dhe historisë, e ndërthurur me një dëshmi të ndezur, është kundërhelmi më i mirë që kemi për t’i ndihmuar studentët t’i shmangin dhe/ose të merren me pyetjet, dyshimin ose krizat e besimit me të cilat mund të përballen në këtë epokë informacioni.

Teksa ju mësues e paguani çmimin për t’i kuptuar më mirë historinë, doktrinën dhe praktikat tona – më mirë nga sa i kuptoni tani – ju do të jeni të përgatitur për të dhënë përgjigje të matura, të kujdesshme dhe të frymëzuara për pyetjet e studentëve tuaj.

Një mënyrë për ta ditur se çfarë pyetjesh kanë studentët tuaj është t’i dëgjoni me vëmendje ata.

Vogëlushja jonë e parë, kur ishte pesë vjeçe, u ngjit në prehrin tim ndërkohë që po lexoja gazetën. Ajo po më tregonte diçka të rëndësishme për të dhe unë nuk po i kushtoja vëmendje. Ndaj ajo i zgjati duart e saj të vogla, e tërhoqi gazetën poshtë, ma shtrëngoi fytyrën në duart e saj të vogla, më pa drejt e në sy dhe më tha: “Babi ti nuk po më dëgjon!” Ajo kishte të drejtë – dhe unë bëra gabim që nuk po e dëgjoja. Të gjithë mësuesit e mirë duhet të jenë dëgjues të mirë.

Përveçse t’i dëgjoni studentët tuaj, ju lutem nxitini ata në klasë ose privatisht që t’ju bëjnë pyetje rreth çfarëdo teme.

Një nga pyetjet më të rëndësishme që mund të bëjnë studentët tuaj, është “Përse?”

Kur bëhet me dëshirë të madhe për të kuptuar, pyetja “Përse?” është një pyetje e shkëlqyer. Është pyetja që misionarët duan që ta bëjnë kërkuesit e tyre. Përse jemi këtu? Përse njerëzve të mirë u ndodhin gjëra të këqija? Përse duhet të lutemi? Përse duhet ta ndjekim Jezu Krishtin? Janë shpesh pyetjet me “përse” që çojnë drejt frymëzimit dhe zbulesës. Njohuria për planin e Atit tonë Qiellor për shpëtimin do të ndihmojë t’u përgjigjemi shumicës së këtyre pyetjeve me “përse”. Do të flas më tepër për këtë pas pak çastesh.

Ja tek është një shënim i fundit rreth dhënies së përgjigjeve për pyetjet. Është e rëndësishme t’u jepni mësim studentëve tuaj se, ndonëse ungjilli jep shumë, në mos shumicën, e përgjigjeve për pyetjet më të rëndësishme të jetës, disa pyetjeve nuk mund t’u jepet përgjigjja në vdekshmëri sepse neve na mungon informacioni i nevojshëm për një përgjigje të duhur. Sikurse mësojmë te Jakobi: “Vini re, të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e Zotit. Sa të pakërkueshme janë thellësitë e mistereve të tij; dhe është e pamundur që njeriu të mund të zbulojë të gjitha udhët e tij. Dhe asnjë njeri nuk di për udhët e tij, veçse në qoftë se i zbulohen atij.”9

Tani një fjalë paralajmërimi: Ju lutem, pranojeni se ju mund të arrini të besoni, si shumë prej studentëve tuaj, se ju jeni një ekspert i shkrimeve të shenjta, i doktrinës dhe i historisë së Kishës. Një studim i kohëve të fundit nxori në pah se, “sa më shumë që njerëzit mendojnë se dinë rreth një teme, aq më tepër gjasë ka që ata të pretendojnë kuptueshmëri përtej saj që dinë, madje deri në pikën e trillimit të njohurisë për fakte të rreme dhe informacion të sajuar”10.

I përcaktuar si “tejpretendim” ky tundim duhet të shmanget nga ju mësues të SAK-ut. Është përsosurisht e drejtë të thoni “Nuk e di”. Sidoqoftë, pasi kjo është thënë, ju keni një përgjegjësi për të gjetur përgjigjet më të mira të mundshme për pyetje të menduara që bëjnë studentët tuaj.11

Për mësimdhënien ndaj studentëve tuaj dhe dhënien e përgjigjeve për pyetjet e tyre, më lini t’ju paralajmëroj që të mos kaloni gojë më gojë thashetheme që synojnë të rritin besimin, ose të pavërtetuara, apo kuptueshmëri dhe shpjegime të vjetruara të doktrinës dhe praktikave tona nga e shkuara. Është gjithnjë diçka e urtë ta bëni praktikë studimin e profetëve dhe apostujve të gjallë, të mbeteni të përditësuar mbi çështje, rregullore dhe deklarata të tanishme të Kishës, nëpërmjet mormonnewsroom.org e LDS.org dhe të merrni këshilla nga veprat e akademikëve të njohur, të matur e besnikë për t’u siguruar se nuk do të jepni mësim gjëra që janë të pavërteta, të vjetruara ose të çuditshme dhe të pazakonta.

Autorët e studimit të tejpretendimit vunë re se “një prirje për të tejpretenduar, veçanërisht te ekspertët e vetëquajtur, mundet faktikisht t’i shkurajojë individët për ta arsimuar veten pikërisht në ato fusha në të cilat e konsiderojnë veten të ditur”.

Zëvendëspresidenti akademik i UBJ-së vëzhgoi: “Të qenit ekspert mbi një temë mund të jetë kaq gjallëruese, për shkak të studentëve dhe kolegëve që mbahen pas çdo fjale tonën. Sidoqoftë, pa një zotim të thellë ndaj të mësuarit të vazhdueshëm ne do të biem pre e tejpretendimit dhe askujt nuk i pëlqen një ‘unë i di të gjitha’.”12

E përsërit paralajmërimin e Presidentit Hinkli: “Ne nuk mund të jemi tepër të kujdesshëm. Ne duhet të bëjmë rojë që të mos dalim [nga shtegu].”13

Përveçse të bëheni nxënës gjatë gjithë jetës, ju duhet gjithashtu të jeni duke bërë ato gjëra në jetën tuaj që e lejojnë Shpirtin e Shenjtë të veprojë brenda jush. Gjëra të tilla përfshijnë lutjen e përditshme të sinqertë, agjërimin me besnikëri, studimin dhe përsiatjen e rregullt të shkrimeve të shenjta dhe të fjalëve të profetëve të gjallë, bërjen e Shabatit një kënaqësi, marrjen e sakramentit me përulësi dhe duke e kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin, adhurimin në tempull sa më shpesh të jetë e mundur dhe, më në fund, dhënien e ndihmës ndaj nevojtarëve, të varfërve dhe të vetmuarve – edhe ata afër dhe ata nëpër botë.

Për t’i përmbushur mundësitë dhe përgjegjësitë tuaja, bashkëmësuesit e mi të dashur, duhet ta vini në praktikë atë që predikoni!

Jini të guximshëm duke kërkuar këshillë dhe korrigjim nga ata të cilëve u mirëbesoni – një bashkëshorti/eje, udhëheqësve të priftërisë ose mbikëqyrësve. Pyetini ata se ku mund të përmirësoheni në dishepullimin tuaj vetjak. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për punëmarrësit tanë me kohë të plotë, ata që mbahen nga fondet e të dhjetës së shenjtë të Kishës. Duhet ta shmangni çfarëdo gjëje që e shtyn Shpirtin të largohet.

Përveç këtyre, më lini t’ju sugjeroj të bëni një intervistë vetjake me veten tuaj me raste e të shqyrtoni 2 Nefin 26:29–32, Almën 5:14–30 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 121:33–46. Kjo do të ndihmojë për të përcaktuar llojet e tundimeve me të cilat mund të përballemi të gjithë. Nëse diçka nevojitet të ndryshojë në jetën tuaj, atëherë merrni vendim ta ndryshoni atë.

Shmangeni tundimin për t’i vënë në dyshim shtysat e bashkëpunëtorëve tuaj. Në vend të kësaj, vështroni thellë në vetë zemrën tuaj dhe hetojini dëshirat dhe shtysat tuaja vetjake. Vetëm atëherë mund ta ndryshojë Shpëtimtari zemrën tuaj dhe t’i vërë në të njëjtën vijë me të Tijat dëshirat dhe shtysat tuaja vetjake.

Brezi që po rritet ka nevojë ta dijë, ta kuptojë, ta përqafojë dhe të marrë pjesë në planin e Perëndisë për shpëtimin. Të kuptuarit e planit do t’u japë atyre mprehtësi hyjnore nëpërmjet së cilës ta shikojnë veten si bij e bija të Perëndisë, gjë që u jep një thjerrë për ta kuptuar thuajse çdo doktrinë, praktikë dhe rregullore të Kishës.

Si mësues të SAK-ut sot, ju nevojitet ta pranoni mundësinë dhe përgjegjësinë për t’u mësuar të rinjve të shekullit të 21-të parimet e sakta rreth planit, përfshirë doktrinën e miratuar hyjnisht për martesën dhe rolin e proklamatës së familjes.14

Doktrina e martesës dhe familjes së përjetshme është një pjesë vendimtare e planit të lumturisë të Perëndisë. Ajo përfshin vetë familjet tona të vulosura në tempull si pjesë e vetë familjes së përjetshme të Atit tonë Qiellor në mbretërinë çelestiale. Për shkak se lidhet drejtpërdrejt me vetë familjen e Tij dhe me vetë fëmijët e Tij shpirtërorë, neve na jepet mësim te Zanafilla se “Ai krijoi mashkullin e femrën” dhe se Ai e urdhëroi Atin Adam dhe Nënën Evë të “shumëzoh[eshin e] mbushni[n] tokën”15.

Është thënë se plani i lumturisë fillon dhe mbaron me familjen. Njëmend, fillimi i familjes ishte në botën paratokësore, ku jetuam si pjesëtarë të familjes së Prindërve tanë Qiellorë. Dhe në fund, zotimet familjare dhe marrëdhëniet e dashurisë jo vetëm që do do të vazhdojnë të ekzistojnë, por do të shtohen gjithashtu nëpërmjet procesit të krijimit.16

Faktori përcaktues që i lidh të gjitha – nga i cili varet plani i Perëndisë dhe fati ynë i përjetshëm dhe rreth të cilit rrotullohet gjithçka tjetër – është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Sakrifica e Tij shlyese i bën të gjitha gjërat e mundura, përfshirë por jo vetëm një martesë dhe familje me dashuri, përkujdesje dhe të përjetshme.

Zoti na mëson se asnjë njeri beqar, pavarësisht nga drejtësia e tij apo e saj, nuk mund t’i marrë të gjitha ato që Ati ynë Qiellor ka për fëmijët e Tij. Një individ beqar është gjysma e ekuacionit, në pamundësi për të banuar në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale.17

Studentët tuaj nevojitet ta kuptojnë se qëllimi i vdekshmërisë është të bëhemi më tepër si Perëndia duke marrë trupa fizikë, duke ushtruar lirinë e zgjedhjes dhe duke marrë përsipër role që më parë u përkisnin vetëm Prindërve Qiellorë – rolet e bashkëshortit, bashkëshortes dhe prindit.

Profetët na kanë siguruar se të gjithë ata që janë të denjë dhe që mbështeten te Jezu Krishti por nuk kanë qenë në gjendje të vulosen me një partner apo të kenë fëmijë në këtë jetë, mund t’i kenë ato mundësi në botën tjetër.

Mësojuni të rinjve se në Kishën e Zotit, ka vend për të gjithë, që të adhurojnë, të shërbejnë e të rriten së bashku si vëllezër e motra në ungjill. Kujtojuani atyre atë që dha mësim Lehi, se synimi dhe shpresa e Perëndisë për ne mund të përmblidhen si vijon: “Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim”18.

Ati Qiellor do që ne ta pranojmë përkufizimim e tij për martesën dhe t’i bindemi urdhërimit të Tij të parë për t’u “shumëz[uar e] mbush[ur] tokën” – jo vetëm për ta përmbushur planin e Tij, por edhe për të gjetur gëzimin, të cilin plani i Tij u hartua t’ua japë bijve e bijave të Tij.

Anëtarët e Kishës nuk janë të vetmit që i pranojnë këto parime. Gazetari Dejvid Bruks i gazetës New York Times vërejti: “Njerëzit nuk kanë jetë më të mirë kur atyre u jepet liria vetjake maksimale për të bërë atë që dëshirojnë. Ata kanë jetë më të mirë kur përfshihen në zotime që e tejkalojnë zgjedhjen vetjake – zotime ndaj familjes, Perëndisë, punësimit dhe atdheut.”19

Si mësues të Kishës, ndihmojeni rininë tonë për të pasur një kuptueshmëri të qartë për planin e lumturisë nga Perëndia prej të cilit fëmijëve të Tij u vjen gëzimi i vërtetë. Ndihmojini ata ta dinë, ta përqafojnë, të marrin pjesë në të e ta mbrojnë atë. Nga 40 vitet e mia të përvojës si Autoritet i Përgjithshëm, jam i shqetësuar për numrin e madh të anëtarëve tanë të Kishës, të rinj e më të mëdhenj në moshë, që thjesht nuk e kuptojnë planin për fatin e tyre të përjetshëm e hyjnor.

Pra, bashkëmësuesit e mi, ne duhet t’i kërkojmë dhe t’i shijojmë këto mundësi për të shpjeguar nga ana doktrinore dhe shpirtërore, përse ne besojmë se njohuria për planin e madh të lumturisë nga Perëndia do t’u japë përgjigje pjesës më të madhe të pyetjeve “përse” që do të bëhen. Shprehja e bindjes sonë për një jetë paratokësore ku jetuam si fëmijë shpirtërorë të një Ati Qiellor dhe një Nëne Qiellore na lejon të shpjegojmë përse u krijua kjo tokë. Qëllimi thelbësor i jetës në vdekshmëri është që ne të mund ta përsëritim atë përvojë familjare vetë, këtë herë si prindër në vend që të jemi vetëm fëmijë. Ruajeni si thesar kuptueshmërinë tuaj bazë për doktrinën dhe qëllimin e planit të Atit tonë Qiellor për lumturinë tonë të përjetshme. Dhe vazhdoni ta jepni mësim atë.

Pra, për ta përmbyllur e përmbledhur: Nga komentet e Plakut Kim B. Klark më herët këtë mbrëmje, ne mësuam se ju jeni mësues të dërguar nga Perëndia, të mbushur me besim, shpresë, përulësi dhe dashuri.20

Pikat që kam ndarë me ju, janë:

  • Mësojuni studentëve që ta ndërthurin të mësuarin me anë të studimit dhe besimit me dëshminë e pastër. Mësojuni të qëndrojnë në barkë e të mbahen!

  • Mësojuni studentëve që t’i kenë nën kontroll aparatet e tyre telefonike dhe të përqendrohen tek të qenit të lidhur më shumë me Shpirtin e Shenjtë sesa me internetin.

  • Vaksinojini studentët me të vërtetat e planit të shpëtimit që gjenden në ungjillin e Jezu Krishtit.

  • Zotërojini esetë e Temave të Ungjillit.

  • Mbajeni mend se “Përse?” është një pyetje e shkëlqyer që çon drejt të kuptuarit të ungjillit.

  • Mos tejpretendoni dhe mos kini frikë të thoni: “Nuk e di”.

  • Bëhuni nxënës gjatë gjithë jetës.

  • Kërkoni këshillë dhe korrigjim nga ata të cilëve u mirëbesoni.

  • Mbajeni parasysh të bëni një intervistë vetjake me raste për të shqyrtuar përgatitjen tuaj shpirtërore, zellin tuaj dhe efektshmërinë tuaj.

  • Jepni mësim se plani i lumturisë fillon dhe mbaron me familjen. Mbajeni në mendje planin e shpëtimit në çdo kohë.

  • Jepni mësim se martesa dhe familja sjellin gëzim pa mbarim.

  • Mbajeni mend, ndërthurja e të mësuarit me anë të studimit, me anë të besimit dhe me anë të dëshmisë së pastër bën të ndodhë kthimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm në besim.

  • Mbi gjithçka tjetër, besimi i fortë te Shlyerja e Zotit Jezu Krisht është thelbësor për forcën dhe rritjen tonë shpirtërore.

Tani, bashkëmësuesit e mi të dashur, Perëndia e bekoftë secilin prej jush. U heqtë çfarëdo barre që mund të jeni duke mbajtur! E gjetshi gëzimin dhe paqen që vjen nga dijenia nëpërmjet mësimdhënies suaj, se ju keni prekur një jetë, keni ngritur moralisht një nga fëmijët e Atit Qiellor në udhëtimin e tij ose të saj derisa të përqafoheni një ditë përsëri në praninë e Tij. Ju lë dëshminë time se ne kemi plotësinë e ungjillit të përhershëm të Jezu Krishtit sikurse u rivendos nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Plotësia e ungjillit është në duart tona. Ne duhet ta futim në mendjet tona dhe në zemrat tona me fuqi. E bekoftë Perëndia kështu secilin prej nesh është lutja ime e përulur dhe bekimi im, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënimet

  1. Mbledhje Trajnimi e Autoriteteve të Përgjithshme, 29 shtator 1992.

  2. Doktrina e Besëlidhje 88:118.

  3. Harold B. Lee, në Clyde J. Williams, red. The Teachings of Harold B. Lee (1996), f.  331.

  4. Edward William Tullidge, The Women of Mormondom (1877), f.  412.

  5. F. Burton Howard, Marion G. Romney: His Life and Faith (1988), f. 63–64.

  6. Boyd K. Packer, “A Tribute to the Rank and File of the Church”, Ensign, maj 1980, f.  62.

  7. Shih M.  Rasëll Ballard, “Qëndroni Brenda në Barkë dhe Mbahuni!” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 89–92.

  8. Jakobi [Bibël] 1:5.

  9. Jakobi [LiM] 4:8; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 101:32–34.

  10. Brent W. Webb, “Quest for Perfection and Eternal Life” (sesion i konferencës vjetore të fakultetit në Universitetin “Brigam Jang”, 24 gusht 2015), f. 10, speeches.byu.edu; shih Stav Atir, Emily Rosenzweig dhe David Dunning, “When Knowledge Knows No Bounds: Self-Perceived Expertise Predicts Claims of Impossible Knowledge”, Psychological Science, gusht 2015, f. 1295–1303; doi: 10.1177/0956797615588195.

  11. Shih Doktrina e Besëlidhje 101:32–34.

  12. Brent W. Webb, “Quest for Perfection and Eternal Life”, f. 10, speeches.byu.edu.

  13. Mbledhje Trajnimi e Autoriteteve të Përgjithshme, 29 shtator 1992.

  14. Shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  15. Shih Zanafilla 1:27–28.

  16. Shih Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; 132:19.

  17. Shih 1 Korintasve 11:11 dhe Doktrina e Besëlidhje 131:1–4.

  18. 2 Nefi 2:25.

  19. David Brooks, “The Age of Possibility”, New York Times, 15 nëntor 2012, nytimes.com.

  20. Kim B. Clark, “Mësues [të] Ardhur nga Perëndia” (mbrëmje me M. Rasëll Ballard, 26 shkurt 2016), broadcasts.lds.org.

Shtyp në Letër