Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut
Lista e Kontrollit të një Mësuesi


30:15

Lista e Kontrollit të një Mësuesi

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit me Plakun Uhtdorf

E diel, 12 qershor 2022

Njerëzit e Mi të Parapëlqyer!

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, miqtë e mi të dashur, çfarë çasti i mrekullueshëm që të jemi së bashku dhe të shohim këtë material filmik të mrekullueshëm, të shkëlqyer dhe të bukur që na tregon se si anëtarët e Kishës dhe njerëzit e botës mund t’i japin mësim çdo moshe, çdo brezi sipas mënyrës së Shpëtimtarit.

Pra, miqtë e mi të dashur, jam kaq mirënjohës që jam mes njerëzve të mi të parapëlqyer sot: mësuesve – të së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes! Ngaqë të gjithë janë mësues në një formë ose një tjetër, duhet të mendoj se grupi im i njerëzve të parapëlqyer është tepër përfshirës. I dua mësuesit. Më pëlqen shumë të jem me ta. I dua dhe u detyrohem më shumë nga sa mund t’ua shpërblej mësuesve në jetën time.

Për qindra vjet, studiuesit kanë studiuar se çfarë e bën të shkëlqyer një mësues dhe kanë propozuar, nxitur dhe botuar gjerësisht teoritë e tyre se çfarë e bën të suksesshme një përvojë të të mësuarit.

Të gjithë jemi të bekuar që mësojmë nga mësuesi më i madh i të gjitha kohëve, Jezu Krishti. Gjatë pjesës më të madhe të dymijë viteve të shkuara, nuk mendoj se ka pasur qoftë edhe një sekondë – diku në botë – kur mësimet e Tij nuk janë trajtuar si të çmuara, nuk janë studiuar, përsiatur, përsëritur dhe ndjekur.

Dhe a nuk është ky synimi i të gjithë mësuesve? Që të sjellin një ndryshim afatgjatë për mirë? Të bekojnë jetën e të tjerëve në një mënyrë që shtrihet shumë përtej një mësimi ose një klase?

Dhe Jezusi i Nazaretit ka pikërisht atë lloj ndikimi – në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen. Prandaj cili është më i mirë që ne ta studiojmë? Nëse mësojmë prej Tij, ne do të përmirësohemi jo vetëm si mësues, pavarësisht prej gjendjes sonë në jetë, por gjithashtu do të përmirësohemi shumë si qenie njerëzore.

Prandaj, është privilegj dhe nder për mua t’ju flas sot rreth Shpëtimtarit, sepse mënyra më e mirë për t’u bërë një mësues më i mirë është të bëhemi një pasues më i mirë i Jezu Krishtit.

Rëndësia e Kontrolleve Para Fluturimit

Kur isha pilot i një linje ajrore, sa herë që ulesha në ndenjësen e pilotit, kisha një qëllim madhor – t’i çoja veten time, ekuipazhin tim dhe pasagjerët e mi shëndoshë e mirë në vendmbërritjen tonë. Ky qëllim kërkonte përqendrim e vigjilencë.

Për ta ruajtur këtë përqendrim, pilotët kryejnë një seri kontrollesh para fluturimit, duke përsëritur procedurat e sigurisë dhe duke shqyrtuar funksionimin e mjeteve dhe besueshmërinë mekanike. Secili zë në listën e kontrollit është diçka që piloti e ka bërë qindra (në mos mijëra) herë.

Një pilot ekspert kurrë nuk hamendëson se ngaqë ai ose ajo ka fluturuar qindra herë, nuk ka nevojë të marrë mundimin për të bërë kontrollin para fluturimit apo t’i hedhë një sy të shpejtë rastësisht.

Kontrolli para fluturimit i disiplinon pilotët që ta mbajnë përqendrimin e tyre në gjërat thelbësore që e bëjnë një fluturim të suksesshëm.

Ashtu si një pilot ka një qëllim të veçantë udhërrëfimi, kështu e kemi edhe ne si mësues të Fjalës: të sjellim shpirtra më pranë Krishtit. Sa herë që i drejtohemi një mundësie mësimdhënieje, ai synim duhet të jetë më i rëndësishmi në mendjen tonë.

Si mësues, a kemi një listë kontrolli për të na ndihmuar që të përqendrohemi tek objektivi ynë i shenjtë? Po!

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Këtë muaj, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme do të botojë një variant të rishikuar të materialit Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Ai është një udhërrëfyes për të gjithë ata që e japin mësim ungjillin – në shtëpi dhe në kishë. Do të jetë në dispozicion në 70 gjuhë në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Kopjet e shtypura do të dalin në muajt e ardhshëm.

Ky burim mbështetet te jeta dhe mësimet e Jezu Krishtit si udhërrëfyesi dhe frymëzuesi ynë si mësues. Na ndihmon të përqendrohemi që të japim mësim ashtu siç dha mësim Ai.

Materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit do t’i ndihmojë të gjithë ata që po japin mësim. Mund të sigurojë frymëzim dhe udhëzim për prindërit, fqinjët, vëllezërit e motrat shërbestare, misionarët dhe të gjithë dishepujt e Jezu Krishtit. Dishepullim do të thotë t’i duash të tjerët, të kujdesesh për ta, t’i bekosh e lartësosh moralisht dhe kjo do të thotë të japësh mësim.

Me fjalë të tjera, nëse po përpiqeni të doni dhe të shërbeni siç bëri Jezusi, atëherë ju jeni një mësues dhe materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit është për ju dhe mua. Shpresoj se do të jetë një thesar për ju, qofshi të rinj në këtë udhëtim apo nëse keni ecur në të për shumë vite.

Në pjesën 3 të materialit Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, ka një pjesë për vetëvlerësim – le të themi, një listë kontrolli për fluturimin – që mund të na ndihmojë të bëhemi më të përqendruar në përpjekjet tona mësimdhënëse. Ajo do të çojë në një analizë të vetvetes, do të zbulojë pika të dobëta dhe do të nxitë frymëzim rreth mënyrave se si mund të përmirësohemi. Mund të jetë po aq e dobishme për mësuesit ashtu siç është për pilotët lista e kontrollit të fluturimit.

Nëse më lejoni të ulem pranë jush në kabinën e pilotit, le të themi, unë do të doja të kryeja me ju një kontroll para fluturimit për mësimdhënien. Ju ftoj të nxirrni një mbajtëse metaforike ku të kapni listën dhe të merrni parasysh se si do ta vlerësonit veten për secilin zë. Ky vetëvlerësim mund të jetë një bekim i madh, sot dhe çdo herë që përgatitemi për të dhënë mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit.

Përqendrohuni te Jezu Krishti

Zëri i parë në kontrollin tonë para fluturimit është “Përqendrohuni te Jezu Krishti”. Është një mundësi për të reflektuar a është vërtet Shpëtimtari në qendër të mësimdhënies sonë. Ju lutem, merrini parasysh këto pyetje:

  • A jap mësim rreth Jezu Krishtit pavarësisht nga ajo që po jap mësim?

  • A e theksoj shembullin e Jezu Krishtit?

  • A i ndihmoj nxënësit ta dallojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Zotit në jetën e tyre?

  • A i ndihmoj nxënësit të përpiqen fort dhe në mënyrë të qëllimtë që të bëhen më shumë si Jezu Krishti?

Këto janë pyetje të thella!

Le ta themi hapur: Ungjilli është kaq i zgjeruar sa ne mund të harxhojmë një jetë të tërë studimi dhe prapë mezi të arrijmë ta prekim sipërfaqen e tij. Përfytyroni sikur po vizatoni një shënjestër aq të gjatë dhe të gjerë sa është ana e një ndërtese gjigante prej druri e cila mund të përfaqësonte gjerësinë e ungjillit.

Ne të gjithë kemi gjërat tona të parapëlqyera të ungjillit – gjërat që na interesojnë. Periudhat e historisë, programet e Kishës, temat doktrinore ose madje vargje të vetme nga shkrimi i shenjtë. Dhe ne mund të tundohemi të përqendrohemi kryesisht tek këto tema të parapëlqyera për ne.

Por sado e madhe të jetë shënjestra e mësimdhënies së ungjillit, qarku i gjuajtjes – qendra e shënjestrës – tek e cila asnjëherë nuk duhet të harrojmë të përqendrohemi – është e vogël. Dhe ajo qendër na është dhënë jo prej komenteve, jo prej anketës së opinioneve apo prej debatit. Shpëtimtari Vetë na e dha atë.

Cila është ajo?

Duaje Perëndinë dhe duaji të tjerët.

Kjo është qendra.

Gjërat e tjera mund të jenë interesante për ne. Mund të jenë edhe të rëndësishme. Por nuk janë qendra.

Ato janë strukturat mbështetëse. Ato janë mezet shtesë të menusë sonë; ndoshta sallata për pjatën kryesore. Ato shtojnë shijen apo larminë dhe ndoshta shumë vitamina, por nuk janë ushqimi kryesor.

Cili është, atëherë, synimi unë për mësimdhënien?

Synimi ynë është t’i ndihmojmë njerëzit të cilëve u japim mësim, që të vijnë më pranë Krishtit, të shtojnë njohurinë dhe dashurinë e tyre për Perëndinë dhe t’i shërbejnë Perëndisë duke u shtrirë dorën e ndihmës me dhembshuri të gjithë fëmijëve të Tij.

Kjo është qendra.

Dhe ku e gjejmë shembullin tonë më të shkëlqyer të dashurisë për Perëndinë dhe njerëzit e tjerë?

Në jetën dhe mësimet e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë.

Kur sjellim shpirtra më afër Krishtit, ne i ndihmojmë ta rritin besimin dhe dashurinë e tyre për Perëndinë. Dhe ne i ndihmojmë të rritin dhembshurinë dhe dashurinë e tyre për të tjerët.

Kurdoherë që tundohemi të largohemi nga udha dhe shpërqendrohemi nga disa tema të tjera që mund të na duken interesante, ne duhet ta pyesim vërtet veten:

“A përqendrohem te Shpëtimtari, pavarësisht nga ajo rreth së cilës po jap mësim?”

“A i ndihmon të tjerët ajo çfarë po u jap mësim, që ta rritin dashurinë e tyre për Perëndinë dhe ta tregojnë atë dashuri nëpërmjet dashurisë dhe shërbimit, dhe nëpërmjet zbatimit të mësimeve të Shpëtimtarit në jetën tonë?”

Si mësues, ne mund të flasim me gjuhën e engjëjve; mund të argëtojmë, kënaqim, mahnitim e habitim. Por nëse kemi dështuar në mbajtjen e përqendrimit tonë te Jezu Krishti, ne e kemi humbur shenjën1 dhe mësimdhënia jonë është vetëm një hije e asaj që duhej të ishte.

Mbajeni gjithmonë përqendrimin te Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti.

Duajini Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim

Kategoria e dytë e listës së kontrollit është “Duajini Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim” Kjo kategori e listës së kontrollit na lejon të reflektojmë mbi vetë shtysat tona si mësues dhe na kujton që ta mbajmë zemrën tonë të qendërzuar te dashuria dhe vlerësimi i njerëzve të cilëve u japim mësim. Ja tek janë disa pyetje për t’u marrë parasysh:

  • A përpiqem t’i shoh nxënësit në mënyrën siç i sheh Shpëtimtari?

  • A kërkoj t’i njoh njerëzit të cilëve u jap mësim – t’i kuptoj rrethanat, nevojat dhe anët e tyre të forta?

  • A lutem për nxënësit me emër?

  • A krijoj një mjedis të sigurt ku të gjithë respektohen dhe e dinë se kontributet e tyre vlerësohen?

  • A gjej mënyra të përshtatshme për ta shprehur dashurinë time?

Dëgjova për një grua që ishte mësuese shumë e zonja në një shkollë të mesme. Ajo kishte kaluar vite duke zhvilluar metodën e saj të mësimdhënies dhe kishte dhënë jashtëzakonisht ndihmesë në jetën e studentëve të shkollës së mesme. Dinte se si ta trajtonte këtë grupmoshë në mënyrë të përsosur.

Një vit, ajo mori pjesë në një program të shkollës verore ku iu dha mësim nxënësve shumë më të vegjël, shumë më të ndryshëm, madje fëmijëve pesëvjeçarë. Sigurisht, fëmijët ishin të emocionuar dhe plot energji teksa hynë me furi në klasën e saj. Ishin shumë të zhurmshëm dhe plot të qeshura, duke bërtitur, duke vrapuar ndërmjet tavolinave dhe pas njëri‑tjetrit. Kjo mësuese, që ta vinte klasën në rregull, përdori “zërin e mësueses”, i cili funksiononte me fëmijët e shkollës së mesme që t’i bënte ata të qetësoheshin dhe të uleshin në karrige. Por çfarë ndodhi?

Heshtje ra mbi tërë klasën. Fëmijët menjëherë e ndalën atë që po bënin dhe, me sytë të hapur nga habia, u sulën te një tavolinë bosh. Të gjithë përveç dy fëmijëve.

Fëmija i parë, një vajzë e vogël, u shtri në dysheme dhe filloi të qante me dënesë. Edhe pse mësuesja nuk ndjeu as edhe një grimcë zemërimi ndaj saj, vajza e vogël ndjeu se duhej të kishte bërë diçka vërtet të keqe dhe ra përtokë në një pellg lotësh.

Fëmija i dytë, një djalë i vogël, por i fuqishëm, vështroi nga mësuesja me frikë dhe u sul drejt derës, nga ku u zhduk në korridor me shpejtësinë e një anijeje kozmike. Mësuesja vrau mendjen a do të kthehej ai sërish.

Atë ditë, ajo mori një mësim të rëndësishëm: teknikat e përdorura me adoleshentët nuk funksiononin mirë me fëmijë shumë të vegjël.

Dhe ky është një mësim për ne, për ju dhe mua gjithashtu.

Çdo njeri që e mësojmë, është një fëmijë i Perëndisë dhe ka një personalitet.

A i shohim ata në mënyrën se si i sheh Ati ynë Qiellor – si individë të pashoq me vetë mendimet, ndjenjat, sprovat dhe vështirësitë e tyre? A po krijojmë një mjedis të sigurt mësimi, një vend ku çdo person mund të ndihet i sigurt dhe i pranuar?

Cilado qoftë gjuha jonë amtare, a e dinë studentët tanë se ne flasim gjuhën universale të dashurisë? Se i vlerësojmë ata, se kemi dhembshuri për ta dhe se i respektojmë ata?

Shpëtimtari e kaloi shumicën e jetës së Tij me të dëbuarit dhe të braktisurit nga shoqëria.

Ai mund t’u kishte mbajtur leksione dhe t’i kishte dënuar. Përkundrazi, Ai i përqafoi, i shëroi dhe i ngushëlloi ata.

Po, Ai u mësoi të “shko[nin] dhe mos mëkato[nin] më”2. Por të sëmurëve, mëkatarëve dhe njerëzve me aftësi të kufizuara, Ai u foli dhe veproi ndaj tyre me dashuri, dhembshuri e respekt.

Ai e sheh secilin prej nesh si bij dhe bija të Perëndisë së Plotfuqishëm – jo nën veten e Tij, por me potencial të përjetshëm për të ecur përkrah Tij në lavdi.

Shkrimtari i madh i krishterë, C.S. Luis, i bëri jehonë këtij këndvështrimi kur dha mësim: “Është diçka serioze të jetosh në një shoqëri me perëndi e perëndesha të mundshme, të kujtosh se personi më monoton e më pak interesant me të cilin mund të flisni, mundet që një ditë të jetë një krijesë të cilin ose të cilën, nëse do ta shihnit tani, do të ishit fort të tunduar ta adhuronit”. Dhe ai vazhdoi: “Nuk ka njerëz të zakonshëm. Nuk keni folur kurrë me një njeri thjesht të vdekshëm. … Janë të pavdekshmit me të cilët bëjmë shaka, me të cilët punojmë, martohemi, të cilët i shpërfillim dhe i shfrytëzojmë – njerëzit e shkëlqyer të pavdekshëm … e të përjetshëm.”3

Kur i trajtojmë të tjerët me këtë lloj respekti, ne pasqyrojmë shembullin e Jezu Krishtit. Siç deshi Ai, duam ne. Siç lartësoi Ai, lartësojmë ne. Siç dha mësim Ai, japim mësim ne.

Tani, le të mbajmë mend që t’i duam, respektojmë e lartësojmë njerëzit të cilëve u japim mësim.

Jepni Mësim me Anë të Shpirtit

Kategoria e tretë e listës së kontrollit është “Jepni Mësim me Anë të Shpirtit” Ju lutem, merrini parasysh këto pyetje:

  • A e përgatit veten shpirtërisht për të dhënë mësim?

  • A u përgjigjem nxitjeve shpirtërore rreth nevojave të nxënësve?

  • A krijoj mjedise dhe mundësi që nxënësit të marrin mësim nga Fryma e Shenjtë?

  • A i ndihmoj nxënësit ta kërkojnë, ta dallojnë dhe të veprojnë sipas zbulesës vetjake?

  • A jap shpesh dëshmi dhe i nxit nxënësit të bëjnë të njëjtën gjë?

Përpiqem t’ia kujtoj vetes shpesh se me të gjitha përpjekjet e mia për ta dhënë mësim ungjillin dhe për t’i sjellë njerëzit te Jezu Krishti, unë nuk mund të kthej askënd në besim.

Vetëm Fryma e Shenjtë mund ta bëjë atë.

Ne mund të flasim fjalët, por kthimi në besim është një çështje e Shpirtit. Ai ndodh kur Fryma e Shenjtë prek zemrën dhe një person i përgjigjet ndikimit të Tij duke e ndjekur Shpëtimtarin.

Në qoftë se, për shkak të fjalëve bindëse apo argumenteve të arsyetuara mirë, dikush “bindet” që ta ndjekë Jezu Krishtin, ajo bindje mund të jetë po aq kalimtare sa edhe fara që bie në gurishtë.4

Nuk është detyra jonë që të kthejmë në besim. Nuk është përgjegjësia jonë.

Por cila është detyra jonë? Të japim mësim lajmin e mirë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij që është rivendosur në kohën tonë! Dhe është detyra jonë që t’i vërtetojmë dhe përkrahim fjalët tona me veprimet tona të ndershme e të çiltra! Jeta jonë, mënyra si jetojmë dhe veprojmë.

Nëse dikush i përgjigjet apo jo asaj që japim mësim, është midis atij personi dhe Perëndisë. Por ne mund të jemi ura që i lidh ata me Frymën e Shenjtë. Mund të jemi dritarja përmes së cilës Shpirti i Shenjtë do të hyjë në jetën e tyre. Fjalët tona dhe veprimet tona mund ta japin mësim doktrinën e Krishtit në një mënyrë që i ndihmon studentët ta përjetojnë ndërmjetësimin e Frymës së Shenjtë.

Siç na mësoi në atë kohë Plaku Dallin H. Ouks: “Studimi dhe arsyetimi mund ta gjejnë të vërtetën, … por vetëm zbulesa mund ta pohojë atë”5.

Më lejoni ta përsërit atë fjali: “Studimi dhe arsyetimi mund ta gjejnë të vërtetën, … por vetëm zbulesa mund ta pohojë atë”.

Nganjëherë ecim disi të përgjumur në jetë. I shohim gjërat, por rrallë i mbajmë mend ato. Reklamat, citatet në Pinterest, madje shenjat e rrugëve. Shumica prej tyre na fshihen nga mendja pa na depërtuar deri në zemër.

Por nëse Shpirti i Shenjtë i flet shpirtit tuaj, shpirtit tim, ju dhe mua, ne nuk mund ta harrojmë atë sepse kjo ju ndryshon, ajo na ndryshon. Kujtoni se çfarë tha Jozef Smithi pasi lexoi vargun Jakob [Bibël] 1:5: “Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë”6.

Shpirti mund ta marrë një mendim të zakonshëm, të thënë në një mënyrë të zakonshme dhe ta bëjë që të digjet si zjarr.

Kthimi në besim i një njeriu tjetër nuk varet nga oratoria jonë apo njohuria jonë për shkrimin e shenjtë. Nuk varet nga sa mirë e japim mësim apo e mbrojmë doktrinën. Nuk varet nga inteligjenca, të qenit tërheqës apo zotësia jonë gjuhësore.

Gjithçka që na nevojitet të bëjmë, është ta dimë vetë [së pari]. Më pas Ati ynë Qiellor na fton të “hap[im] gojën në çdo kohë, duke shpallur ungjillin [e Tij] me tinguj gëzimi”7. Dhe nëse e bëjmë këtë gjë, Shpirti i Shenjtë do të dëshmojë për të vërtetën.

Nuk na duhet të “jemi” më shumë apo më pak nga kush jemi vërtet dhe ajo është që jemi fëmijë të Perëndisë dhe pasues të Jezu Krishtit.

A mundeni ju, me gëzim, ta shprehni dashurinë tuaj për Shpëtimtarin, ungjillin e Tij dhe Kishën e Tij?

Nëse e luajmë rolin tonë, Shpirti do të luajë rolin e Tij. Kjo është mënyra se si “japim mësim me anë të Shpirtit”.

Jepeni Mësim Doktrinën

Zëri i katërt në kontrollin para fluturimit tonë është “Jepeni Mësim Doktrinën” – jo çfarëdolloj doktrine, sigurisht, por doktrinën që Jezu Krishti e mori nga Ati i Tij. Shpëtimtari tha: “Doktrina ime nuk është e imja, por e atij që më ka dërguar”8. Që të vlerësoni se sa mirë po e ndiqni shembullin e Tij, merrini parasysh këto pyetje:

  • A e mësoj doktrinën për veten time?

  • A jap mësim nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme?

  • A i ndihmoj nxënësit t’i dallojnë dhe kuptojnë të vërtetat në shkrimet e shenjta?

  • A përqendrohem tek të vërteta që ndërtojnë besim te Jezu Krishti?

  • A i ndihmoj nxënësit të gjejnë zbulesë vetjake te doktrina?

Në periudhën tonë ungjillore Zoti ka thënë: “Unë ju jap urdhërim që ju duhet t’ia mësoni njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë. I mësoni me zell dhe hiri im do të jetë me ju.”9

Cila është doktrina që duhet të japim mësim?

Është fjala që del nga shkrimet e shenjta dhe goja e apostujve dhe profetëve. Janë ata që kanë të drejtën dhe autoritetin për ta shpjeguar e qartësuar doktrinën. Dhe është nëpërmjet tyre që Perëndia gjithmonë e ka shpallur fjalën e Tij, duke u dhënë udhërrëfim dhe kuptueshmëri fëmijëve të Tij.

Doktrina qendrore dhe shpëtuese e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është që Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i të gjithëve. Apostulli Pal, i cili e pa dhe foli me Shpëtimtarin e ringjallur, u shkroi korintasve: “Po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur … se [Jezusi] Krishti vdiq për mëkatet tona … se u varros dhe u ringjall të tretën ditë … edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve”10.

Ne urdhërohemi të “mbështete[mi] në fjalën e Perëndisë, që është e shpejtë dhe e fuqishme … dhe do ta udhëheqë njeriun e Krishtit në një udhë të ngushtë dhe të ngushtuar … dhe [t’i] vendosi[m] shpirtrat … t[anë], po, shpirtrat … t[anë] të pavdekshëm, në krahun e djathtë të Perëndisë, në mbretërinë e qiellit”11.

Si mësues, nuk duhet të kemi turp për ungjillin e Jezu Krishtit.12 Përkundrazi, duhet t’i ngremë zërat plot gëzim për të dhënë mësim doktrinën e Tij edhe kur mund të duket si një skandal për disa dhe marrëzi për të tjerët.13 “Sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson.”14

Ftojeni të Mësuarit me Zell

Zëri i fundit në listën tonë të kontrollit para fluturimit është “Ftojeni të Mësuarit me Zell”. Ky zë është një kujtues se mësimdhënia me zell që bëjmë ne, është vetëm gjysma e ekuacionit. Gjysma tjetër, në kuptimin afatgjatë, ndoshta gjysma më e rëndësishme, është të mësuarit me zell që bëjnë studentët tanë. Ja disa pyetje që na ndihmojnë ta vlerësojmë nëse mësimdhënia jonë me zell po çon drejt të mësuarit me zell:

  • A i ndihmoj nxënësit të mbajnë përgjegjësi për të mësuarit e tyre?

  • A i nxit nxënësit ta studiojnë ungjillin çdo ditë?

  • A i nxit nxënësit të flasin për të vërtetat që po mësojnë?

  • A i ftoj nxënësit ta jetojnë atë që po mësojnë?

Shpirtrat tanë kanë nevojë për ushqyerje të vazhdueshme që të mund të bëhemi qeniet e dritës dhe të lavdisë që Perëndia na krijoi të bëhemi. Kur i studiojmë dhe përsiatim fjalët e profetëve të Perëndisë, ne pimë nga uji i gjallë dhe ushqehemi me bollëk me fjalën e Krishtit.

Nuk mjafton thjesht të lexojmë fjalët. Nevojitet t’ua vëmë veshin atyre; nevojitet që t’i përsiatim dhe t’i brendësojmë ato.15

Për të parafrazuar një fjalë të urtë: “Mësojini një njeriu ungjillin dhe e keni bekuar atë për një ditë. Mësojini një njeriu të ushqehet me bollëk me fjalën e Perëndisë dhe të lidhet me Shpirtin e Shenjtë, dhe ju do ta keni bekuar për tërë jetën.”

Është nëpërmjet këtij procesi të frymëzimit dhe zbulesës vetjake që ne e ndërtojmë jetën tonë mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë.16 Është atëherë që ungjilli i Jezu Krishtit mund të bëhet “një spirancë e [shpirtit]”17.

Mësimdhënia e ungjillit është e rëndësishme. Mësimdhënia ndaj të tjerëve që ta përfshijnë veten në lutje, të kërkojnë Shpirtin dhe ta vënë në jetë atë që kanë mësuar, është të paktën po aq e rëndësishme.

Premtimi dhe Bekimi

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miqtë e mi të shtrenjtë, mësues të dashur e të çmuar – dhe ju të gjithë jeni mësues; ne të gjithë jemi mësues – faleminderit për besnikërinë tuaj dhe për dëshirat tuaja për të bërë mirë. Faleminderit për orët e shumta që i keni kaluar duke u përgatitur, duke dhënë shërbesë dhe duke u dhënë mësim plot gëzim të tjerëve rreth ungjillit.

Ju ftoj ta studioni materialin e ri Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit dhe ta përdorni vetëvlerësimin për t’ju kujtuar rreth qëllimit tuaj.

Duke u mbështetur te fjala e Perëndisë dhe duke u dhënë mësim të tjerëve që të bëjnë të njëjtën gjë – duke dhënë mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit – ne tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë, për bashkëqeniet tona njerëzore. Teksa ecim në udhën e ngushtë e të ngushtuar, ne marrim pjesë në thirrjen më të shenjtë të të gjithave për t’i udhëhequr shpirtin tonë të pavdekshëm dhe shpirtrat e pavdekshëm të të tjerëve drejt “krahu[t të] djathtë të Perëndisë, në mbretërinë e qiellit, që të ule[mi] me Abrahamin dhe Isakun dhe Jakobin, dhe me të gjithë etërit tanë të shenjtë, për të mos dalë kurrë më”18.

Perëndia ju bekoftë, bashkëmësues, miqtë e mi të dashur, bashkëshërbëtorë, që përpiqeni me sinqeritet për të dhënë mësim në emrin e Shpëtimtarit. Në emrin e shenjtë të mësuesit më të madh të të gjitha kohëve, në emrin e Mësuesit tonë, në emrin e Jezusit, Krishtit, amen.