Transmetimet e Trajnimeve
Ne Flasim për Krishtin, Ne Gëzohemi në Krishtin


21:33

Ne Flasim për Krishtin, Ne Gëzohemi në Krishtin

Transmetim i Trajnimit Vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë • 12 qershor 2018 • Salla e Qendrës së Konferencave

Ju falënderoj, ishte e mrekullueshme. Ne jemi kaq të bekuar. Është privilegj kaq i madh të jem së bashku me të gjithë ju sot. Faleminderit për gjithçka që po bëni. Ne ju duam dhe na pëlqen shumë të shërbejmë me ju.

Bashkë me shumë prej jush, mendoj shpesh rreth mundësisë që kemi, për të mësuar të rinjtë dhe të rinjtë në moshë madhore të Kishës dhe mendoj shpesh se si mund t’i mësojmë ata me më shumë fuqi për t’i ndihmuar që të ndërtojnë besim të thellë dhe të qëndrueshëm te Zoti Jezu Krisht. Ndërsa e kam shqyrtuar këtë pyetje të rëndësishme, kam reflektuar mbi idenë që Plaku Klark ndau me ne janarin e fundit kur tha se ftesa e Shpëtimtarit për të mësuar nga Ai, së pari, do të thotë që ne duhet të mësojmë ta njohim Atë. Dhe së dyti, që ne duhet të mësojmë prej Tij. Ai citoi Plakun Nil A. Maksuell, i cili iu referua ftesës së Shpëtimtarit: “Mësoni nga unë,” dhe shtoi: “Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të mësuar thellësisht”1.

Kam arritur të kuptoj e besoj se mënyra e vetme më e rëndësishme me anë të së cilës ne mund të ndihmojmë për rritjen e besimit të brezit të ri, është që ta vendosim më plotësisht Jezu Krishtin në qendër të mësimdhënies dhe të mësuarit tonë duke i ndihmuar studentët tanë ta njohin Atë, të mësojnë prej Tij dhe të përpiqen me vetëdije për t’u bërë si Ai. Çdo ditë, ne duhet të “flasim për Krishtin, … [të] gëzohemi në Krishtin, … [dhe të] predikojmë për Krishtin”2.

Shumë prej jush kanë filluar tanimë t’i përgjigjen kësaj ftese, duke përgatitur enkas mësime me këto ide në mendje dhe duke kërkuar mundësi për të dëshmuar për Jezu Krishtin dhe për cilësitë e Tij hyjnore, fuqinë e Tij të pakufishme e dashurinë e Tij të pashtershme. Në këto klasa ka pasur një ndikim më të madh nga Fryma e Shenjtë, më shumë shprehje të mirënjohjes për Shpëtimtarin, e më shumë zbatim vetjak domethënës e të përshtatshëm dhe më shumë të rinj e të reja duke vepruar me besim.

Natyrisht, mënyra më e rëndësishme se si ne mund t’i ndihmojmë studentët tanë të arrijnë ta njohin Shpëtimtarin është që t’i ndihmojmë ata të përgatiten për ordinancat e shenjta të priftërisë dhe t’i mbajnë besëlidhjet e tyre.3 T’i ndihmosh ata të cilësohen për bekimet e tempullit do të thotë t’i ndihmosh ata ta njohin dhe ta ndjekin Jezu Krishtin. Por ka gjëra të tjera që ne mund të bëjmë ndërkohë që ata janë me ne, që do t’i ndihmojnë të mbështeten tek Ai dhe te mësimet e Shlyerja e Tij.

Për këtë qëllim, më lejoni të sugjeroj katër mënyra se si mund ta vendosim Jezu Krishtin më shumë në qendër të të nxënit dhe të mësimdhënies sonë çdo ditë.

1. Përqendrohuni tek Titujt, Rolet, Karakteri dhe Cilësitë e Jezu Krishtit

Së pari, përqendrohuni tek titujt, rolet, karakteri dhe cilësitë e Jezu Krishtit. Presidenti Rasëll M. Nelson na dha një ftesë “që t’i bëni[m] citimet nga shkrimet e shenjta rreth Jezu Krishtit në Topical Guide [Udhëzuesin Tematik] planin [tonë] mësimor bazë vetjak”4. Kjo ftesë ka qëllim që të na ndihmojë të shkojmë përtej njohurisë për gjërat që bëri Jezusi, dhe të na ndihmojë të arrijmë ta njohim Atë – cilësitë dhe karakterin e Tij.

Për shembull, një prej titujve të Jezu Krishtit është Krijuesi. Nën drejtimin e Atit të Tij, Jezusi krijoi qiejt dhe tokën. Krijues është gjithashtu një prej roleve të Tij hyjnore dhe flet për natyrën e Tij. Ndërsa e studiojmë mënyrën se si Jezusi e krijoi tokën dhe arsyen përse e krijoi atë, ne mund të pyesim: “Çfarë na mëson kjo rreth asaj se kush është Ai? Çfarë na mëson kjo rreth shtysave të Tij, dashurisë së Tij dhe fuqisë së Tij? Cilat cilësi hyjnore të Shpëtimtarit zbulohen në rolin e Tij si Krijues?”

Juve mund t’ju kujtohet se Presidenti Bojd K. Paker ishte një artist i zoti i cili gjente gëzim në gdhendjen e zogjve prej druri. Një ditë, ai qe pasagjer në një makinë, të cilën po e ngiste Plaku A. Teodor Tatëll, dhe një prej punimeve të gdhendura të tij ishte vendosur në ndenjësen e pasme të makinës. Në një kryqëzim, Plaku Tatëll shtypi me forcë frenat dhe punimi i gdhendur ra me kokë poshtë në dysheme dhe u bë copash. Plaku Tatëll u ndje i mjeruar, por Presidenti Paker jo. Ai thjesht tha: “Mos e mbaj mendjen aty. Unë e krijova atë. Unë mund ta ndreq.” Dhe ashtu veproi. Ai e bëri më të fortë nga sa ishte dhe madje e përmirësoi disi atë. Presidenti Paker shpjegoi: “Kush të krijoi ty? Cili është Krijuesi yt? Nuk ka as edhe një gjë në jetën tuaj që shtrembërohet apo thyhet të cilën Ai nuk mund ta ndreqë, dhe Ai [vërtet] do ta ndreqë.”5

Kur studentët tanë ta kuptojnë rolin e Jezusit si Krijuesi, dhe ndërsa i përsiatin rrëfimet e shkrimit të shenjtë që dëshmojnë për fuqinë e Tij të jashtëzakonshme për t’i ndrequr dhe për t’i shëruar krijimet e Tij, zemra e tyre do të dëshirojë shumë ta provojë atë fuqi dhe premtim në vetë jetën e tyre. Atëherë, ata do të veprojnë me besim për ta provuar fuqinë e Tij të jashtëzakonshme për ta ndrequr atë çfarë është thyer brenda tyre.

Një tjetër nga titujt e shenjtë të Jezusit është Shëlbues. Shkrimet e shenjta e përmendin Atë në këtë rol rreth 930 herë. Çfarë na mëson ky titull rreth karakterit dhe cilësive të Tij? Çfarë domethënie pati fuqia e Tij shëlbuese për Almën, Saulin dhe gruan që u kap në shkelje kurore? Çfarë domethënie pati ajo për Mateun, tagrambledhësin dhe shkruesin e Ungjillit?

Më duket interesante që mësojmë rreth thirrjes së Mateut tek Të Dymbëdhjetët në po të njëjtin kapitull ku janë rrëfimet e Jezusit duke bërë mrekulli dhe “duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull”6. Shtysa e këtyre mrekullive ishte që Jezusi “kishte dhembshuri”7. Por përse vetëm Mateu, nga të gjithë shkruesit e Ungjillit, e përfshin thirrjen e tij gjatë këtyre mrekullive? Mund të ketë qenë një rrëfim kronologjik, por mendoj se ka diçka tjetër që mund të mësojmë. A është e mundur që Mateu ta ketë dalluar se mrekullia më e madhe që bëri Jezusi ishte që na shëlbeu duke e falur dhe duke e dashur e ngritur moralisht secilin dhe duke i treguar identitetin e potencialin e tij apo të saj të vërtetë, pikërisht ashtu si kishte bërë me Mateun?

Një mënyrë tjetër për t’i ndihmuar studentët t’i dallojnë cilësitë e Jezusit është që të përqendrohen jo vetëm te ngjarjet e shkrimit të shenjtë, por se çfarë na mësojnë ato ngjarje rreth Shpëtimtarit. Për shembull, përse e japim mësim historinë e Amonit tek pret krahët e burrave që shpërndanë delet e mbretit Lamoni? A e bëjmë që të flasim për madhështinë e Amonit? Apo mos [ndoshta] kjo histori në të vërtetë flet për madhështinë e Perëndisë? Çfarë na mëson kjo histori rreth Zotit dhe mënyrës se si Ai i bekon ata që e vendosin mirëbesimin e tyre tek Ai? Vetë rrëfimi i Amonit mbyllet me këtë dëshmi entuziaste: “Unë nuk po mburrem në fuqinë time. … Unë e di se nuk jam asgjë; … prandaj … do të krenohem për Perëndinë tim, pasi në fuqinë e tij unë mund të bëj të gjitha gjërat.”8

Disa muaj më parë, isha me një grup mësuesish të mrekullueshëm dhe u kërkova që të zgjidhnin çfarëdo historie të shkrimit të shenjtë apo ngjarje në historinë e Kishës dhe të mendonin se çfarë na zbulon ajo rreth natyrës së Perëndisë. Mësuesi i parë u përgjigj: “Poligamia”. Mendimi im i parë qe: “Shumë faleminderit! Nuk mund të kishe zgjedhur një temë më të vështirë [nga kjo].” Por ndërsa filluam të bisedonim, ndodhi një gjë e mrekullueshme. Njerëzit filluan të jepnin dëshmi për faktin që Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij dhe do që ata të marrin përkujdesje. Një njeri tjetër foli për gatishmërinë e Zotit për të na kërkuar gjëra të vështira, por që Ai përherë na mbështet dhe e shpërblen bindjen tonë. Një tjetër foli për Perëndinë si një njeri që i do familjet dhe dëshiron që fëmijët të mësohen nga prindër të dashur. Ndërsa biseda vazhdoi, unë kuptova që Shpirti po dëshmonte për natyrën dhe karakterin e Perëndisë, që ne u ndiem më afër Atit tonë në Qiell dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe që ne kishim arritur t’i njihnim dhe donim Ata pak më shumë.

Jezu Krishti është Krijuesi ynë. Ai është Shëlbuesi dhe Çliruesi ynë i dashur, i dhembshur dhe plot falje. Ai është gjithashtu Emanueli, Qengji i Perëndisë, Mesia, I Shenjti i Izraelit dhe Autori e Plotësuesi i Besimit Tonë. Teksa përqendrohemi tek titujt, rolet e karakteri dhe cilësitë e Tij, Shpirti do të dëshmojë për Atë, duke sjellë kuptueshmëri dhe dashuri më të madhe për personalitetin e Tij të vërtetë dhe një dëshirë më të madhe për t’u bërë si Ai.

2. Theksojeni Shembullin e Jezu Krishtit

Një mënyrë e dytë për ta vendosur Jezusin në qendër të mësimdhënies sonë është që ta dallojmë dhe theksojmë që Ai është shembulli i përsosur, mishërimi dhe shëmbëllimi i të gjitha parimeve të ungjillit.9 Një prej mësuesve tanë kohët e fundit më tregoi se për studimin e tyre familjar të shkrimit të shenjtë kishin vendosur të lexonin përsëri Dhiatën e Re. Por këtë herë, në vend që të përqendroheshin tek ajo çfarë tha Jezusi, ata po përqendrohen së pari tek ajo çfarë bëri Jezusi. Përqendrimi te shembulli i Tij i përsosur e fton gjithashtu Frymën e Shenjtë të dëshmojë për Të.

Edhe kur Jezusi nuk përmendet drejtpërsëdrejti në një histori që po japim mësim, ne ende mund ta theksojmë Atë si shembullin e parimit që ilustron historia. Për shembull, pasi ta përcaktojmë dhe analizojmë një parim, ne mund të pyesim: “A mund të mendoni për një rast në shkrimet e shenjta kur Jezusi qe shembull i këtij parimi?” Apo: “Kur e keni parë Jezusin të jetë shembull i këtij parimi në jetën tuaj apo në interesin tuaj?” Një studenteje kohët e fundit iu bë kjo pyetje në lidhje me shembullin që jep Shpëtimtari për zemërbutësinë. Mendimet dhe ndjenjat e saj rendën tek mënyra zemërbutë sipas së cilës Shpëtimtari e kishte trajtuar atë përherë. Kjo përvojë, pikërisht në klasë, ngjalli tek ajo një dëshirë të thellë për të qenë më shumë si Krishti dhe më zemërbutë me njerëzit që mbështeten tek ajo, ashtu siç ajo mbështetet te Zoti.

Ju mund të gërmoni nëpër të gjitha librat e shkruar ndonjëherë dhe nuk [do] të gjeni një ilustrim më të mirë të secilit parim të ungjillit nga ajo çfarë gjendet në rrëfimet e shkrimeve të shenjta për Jezusin dhe shërbesën e Tij të përjetshme. Përsiatja e shembujve të Zotit në rolet e Tij si Jehovai, Krishti i vdekshëm dhe Shpëtimtari i ringjallur do ta rritin fuqinë dhe aftësinë e studentëve tanë për të ndërmarrë veprim të efektshëm e të drejtë. Do t’i çojë mësimet tona përtej diskutimeve rreth etikës e zotërimit vetjak dhe do t’i lidhë studentët me fuqinë e Shpëtimtarit dhe planin e përjetshëm të lumturisë.

Si mund ta japim mësim parimin e ndershmërisë duke përdorur ilustrimin? Thjesht që [është] “rregulli më i mirë”, ngaqë njerëzit do të kenë më shumë besim te ne nëse jemi të ndershëm? Apo, a është integriteti vendimtar në karakterin e Krishtit? Nëse duam që të jemi si Ai, a duhet të mësojmë ta ndjekim shembullin e Tij të përsosur duke qenë tërësisht të ndershëm? Të njëjtat lloje pyetjesh mund të bëhen për çdo parim të ungjillit.

Mbreti Artur Henri e dha bukur mësim këtë ide kur tha: “Ne e simbolizojmë [të mirën] në një individ të vërtetë – Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë. Ai është një njeri, jo një parim, një njeri që i përmban të gjitha parimet. … Dhe ndjekja e një njeriu është shumë e ndryshme nga ndjekja e një parimi. … Neve nuk na duhet të zgjidhim ndërlikimet filozofike të etikës. Nuk ka të bëjë fare me atë. Ne duhet t’i studiojmë Ungjijtë, ta kuptojmë atë që bëri Krishti, dhe të përpiqemi ta identifikojmë veten me atë që bëri Ai. Është për shkak se ne ndiejmë shpirtin e Mësuesit, dashurinë e Mësuesit dhe për shkak se e kemi zhytur veten në ungjill, që ne e dimë atë çfarë duhet të bëjmë. Ungjilli që kemi ruajtur në zemrën tonë na mundëson që në çdo çast ta ndiejmë atë që duhet të bëjmë në një situatë të caktuar.”10

Ka një fuqi që vjen kur ne i lidhim me Jezu Krishtin përpjekjet tona për ta jetuar ungjillin. Nëse ndonjëherë ndiejmë që thjesht po i bëjmë gjërat mekanikisht ose që të jetuarit e ungjillit është bërë një listë detyrash për t’u plotësuar, ne mund ta kemi shkëputur lidhjen me burimin e hirit e gëzimit që i synojmë. Ne madje mund të jemi duke i bërë të gjitha gjërat e duhura, por zbulojmë që na mungon synimi. Ungjilli nuk është një listë kërkesash; [por] lajmet e mira që Jezu Krishti e mposhti mëkatin dhe vdekjen. Jezu Krishti është figura qendrore në planin e Atit tonë në Qiell për të na ndihmuar të bëhemi si Ai. Ai është shembulli i përsosur i mënyrës se si duhet të jetojmë dhe burimi i fuqisë hyjnore aftësuese për të cilën kemi nevojë. Teksa mësojmë ta ndjekim shembullin e Tij dhe i lidhim me Të përpjekjet tona për ta jetuar ungjillin, ne do të gjejmë gëzim në të qenit dishepujt e Tij.

3. Kërkoni Simbole dhe Shenja [Lajmëruese] të Jezu Krishtit

Së treti, ne duhet të kërkojmë simbole11 dhe shenja [lajmëruese] të Shpëtimtarit në jetën e profetëve dhe burrave e grave të tjerë besnikë siç janë shënuar në shkrimet e shenjta. Ashtu siç dha mësim profeti Jakobi: “Çdo gjë që është dhënë nga Perëndia nga fillimi i botës ndaj njeriut, janë shenja që e tipizojnë atë”12.

Për shkak të kësaj ideje, kur jepja mësim Dhiatën e Vjetër në seminar, vendosa copa të mëdha letre në murin e pasmë të klasës. Në krye të secilës letër shkrova emrin e një profeti të Dhiatës së Vjetër. Kur kishim mbaruar së studiuari një pjesë të Dhiatës së Vjetër, u kërkova studentëve të mendonin për gjërat që kishin mësuar rreth profetit për të cilin kishim studiuar, dhe mënyrat se si përvojat e tij paralajmëronin për Shpëtimtarin apo ua kujtonin Atë. Pasi mësuam rreth Adamit, studentët shkruan gjëra si këto: “Adami ishte një bir i Perëndisë”. “Ai ishte i pavdekshëm.” “Ai shkoi në një kopsht.” “Ai me vullnet të lirë mori mbi vete vdekjen që ne të mund të jetojmë.” Nuk do të kalonte shumë kohë para se dikush të pyeste: “A po flasim ende për Adamin, apo po flasim për Jezusin?”

Gjatë asaj kohe, një studente erdhi më herët në klasë për të më treguar përvojën e saj të studimit të shkrimeve të shenjta. Natën më parë ajo kishte lexuar rreth pasojave të Rënies së Adamit tek Moisiu 4, që thotë: “Gjemba dhe gjithashtu bimë gjembore do të sjellë ajo për ty”13. Qëkurse kishte mësuar të bënte pyetjen: “Si dëshmon ky rrëfim për Krishtin?”, ajo pati shtysën të pyeste: “A e dinte Jezusi kur po i fliste Adamit, që një ditë Ai me të vërtetë do t’i vinte pasojat e Rënies si një kurorë gjembash [mbi kokë]?”

Studentët tanë gjetën një shembull tjetër në jetën e Jozefit të Egjiptit, duke përcaktuar mbi 60 mënyra në të cilat ai është simbol i Shpëtimtarit. Studentët nxorën në pah se të dy ata kishin dashurinë e Atit të tyre, përçmimin e vëllezërve të tyre dhe u shitën me çmimin e një skllavi. Ata vunë re ngjashmëritë në tundimet e tyre dhe te fakti se Perëndia ishte përherë me ta. Këto lidhje janë shumë më tepër sesa thjesht diçka interesante për t’u vënë re. Jeta e profetëve të zgjedhur të Zotit është simbol i Tij dhe na mëson për cilësitë e Tij hyjnore. Kur përdoret në mënyrë të efektshme, të shikuarit e gjërave me këtë ‘sy’ mund të na ndihmojë ta njohim më mirë Jezusin dhe të jemi më shumë si Ai.

Bashkëshortja ime, Kristi, po jepte mësim po këtë rrëfim të shkrimit të shenjtë për Jozefin në Egjipt dhe e pyeti klasën: “Çfarë karakteristikash si të Krishtit shihni te shembulli i Jozefit?” Ne folëm për aftësinë e Tij për ta kthyer çdo sfidë në një bekim. Ne folëm për bindjen e Tij, durimin e Tij dhe gatishmërinë e Tij për t’i kujtuar ata që ishin në nevojë, dhe për gatishmërinë e Tij për të falur. Pyetja më bëri që të kujtoja një rast të mëparshëm kur e kisha studiuar këtë histori dhe e kisha përfytyruar se si mund të ketë qenë kur Jozefi ia zbuloi veten vëllezërve të tij. Shkrimet e shenjta thonë se ata ishin “të tronditur thellë në praninë e tij”14. A mund ta përfytyroni se si duhet të ketë qenë ai çast dhe se si duhet të jenë ndier ata, duke e ditur se çfarë kishin bërë? Por Jozefi iu përgjigj: “Afrohuni … unë jam Jozefi, vëllai juaj. … Mos u trishtoni … sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj.”15 Ndërsa e parafytyroj atë ngjarje në mendjen time, unë e kuptoj më mirë se si do të jetë kur ne të qëndrojmë para Zotit në Ditën e Gjykimit. Sigurisht që mund ta marr me mend se ne do të na kujtohen mëkatet tona dhe mund të ndihemi “të tronditur thellë” kur të qëndrojmë në prani të Tij. Por gjithashtu mund ta përfytyroj Atë duke na thënë teksa na ngre nga gjunjëzimi: “Ejani tek unë, afrohuni, unë jam vëllai juaj. Perëndia më dërgoi vërtet për ta ruajtur jetën.”

Kur përqendrohemi te simbolet dhe shenjat [lajmëruese] të Jezu Krishtit, atëherë, ne mund t’i ndihmojmë studentët tanë t’i dallojnë cilësitë e karakteristikat e Tij duke bërë pyetje të tilla:

  • “Cilat karakteristika si të Krishtit shihni në jetën e këtij profeti?”

  • “Kur jeni bekuar për shkak se Jezusi e ka këtë cilësi?” Ose: “Si e ka shfaqur Shpëtimtari këtë karakteristikë në interesin tuaj?”

  • “Çfarë mund të bëni për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti dhe për ta fituar këtë cilësi hyjnore?” Ose, “Çfarë keni mësuar rreth Atit tuaj në Qiell dhe Jezu Krishtit që ju frymëzon të veproni me besim për t’i ndjekur Ata?”

Dhe kur studentët japin përgjigje të tilla si “të lutemi” ose “të lexojmë shkrimet e shenjta”, ne do të bënim mirë t’i lidhnim këto veprime me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin duke u bërë atyre pyetje të tilla:

  • “Si do të jenë lutjet tuaja të ndryshme kur e dini se me kë po flisni?”

  • “Si do t’i studioni shkrimet e shenjta në një mënyrë që do t’ju ndihmojë ta njihni më mirë Shpëtimtarin dhe të jeni më shumë si Ai?”

Këto lloj pyetjesh do t’i ndihmojnë studentët tanë të zhvillojnë fuqi dhe aftësi më të madhe për ta njohur Shpëtimtarin dhe për të mësuar prej Tij.

4. Jepni Dëshmi të Pastër për Jezu Krishtin

Gjëja e katërt që mund të bëjmë është që të japim dëshmi të pastër për Jezu Krishtin.

Ne kemi nevojë të flasim rreth Tij më shpesh dhe më fuqishëm dhe më me nderim, adhurim e mirënjohje. Ne kemi nevojë t’i japim dëshmitë tona dhe ne duhet të gjejmë mënyra të efektshme për t’i ftuar studentët tanë që t’i ndajnë dëshmitë e tyre me njëri-tjetrin. Në një diskutim të kohëve të fundit si klasë për parimin e lutjes, një mësues i ftoi studentët të merrnin parasysh se çfarë na mëson rreth natyrës së Atit tonë në Qiell, ftesa e Zotit për t’u lutur dhe premtimi i Tij se do të përgjigjet. Më pas, ata u ftuan që të merrnin parasysh cilësitë e Shpëtimtarit, të cilat na mundësojnë të lutemi në emrin e Tij. Me këto pyetje të thjeshta, një mësim për lutjen u kthye në mundësinë për studentët që të jepnin dëshmi për fuqinë e dashurinë e Atit tonë në Qiell dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Studentët u larguan me një vlerësim të rritur për marrëdhënien e tyre me Hyjninë dhe për bekimin e jashtëzakonshëm që na është dhënë për t’u lutur në emrin e Jezu Krishtit, i cili është Avokati ynë me Atin.

Një mënyrë tjetër thelbësore për të dëshmuar për Jezu Krishtin është që të lejoni që dëshmia e profetëve, si të lashtë e modernë, të dëgjohet në klasat tona. Apostulli Pjetër tha se ne jemi “dëshmitarë të paracaktuar nga Perëndia. … Ai na urdhëroi … të dëshmojmë se ai është ai që Perëndia e ka caktuar. … Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët.”16

Në kohët më të fundit, Plaku Robert D. Hejls dha një deklaratë që më ka futur shumë në mendime. Ai tha: “Ne i shohim, i dëgjojmë, i lexojmë, i studiojmë dhe i tregojmë fjalët e profetëve që të jemi të paralajmëruar dhe të mbrojtur. Për shembull ‘Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës’ u dha kohë përpara se ne të përjetonim sfidat që po përjeton tani familja.” Dhe më pasi ai shtoi këtë mendim: “‘Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve’ u përgatit përpara kohës kur neve do të na nevojitej më tepër”17.

Unë nuk jam një person që flet për gjëra pesimiste, por është bërë e dukshme arsyeja përse proklamata u dha përpara erërave të fuqishme që kanë fryrë kundër familjeve tradicionale. Dhe të dëgjosh një profet të thotë se dokumenti “Krishti i Gjallë” u dha “përpara kohës kur neve do të na nevojite[t] më tepër”, më bën të mendoj se më shumë erëra do të fryjnë, duke e goditur besimin e studentëve tanë dhe fëmijëve tanë.

“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” shpall: “Ne japim dëshminë tonë për vërtetësinë e jetës së Tij të pashoqe dhe virtytit të pafund të sakrificës së Tij madhështore e shlyese. … Ai ishte Jehova i Madh i Dhiatës së Vjetër, Mesia i Dhiatës së Re. … Ai eci rrugëve të Filistisë, duke shëruar të sëmurët, duke u kthyer dritën të verbërve dhe duke ngritur të vdekurit. Ai dha mësim për të vërtetat e përjetësisë. … Ai dha jetën e Tij për të shlyer mëkatet e gjithë njerëzimit. … Ai u ngrit nga varri dhe ‘është fryti i parë i atyre që kanë fjetur’. … Ai dhe i Ati iu shfaqën të riut Jozef Smith, duke nisur ‘periudhën e plotësisë së kohërave’ që ish premtuar kohë më parë. … Ne dëshmojmë se një ditë Ai do të kthehet në tokë … [dhe] do të sundojë si Mbreti i Mbretërve dhe do të mbretërojë si Zoti i Zotërve. … Jezusi është Krishti i Gjallë, Biri i pavdekshëm i Perëndisë. Ai është i madhi Mbreti Emanuel, i cili qëndron sot në të djathtë të Atit të Tij. Ai është drita, jeta dhe shpresa e botës. … I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e pashoqe që na ka bërë duke na dhënë Birin e Tij hyjnor.”18

Kjo dëshmi e profetëve të Perëndisë u dha përpara kohës kur studentëve tanë dhe fëmijëve tanë do t’u duhet më shumë. Ne duhet t’i ndihmojmë ata ta mbjellin këtë dëshmi thellë në mendjen dhe zemrën e tyre. Nuk ka asgjë që ne mund ta bëjmë që do t’i bekojë më shumë studentët tanë sesa t’i ndihmojmë të arrijnë ta njohin Jezu Krishtin. Ne duhet t’i ndihmojmë ta duan Atë, ta ndjekin Atë dhe të përpiqen në mënyrë të qëllimshme që të bëhen si Ai. Dëshmisë së profetëve të Perëndisë unë u shtoj dëshminë time të përulur se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës.

Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.