Mësimdhënia ndaj Rinisë dhe Të Rinjve e Të Rejave në Moshë Madhore
Mësuesit dhe Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit


Mësuesit dhe Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit me Plakun Uhtdorf

E diel, 12 qershor 2022

Çed Streng: Si baba, mendoj se një nga përgjegjësitë më të rëndësishme që kam, është t’u mësoj fëmijëve të mi adoleshentë që t’i njohin të vërtetat dhe doktrinën të cilat mund të gjenden në shkrimet e shenjta, të cilat lidhen me ta personalisht në jetën e tyre dhe në rrethanat e tyre. Dhe ky ka qenë një mësim vërtet i rëndësishëm për mua – të jem i vetëdijshëm për Shpirtin dhe të lidhem me ta për të qenë i vetëdijshëm për nevojat e tyre, por, më e rëndësishmja, që t’i ndihmoj ata të zbulojnë një dashuri për shkrimet e shenjta dhe të kuptojnë se doktrina mund të lidhet me jetën e tyre.

Roberta Luz Pavanelo [Titra]: Jam një mësuese seminari nga Brazili. Kur fillova të jepja mësim në seminar, doja vërtet të isha mësuese e mirë dhe doja vërtet që studentët e mi të mësonin gjithçka që po jepja mësim. Kështu që mendova për mënyra të ndryshme se si të jepja mësim: leksione, disa materiale filmike dhe lojëra për t’i luajtur. Një herë, një student bëri lutjen e hapjes dhe kërkoi që të mund ta ndiente Shpirtin gjatë orës së mësimit. Dhe e di që kjo është shumë e qartë, apo jo? Ne e dëgjojmë këtë gjatë gjithë kohës, por në atë çast, ajo lutje më ndryshoi zemrën dhe mendova: “Kjo është ajo që u nevojitet studentëve. Ata janë këtu për të ndier Shpirtin.”

Tajlër Harris: Jam mësues në Fillore. Kam një klasë të madhe. Ne kemi disa fëmijë me ca nevoja të veçanta dhe, për fat, patëm një trajnim të shkëlqyer nga presidentja jonë e Fillores, dhe ajo na mësoi se si jo çdo fëmijë mëson në të njëjtën mënyrë dhe se disa kanë shumë dëshirë t’i prekin gjërat dhe kanë nevojë të mbajnë diçka ose të bëjnë diçka. Disa njerëz me të vërtetë kanë nevojë të mësojnë në mënyrë pamore dhe gjëra të tilla. Pra, ne si tre vëllezër në klasë përpiqemi vërtet të lutemi për këtë dhe të mendojmë se si mund të kalojmë nga situata ku fëmijët tanë thjesht po merren me njëri-tjetrin ose zgjaten te dritarja, te diçka që ata mund ta mësojnë vërtet rreth Shpëtimtarit dhe të mësojnë rreth gjërave që do t’i ndihmonin ata të përfshiheshin dhe të merreshin me diçka në klasë. Dhe sapo patëm një përvojë të shkëlqyer me këta fëmijë ku ishim në gjendje të kishim vërtet disa mësime përfshirëse.

Kaion Konstantino [Titra]: Jam nga Brazili dhe jam mësues instituti. Një ditë, në një klasë instituti gjatë pandemisë, na u desh t’i bënim orët tona mësimore në internet. I ftova të gjithë, por, megjithatë, vetëm një student mori pjesë. Dhe studenti kishte shumë pyetje ngaqë ishte anëtar i ri. Atë ditë, duke dëgjuar pëshpëritjet e Shpirtit, munda të ndihmoj dhe t’u jap zgjidhje shumë prej pyetjeve të tij. Jam shumë i lumtur ngaqë tani ai po përgatitet të shërbejë në një mision.

Sina Koza: Kohët e fundit më dhanë detyrën të flisja për një periudhë shumë të errët në jetën time, e cila ishte një periudhë pikëllimi. Dhe mënyra që zgjodha se si të flisja për këtë, ishte duke u përqendruar te shembulli i Shpëtimtarit. Reflektova sërish për periudhat e shumta të pikëllimit nëpër të cilat kaloi Shpëtimtari dhe se si Ai u përball me to. Kuptova se, duke u përqendruar tek Ai dhe te mënyra se si Ai u përball me këto rrethana vetjake, gjithçka që kalova ishte në të vërtetë për përmirësimin tim. Dhe kuptova se e gjithë kjo ishte pjesë [e planit të] një Ati të dashur në Qiell, i cili na do dhe e bën këtë në mënyrë të përsosur, pavarësisht nga ajo që po kalojmë.

Lori Njubold: Në mësimdhënien time, përfundova duke kërkuar më shumë shembuj. Pashë lidhje kur flisnim për një doktrinë dhe më pas iu kërkova të rejave të kërkonin lidhjet. Një shembull ishte me një të re që thjesht e pyeta, për shembull: “Ku e sheh Shpëtimtarin në sakrament?” Ne sapo kishim folur për sakramentin dhe asaj i erdhi një ide, dhe tha se kur shikojmë tryezën e sakramentit, ne po shohim trupin e Tij. Dhe e pati këtë çast ku, edhe pse ishte 17 vjeçe, ajo kurrë nuk e kishte lidhur Shpëtimtarin me sakramentin. Thjesht për shkak të kësaj, për mua personalisht duke u përgatitur në atë mënyrë, fillova ta shihja Atë më shumë, dhe thjesht e ndieja natyrshëm këtë lidhje.

Pandu Prasetjo: Kur isha në mision, mësova se si të jem gjithmonë gati për të dëgjuar nxitjet shpirtërore të Shpirtit. Dhe teksa jam përpjekur fort t’ia vë veshin zërit të Shpirtit, kjo më ka ndihmuar t’i kuptoj kërkuesit e mi dhe t’i mësoj ata sipas Shpirtit.

Tania M Diaz De Resio [Titra]:

Si motër shërbestare, ndërsa lutem për secilën nga motrat e mia që më janë caktuar për t’u dhënë shërbesë, unë mund të ndiej dashuri më të madhe për to. Mund të ndiej edhe dashurinë që ka Shpëtimtari.

Alex Munjoz [Titra]: Ne gjithmonë përpiqemi të përqendrohemi te Jezu Krishti dhe kam vënë re se kur bëjmë përpjekje për ta përqendruar orën mësimore te Jezu Krishti, te simbolet e Tij dhe te modelet që shohim në shkrimet e shenjta që e përfaqësojnë Atë, kjo bën që studentët ta kërkojnë qëllimisht Jezu Krishtin në shkrimet e shenjta dhe mënyrën se si kjo ndikon në jetën e tyre.

Nuria Munjoz: Ne kemi dy bija më të mëdha që marrin pjesë shumë në studimin tonë të programit Eja, Më Ndiq, por bija jonë e tretë ishte në njëfarë mënyre e druajtur dhe nuk fliste shumë. Gjatë javës, pashë që ajo po bënte vizatime të asaj që po diskutonim, dhe mendova se do të ishte një mënyrë e mrekullueshme për ta ndihmuar të ndihej se mund të kontribuonte. Kështu që e ftova të na i tregonte ato vizatime, dhe çdo javë ajo kishte vizatime të reja për të gjitha gjërat që po diskutonim. Më pas ajo filloi ta tregonte dëshminë e saj së bashku me ato vizatime dhe të shkruante për ato [që diskutonim]. Dhe ishte një mënyrë e mrekullueshme për ta ndihmuar të ndihej se e vlerësjmë dhe se mund të kontribuonte në gjërat që po diskutonim, dhe padyshim kjo na ndihmoi të gjithëve të zhvillonim dëshmitë tona.

Paola Segastume de Orellana [Titra]: Shpëtimtari na mësoi t’i duam të gjithë studentët tanë. Pra, më pëlqen shumë të interesohem për veçantitë e tyre, për veprimtaritë e tyre jashtë Kishës. Gjithashtu më pëlqen shumë të interesohem për ditëlindjet e tyre, t’ua mësoj mirë emrat, të mund t’u drejtohem si njerëz të veçantë që janë. Si fëmijë të veçantë të Atit Qiellor, unë shqetësohem për ta. Nëse njëri prej tyre nuk vjen në klasë, unë personalisht e kërkoj dhe jam gjithmonë e vetëdijshme për secilin prej tyre.

Udli LaFord: Si peshkop, punoj shumë me rininë dhe besoj se mënyra më e mirë për t’i ndihmuar të rinjtë e të rejat është duke u përqendruar te Jezu Krishti. Dhe këtë e bëj duke përdorur programin e zhvillimit vetjak që është hartuar për të gjithë rininë. Kam një të ri që nuk po e frekuentonte seminarin, dhe mendova se duke e ndihmuar të kuptonte nevojën për t’u bërë si Jezusi, kjo do ta ndihmonte patjetër. Kështu që organizuam një veprimtari mbi zhvillimin vetjak. Dhe pas asaj veprimtarie, ai vjen duke e frekuentuar rregullisht seminarin. Pra, kuptoj që nëse duam që rinia të rritet shpirtërisht dhe fizikisht, ne mund t’i ndihmojmë që të përqendrohen te bërja si Jezusi.

Eduin Ramirez Guzman [Titra]: Përshëndetje! Jam mësues në Fillore. U jap mësim fëmijëve. Jam nga Guatemala. Ata janë të gjithë të ndryshëm dhe disa prej tyre nganjëherë janë tepër aktivë.

Mund të ndiej se si Jezu Krishti dëshiron që ta mësojë secilin në një mënyrë që është e veçantë për të. Dhe më kujtohet një rast kur njërin nga fëmijët nuk e zinte vendi. Me të vërtetë ai ishte një djalë i vogël me shumë energji dhe e ftova që të ishte ndihmësi im në klasë. Pra përfitova nga ajo energji që të mund t’i mësoja fëmijët e tjerë. Dhe në atë mënyrë unë e di se Jezu Krishti është me secilin prej nesh; Ai na mëson në mënyra tepër specifike, që ne të mund të mësojmë. Dëshmoj se Jezu Krishti dhe Ati ynë Qiellor e duan secilin prej nesh. Dhe ne mund ta ndiejmë këtë kur përhapim ungjillin e Tij.

Shtyp në Letër