Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Të Jetuarit me një Synim: Rëndësia e “Qëllimit të Vërtetë”


Të Jetuarit me një Synim: Rëndësia e “Qëllimit të Vërtetë”

Një Mbrëmje me Vëllanë RendëllL. Rid Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 11 janar 2015 • Universiteti “Brigam Jang” – Ajdaho

Çfarë mundësie e mrekullueshme të jem me ju sonte. Është nder i madh për gruan time dhe mua që të jemi këtu këtë mbrëmje. Mendova se ishte interesante që telefoni im e dinte se unë e kisha këtë udhëtim për në Reksburg në kalendarin tim sot. Ai më tregoi se si do të ishte moti dhe më dha një listë të hoteleve dhe restoranteve në qytet. Telefoni im madje më tregoi rreth zbavitjeve të shumta, të gjindshme në Reksburg këtë fundjavë.

Hej! Tani që po e mendoj – nuk e renditi bisedën time si një prej këtyre zbavitjeve. E marr me mend se kjo është mënyra se si ju e dini që është një telefon inteligjent!

Edhe pse telefoni juaj inteligjent nuk e rekomandoi atë, secili prej jush ka zgjedhur ta kalojë një orë të kohës suaj me mua sonte – një orë që ju nuk do ta ktheni më kurrë. Kështu, unë ndiej përgjegjësi të madhe për ta bërë atë të dobishme. Por gjithashtu e di se ajo që them unë, nuk do të jetë aq e rëndësishme sa ajo që jua mëson Shpirti, dhe se ajo do të jetë vetëm aq e vlefshme sa ç’është zotimi juaj për të vepruar sipas këtyre nxitjeve.

Mendoj se ju do të bini dakord me mua se kjo është një kohë e mrekullueshme për të jetuar. Sociologët e quajtën brezin tim Fëmijët Shpërthyes, edhe pse termi mezi gjen zbatim tanimë; ata e quajtën brezin më pas, Brezi X; dhe ju kanë quajtur ju Brezi Y, ose Mijëvjeçaristët. Të njohur për lehtësinë tuaj me teknologjinë dhe mënyrën se si i keni përqafuar mediat shoqërore, ju jeni më inteligjentë dhe më të arsimuar sesa brezat paraardhës. Këto tipare jo vetëm që ju bëjnë jashtëzakonisht të vlefshëm në shoqërinë e sotme, por edhe në kryerjen e veprës së Zotit.

Ju keni më shumë zgjedhje dhe më shumë mundësi sesa ndonjëherë më parë. Sikurse kaq shumë gjëra në jetë, kjo është si një bekim, ashtu edhe një mallkim. Zgjedhje tepër të shumta dhe frika ndaj marrjes së vendimeve të gabuara shpesh çojnë drejt paralizës së vendimeve, që është një prej sfidave të brezit tuaj. Është më e vështirë se kurrë për t’u përqendruar! Me teknologjinë, sapo ta blini diçka, mundësitë janë që ajo do të bëhet e vjetruar pak kohë pasi të keni dalë nga dyqani. Shumë njerëz kanë frikë të zotohen ndaj diçkaje ngaqë ata e vënë në dyshim nëse një mundësi më e mirë gjendet shumë pranë tyre. Prandaj ata presin – dhe përfundojnë duke mos zgjedhur asgjë. Në këtë gjendje mosvepruese, ata janë objektiva të kollajshëm për shpërqendrim. Kundërhelmi për këtë, vëllezër e motra, është ajo për të cilën do të doja të flisja këtë mbrëmje – të jetuarit me një synim: rëndësia e qëllimit të vërtetë.

I. Synimi

Përfytyroni për një çast që jeni në një varkë shpëtimi në oqean, pa asgjë tjetër përveç valëve që rrjedhin në çdo drejtim, për aq sa mund ta hidhni vështrimin. Varka është e pajisur me lopata, por në cilin drejtim do të vozitnit? Tani përfytyroni se syri ju ka kapur për një çast një tokë. Tashmë ju e dini drejtimin se ku duhet të shkoni. A ju jep të shikuarit e tokës një shtytje si edhe qëllim? Njerëzit që nuk e ruajnë një drejtim të qartë të qëllimit, janë endacakë. Endacakët i lejojnë valët e botës që të vendosin se ku po shkojnë ata.

Leon Tolstoi

Jeta e shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi, autorit të Luftës dhe Paqes, e ilustron këtë pikë. Leon Tolstoi pati një rini të vështirë. Prindërit e tij vdiqën kur ai ishte rreth 13 vjeç. I mësuar prej vëllezërve të tij më të mëdhenj në udhët e alkoolit, kumarit dhe imoralitetit, Leoni nuk ishte mjaft i zellshëm në studimet e tij. Në moshën 22-vjeçare, ai filloi të ndiente se jetës së tij i mungonte qëllimi i vërtetë dhe shkroi në ditarin e tij: “Po jetoj si një bishë”. Dy vjet më pas ai shkroi: “Jam 24 vjeç dhe ende nuk kam bërë gjë”. Pakënaqësia e Tolstoit e shtyu atë të fillonte një kërkim gjatë gjithë jetës për të gjetur, kryesisht nëpërmjet sprovës dhe gabimit, qëllimin e jetës së tij – përse-në. Përpara se të vdiste në moshën 82-vjeçare, ai e mbylli ditarin e tij: “‘Gjithë kuptimi dhe gëzimi i jetës’ … shtrihen në kërkimin e përsosmërisë dhe të kuptueshmërisë së vullnetit të Perëndisë”1 – dhe unë do të shtoja, në bërjen e vullnetit të Perëndisë.

Është thënë që “dy ditët më të rëndësishme në jetën tuaj janë dita kur keni lindur dhe dita kur zbuloni arsyen përse” u lindët.2 Ngaqë e kemi ungjillin, ne nuk duhet ta harxhojmë tërë jetën tonë duke u përpjekur që ta zbulojmë qëllimin e saj. Në vend të kësaj, ne mund të përqendrohemi në përmbushjen e atij qëllimi.

Te Mateu 5:48 lexojmë: “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”.

Mendoj se secili prej nesh ka një dëshirë të lindur për t’u përmirësuar. Por ngaqë ne të gjithë bëjmë gabime, shumë prej nesh janë të bindur se synimi i përsosjes është i paarritshëm. Dhe do të ishte kështu, po të mos ishte për Shlyerjen. Flijimi i Shpëtimtarit tonë e bën të mundur përsosjen: “Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të dhe i mohoni vetes çdo ligësi; dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht” (Moroni 10:32; theksimi i shtuar).

Shpëtimtari ynë na ka dhënë shpresën që na frymëzon për t’u bërë si Ati ynë në Qiell. Ju e dini, sikurse e gjeti Leon Tolstoi, se ka gëzim në udhëtimin drejt përsosjes. Qëllim i madh vjen në jetën tuaj kur e bëni atë kërkimin tuaj për ta ndjekur vullnetin e Zotit.

Plaku Ted R. Kelister pyeti: “Përse është kaq e ngutshme që të kemi një largpamësi të saktë të këtij fati hyjnor të perëndishmërisë, për të cilin dëshmojnë kaq qartë shkrimet e shenjta dhe dëshmitarë të tjerë? Sepse nëpërmjet rritjes së largpamësisë rritet edhe nxitja.”3

Misioni

Kur isha i ri, pothuajse kisha vendosur të mos shkoja në një mision. Pas një viti në kolegj dhe një viti në ushtri, kisha një punë të mirë në një spital vendor si teknik radiografije. Një ditë Dr. Xhejms Pingri, një prej kirurgëve të spitalit, më ftoi të hanim drekë. Gjatë bashkëbisedimit tonë, Dr. Pingri zbuloi se nuk kisha plan të shërbeja në një mision dhe më pyeti përse jo? I thashë se isha pak më i madh në moshë dhe ndoshta ishte shumë vonë. Ai më tha se ajo nuk ishte një arsye shumë e mirë dhe se ai kishte shkuar në misionin e tij pasi e kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë. Më pas ai dha dëshminë e tij lidhur me rëndësinë e misionit të tij.

Dëshmia e tij pati një ndikim të rëndësishëm mbi mua. Më bëri të lutem siç nuk isha lutur kurrë më parë – me qëllim të vërtetë. Mund të mendoja për shumë arsye që të mos shkoja në një mision: Isha i turpshëm – kaq i turpshëm sa mendimi i dhënies së një bisede lamtumire në mbledhjen e sakramentit, ishte një arsye e mjaftueshme për të mos shkuar. Kisha një punë që më pëlqente. Kisha një mundësi burse që nuk do të ishte në dispozicion pas një misioni. Më e rëndësishmja, kisha një të dashur që më priti ndërkohë që isha në ushtri – dhe e dija se nuk do të priste edhe për dy vjet të tjerë! U luta herë pas here që të merrja miratimin se arsyet e mia ishin të vlefshme dhe se unë kisha të drejtë.

Për zhgënjimin tim, nuk mund të gjeja një përgjigje të lehtë po-ose-jo, për të cilën shpresoja. Atëherë më erdhi mendimi: “Çfarë dëshiron Zoti që të bëni ju?” Duhej të pranoja se Ai dëshironte që unë të shërbeja në një mision dhe ky u bë një çast vendimtar në jetën time. A do të bëja atë që unë dëshiroja të bëja apo do të bëja vullnetin e Zoti? Kjo është një pyetje që ne të gjithë do të bënim mirë ta pyesnim veten shpesh. Çfarë modeli i madh për secilin prej nesh për ta krijuar herët në jetën tonë. Shumë herë ne mbajmë qëndrimin që “Do shkoj ku ti do që të shkoj dhe do bëj atë që ti do që të bëj, i dashur Zot – për aq kohë sa të jetë atje ku dua të shkoj dhe ajo që dua të bëj”.

Fatmirësisht, unë zgjodha që të shërbeja në një mision dhe u caktova që të punoja në Misionin e Meksikës Veriore. Për ta lehtësuar ankthin që disa prej jush mund të jeni duke e ndier – mund t’ju them se e dashura ime nuk më priti, por u martova me të gjithsesi! Ajo është një nga bekimet më të mëdha në jetën time. Duke e ditur se qëllimi i jetës sonë është të bëhemi si Ati ynë në Qiell, unë kam mësuar se nuk ka shkollim më të madh sesa ai i të martuarit dhe të pasurit të një familjeje, që të na mësojë për dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij. Duke ditur atë që di, unë do të bëja gjithçka mundesha për të filluar në atë universitet, po të isha në vendin tuaj. E kuptoj se koha për t’u regjistruar po fillon pikërisht tani.

II. Qëllimi i Vërtetë

Kur biri ynë po mësonte të fliste, ai pati një kureshtje të pashuar. Me fjalorin e tij të kufizuar, fjala e tij e parapëlqyer ishte “Përse?” Nëse unë thoja: “Është koha të bëhemi gati për të fjetur”, ai do të përgjigjej “Përse?”

“Do të shkoj në punë.”

“Përse?”

“Le t’i themi lutjet tona.”

“Përse?”

“Koha për të shkuar në kishë.”

“Përse?”

Ishte vërtet e lezetshme – 500 herët e para që ai e tha atë. Por edhe pasi lezeti u largua dhe u bë paksa pezmatuese, unë isha mirënjohës për kujtuesin e shpeshtë që të shqyrtoja përse-në prapa (me të vërtetë) çdo gjëje që bëja.

Nuk jam i sigurt nëse ka shumë domethënie në shkronjën Y si një emër për brezin tuaj, por vërtet mendoj se ka vlerë që të mendoni për veten tuaj si Brezi i “Përse-së”. Është e rëndësishme, në botën e sotme, që të jeni të qëllimshëm rreth arsyes përse e bëni atë që bëni.

Të jetuarit me qëllim të vërtetë do të thotë të kuptoni “përse-në” dhe të jeni të vetëdijshëm për shtytjet prapa veprimeve tuaja. Sokrati tha: “Një jetë e pashqyrtuar nuk ia vlen të jetohet”4. Përsiatni se si e kaloni kohën tuaj dhe rregullisht bëjini vetes pyetjen “Përse?” Kjo do t’ju ndihmojë që të zhvilloni aftësinë për të parë përtej çastit. Është shumë më mirë ta hidhni vështrimin përpara dhe ta pyesni veten “Përse do ta bëja këtë?” në vend që të shihni mbrapa dhe të thoni “Përse, o, përse e bëra atë?” Nëse e vetmja arsye, është që Perëndia dëshiron që ju ta bëni, kjo është arsye e mjaftueshme.

Yjet

E mësova rëndësinë e qëllimit të vërtetë kur isha një student në moshë të re në seminar. Mësuesi ynë na drejtoi sfidën që ta lexonim Librin e Mormonit. Që ta mbanim shënim përparimin tonë, ai krijoi një tabelë me emrat tanë në njërën anë dhe librat e renditura në krye të saj. Sa herë që e lexonim një libër, një yll vendosej pranë emrit tonë. Fillimisht unë nuk bëra shumë përpjekje për të lexuar dhe nuk kaloi shumë kohë përpara se ta gjeja veten duke mbetur mbrapa gjithnjë e më shumë. I shtyrë nga një ndjenjë turpi dhe shpirti im i brendshëm konkurrues, e fillova leximin. Sa herë që mora një yll, u ndjeva mirë. Dhe sa më shumë yje që merrja, aq më shumë nxitesha që të lexoja – midis orëve mësimore, pas shkollës, në çdo minutë që mund ta kurseja.

Kjo do të ishte një histori e shkëlqyer po të mund t’ju thoja se e mbarova i pari në klasë – por nuk isha. (Nuk isha as i fundit, meqë ra fjala.) Por a e dini se çfarë mora duke e lexuar Librin e Mormonit? E di se po mendoni “një dëshmi”, apo jo? Por nuk e mora. Mora yje. Mora yje, sepse ajo ishte arsyeja përse po lexoja. Ai ishte qëllim im i vërtetë.

Moroni ishte i qartë kur e përshkroi mënyrën se si ta zbulojmë nëse Libri i Mormonit është i vërtetë: “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:4; theksimi i shtuar).

Duke e hedhur vështrimin pas, mund të shoh se Zoti ishte tërësisht i drejtë me mua. Përse duhej të kisha pritur që të gjeja diçka tjetër nga ajo që po kërkoja? Kurrë nuk u ndala me të vërtetë e ta pyesja veten përse po e lexoja Librin e Mormonit. Po endesha, duke i lejuar arsyet e botës të më udhërrëfenin, vetëm që të mësoja se e kisha lexuar librin e duhur për arsyen e gabuar. Qëllimi i vërtetë është të bëhet gjëja e duhur për arsyen e duhur.

Nuk ndodhi deri vite më vonë, kur po përpiqesha të vendosja që të shkoja në mision apo jo, që e lexova Librin e Mormonit me një qëllim të vërtetë. Në qoftë se do të harxhoja dy vjet duke dhënë dëshmi për librin, fillimisht më nevojitej ta kisha një dëshmi.

E di se Libri i Mormonit e përmbush qëllimin e tij hyjnor të dëshmimit për jetën dhe misionin e Jezu Krishtit, sepse unë e kam lexuar atë me një qëllim të vërtetë.

Shëmbëlltyra e Portokajve

Dëshiroj të tregoj një shëmbëlltyrë të kohës bashkëkohore, të cilën do ta quaj “Shëmbëlltyra e Portokajve”. Teksa dëgjoni, merrni parasysh se çfarë ju mëson kjo histori për fuqinë e qëllimit të vërtetë.

Na ishte një djalë i ri, i cili kishte ambicie që të punonte për një kompani ngaqë ajo paguante shumë mirë dhe ishte me shumë prestigj. Ai e përgatiti rezymenë e tij dhe pati disa intervista. Më së fundi, atij iu dha një pozicion i nivelit fillestar. Atëherë ai e ktheu ambicien e tij drejt synimit të tij të ardhshëm – një pozicion mbikëqyrësi, që do t’i jepte atij edhe më shumë prestigj dhe më shumë pagesë. Kështu që ai i përfundoi detyrat që iu dhanë. Ai erdhi në punë herët disa mëngjese dhe qëndroi vonë në mënyrë që pronari ta shihte se po punonte me orë të zgjatura.

Pas pesë vitesh një pozicion mbikëqyrësi u bë i mundur. Por, për habinë e madhe të të riut, një punonjësi tjetër, i cili kishte punuar për kompaninë vetëm për gjashtë muaj, iu dha ngritja në përgjegjësi. I riu ishte shumë i zemëruar dhe shkoi te pronari i tij e kërkoi shpjegim.

Pronari i urtë tha: “Përpara se t’i përgjigjem pyetjes tënde, a do të më bësh një nder?”

“Po, sigurisht”, tha punonjësi.

“A do të shkosh në dyqan dhe të blesh disa portokaj? Gruaja ime ka nevojë për ta.”

I riu ra dakord dhe shkoi në dyqan. Kur u kthye, pronari e pyeti: “Çfarë lloj portokajsh bleve?”

“Nuk e di”, u përgjigj i riu. “Ju thjesht më thatë të blija portokaj dhe këta janë portokaj. Ja ku janë.”

“Sa kushtuan?” pyeti pronari.

“Pra, nuk jam i sigurt”, ishte përgjigjja. “Më dhatë 30 dollarë. Ja ku është fatura e pagesës dhe ja ku është kusuri.”

“Faleminderit”, tha pronari. “Tani, ulu të lutem dhe kushto vëmendje me kujdes.”

Më pas pronari thirri punonjësin që kishte marrë rritjen në përgjegjësi, dhe i kërkoi atij të bënte të njëjtën punë. I riu ra dakord me gatishmëri dhe shkoi në dyqan.

Kur u kthye, pronari e pyeti: “Çfarë lloj portokajsh bleve?”

“Pra”, u përgjigj ai, “dyqani kishte shumë lloje – portokaj të zakonshëm, portokaj valencianë, portokaj të kuq, mandarina dhe shumë të tjera, dhe nuk e dija se cilat të blija. Por m’u kujtua që ju thatë se portokajtë i duheshin gruas suaj, kështu që e mora atë në telefon. Ajo tha se do të kishte një festë dhe do të bënte lëng portokalli. Prandaj e pyeta shitësin se cilët nga gjithë këto portokaj do të bënin lëngun më të mirë. Ai tha se portokajtë valencianë ishin plot me lëng shumë të ëmbël, kështu që unë i bleva ato. I çova në shtëpinë tuaj gjatë rrugës sime për t’u kthyer në zyrë. Gruaja juaj u gëzua shumë.”

“Sa kushtuan?” pyeti pronari.

“Ja, ky ishte një problem tjetër. Nuk e dija se sa të blija, kështu që përsëri mora në telefon gruan tuaj dhe e pyeta se sa miq priste që t’i vinin. Ajo tha 20. E pyeta shitësin se sa portokaj do të nevojiteshin për të bërë lëng portokalli për 20 vetë dhe ishin shumë. Prandaj, i kërkova shitësit nëse do të më jepte një ulje çmimi për sasinë dhe ai ma dha! Këta portokaj kushtojnë normalisht 75 cent secili, por unë pagova vetëm 50 cent. Ja ku e keni kusurin dhe faturën e pagesës.”

Pronari buzëqeshi dhe tha: “Faleminderit; mund të shkosh”.

Ai e hodhi vështrimin tek i riu që kishte qenë duke vëzhguar. I riu u ngrit në këmbë, me supe të varur dhe tha: “E kuptoj se çfarë doni të thoni”, teksa doli i hidhëruar nga zyra.

Cili ishte ndryshimi midis këtyre dy të rinjve? Atyre, që të dyve, iu kërkua të blinin portokaj dhe ata i blenë. Ju mund të thoni se njëri bëri përpjekje më të mëdha, ose njëri ishte më frytdhënës, apo njëri u kushtoi më shumë vëmendje hollësive. Por ndryshimi më i rëndësishëm kishte të bënte me qëllimin e vërtetë në vend të thjesht kryerjes së lëvizjeve. I riu i parë kishte si shtytje paratë, pozitën dhe prestigjin. I riu i dytë u nxit nga një dëshirë e fortë për ta kënaqur punëdhënësin e tij dhe nga një zotim i brendshëm për të qenë punonjësi më i mirë që mund të ishte – dhe përfundimi ishte i dukshëm.

Si mund ta zbatoni këtë shëmbëlltyrë në jetën tuaj? Si mund të jenë të ndryshme përpjekjet tuaja në familjen tuaj, në shkollë, në punë dhe në Kishë, në qoftë se ju gjithmonë kërkoni ta kënaqni Perëndinë dhe të bëni vullnetin e Tij, të nxitur nga dashuria juaj për Të?

III. Zbatime

Shmangia e Shpërqendrimeve – Rëndësia e të Përqendruarit

Sa herë jeni ulur përpara kompjuterit për të bërë detyrat e shkollës ose një detyrë të caktuar nga puna, kur papritur ju del një reklamë për diçka që po e kërkonit për ta blerë kohët e fundit? Më pas, teksa shfletoni dyqanet në internet, ju vini re se disa prej miqve tuaj janë në internet, kështu që ju filloni të bashkëbisedoni me ta. Më pas merrni një lajmërim se një mik vendosi diçka në Facebook dhe thjesht doni ta shihni se çfarë është. Përpara se ta kuptoni, ju keni humbur kohë të vlefshme dhe keni harruar përse u ulët në kompjuter fillimisht. Kaq shumë herë shpërqendrohemi kur do të duhej të vepronim. Shpërqendrimet ua vjedhin kohën që mund të ishte harxhuar për të bërë mirë. Aftësia për t’u përqendruar na ndihmon t’i shmangim shpërqendrimet.

E di se ju të gjithë i keni qejf dhënien e provimeve. Kështu, sonte do t’ju jap një provim të shkurtër të aftësisë suaj për t’u përqendruar. Do të shihni dy skuadra: njëra e veshur në të bardha dhe tjetra e veshur në të zeza. Ato do ta pasojnë një top basketbolli dhe unë dua që ju thjesht të numëroni numrin e pasimeve që bën skuadra në të bardha.

[The awareness test video was shown.]

Sa pasime numëruat?

Ngrini dorën nëse numëruat 19 pasime. Sa numëruan 20? Sa numëruan 21? Sa numëruan 22?

Përgjigjja e saktë është 21.

Të gjithë ata që e gjetën siç duhet me 21, ngrini dorën. Mbajeni dorën të ngritur nëse ju gjithashtu e patë një grua të moshuar të ecë, më pas të bëjë lëvizje kërcimi përmes fushës. Tani, mbajeni dorën lart nëse e patë një luftëtar ninxha të zëvendësojë një prej lojtarëve të veshur në të zezë. A patë lojtarë të skuadrës së veshur në të zezë të vënë kapele?

Tani shiheni edhe një herë dhe përqendrohuni te diçka që nuk e patë herën e parë.

[The awareness test video was replayed.]

Do t’jua japim këtë video pas mbledhjes nëpërmjet mediave shoqërore.

Përqendrimi ynë në jetë është kaq i rëndësishëm. Sikurse e tregon ky test, ne zakonisht gjejmë atë të cilën e kërkojmë. Ose, siç e thonë shkrimet e shenjta, “Kërkoni dhe do të gjeni” (Lluka 11:9).

Nëse përqendrohemi te gjërat e botës, ne mund ta humbasim një botë të tërë shpirtërore që është kudo përreth nesh. Ne mund të mos jemi të aftë t’i dallojmë nxitjet shpirtërore që Fryma e Shenjtë ka shumë dëshirë të na i japë për ta drejtuar jetën tonë dhe për t’i bekuar të tjerët. Anasjelltas, nëse përqendrohemi te gjërat e Shpirtit dhe tek ajo që është e “virtytshme, [e] dashur ose me famë të mirë apo [e] denjë për t’u lavdëruar” (Nenet e Besimit 1:13), atëherë ka më pak mundësi që ta humbasim udhën nëpërmjet tundimeve dhe shpërqendrimeve të botës. Mënyra më e mirë për t’iu shmangur shpërqendrimeve është ta vendosim pa u lëkundur përqendrimin tonë te qëllimi ynë dhe të përfshihemi me zell në një kauzë të mirë. Jini të kujdesshëm për përqendrimin tuaj – mos e harxhoni kohën duke u përqendruar te ngjitja e një mali vetëm që të zbuloni se i jeni ngjitur malit të gabuar.

Fuqia e Gjërave të Vogla

Tridhjetë e pesë vjet pasi e “rregullova përqendrimin tim” dhe vendosa të shkoja në mision, biri im më nxiti të vizitoja Meksikën me të dhe me shpresën që të gjeja disa nga njerëzit që u kisha dhënë mësim. Ne frekuentuam një mbledhje sakramenti në një qytet të vogël ku e fillova misionin tim, duke menduar se mund të njihja ndonjë – por nuk njoha asnjë. Pas mbledhjes, e pyetëm peshkopin nëse ai njihte ndonjë nga njerëzit në listën time, të cilëve iu kishim dhënë mësim dhe i kishim pagëzuar. Asnjë. Ai shpjegoi se kishte qenë anëtar vetëm për pesë vjet. Ai na sugjeroi të flisnim me një burrë tjetër, i cili kishte qenë anëtar për 27 vjet – ende një mundësi e vogël, por përsëri ia vlente përpjekja. E kalova listën time me të pa sukses derisa arritëm tek emri i fundit: Leonor Lopes de Enrikes.

“O, po”, tha ai. “Kjo familje është në një lagje tjetër, por ata e frekuentojnë Kishën në këtë ndërtesë. Mbledhja e tyre e sakramentit është më pas; ata duhet të jenë këtu së shpejti.”

Na u desh të prisnim vetëm rreth 10 minuta përpara se Leonora të hynte në godinë. Edhe pse tani mbi të 70-tat, e njoha atë menjëherë dhe ajo më njohu mua. Patëm një përqafim të gjatë, të përlotur.

Ajo tha: “Ne jemi lutur për 35 vjet që ti do të ktheheshe, që të mund të të falënderonim për sjelljen e ungjillit në familjen tonë”.

Teksa anëtarë të tjerë të familjes u futën në godinë, ne ndamë përqafime dhe lot. Me bishtin e syrit, mund ta shihja birin tim duke qëndruar me dy misionarët kohëplotë, të cilët po i fshinin lotët me kravatat e tyre.

Teksa e frekuentuam mbledhjen e sakramentit, ishte mahnitëse të zbulonim se peshkopi ishte një nga bijtë e Leonorës, pianisti një nip i saj, drejtuesja e muzikës një mbesë, dhe kishte disa të rinj në Priftërinë Aarone që ishin nipër të saj. Një nga bijat e saj u martua me një këshilltar në presidencën e kunjit. Një bijë tjetër ishte martuar me peshkopin e një lagjeje aty pranë. Shumica e fëmijëve të Leonorës shkuan në misione dhe tani nipërit e saj kanë shërbyer gjithashtu misione.

Mësuam se Leonora ishte një misionare më e mirë sesa ishim ne. Sot, fëmijët e saj me mirënjohje i kujtojnë përpjekjet e saj të palodhshme për t’ua mësuar atyre ungjillin: rëndësinë e së dhjetës, të tempujve dhe studimit të shkrimeve të shenjta, të lutjes dhe besimin për të mirëbesuar tek ungjilli. Ajo u mësoi atyre se vendime të vogla, me kalimin e kohës, përfundojnë në një jetë të plotë, të drejtë e të lumtur, dhe ata ua mësuan ato gjëra të tjerëve. I shtoni të gjithë dhe ka më shumë se 500 vetë, të cilët kanë ardhur në Kishë për shkak të kësaj familjeje të vetme, të mrekullueshme. Kjo ishte një nga arsyet e shumta përse Zoti donte që unë të shkoja në një mision. Më mësoi pasojat e përjetshme të kërkimit për ta bërë vullnetin e Zotit.

Gjithçka filloi me një bisedë të thjeshtë gjatë drekës. Shpesh mendoj se, nëse Dr. Pingri do të ishte përqendruar më shumë te karriera e tij apo në arritjet e tjera të botës, ai kurrë mund të mos më kishte pyetur përse nuk po shërbeja në një mision. Por përqendrimi tij ishte te të tjerët dhe te çuarja më tej e veprës së Zotit. Ai mbolli një farë që është rritur dhe ka sjellë fryt e vazhdon të rritet ose të shumëfishohet, në mënyrë eksponenciale. Mendime të frymëzuara prodhojnë veprime të mira; veprime të mira prodhojnë veprime të tjera të mira dhe, kështu me radhë, përjetësisht.

Marku 4:20 thotë: “Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind”.

Ideja që veprime të vogla, të thjeshta, por të qëllimta, mund të kenë pasoja dramatike mbështetet fare mirë në shkrimet e shenjta. Alma e mësoi birin e tij Helamanin:

“Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen. …

… Me mjete fare të vogla Zoti i ngatërron të urtët dhe realizon shpëtimin e shumë shpirtrave” (Alma 37:6–7).

Një nga mësimet e hershme të jetës duhet të jetë që ka fuqi të madhe në efektin e përbashkët të gjërave të vogla që ne i bëjmë çdo ditë. Gjëra të vogla dhe të thjeshta janë duke vepruar pikërisht tani në jetën tuaj – duke vepruar për ju ose kundër jush. Ashtu sikurse Zoti i përdor gjëra të tilla për t’ju lartësuar, Satani i përdor ato për ta larguar vëmendjen tuaj dhe për t’ju udhëhequr dalëngadalë, pothuajse në mënyrë të pakuptueshme, larg nga shtegu.

Sfida jonë është që, kur e shohim një familje të mrekullueshme ose një njeri të suksesshëm financiarisht apo një gjigant shpirtëror, ne nuk i shohim të gjitha veprimet e vogla dhe të thjeshta që i bëjnë ata të tillë. Ne shohim atletë olimpikë, por nuk i shohim vitet e ushtrimit të përditshëm që i bënë ata kampionë. Ne shkojmë në dyqan dhe blejmë fruta të freskëta, por nuk i shohim mbjelljen e farave, kultivimin dhe vjeljen e kujdesshme. Ne i shohim Presidentin Monson dhe Autoritetet e tjera të Përgjithshme dhe e ndiejmë forcën shpirtërore dhe mirësinë e tyre, por ato që nuk i shohim, janë disiplinat e thjeshta, të përditshme, të përsëritura herë pas here. Këto gjëra janë të lehta për t’u bërë, por ato janë gjithashtu të thjeshta për të mos u bërë – veçanërisht ngaqë përfundimet nuk janë të menjëhershme.

Ne jetojmë në një botë të menjëhershme. Dëshirojmë të shkojmë drejtpërsëdrejti nga mbjellja tek vjelja. Ne jemi mësuar kaq shumë me marrjen e rezultateve të menjëhershme – që sa herë që na duhet të presim më shumë se pak sekonda për Google-in që t’i përgjigjet secilës pyetjeje që kemi, ne nervozohemi – por harrojmë se këto përfundime janë efektet e përbashkëta të brezave të punës dhe të sakrificës.

Alma i dha këshillë Helamanit që është e shkëlqyer për ne sot. Duke folur për Liahonën dhe “shumë mrekulli të tjera” që e udhëhoqën familjen e Lehit “ditë për ditë”, ai tha:

“Sepse ato mrekulli u bënë me mjete të thjeshta, ato u tregonin atyre punë të mrekullueshme. Ata ishin përtacë dhe harronin të ushtronin besimin dhe zellin e tyre, dhe atëherë ato vepra të mrekullueshme pushonin, dhe ata nuk përparonin në udhëtimin e tyre. …

O biri im, të mos jemi përtacë për shkak të lehtësisë së udhës; pasi kështu qe me etërit tanë; meqë kështu u përgatit për ta, se po të shikonin do të mund të jetonin; dhe kështu është madje edhe me ne. Udha është përgatitur dhe në qoftë se ne do të shikojmë, do të mund të jetojmë përgjithmonë.

Dhe tani, biri im, vër re të kujdesesh për këto gjëra të shenjta, po, vër re të shikosh te Perëndia dhe jeto” (Alma 37:40–41, 46–47).

Tri Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta

Dua të theksoj tri mënyra të vogla e të thjeshta për të “shik[uar] te Perëndia”, të cilat do të na ndihmojnë ta ruajmë përqendrimin tonë te qëllimi ynë i përjetshëm. Asnjë prej tyre nuk do t’ju çudisë – i keni dëgjuar ato shumë herë më parë. Por unë dëshmoj se bërja e këtyre gjërave në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim të vërtetë jo vetëm që sjell një ndryshim, por ajo e sjell gjithë ndryshimin. Nëse e kuptoni – dua të them me të vërtetë e kuptoni – përse-në prapa këtyre disiplinave të thjeshta, pa dyshim, ju do t’i bëni ato një përparësi kryesore në jetën tuaj.

Së pari, ndërkohë që e marrim sakramentin, shumë shpesh ne thjesht e marrim pa ndonjë mendim. Teksa e shihni këtë video, vini re përqendrimin që vihet në të kujtuarin dhe merrni parasysh përse ai është kaq i rëndësishëm:

Plaku Xhefri R. Holland: “Ndërkohë që darkës së fundit dhe të përgatitur posaçërisht të Pashkës po i afrohej fundi, Jezusi mori bukën, e bekoi dhe e theu dhe ua dha Apostujve të Tij duke thënë:”

Jezu Krishti: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim. Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, i cili është derdhur për ju; bëni këtë në përkujtimin tim.”

Plaku Holland: “Që nga ajo përvojë në dhomën e sipërme në prag të Gjetsemanisë dhe të Golgotës, fëmijët e premtimit kanë qenë nën besëlidhje për ta kujtuar sakrificën e Krishtit në këtë mënyrë më të re, më të lartë, më të shenjtë dhe personale. Me një kupë të vogël uji ne kujtojmë derdhjen e gjakut të Krishtit dhe thellësinë e vuajtjes së Tij shpirtërore.

Me një copëz bukë, gjithmonë të thyer, të bekuar dhe të ofruar fillimisht, ne kujtojmë trupin e tij të fshikulluar dhe zemrën e tij të thyer.

Në gjuhën e thjeshtë dhe të bukur të lutjeve sakramentore që i ofrojnë ata priftërinj në moshë të re, fjala thelbësore që dëgjojmë, duket të jetë kujtojmë.

Nëse të kujtuarit është detyrë thelbësore përpara nesh, çfarë mund të na vijë në kujtesë kur ato emblema të thjeshta dhe të çmuara na ofrohen?”

Jezu Krishti: “Dhe këtë gjë do ta bëni. Dhe do të jetë një dëshmi për Atin, që ju më kujtoni gjithnjë. Dhe në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju.”

Teksti në ekran: Si do ta “kujtoni gjithmonë” Atë?5

Teksa e kujtojmë gjithmonë Atë dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, mendoni se si efekti i përbashkët i të pasurit gjithmonë të Shpirtit të Tij me ne, do të ndikojë në çdo fushë të jetës sonë. Përfytyroni se si do të ndikonte në vendimet tona të përditshme dhe ndërgjegjësimin tonë për nevojat e të tjerëve.

Ka mënyra të panumërta se si ne mund ta mbajmë gjithmonë premtimin tonë për ta kujtuar Shpëtimtarin në kursin e një dite. Si do ta kujtoni gjithmonë Atë?

Shumica do të thoshin: “Lutuni dhe studioni shkrimet e shenjta”. Dhe ju do të keni të drejtë, në qoftë se, dhe ajo është një në qoftë se e madhe, ato bëhen me qëllim të vërtetë.

Lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta janë dy gjërat e tjera të vogla dhe të thjeshta që do të doja të theksoja.

Zoti është i qartë rreth mënyrës se sa të paefektshme janë lutjet tona kur ne i ofrojmë ato për shkak të zakonit: “Quhet e ligë për një njeri nëse nuk lutet me [qëllim të vërtetë] të zemrës; po, kjo gjë nuk i sjell ndonjë dobi, pasi Perëndia nuk pranon asnjë të tillë” (Moroni 7:9).

Qëllimi i vërtetë i lutjes është për të hapur një bashkëbisedim të dyanshëm me Atin tonë në Qiell, me qëllimin për ta ndjekur çfarëdo këshille që Ai jep: “Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë; po, kur të biesh në mbrëmje, bier për Zotin, që ai të mund të të ruajë në gjumin tënd; dhe kur të ngrihesh në mëngjes, le të jetë zemra jote plot falënderime ndaj Perëndisë; dhe në qoftë se i bën këto gjëra, ti do të ngrihesh në ditën e fundit” (Alma 37:37).

Lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta në mënyrë të natyrshme shkojnë së bashku. Kur i studiojmë shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve tanë bashkëkohorë, kjo e mbush pompën e zbulesës personale. Shembujt dhe paralajmërimet që gjenden në shkrimet e shenjta, i edukojnë dëshirat tona. Kjo është mënyra se si rritemi që të dimë mendjen dhe vullnetin e Zotit.

Profetët e së shkuarës dhe të së sotmes na janë lutur të bëjmë gjëra të vogla dhe të thjeshta si lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta. Si rrjedhim, përse secili prej nesh nuk i bën ato? Ndoshta një arsye është që ne domosdoshmërisht nuk i shohim pasojat negative, thelbësore, nëse e humbasim një ose dy ditë – ashtu sikurse dhëmbët tuaj nuk prishen dhe nuk bien që të gjithë herën e parë që harroni t’i lani. Shumica e pasojave, pozitive dhe negative, do të vijnë më vonë, me kalimin e kohës. Por ato do të vijnë.

Vite më parë unë mbolla dy pemë të të njëjtit lloj dhe të së njëjtës gjatësi në oborrin mbrapa shtëpisë. Njërën e mbolla atje ku gjendej pak dritë dielli çdo ditë dhe e mbolla tjetrën atje ku gëzonte dritë të plotë nga dielli. Me kalimin e vitit nuk vura re ndonjë ndryshim në rritjen e dy pemëve, por më pas bashkëshortja ime dhe unë shkuam në një mision trevjeçar. Kur u kthyem, u befasova nga ndryshimi i madh! Efekti i përbashkët i pak më shumë drite dielli çdo ditë bëri një ndryshim të madh – me kalimin e kohës – në rritjen e pemëve. E njëjta gjë ndodh në jetën tonë, kur e ekspozojmë veten tonë çdo ditë kundrejt burimit të gjithë dritës. Ne mund të mos shohim një ndryshim të menjëhershëm, por sigurohuni që një ndryshim po ndodh brenda jush dhe përfundimet do të shfaqen me kalimin e kohës.

Kjo ide e thjeshtë e efektit të përbashkët të disiplinave të përditshme, me synim dhe qëllim të vërtetë, mund të sjellë një ndryshim të madh në të gjitha fushat e jetës tuaj. Mund të nënkuptojë ndryshimin midis të munduarit përmes një jete të rëndomtë apo të qenit jashtëzakonisht i suksesshëm dhe plotësimit të qëllimit të krijimit tuaj.

Shpesh herë e kam kthyer vështrimin te jeta ime dhe e kam vrarë mendjen përse ishte kaq e vështirë për mua që ta merrja vendimin për të shkuar në një mision. Ishte e vështirë ngaqë u shpërqendrova – e humba këndvështrimin e qëllimit tim të përjetshëm. Dëshirat e mia dhe vullneti im nuk u pajtuan me vullnetin e Zotit; përndryshe, vendimi do të kishte qenë më i lehtë. Dhe përse nuk pajtoheshin ato? Shkoja në kishë dhe merrja pjesë në sakrament të dielave – por nuk u përqendrova te kuptimi i tij. Lutesha, por kryesisht po shkoja përmes veprimeve. I lexoja shkrimet e shenjta, por vetëm në mënyrë rastësore dhe pa qëllim të vërtetë.

Ndërkohë që keni dëgjuar sot, shpresoj që e keni ndier, nëpërmjet pëshpëritjeve të Shpirtit, atë që duhet të bëni për të jetuar një jetë të qëllimshme dhe të përqendruar. Ju inkurajoj që t’i ndiqni ato nxitje. Mos e humbni kurajën nëpërmjet mendimeve për atë që e keni bërë ose nuk e keni bërë tashmë. Lëreni Shpëtimtarin ta pastrojë atë tërësisht. Mbani mend atë që Zoti ka thënë: “Por, kurdoherë që pendoheshin dhe kërkonin ndjesë me qëllim të vërtetë, ata faleshin” (Moroni 6:8; theksimi i shtuar).

Fillojeni tani. Jetoni një jetë të qëllimshme. Zbatojeni fuqinë e bashkimit të disiplinave të përditshme në fushat e rëndësishme të jetës suaj. Ju premtoj se pas një viti ju do të jeni ose të gëzuar që e filluat sot, ose do të dëshironi që ta kishit filluar.

Do të doja që ju t’i përsiatni këto tri pyetje. Ju ftoj t’i ndani përgjigjet tuaja në mediat shoqërore duke përdorur #ldsdevo.

Së pari: A mund ta bëni? A është e mundur për ju që t’i bëni këto tri gjëra të vogla dhe të thjeshta? A mund të përpiqeni ta mbani besëlidhjen tuaj që “gjithmonë ta kujto[ni] atë” (DeB 20:77, 79)? A mund të gjeni kohë për t’u lutur me qëllim të vërtetë dhe për t’i studiuar shkrimet e shenjta çdo ditë?

Së dyti: A do të funksionojë? A e besoni me të vërtetë premtimin e Zotit? A besoni se efekti i përbashkët i të pasurit gjithmonë të Shpirtit të Tij me ju do të ketë një ndikim të thellë në të gjitha aspektet e jetës suaj?

Më së fundi: A ia vlen?

Unë dëshmoj se ia vlen dhe e sjell të gjithë ndryshimin. Teksa i bëni këto gjëra, ju do të zbuloni se “përse-ja” më e rëndësishme prapa gjithçkaje që bëni, është që ju e doni Zotin dhe e dalloni dashurinë e Tij të madhe për ju. Secili prej jush gjettë gëzim të madh në kërkimin tuaj për përsosmërinë dhe në kuptueshmërinë dhe bërjen e vullnetit të Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Leo Tolstoy, në Peter T. White, “The World of Tolstoy”, National Geographic, qershor 1986, f. 767, 790.

  2. Atribuar Mark Tuenit.

  3. Tad R. Callister, “Our Identity and Our Destiny” (takim shpirtëror i Javës Arsimore të Universitetit “Brigam Jang”, 14 gusht 2012), f. 9; speeches.byu.edu.

  4. “Apology”, The Dialogues of Plato, përkth. Benjamin Jowett, 38a.

  5. Përshtatur nga video “Always Remember Him”; lds.org/media-library; shih edhe Jeffrey R. Holland, “This Do in Remembrance of Me”, Ensign, nëntor 1995, f. 67–68.