Transmetimet e Trajnimeve
Plani i Shpëtimit dhe Brezi i Ri


21:57

Plani i Shpëtimit dhe Brezi i Ri

Transmetim i Trajnimit Vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë • 12 qershor 2018 • Salla e Qendrës së Konferencave

Jam mirënjohës që ju flas juve sot. Ju respektoj të gjithëve ju për punën e madhërishme që bëni. Ju jeni duke bërë punën e Zotit për ta ndihmuar brezin e ri të mësojë thellësisht nga ungjilli i Jezu Krishtit. Duke pasur këtë punë në mendje, unë kam zgjedhur të flas sot për mësimdhënien e planit të shpëtimit atyre të rinjve të mrekullueshëm.

Presidenti Nelson na ka kërkuar të gjithëve ne që të ngrihemi në nivelin e privilegjeve të madhërishme që na ka dhënë Perëndia.1 Ajo është detyra për ne dhe për brezin e ri. Unë e di se ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë për t’i ndihmuar këta të rinj të vyer ta mësojnë thellësisht planin e Atit Qiellor. Ata kanë nevojë ta dinë dhe ta kuptojnë atë në mendjen dhe zemrën e tyre; ata kanë nevojë ta duan dhe ta jetojnë atë; dhe ata kanë nevojë të bëhen njerëzit që Ati i ka parashuguruar që të bëhen. Me forcën e Zotit dhe me fuqinë e Frymës së Shenjtë, ne mund ta kryejmë këtë punë të madhërishme. Unë e di që kjo është e vërtetë.

Shumë vite më parë, shërbeva në një mision në Gjermani. Asokohe, ne përdornim tabela prej fanellate dhe prisnim forma rrethi të vogla për ta dhënë mësim planin e shpëtimit. Rrathët përfaqësonin mbretërinë paratokësore, vdekshmërinë, botën e shpirtrave dhe tri shkallët e lavdisë. Nëse e mbaj mend mirë, veli i harresës qe një shirit i spërdredhur dhe Dita e Gjykimit ishte në formë drejtkëndëshi. Tani misionarët nuk përdorin më tabela fanellate, por besomëni, rrathët e vegjël [vazhdojnë] të vihen në jetë dhe janë për bukuri.

Këtu është një shembull nga mësimi i seminarit për Librin e Mormonit mbi planin e shpëtimit.2

plani i shpëtimit

Jam i sigurt se ky diagram është i dobishëm për studentët dhe mësimi është vërtet një përmbledhje e mrekullueshme e aspekteve kyç të planit të Atit.

Megjithatë, unë jam i shqetësuar rreth rrathëve dhe kam dy ftesa për ju kur ta jepni mësim planin e shpëtimit.

Së pari, ju lutem, bëni kujdes që studentët të mos mendojnë se diagrami është vetë plani. Ai nuk është plani, por është shumë e lehtë për studentët që të mendojnë se nëse i bëjnë rrathët siç duhet, ata e kuptojnë planin.

Së dyti, ju lutem ndihmoni që plani të bëhet i gjallë në mendjen e tyre dhe në zemrën e tyre. Ndihmojini ta njohin dhe ta duan planin e Atit. Tani, unë besoj se mënyra për ta bërë atë, është që t’i përfshini më thellësisht brenda planit.

Në këtë frymë, kam zgjedhur të theksoj tri parime në planin e Atit, të cilat unë besoj se do ta ndihmojnë brezin e ri që ta njohin, ta duan dhe ta jetojnë atë plan të lavdishëm.

Parimi nr. 1: Jezu Krishti është Udha, e Vërteta dhe Jeta

Kështu, parimi numër një: Jezu Krishti është udha, e vërteta dhe jeta.3 Zoti dhe Shpëtimtari Jezu Krisht është në qendër të planit të shpëtimit. Sakrifica e Tij shlyese e bën çdo gjë të mundur në planin e Atit. Dëgjojini fjalët e Almës tek përshkruan atë që bëri Shpëtimtari për ne: “Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; …

Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, … që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre. …

Biri i Perëndisë vuan sipas mishit, që ai të mund të marrë përsipër mëkatet e popullit të tij, që të fshijë shkeljet e tyre, sipas fuqisë çliruese të tij.”4

Unë i pëlqej shumë këto vargje. Këtu, me një ligjëratë të bukur, Alma parashtron rolin qendror të Shlyerjes së Jezu Krishtit në planin e shpëtimit. Këtu gjendet Ringjallja, që u sigurua për të gjithë. Këtu gjendet falja dhe shëlbimi nga mëkati për ata që pendohen. Këtu gjendet dashuria e Jezu Krishtit teksa Ai na shëron, na ngre moralisht e na forcon në udhëtimin tonë në vdekshmëri. Këtu gjendet fuqia e Jezu Krishtit për të na çliruar nga vdekja e mëkati, dhe për të na shpalosur bekimet e ekzaltimit dhe të jetës së përjetshme.

Unë dua që studentët tanë ta dinë dhe ta kuptojnë pikërisht se sa [rol] qendror ka me të vërtetë Jezu Krishti në planin e Atit dhe në jetën e tyre. Për shkak të sakrificës së Tij shlyese, drita e Tij i përshkon të gjitha krijimet e Perëndisë.5 Me të vërtetë, Ai është “në të gjitha dhe përmes të gjitha gjërave, drita e së vërtetës”6. Ajo dritë i jep jetë të gjitha gjërave dhe mbart “ligji[n] me anë të të cilit gjithë gjërat qeverisen”7. Merreni me mend! Gjithçka në universin e Perëndisë, galaktikat më të mëdha që përmbajnë qindra miliarda yje, pjesëzat më të vogla të lëndës, trupat tanë të vdekshëm, shpirtrat tanë të pavdekshëm dhe përparimi ynë i përjetshëm qeverisen, që të gjithë, nga ligji hyjnor nëpërmjet dashurisë së Atit tonë Qiellor dhe Shlyerjes së mrekullueshme të Zotit Jezu Krisht.

Shlyerja e Jezu Krishtit është kozmike në ndikimin e saj gjithëpërfshirës, dhe prapëseprapë është vërtet shumë personale. Me të vërtetë, dashuria, mëshira dhe fuqia e Shpëtimtarit tonë i bekojnë studentët tanë individualisht. Shkrimet e shenjta na mësojnë që Jezusi vuajti çdo dhembje, brengë e fatkeqësi që [mund] ta përjetojnë studentët tanë në jetën e tyre në vdekshmëri.8 Ai mori mbi vete mëkatet e të gjithë njerëzimit që ata të mund të pendohen.9 Jezusi e njeh secilin prej studentëve tanë nga afër dhe përsosurisht. Ai i njeh shtigjet e tyre pasi Ai i ka shkelur tashmë ato shtigje.

Ata mund t’i drejtohen Atij, të kenë besim tek Ai, të pendohen për mëkatet e tyre e ta ndjekin Atë me vetëbesim dhe me mirëbesimin që Ai e njeh udhën. Ai është me të vërtetë e vetmja udhë [që çon] te gjërat që kanë më shumë rëndësi për ta.10 Ai është udha që çon te falja dhe shërimi i mrekullueshëm. Ai është udha që çon te gëzimi i qëndrueshëm. Ai është udha që çon te shoqërimi i Frymës së Shenjtë, dhe si rrjedhim te forca, ngushëllimi, zbulesa, drita dhe fuqia hyjnore në jetën e tyre. Ai është udha që çon te guximi e durimi dhe tek të gjitha cilësitë hyjnore. Ai është udha që çon te dashuria e pastër dhe e përsosur dhe te paqja që e tejkalon çdo kuptueshmëri. Ai është udha që çon te marrëdhënie dashurie e shërbimi që sjellin përmbushje, kuptim dhe qëllim të thellë vetjak në jetën e tyre tani e përgjithmonë. Ai është udha që çon tek ekzaltimi dhe jeta e përjetshme me Atin e tyre Qiellor dhe familjet e tyre. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju lutem, mësojuni studentëve tanë që të gjitha gjërat që janë të mira vijnë nga Jezu Krishti.11 Ai është gjithçka për ta.

Parimi nr. 2: Bijtë dhe Bijat e Perëndisë kanë Identitet dhe Qëllim të Përjetshëm

Secili prej studentëve tanë ka një identitet dhe qëllim të përjetshëm. Çdonjëri prej tyre “është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor”12.

Plani i Atit Qiellor ka qëllim ta ndihmojë çdonjërin prej studentëve tanë që ta arrijnë identitetin dhe qëllimin e tyre të përjetshëm nëpërmjet mëshirës dhe hirit të Zotit Jezu Krisht. Dëshiroj të theksoj tri dimensione të identitetit të tyre të përjetshëm që unë mendoj se janë shumë të rëndësishme për ata që t’i kuptojnë.

Po filloj me faktin që studentët tanë janë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. Ju lutemi, ndihmojini që ta dinë dhe ndiejnë se Ai me të vërtetë është Ati i tyre në Qiell. Nëpërmjet Birit të Tij të Dashur, Ati Qiellor i ka bekuar studentët tanë me mundësinë dhe me aftësinë që të mësojnë thellësisht nga plani i Tij i përjetshëm – të rriten në njohuri dhe kuptueshmëri, ta fitojnë aftësinë për veprim të drejtë e të efektshëm dhe të bëhen si Ai. Ky është qëllimi gjithëpërfshirës i këtij aspekti më rrënjësor të identitetit të tyre të përjetshëm.13

Një pjesë e dytë vendimtare e identitetit të tyre të përjetshëm është që ata të jenë nënë apo atë, bashkëshort apo bashkëshorte, në një familje të përjetshme.14 Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia pasi ajo përbën natyrën e jetës së përjetshme.15 Sipas perspektivës së përjetshme të Atit tonë në Qiell, studentët tanë janë nëna e etër në mbretërinë e Tij. Ai është identiteti i tyre i përjetshëm dhe ky është plani i Tij. Qëllimi i tyre i përjetshëm, si rrjedhim, është që të kenë një martesë çelestiale dhe të krijojnë një familje të përjetshme.

Së fundmi, studentët tanë kanë nevojë të dinë që ata janë fara e Abrahamit, populli i besëlidhjes së Zotit. Perëndia i premtoi Abrahamit se fara e tij do t’ia çonte ungjillin e Jezu Krishtit dhe priftërinë e shenjtë (përfshirë ordinancat e shpëtimit) të gjitha kombeve për t’i bekuar të gjitha familjet e tokës në të dyja anët e velit.16 Kjo është mbledhja e Izraelit të shpërndarë dhe është një pjesë e rëndësishme e planit të Atit.17 Studentët tanë janë fara e Abrahamit dhe qëllimi i tyre i përjetshëm është që të bëjnë punën e Perëndisë si shërbëtorët e Tij të besuar. Ata kanë një vend të rëndësishëm, një rol të rëndësishëm në planin e Atit.

Ndaluni për një çast dhe mendoni për bekimet mbresëlënëse dhe vërtet të mahnitshme që Ati Qiellor dëshiron t’u japë studentëve tanë. Dhe prapëseprapë, disa prej studentëve tanë mund të pyesin veten nëse Perëndia ka ndonjë identitet dhe qëllim si ky për ata. Disa mund të ndiejnë se të bërit si Ati Qiellor, puna si shërbëtori i Tij i besuar apo vulosja me një bashkëshort/e të përjetshëm/me, të dashur dhe pasja e fëmijëve mund të jenë përtej mundësive të tyre për t’u arritur. Kur shikohen në pasqyrë, ata mund të mos shohin atë që kam përshkruar unë sot. Nëse ajo është mënyra se si ndihen disa prej studentëve tuaj, ju lutem, nxitini që ta shikojnë edhe një herë veten. U thoni që të shikohen në pasqyrë me syrin e besimit dhe të shohin jo vetëm fytyrën e tyre, por edhe fytyrën e Zotit Jezu Krisht përkrah tyre me fuqi dhe lavdi e dashuri të pafundme e të përsosur. Ai nuk erdhi për t’u përjashtuar atyre bekimet e Tij.18

Parimi nr. 3: Të Gjitha Gjërat në të Cilat Jezu Krishti vë Emrin e Tij, Janë Pjesë e Planit

Jezu Krishti jo vetëm që është në qendër të planit të Atit, por emri i Tij, fuqia e Tij, puna e Tij dhe karakteri i Tij janë ndërthurur nëpër të gjithë planin. Unë dua që studentët tanë ta dinë dhe kuptojnë se të gjitha gjërat në të cilat Zoti Jezu Krisht e vë emrin e Tij, janë pjesë e planit të Atit.

Mendoni për një çast se cilat janë ato gjëra. Ku e ka vënë Shpëtimtari Emrin e Tij? Këtu është një listë e atyre gjërave që mbartin emrin e Jezu Krishtit, të cilat unë besoj se janë më të rëndësishmet për studentët tanë, që t’i dinë e kuptojnë:

  • Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Emri i Kishës është dëshmi që ajo u krijua dhe udhëhiqet nga Zoti Jezu Krisht; ajo është Kisha e Tij.19 Kisha është mbretëria e Perëndisë mbi tokë. Nëpërmjet Kishës, Zoti dhe Shpëtimtari i përkrah individët dhe familjet në kërkimin e tyre për jetën e përjetshme dhe e përgatit tokën për Ardhjen e Tij të Dytë. Kisha – kisha e vërtetë dhe e gjallë e Zotit – është pjesë vendimtare e planit të Atit për shpëtimin e fëmijëve të Tij.

  • Priftëria e Shenjtë, sipas Urdhrit të Birit të Perëndisë: Priftëria e shenjtë është fuqia dhe autoriteti i Perëndisë. Ajo i është dhënë njeriut në mënyrë që shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme të mund ta bëjnë punën e Zotit me autoritetin e Tij dhe fuqinë e Tij. Është nëpërmjet asaj fuqie dhe atij autoriteti që ne i marrim ordinancat e shpëtimit dhe i fitojmë bekimet e mëdha të planit të lavdishëm të Atit.20

  • Shtëpia e Zotit: Ne jetojmë në një kohë me ndërtim madhështor tempujsh nëpër botë. Ne gëzohemi që Zoti ka bërë të mundur për kaq shumë prej fëmijëve të Tij besnikë, që t’i marrin bekimet e tyre të tempullit, përfshirë vulosjen e familjeve të përjetshme, në të dyja anët e velit. Ordinancat e Shtëpisë së Zotit na lidhin me fuqitë e perëndishmërisë; ato janë thelbësore për planin e lumturisë së Atit për fëmijët e Tij.21

  • Profeti i Zotit: Duke folur për profetin e Tij, Zoti tha: “Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime”22. Profeti i Zotit është një shikues dhe zbulues. Fjalët e Tij janë fjalët e Zotit për ne, për bekimin tonë në këtë jetë dhe ekzaltimin tonë e jetën e përjetshme në jetën që vjen. Profeti i Zotit është pjesë e mrekullueshme e planit të Atit.

  • Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit: Libri i Mormonit është një dëshmi që Zoti Jezu Krisht është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi, që Jozef Smithi është profeti i Rivendosjes dhe se Zoti ka vendosur Kishën e Tij në ditët e mëvonshme. Ai përmban gjithashtu mësime të bukura rreth planit të Atit, për të cilin jep dëshmi të fuqishme.23 Për të gjitha këto arsye, Libri i Mormonit është një pjesë e rëndësishme e planit të madhërishëm të shpëtimit.

  • Fëmijët e Atit Qiellor: Jezu Krishti i vë emrin e Tij fëmijëve të Atit Qiellor që i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet e shenjta. Ai ju ka vënë emrin e Tij juve që jepni mësim, ndërsa merrni pjesë në tempull.24 Ai ka qëllim t’i vërë emrin e Tij studentëve tuaj dhe dëshmive që ata do t’i japin botës, ndërsa marrin pjesë në mbledhjen e Izraelit.25 Ky është plani i Atit.

Çdo gjë që kemi përmendur këtu – dhe shumë të tjera që mund të përmendim, të tilla si çdo shtëpi mbledhjesh në botë dhe lutjet tona drejtuar Atit Qiellor – janë gjëra në të cilat Jezu Krishti ka vënë emrin e Tij. Ato janë pjesë e planit dhe përmbushja e profecisë. Ashtu siç tha Pali kohë më parë: “Që, kur të plotësoheshin kohërat, [Ati] t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe”26.

Vëllezër dhe motra, ju lutemi ndihmojini studentët tanë ta dinë që këto gjëra të cilat janë kaq të njohura për ta – Kisha, priftëria, tempulli, profeti, Libri i Mormonit, ata vetë – të gjitha mbajnë emrin e Shpëtimtarit pasi ato të gjitha janë këtu për të na sjellë ne te Jezu Krishti, i cili është udha drejt paqes në këtë jetë dhe ekzaltimit e jetës së përjetshme në botën që vjen.

Unë do ta mbyll sot me një mendim rreth rolit të planit të Atit në jetën e përditshme të studentëve tanë. Mendimi rrjedh nga fjalimi i mbretit Beniamin drejtuar popullit të tij. Që nga fillimi fare i fjalëve të tij, ai tha: “Më dëgjoni mua dhe të hapni veshët tuaj, që të mund të dëgjoni dhe zemrat tuaja që të mund të kuptoni, dhe mendjet tuaja që misteret e Perëndisë të mund të shpalosen në pamjen tuaj”27.

Më pëlqen fort fraza “që misteret e Perëndisë të mund të shpalosen në pamjen tuaj”, dhe unë dua ta zbatoj atë për studentët tanë. Tani, mbreti Beniamin e bën të qartë se “misteret e Perëndisë” të cilat ka qëllim t’i shpalosë në pamjen e popullit të tij, janë elementet bazë të planit madhështor të Atit për shpëtim. Për qëllimet tona [këtu], deklarata e mbretit Beniamin ka dy kuptime. Së pari, ajo do të thotë që nëse zemrat e mendjet e studentëve tanë janë të hapura, dhe ne japim mësim me anë të Shpirtit, studentët tanë do ta shohin e do ta kuptojnë planin. Por ka edhe një kuptim tjetër. Nëse ata e kuptojnë planin në zemrën e tyre, plani do të bëhet mënyra se si ata e shohin veten dhe botën përreth tyre. Plani do të bëhet pikëpamja e tyre. Studentët tanë do ta shohin planin dhe plani do t’i ndihmojë ata të kuptojnë.

Si mund ta shohin me të vërtetë planin studentët tanë? Orët tona mësimore janë një pjesë e rëndësishme e atij procesi, dhe Ati Qiellor ka bërë më shumë për ta shpalosur planin e Tij në pamjen e tyre. Ju lutemi, mësojuni studentëve tanë se ata mund ta shohin planin:

  • Në lindjen e një foshnjeje dhe sa herë që dikush ndërron jetë.28

  • Në tempull, në ordinancat për të vdekurit.29

  • Në ordinancën e sakramentit ditën e Shabatit.30

  • Në pendim, ndërsa i luten Atit Qiellor për falje në emrin e Jezu Krishtit.31

  • Në Librin e Mormonit, ajo dëshmi e fuqishme për Jezu Krishtin.32

  • Në të shikuarin, dëgjuarin dhe ndjekurin e Profetit të Perëndisë.33

  • Në bekimet e priftërisë.34

  • Në seminar dhe institut ku ata ndiejnë dashurinë e Krishtit, dritën dhe fuqinë e Tij.35

  • Çdoherë që i luten Atit në emrin e Jezu Krishtit.36

Ju lutemi, ndihmojini studentët tanë ta dinë dhe ndiejnë këtë të vërtetë të bukur: kur ata i shohin këto gjëra, ata po shohin planin e Atit në veprim. Nëse zemrat e tyre janë të hapura, Fryma e Shenjtë do t’u dëshmojë atyre se plani i shpëtimit është i vërtetë, dhe është për ata.37 Ndërsa besimi i tyre në Jezu Krishtin dhe kuptueshmëria e tyre rritet, plani do të bëhet perspektiva e tyre për jetën dhe për veten. Ata do ta shohin veten te plani dhe do të fillojnë ta shohin botën rreth tyre siç e sheh Zoti.

Plani do të bëhet sistemi që [do të] përdorin për t’i kuptuar çështjet dhe problemet e sfidat me të cilat përballen. Në fakt, ajo është pikërisht çfarë japim mësim në Dokumentin Bazë të Zotërimit Doktrinor. Më lejoni të citoj: “Për t’i shqyrtuar konceptet doktrinore, pyetjet dhe çështjet shoqërore me një këndvështrim të përjetshëm, ne i marrim ato parasysh në kontekstin e planit të shpëtimit dhe të mësimeve të Shpëtimtarit. … Kjo na lejon ta riformulojmë pyetjen … dhe t’i shohim idetë duke u nisur nga standardi i Zotit për të vërtetën, në vend që t’i pranojmë … hamendësimet e botës.”38

Nëse studentët tanë e ndjekin këtë model, plani i shpëtimit do të jetë mënyra se si ata e kuptojnë veten dhe përgjegjësitë e mundësitë e bekimet e tyre. Është mënyra se si ata do të gjejnë kuptim dhe qëllim në jetën e tyre. Me Frymën e Shenjtë që i udhëzon dhe i mëson, ata do të arrijnë të kenë atë që Pali e quajti “mendj[a] e Krishtit”39.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë lutem që plani i Atit do të jetë në zemrën tuaj, që ju do ta shihni veten te plani dhe që plani do të bëhet mënyra se si ju e shihni botën.40 Unë jap dëshmi se plani i Atit është i vërtetë. Perëndia, Ati ynë, jeton. Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. E di se Ai jeton. Kjo është Kisha e Tij. Ju jeni duke bërë punën e Tij, për t’ia dhënë mësim planin e Atit brezit të ri me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.