Mësimdhënia ndaj Rinisë dhe Të Rinjve e Të Rejave në Moshë Madhore
Dhe Jezusi u Tha Atyre: “Unë Jam Buka e Jetës”


Dhe Jezusi u Tha Atyre: “Unë Jam Buka e Jetës”

Një Mbrëmje me Plakun Gerit W. Gong

Fjalim drejtuar Mësuesve të Fesë së SAK-ut • 17 shkurt 2017 • Tabernakulli i Solt-Lejkut

Të dashur vëllezër dhe motra, është një privilegj i veçantë që mblidhemi këtë mbrëmje. I falënderoj shumë prej jush për mesazhet tuaja të ëmbla të dashurisë dhe inkurajimit. Këtë mbrëmje, ndërsa flasim për Krishtin, gëzohemi në Krishtin1, mësojmë për Krishtin, unë lutem që të mund t’i afrohemi më shumë Atij me nderim.

Pjesëtarë të familjes dhe bashkëshortë e bashkëshorte, është një nder të jem me ju. Nëse shumësi i fjalës “bashkëshort/e” do të ishte “erëz”, atëherë shumësi i fjalës “bashkëshortë/e” do të ishte “erëza”. Bashkëshortët dhe bashkëshortet janë erëzat e jetës sonë. Ju ngriheni nga shtrati herët, ju qëndroni deri vonë dhe ju jetoni me besim në çdo hap. Faleminderit për gjithçka jeni dhe bëni.

Detyra për të marrë pjesë në një Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm vjen nga një letër e nënshkruar nga Presidenti Tomas S. Monson, Presidenti Henri B. Ajring dhe Presidenti Diter F. Uhtdorf. Unë e ndiej dashurinë e Presidencës sonë të Parë për secilin prej jush ndërsa ata i kërkojnë Zotit që t’i bekojë dhe t’i frymëzojë përpjekjet tona këtë mbrëmje.

Fillimisht, kur e mora këtë detyrë, i ftova Plakun Kim B. Klark dhe Vëllanë Çad Ueb që të më jepnin mësim për ju – mësuesit tanë të seminarit dhe institutit, misionarët dhe punonjësit e SAK-ut nëpër botë.

Mësova se 45.731 mësues të thirrur seminari e instituti dhe misionarë japin mësim në 133 vende: 34.527 prej jush shërbejnë jashtë Shteteve të Bashkuara; 11.204 prej jush shërbejnë në Shtetet e Bashkuara. Bashkërisht, ju kontribuoni me 20.807.605 orë shërbimi ndaj ungjillit çdo vit. Ju faleminderit!

Mësova se 2.878 punonjës të Seminareve dhe Instituteve të Fesë shërbejnë në 129 vende: 1.849 prej jush në Shtetet e Bashkuara dhe 1.029 prej jush jashtë Shteteve të Bashkuara. Ju shërbeni me besnikëri në vende në të gjithë botën duke përfshirë: Botsvanën, Bullgarinë, Hungarinë, Lituaninë, Mozambikun, Shqipërinë, Zambien dhe shumë vende të tjera. Ju faleminderit!

Disa prej jush kanë dhënë mësim për shumë vite. Për shembull, motra Enid Mej, në Kolumbinë Britanike, u lirua nga thirrja kohët e fundit pasi dha mësim në seminar për 35 vite. Motra Mej u dha mësim 9 prej 10 fëmijëve të saj, 2 prej mbesave/nipërve të saj dhe vetë peshkopit të saj aktual. Motra Mej tha se u lut që makina e saj t’ia dilte të punonte gjatë çdo viti shkollor. Ditën e fundit që motra Mej po jepte mësim në seminar, ndërsa po kthehej në rrugicën e saj, transmisioni i makinës më në fund u prish.

Të tjerë prej jush sapo po fillojnë të japin mësim. Për shembull, motra Xhang Dongren në Kore dhe motra Johana Merkader në Republikën Dominikane, të cilat filluan të japin mësim këtë vit pasi kishin qenë anëtare të Kishës për vetëm gjashtë javë.

Motra Margaret Masaj në Kenia filloi të jepte mësim në seminar vetëm disa javë pasi u bashkua me Kishën. Motra Masaj me modesti thotë se studentët e saj, shumica të lindur në Kishë, e kanë mësuar atë dhe e ndihmuan të krijonte një themel të ungjillit që e ka bekuar atë në 17 vite mësimdhënieje në seminar.

Ju jepni mësim dhe shërbeni në çdo klimë, në çdo rrethanë, me studentë me çfarëdo formimi kulturor, në klasa të mëdha dhe të vogla.

Vëllai Benjamin Hedfilld jep mësim në Polin e Veriut, Alaskë. Dhe motra Lorena Tosen jep mësim në Ushuaia, afër Antarktikës, ku ndodhet Poli i Jugut.

Të mërkurave në Institutin e Universitetit të Solt-Lejkut, vëllai Jared Halverson u jep mësim thuajse 400 studentëve. E pyeta vëllanë Halverson se si e bën atë. Ai tha: “I jap mësim grupit por komunikoj një e nga një duke i dërguar secilit një mesazh në celular”.

Në Poloni, motra Dagmara Martinik, vetë një e re në moshë madhore beqare, çohet herët në mëngjes për të punuar në dyqan buke, pastaj qëndron vonë për të dhënë mësim në institut.

Klasa e seminarit e motrës Mira Flores-Akilar në Honduras, fillon në orën 05:00 të mëngjesit. Dhe klasa e institutit e vëllait Ruben Edrover në San-Huan të Argjentinës, fillon në orën 22:00 të natës.

Ju gjithashtu jepni mësim dhe i administroni klasat parësore dhe dytësore në Meksikë, Kiribati, Fixhi, Tongë dhe Samoa.

Për shkakun tuaj, më shumë të rinj dhe të rinj në moshë madhore po i lexojnë shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë më shumë se kurrë më parë.

Për shkakun tuaj, më shumë të rinj po mësojnë të marrin njohuri shpirtërore dhe t’u përgjigjen vetë pyetjeve të tyre duke e kuptuar doktrinën.

Dhe për shkakun tuaj, kurset themeltare në të gjitha shkollat dhe institutet e Kishës sonë po i afrojnë studentët më pranë Jezu Krishtit, Gurit Kryesor të Qoshes.

Sërish, ne ju admirojmë për atë që jeni dhe mënyrën si shërbeni. Kudo qofshi, cilatdo qofshin rrethanat tuaja, ju faleminderit që jeni mbledhur këtë mbrëmje me zemra të hapura dhe mendje të hapura – qoftë një, dy ose më shumë në emrin e Tij.2

Një herë, pas një detyre të gjatë së bashku, ndërsa po udhëtonim me avion dhe po prisnim të zbritnim në aeroportin e Solt-Lejkut, me padurim të zjarrtë, Presidenti Bojd K. Paker tha: “Gerit, gruaja ime, Dona, po e fut bukën në furrë tani. Buka do të jetë e freskët dhe e ngrohtë kur unë të mbërrij në shtëpi.”

A mund ta përfytyroni ose ta kujtoni bukën e shijshme? A mund ta nuhatni – e freskët dhe e ngrohtë? A mund ta shijoni – ndoshta pak e ëmbël, pak e kripur?

Buka është një ushqim bazik universal. Njerëzit në çdo moshë dhe çdo rrethanë kanë ngrënë bukë. Sigurisht, me grupin tonë [të përhapur] në të gjithë botën, buka ka çfarëdo madhësie, forme dhe përbërësi, madje dhe emra të ndryshëm.

Ndoshta për shkak se të gjithë njerëzit kudo e kuptojnë dhe varen nga buka, Shpëtimtari ynë shpalli: “Unë jam buka e jetës”3.

Në këtë botë, në mes të gjembave dhe gjembaçëve, ne e hamë bukën me djersën e ballit, siç bëri Adami dhe Eva. Liria morale e zgjedhjes vjen me zgjedhje të vërteta. Rritja shpirtërore vjen nga sfidat e vërteta. Por Shpëtimtari ynë nuk na lë që të shohim vetëm shkopinjtë dhe gurët e kësaj bote, kufijtë dhe mangësitë. Shpëtimtari ynë na bekon me manën, bukën e përditshme, premtimin e Tij për sakramentin që ne të mund të kemi jetë, shpresë, gëzim dhe t’i kemi ato me bollëk.4

Zoti ynë shpall:

“Unë, Zoti, i shtriva qiejt dhe ndërtova tokën, pikërisht me punën e duarve të mia; dhe gjithë gjërat në to janë të miat.

Dhe është qëllimi im për të siguruar për shenjtorët e mi. …

Sepse toka është plot dhe ka mjaft edhe për të kursyer.”5

Me fjalë të tjera, bota e Tij nuk është një botë shkopinjsh dhe gurësh. Bota e Tij është një botë me bukë dhe peshq.

A e mbani mend se si Jezusi e ushqeu turmën me pak bukë dhe peshq? Le të shohim dhe të përfytyrojmë sikur ishim atje.

[Materiali filmik]

Jezusi: “Vini re turmën”.

Dishepulli i 1-rë: “Ky vend është i shkretë dhe tashmë është vonë. Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fshatra që të blejnë bukë, se s’kanë asgjë për të ngrënë.”

Jezusi: “U jepni juve të hanë!”

Dishepulli i 2-të: “A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t’u japim të hanë?”

Jezusi: “Sa bukë keni?”

Dishepulli i 1-rë: “Pesë bukë e dy peshq”.

Jezusi: “M’i sillni këtu. Ndajini njerëzit në grupe me nga pesëdhjetë që të mund të ushqehen. … O Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, unë të falënderoj Ty për bujarinë Tënde. Amen.”6

[Fundi i materialit filmik]

Katër tregimet në Dhiatën e Re7 përshkruajnë Shpëtimtarin tonë duke ushqyer një turmë prej 5.000 vetash. Dy tregime të tjera në Dhiatën e Re përshkruajnë8, në një rast tjetër, Shpëtimtarin tonë duke ushqyer një turmë prej 4.000 vetash. Këto turma të mëdha duket se përfshijnë burra, gra madje edhe fëmijë.9

Ne ndonjëherë themi se Perëndia është te hollësitë. Kohët e fundit i ndërthura hollësitë e shkrimit të shenjtë rreth Shpëtimtarit tonë që ushqente një turmë prej 5.000 vetash, nga ungjijtë sipas Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit, përfshirë shënimet në Bibël, në një tregim të vetëm, tekstualisht si shkrimi i shenjtë.

Ju lutem, a do ta ftoni Frymën e Shenjtë që ta hapë aftësinë tonë për të kuptuar ndërsa i studiojmë tregimet nga shkrimi i shenjtë dhe parimet e ungjillit që gjenden te shembulli i Shpëtimtarit tonë?

Lutja jonë është që vlerësimi i shtuar për shërbesën e Shpëtimtarit tonë do të na afrojë ne, familjet tona dhe studentët tanë, më shumë me Të.

Ja tek është fragmenti ynë i ndërthurur nga shkrimi i shenjtë:

“Tani apostujt u mblodhën tek Jezusi dhe i treguan të gjitha ato që kishin bërë dhe i kishin mësuar.

Dhe ai u tha atyre: ‘Ejani veçmas në një vend të vetmuar [që do të thotë, një vend i izoluar ose i qetë] dhe pushoni pak’. Sepse njerëzit që vinin dhe shkonin ishin aq shumë, sa s’u dilte koha as për të ngrënë. …

Porsa turma i pa që u nisën, dhe shumë veta e njohën; dhe nga të gjitha qytetet erdhën aty me këmbë dhe mbërritën përpara tyre; dhe u mblodhën rreth tij.

Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe dhe iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari.”10

“Ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.”11

“Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ‘Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë’”12 “në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s’kanë gjë për të ngrënë.”13

“Por Jezusi u tha atyre: ‘Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë’.”14

“Ata i thanë: ‘A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t’u japim të hanë?’”15

“Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha:

‘Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç’janë këto për aq njerëz?’”16

“Dhe ai u tha: ‘M’i sillni këtu’.”17

“Atëherë ai i urdhëroi ata që t’i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë.”18 “Por në atë vend kishte shumë bar.”19 “Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.”20

“Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau”21 “dhe, pasi falenderoi”22 “ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave.”23 “Ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve”24 “aq sa deshën.”25

“Dhe të gjithë hëngrën”26 “e u ngopën.”27

“Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ‘Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë’.”28

“Pastaj dishepujt mblodhën tepricat”29 “dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi”30 “dhe me mbetje peshku”31 “që u tepruan atyre që kishin ngrënë”32.

“Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesëmijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.”33

“Sapo [i përshëndeti], ai iu ngjit malit për t’u lutur.”34

“Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë.”35

Çfarë vutë re, ose menduat, ose mësuat ndërsa Jezusi e ushqeu secilin prej nesh, dhe të gjithë ne, me pesë bukë dhe dy peshq të vegjël? A ishte buka si mana, e ëmbël si koriandri dhe mjalti?36 Dhe si na ushqyen ne dy peshq të vegjël – na ngopën – të gjithëve?

Ja tek janë nëntë gjëra që unë vë re dhe mendoj. Ndoshta ato mund të na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë Shpëtimtarin tonë, na afrojnë më shumë me Të dhe na ftojnë të bëhemi më shumë si Ai.

Tema e 1-rë: Shpëtimtari ynë ka dhembshuri.

Shumë nga mrekullitë e Shpëtimtarit tonë fillojnë me kuptueshmërinë dhe dhembshurinë e Tij. Ai i njeh zemrat dhe rrethanat tona. Ai është i mbushur me dhembshuri për shpresat dhe lëndimet tona, dëshirat tona dhe nevojat tona.

Ajo ishte një kohë agonie. Gjon Pagëzorit i kishin prerë kokën, kokën e tij e sollën në një pjatancë. Ishte premtimi i një mbreti të brengosur ndaj vajzës valltare të një nëne të ligë. Shpëtimtari ynë dhe dishepujt e Tij kishin shkuar në një vend të veçuar për t’u çlodhur. Prapëseprapë, çfarë ndjeu Shpëtimtari ynë kur pa shumë njerëz? Atij “iu dhimbs[ën]” ata37. Ai i pranon ata. Ai u jep mësim atyre. Ai i shëron ata. Dhe, në një mënyrë shumë praktike, Ai e di se “[ata] s’kanë gjë për të ngrënë”38.

Nëpërmjet shërbesës së Tij, Shpëtimtari ynë ka dhembshuri – dhembshuri për lebrosin39, dhembshuri për djalin e burrit të pushtuar nga një frymë e keqe40, dhembshuri për nënën e ve së cilës i kishte vdekur djali i vetëm41. Shpëtimtari ynë na mëson që të jemi si Samaritani i mirë i cili pati dhembshuri për burrin e plagosur dhe nuk e la të vdiste.42

Po ashtu, babai i djalit plëngprishës pati dhembshuri dhe vrapoi për tek i biri kur ai “ishte ende larg”43. Gjithnjë e më shumë, duke folur për bukën, kur djali plëngprishës “erdhi në vete”, perceptimi i tij ishte se “[s]a punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka”44.

Shpëtimtari ynë fillon nga dhembshuria. Ai e mbyll me dashamirësi të hirshme.

Tregimet e ungjijve thonë se, pasi Jezusi e ushqeu turmën, Ai “e lejoi” [të ikte]. Por shënimi në fund të faqes te Marku e sqaron. Në vend të frazës Ai “e lejoi”, shënimi në fund të faqes thotë Ai “i përshëndeti”45. A mund ta dëgjoni Jezusin që i përshëndet me dhembshuri njerëzit ndërsa ata largohen pasi Ai i ka ushqyer ata?

Tema e 2-të: Shpëtimtari ynë fillon nga ajo që ata kanë.

Duke dëshiruar që ta ushqente turmën, Shpëtimtari ynë fillon duke i pyetur dishepujt e Tij se çfarë kanë. Ai është Krijuesi i botës, Zoti i qiellit dhe i tokës, e prapëseprapë Ai fillon nga ajo që ata kanë, nga vendi ku ata janë.

“Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël.”46

Shpëtimtari ynë fillon nga ajo që ata kanë: “M’i sillni këtu”47.

A shihni ndonjëherë se kush jeni, se çfarë ose kë duhet të mësoni dhe a e pyetni veten se si ajo që keni ndoshta mund të jetë e mjaftueshme? Ndoshta, sikurse dishepujt, ne i shohim ato pak bukë dhe peshq të vegjël që kemi, dhe pyesim me çudi: “Por ç’janë këto për aq njerëz?”48

Si mësues, ne e ftojmë çdo student të kontribuojë në orën mësimore. Disa studentë japin shumë, disa pak. Si nxënës dhe mësues (dhe ne jemi në të dy rolet), ne fillojmë nga ajo që kemi, me atë që ne jemi tani. Më pas, Ai mund të na lartësojë dhe t’i shumëfishojë përpjekjet tona. Parimi i rritjes nga atje ku jemi, pasqyron të vërtetën në Librin e Mormonit se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit të Tij “pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”49.

Ai buzëqesh teksa ne sjellim atë që kemi dhe atë që ne jemi, dhe vijmë më afër Tij.

Tema e 3-të: Shpëtimtari ynë lëviz në një mënyrë të rregullt.

A keni ngecur ndonjëherë në një turmë të madhe që po shtyn, godet dhe rrëmben diçka? Unë po. Njerëzit përpara nuk donin t’ia dinin për njerëzit mbrapa. Kisha frikë se po të rrëzohej ndonjëri, ata do ta shkelnin.

Ndryshe nga ata, Shpëtimtari ynë “i urdhëroi ata [dishepujt] që t’i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe”50. Këta grumbuj organizohen “në grupe [me] nga njëqind e nga pesëdhjetë”51.

Në Kishë ne flasim për një grup pionierësh. Ne flasim për një grup që adhuron në tempull. Për ne, fjala grup paraqet një grumbull të qetë njerëzish me një qëllim të përbashkët më të lartë.

Dhe, ndonëse ai quhet një vend i shkretë, Zoti ynë nuk do që turma të ulet në një tokë të mbuluar veç me pluhur. Ai do që grupet të ulen “mbi barin e njomë”52. Ai kishte zgjedhur një vend ku “kishte shumë bar”53.

Tema e 4-t: Shpëtimtari ynë shpreh mirënjohje.

Ai i mori bukët dhe peshqit, dhe “pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau”54.

Krijuesi i qiellit dhe i tokës, vetë Mbreti i mbretërve, jep falënderime përpara se t’i ndajë bukët dhe peshqit dhe i shumëfishon ato në mes të të gjithëve, “aq sa deshën” të hanin.55

Tema e 5-të: Shpëtimtari ynë i ushqen dishepujt dhe u kërkon atyre ta ushqejnë turmën.

Është [një] rregull, por është më shumë se rregull. Është forcimi i barinjve në mënyrë që ata të mund t’i forcojnë delet. Është t’u japësh mësim mësuesve në mënyrë që ata t’u japin mësim studentëve. Është një model hyjnor në Bibël, në Librin e Mormonit dhe në Kishën e Tij të rivendosur: Dhe Ai “i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave”56.

Ajo është dhurata e madhe e dhënies dhe marrjes nga ana shpirtërore. Dijenia se ne do të japim mësim na ndihmon që të mësojmë. Kur u japim mësim të tjerëve që ata të mësojnë, ne mësojmë të japim mësim. Shembulli ynë i të mësuarit dhe mësimdhënies i ndihmon studentët tanë të dinë se edhe ata mund të mësojnë dhe të japin mësim.

Tema e 6-të: Shpëtimtari ynë ushqen 5.000 veta dhe secilin një e nga një në të njëjtën kohë.

Në një mënyrë të mahnitshme, bukët dhe peshqit ndahen dhe më pas shumëfishohen për secilin person në turmë: “Dhe të gjithë hëngrën”57 “e u ngopën.”58

Kjo është një mrekulli që kërkojmë ne si mësues – t’i japim mësim të gjithë klasës sonë dhe çdo personi në klasë. Kjo kërkon kujdes për të 5.000-të dhe për secilin. Ajo fton trajtimin e shqetësimeve të përgjithshme dhe nevojave individuale. Dhe përtej çdo ekuilibri, ajo fton mrekullinë shpirtërore që, ajo nga e cila fillojmë, të jetë e mjaftueshme.

Tema e 7-të: Shpëtimtari ynë sigurohet që asgjë të mos humbasë.

“Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ‘Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë’.”59

Pjesë e fillimit me mirënjohje për atë që kemi, është siguria se asgjë nuk humbet kur ne përfundojmë. Ekonomia e qiellit nuk çon dëm [asgjë]. Gjithçka merret në fillim; asgjë në fund nuk lihet që të humbasë.

Plaku Riçard G. Skot tregoi se si ne mund t’i shënojmë mbresat dhe të mësojmë nëse ka ende më për të bërë.60 Ky proces i përsëritur i bërjes së pyetjeve, marrjes, shënimit, përsiatjes, bindjes, kërkimit nëse ka më tepër, pasqyron deklaratën e Shpëtimtarit tonë se “juve që dëgjoni do t’iu jepet edhe më”61.

Dhe ka akoma më. Kur e përshkruan Veten si buka e jetës, Shpëtimtari ynë shënon: “Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë”62. Ai i mban ato që i jepen Atij nga Ati, që asgjë të mos humbasë. Si mësues, misionarë, punonjës, ne bëjmë gjithçka me besimin dhe fuqinë tonë që t’i mbajmë ato të cilat i janë besuar kujdesit tonë, që asnjëri të mos humbasë.

Tema e 8-të: Me Shpëtimtarin tonë, ne përfundojmë me më shumë nga sa e filluam.

Duke u siguruar me mirënjohje që asgjë të mos humbasë, dishepujt kuptojnë një tjetër mrekulli: “Pastaj dishepujt mblodhën tepricat”63 “dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi”64 “dhe me mbetje peshku”65 “që u tepruan atyre që kishin ngrënë”66.

Një mrekulli e shumëfishimit shpirtëror është se, me Shpëtimtarin tonë, ne përfundojmë me më shumë nga sa e filluam. Ne përfundojmë me më shumë dashuri, më shumë nxënie, më shumë frymëzim, më shumë mirësi nga sa e filluam. Mësimdhënia e mbushur me Shpirtin kthehet mbrapsht e shumëfishuar – ashtu si bukët dhe peshqit, me më shumë nga sa e filluam.

Le ta përmbledhim diskutimin tonë deri më tani:

Shpëtimtari ynë i kupton zemrat dhe rrethanat tona. Ai ka dhembshuri për të na bekuar dhe ngopur në çdo mënyrë.

Ai e fillon nga atje ku ne jemi, nga ajo që ne kemi, madje duke i pranuar ato pak bukë dhe peshq nga një djalosh.

Ai vepron në një mënyrë të rregull.

Ai është mirënjohës. Ai shikon drejt qiellit përpara se të bekojë dhe ndajë [bukën].

Ai i ndan të parat me dishepujt dhe u kërkon atyre t’u japin njerëzve.

Ai di se si të kujdeset dhe t’u japë mësim 5.000 vetave dhe secilit në të njëjtën kohë.

Ai me mirënjohje e mbledh atë që ne kemi, që asgjë të mos humbasë.

Ai na ndihmon të kuptojmë se kemi përfunduar me më shumë nga sa e filluam.

Dhe ka akoma më. Ushqyerja e turmës nuk është as hera e parë dhe as hera e fundit që Shpëtimtari ynë e përdor bukën dhe peshkun për të dhënë mësim dhe për të dëshmuar për bollëkun e Tij.

Si rrjedhim, tema e nëntë dhe e fundit:

Tema e 9-të: Për ata me sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, Shpëtimtari ynë jep mësim dhe dëshmon për bollëkun e sakramentit.

“Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë.”67

Më vonë, duke iu drejtuar veçanërisht bukëve dhe peshqve, Shpëtimtari ynë i pyet dishepujt e Tij:

“Dhe nuk po mbani mend?

Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët? Ata thanë: ‘Dymbëdhjetë’.

‘Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?’ Dhe ata thanë: ‘Shtatë’.”68

Për ta përsëritur: Bota e Tij është një botë me bukë dhe peshq, me bollëk.

Gruas te pusi, me domethënie të veçantë në një tokë të zhuritur, Shpëtimtari ynë ia shpalli Veten si uji i gjallë. Jezusi i tha asaj: “Kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme”69.

Atyre që e pyesin Jezusin: “Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, a mund të na japësh bukë nga qielli për të ngrënë?”70 Jezusi u përgjigjet: “Ati im … jep bukën e vërtetë nga qielli”71. “Unë jam buka e jetës.”72 “Kush beson në mua ka jetë të përjetshme.”73

Nuk ka asgjë më thelbësore, më jetike ose më universale sesa buka dhe uji. Çfarë marrim ne kur buka e jetës dhe uji i gjallë bëhen një? Sigurisht, ne marrim sakramentin.

Në fund të shërbesës së Tij në vdekshmëri, sipas një modeli që dishepujt e kishin parë më parë, Shpëtimtari ynë “mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ‘…Bëni këtë në përkujtimin tim’.”74

Në fillim të shërbesës së Tij si i ringjallur, duke treguar sërish një model të njohur, Shpëtimtari ynë krijoi sakramentin midis nefitëve, deleve të tjera të Tij:

Ai i urdhëron dishepujt e Tij që t’i sjellin bukë dhe verë.

Ai i kërkon turmës të ulet në tokë.

Ai e merr bukën, e ndan dhe e bekon.

Ai ua jep dishepujve dhe i urdhëron se duhet ta hanë.

Dhe kur dishepujt kanë ngrënë dhe ngopen, Ai i urdhëron ata që t’i japin turmës.

Turma ha dhe ngopet.75

Më vonë, Zoti ynë e administron sakramentin te nefitët, këtë herë duke e siguruar në mënyrë çudibërëse bukën dhe verën:

“Tani, nuk ishte sjellë as bukë, as verë… .

Por, me të vërtetë, ai u dha atyre bukë të hanin dhe gjithashtu verë të pinin.”76

Ai premton se ata që e hëngrën bukën dhe e pinë verën për shpirtin e tyre, “nuk do të ke[në]ë kurrë uri ose etje, por do të je[n]ë [të] ngopur”77.

Në të vërtetë, “pasi e gjithë turma hëngri dhe piu, vini re, ata u mbushën me Shpirtin”78.

Kjo është përmbushje e premtimit të madh të sakramentit për burrat dhe gratë e të gjitha moshave, të çdo rrethane, për secilin prej nesh jeta e të cilit varet shumë nga buka dhe uji: “Të bekuar janë ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, pasi ata do të mbushen me Frymën e Shenjtë”79.

Vëllezër dhe motra, faleminderit që jeni nxënës dhe mësues të mrekullueshëm në një botë të uritur dhe të etur shpirtërisht! Faleminderit që e bëni çdo mësim, çdo ndërveprim me studentin, si një gosti shpirtërore me bukë dhe peshq!

Vëllezër dhe motra, unë kam ndier një burim me ujë të gjallë të vërshojë brenda meje me një plotësi të dashurisë për Shpëtimtarin tim.

Kohët e fundit, teksa pata privilegjin të shpërndaja bukën dhe ujin, e ndjeva dashurinë e madhe të Shpëtimtarit tonë për ata njerëz që i marrin ato emblema të shenjta. Gjithashtu ndjeva mirënjohje të madhe për Shpëtimtarin tonë që krijoi ordinancën e sakramentit.

Me raste, ndërsa reflektoj (përfshirë edhe ditën e Shabatit), ndiej miratim të qetë se unë po bëj gjithçka mundem në këtë pikë. Shumë shpesh ndiej shpresë dhe inkurajim se unë mund të “[shkoj] te Krishti dhe [të] përsos[em] në të”80, pavarësisht nga të metat e mia.

Unë shpresoj se secili do t’i shohë bukën e peshkun dhe bukën e ujin, në mënyra të reja.81

Unë shpresoj se do të gjeni kënaqësi, aventurë dhe frymëzim në gërshetimin e tregimeve nga shkrimet e shenjta, parimeve të ungjillit dhe fjalëve të profetëve dhe apostujve të gjallë ndërsa përmbushni detyrën tuaj të shenjtë për t’i ndihmuar studentët tuaj që ta njohin më mirë Shpëtimtarin tonë, dhe të vijnë me nderim tek Ai.

Unë shpresoj se ju e mbani mend se “Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të”82. Bota e Tij është një botë me bukë dhe peshq. Premtimi i Tij i sakramentit është se ka bollëk të mjaftueshëm edhe për të kursyer.

Unë me mirënjohje dëshmoj për Perëndinë, Atin tonë të Përjetshëm; Birin e Tij të Shenjtë, Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin dhe Frymën e Shenjtë. Unë me mirënjohje dëshmoj për të vërtetat e rivendosura dhe vijimësinë e pashkëputur të autoritetit të priftërisë nga Profeti Jozef deri te Presidenti Tomas S. Monson sot, për shkrimet e shenjta dhe për ngushëlluesin, drejtimin dhe gëzimin që ne marrim ndërsa kemi me vete Shpirtin e Tij kur e kujtojmë gjithmonë Atë.

Pavarësisht se ku jeni, pavarësisht nga rrethanat tuaja, pavarësisht nga gëzimet dhe sfidat tuaja, shpresoj ta keni ndier në mbrëmjen tonë së bashku se sa shumë ju do Zoti dhe Kisha e Tij. Ai ju do. Ne ju duam. Në emrin e shenjtëruar dhe të shenjtë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër