Mësimdhënia ndaj Rinisë dhe Të Rinjve e Të Rejave në Moshë Madhore
Zotërimi Doktrinor dhe Mësimi në Thellësi


Zotërimi Doktrinor dhe Mësimi në Thellësi

Një Mbrëmje me Plakun Gerit W. Gong

Fjalim drejtuar Mësuesve të Fesë të SAK-ut • 17 shkurt 2017 • Tabernakulli i Solt-Lejkut

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, gëzohem për këtë mundësi që të jem me ju këtë mbrëmje. Përpara se të paraqit Plakun Gong, do të doja të shprehja një mendim që shpresoj se do të jetë i dobishëm për ju dhe studentët tuaj.

Së pari dua të shpreh dashurinë time për ju dhe mirënjohjen time për atë që bëni. Ju bëni një punë të madhërishme në mbretërinë e Perëndisë dhe në jetën e studentëve tuaj. Ju dua dhe lutem që bekimet më të zgjedhura të Zotit të jenë me ju dhe familjet tuaja.

Dua të them një fjalë sonte rreth Zotërimit Doktrinor. Ajo që them do të zbatohet veçanërisht për ata prej jush që po japin mësim në seminar, por në të vërtetë zbatohet për të gjithë ne.

Zotërimi Doktrinor është një program në seminar me tre objektiva: i pari, t’i ndihmojë studentët tanë të mësojnë se si të marrin njohuri shpirtërore; i dyti, t’i ndihmojë studentët ta njohin dhe kuptojnë doktrinën e Shpëtimtarit – që do të thotë edhe ta njohin doktrinën e vërtetë në mendjet e tyre edhe ta kuptojnë doktrinën e vërtetë në zemrat e tyre, dhe duam që ajo të jetë thellë në zemrat e tyre; dhe i treti, t’i ndihmojë studentët të mësojnë se si ta zbatojnë doktrinën në jetën e tyre, edhe ta jetojnë atë vetë dhe ta përdorin për t’iu përgjigjur pyetjeve që miqtë e tyre mund të kenë ose për t’u dhënë mësim e për t’i ndihmuar të tjerët ta dinë të vërtetën.

Zotërimi Doktrinor u paraqit në mbarë botën vjeshtën e shkuar. Dua që ju ta dini dhe ndieni në zemrat tuaja se ai ka ardhur me anë të zbulesës nga Zoti; është një mrekulli. Kam reflektuar shpesh për mënyrën se si erdhi, kur erdhi dhe përse erdhi. Kam arritur ta shoh Zotërimin Doktrinor në kontekstin më të gjerë të arsimimit në Kishë dhe punës së madhërishme të Zotit në tokë.

Besoj se Zotërimi Doktrinor i ndihmon studentët tanë të zhvillohen në njohurinë dhe të kuptuarin e doktrinës dhe i ndihmon të mësojnë si ta përdorin atë njohuri dhe kuptim në jetën e tyre. Por ai bën më shumë se aq. Ai gjithashtu u mëson studentëve tanë mënyrën e Zotit për të mësuar thellësisht çfarëdo lloj njohurie në çdo kohë të jetës së tyre.

Mësimi është i thellë kur e rrit fuqinë tonë për të bërë tri gjëra: 1) të njohim e të kuptojmë; 2) të ndërmarrim veprime të efektshme e të drejta dhe 3) të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor.1

Mësimi në thellësi duhet të bëhet sipas mënyrës së Zotit, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe nëpërmjet studimit aktiv, të zellshëm dhe mësimdhënies ndaj njëri-tjetrit, të shoqëruara nga hiri i Jezu Krishtit. Kjo është e vërtetë për çfarëdo lloj njohurie dhe për çdo kohë të jetës.

Kjo është pikërisht ajo që u mësojmë studentëve tanë në Zotërimin Doktrinor (dhe, shpresoj, në gjithçka që japim mësim). Prandaj, Zotërimi Doktrinor është një portë drejt mësimit gjatë gjithë jetës, në thellësi.

Dua ta mbyll fjalën time me dy ftesa. E para është për ata prej jush që japin mësim në seminar. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura në të gjithë botën, shpresoj që studentët tuaj ta kuptojnë se ju po u mësoni se si të mësojnë sipas mënyrës së Zotit. Mësojuni se duhet të mësojnë thellësisht si në njohurinë shpirtërore ashtu edhe në njohurinë laike gjatë gjithë jetës së tyre. Ndihmojini ta kuptojnë se diplomimi në seminar nuk është fundi. Ne duam që ata të diplomohen në institut dhe duam që ta vazhdojnë arsimimin përtej shkollës së mesme. Ju po i ndihmoni ata t’i bëjnë të dyja këto gjëra dhe të hedhin një themel për mësim gjatë gjithë jetës e me thellësi, duke u mësuar atyre se si të mësojnë sipas mënyrës së Zotit.

Ftesa ime e dytë është për ata prej jush që japin mësim në institut. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju lutem ndihmojini studentët tuaj të mësojnë sipas mënyrës së Zotit. Ju lutem, ndihmojini ata ta kuptojnë vlerën dhe fuqinë e diplomimit në institut në jetën e tyre. Diplomimi në institut përfaqëson përfundimin e një studimi sistematik, të zgjeruar të ungjillit. Diplomimi në institut do ta forcojë të kuptuarin e tyre për ungjillin, do ta thellojë dëshminë e tyre dhe zotimin e tyre ndaj Zotit dhe do t’i ndihmojë ta njohin e ta duan Jezu Krishtin.

E di se po të veproni sipas këtyre ftesave, Zoti, Shpëtimtari, do t’ju bekojë juve dhe studentët tuaj. Jap dëshmi se Ati ynë Qiellor jeton dhe na do. Biri i Tij, Jezu Krishti, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. E di se Ai jeton. E di se në Të dhe nëpërmjet Tij ne të gjithë mund të mësojmë në thellësi gjatë gjithë jetës sonë, sepse Ai është Udha, e Vërteta dhe Jeta. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. Modeli “di, bëj, bëhem” është përdorur gjerësisht si strukturë për zhvillimin e udhëheqjes dhe në diskutime për planin e Zotit për zhvillimin shpirtëror të fëmijëve të Tij. Shih Tomas S. Monson, “Të Mësojmë, të Bëjmë, të Jemi”,Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 60–62, 67–68; dhe Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000 f. 32–34. Për një trajtim më të thellë të secilit prej elementeve të këtij modeli, shih seritë me tre vëllime nga David A. Bednar: Increase in Learning (2011), Act in Doctrine (2012) dhe Power to Become (2014).

Shtyp në Letër