Takime Shpirtërore 2017
Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor


29:25

Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor

Një Mbrëmje me Presidentin Rasëll M. Nelson

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 8 janar 2017 • Universiteti “Brigam Jang”

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë ju sjell përshëndetje dhe dashuri nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Ne ju falënderojmë që jeni me ne sonte dhe që i keni përgatitur zemrat dhe mendjet tuaja për të marrë mësim shpirtërisht.1

Që nga janari 2016, kur ju fola në këtë takim shpirtëror mbarëbotëror, kam qenë me shumë prej jush kur kam udhëtuar për në Japoni, Filipine, Kinë, Kanada, Angli, Uells, Gjermani, Itali, Spanjë dhe vendndodhje kudo në Shtetet e Bashkuara.

Shtatorin e shkuar, pata një përvojë të paharrueshme me Plakun M. Rasëll Ballard dhe udhëheqës të tjerë të Kishës kur shkuam në Baton Ruzh, Luiziana për t’u takuar me njerëzit atje pas një përmbytjeje shkatërrimtare. Të dielën, secili prej nesh zhvilloi katër mbledhje të mëdha sakramenti – një për viktimat dhe tre për vullnetarët që kishin ardhur nga shumë shtete për të ndihmuar për pastrimin. Këto fotografi japin një ide për ato bashkësi të ditës së Shabatit të përbëra nga qindra njerëz që kishin veshur bluzat me shenjën tonë dalluese Duart Ndihmëtare Mormone.

Dallojini fytyra e shumta të lumtura të të rinjve dhe të rejave që u larguan nga shtëpitë e tyre për të ndihmuar të afërm që nuk i njihnin, në mes të zagushisë së vapës verore të Luizianës dhe që u ndalën në Shabat për ta adhuruar Zotin. Teksa i shihja ato bashkësi të mrekullueshme me punëtorë të gatshëm, shumica e të cilëve ishin në moshën tuaj, pata mbresën pushtuese se po shihja djem dhe vajza që shumë shpejt do të ishin udhëheqës të kësaj Kishe.

Prandaj sonte, teksa ju përfytyroj të grumbulluar në të gjithë botën, do të doja ta nënvizoja dhe të flisja rreth asaj mbrese. Ju jeni udhëheqësit e ardhshëm të Kishës së Zotit! A jeni gati t’i merrni frerët e udhëheqjes?

Kur ju fola një vit më parë, ju sfidova të ngriheni si mijëvjeçaristët e vërtetë që u lindët të jeni. Ju duhet të ndihmoni që bota të përgatitet për mbretërimin mijëvjeçar të Shpëtimtarit duke ndihmuar të mblidhen të zgjedhur nga të katër qoshet e tokës, në mënyrë që, të gjithë ata që zgjedhin ta bëjnë këtë, të mund ta marrin ungjillin e Jezu Krishtit dhe të gjitha bekimet e tij. Sonte dua t’ju flas rreth mënyrës se si mund të përgatiteni.

Së pari, përqendrohuni te martesa dhe familja juaj. Vërini në zbatim mbresat që patët kur i dëgjuat katër të vërtetat e “Teto Uendit” rreth dashurisë dhe martesës.

Përgjegjësia juaj ndaj Zotit, për të ndihmuar që t’i mblidhni të zgjedhurit nga rrëmuja morale dhe epërsia vorbulluese e mëkatit në kohën tonë, nuk është një sipërmarrje e vogël. Luciferi dhe puthadorët e tij po përdorin çdo formë teknologjie dhe komunikimi për të përhapur gënjeshtra rreth jetës dhe rreth burimit të vërtetë të lumturisë. Prandaj, që të bëni atë për të cilën erdhët në tokë, do të duhen aftësitë më të ndritura të udhëheqjes që mund të përvetësojë brezi juaj.

Fatmirësisht, ne kemi modele madhështore për t’i ndjekur. Ndërkohë që bota mund ta hedhë vështrimin tek aftësi madhore udhëheqjeje të burrave e grave të tillë si Napoleoni, Zhan D’Arka, Xhorxh Uashingtoni, Mahatma Gandi, Nënë Tereza dhe të tjerë, unë besoj që udhëheqësit më të ndritur që kanë shkelur në tokë, janë profetët e Perëndisë.

Deri më sot, 16 burra janë zgjedhur nga Zoti për të qenë Presidentë të Kishës së Tij, të rivendosur në këtë periudhë ungjillore – këtë periudhë ungjillore kulmore në historinë e tokës. I kam njohur nga afër 10 prej atyre 16 burrave. (Kjo thotë më shumë për moshën time se çdo gjë tjetër. Le ta themi thjesht kështu: Mund të vdes nga çasti në çast.)

Tani, nëse e keni seriozisht ngritjen si një mijëvjeçarist i vërtetë, ju nxit të studioni jetën dhe mësimet e këtyre 16 profetëve të Perëndisë.2 Ai studim do ta ndryshojë jetën tuaj. A mund të jap disa parime udhëheqjeje që kam mësuar prej tyre?

Presidenti Jozef Fillding Smith, Presidenti i 10 të i Kishës, jetonte vetëm pak shtëpi larg nga shtëpia e fëmijërisë sime. Dy djemtë e tij më të vegjël ishin shokët e mi të djalërisë. Ata më ftonin shpesh në shtëpinë e tyre.

Presidenti Smith ishte Presidenti i Kishës në vitin 1971, kur u thirra të isha President i përgjithshëm i Shkollës të së Dielës. Kur unë dhe gruaja ime e ndjerë, Denxela, e shoqëruam atë më vonë gjatë atij viti për në konferencën e parë të zonës, që zhvillohej në Mançester të Anglisë, vëzhgova një mësim të fuqishëm për udhëheqjen e efektshme kur Presidenti Smith kërkoi raportime nga Autoritetet e Përgjithshme të mbledhura në një dhomë të vogël përpara konferencës.

Pasi të gjithë kishin folur, në vend që të jepte drejtim diktatorial, Presidenti Smith u ngrit me dinjitet presidencial duke i ftuar të mbështeteshin tek urtësia e tij e 94 viteve, ndërkohë që shprehte dashurinë dhe dëshirën e sinqertë për t’i ndihmuar ata. U mahnita nga fuqia e këtij udhëheqësi tek shprehte dashuri dhe siguri te njerëzit e tij. Pas konferencës së zonës, kur e përgëzuam Presidentin Smith për mesazhin e tij të shkëlqyer, ai u përgjigj thjesht: “Nuk erdha këtu për të dështuar”3.

Ai kishte besim që Zoti do t’i udhërrëfente ato punime teksa Presidenti Smith bënte gjithçka që ishte në fuqinë e tij për ta çuar përpara punën. Besimi, lutja, studimi dhe puna e rëndë përbëjnë një ndërthurje fitimtare. Ashtu si Presidenti Smith që nuk shkoi në Angli për të dështuar, ashtu edhe Ati ynë ju dërgoi ju në tokë në këtë periudhë të fundit ungjillore jo për të dështuar, por për t’ia dalë mbanë – dhe për të gjetur gëzim ndërsa e bëni këtë.

Presidenti Ezra Taft Benson kishte qenë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për vetëm dy vjet kur, në dhjetor të vitit 1945, në rrjedhojat e Luftës II Botërore, Presidenti Xhorxh Albert Smith e thirri atë që në atë kohë ishte Plaku Benson, që të kryesonte mbi Misionin Europian. Kushtet atje ishin të ashpra. Në një mision 10-mujor dashurie ndaj jetëve që qenë rrënuar nga lufta, Plaku Benson udhëtoi në mbarë Gjermaninë, Poloninë, Çekosllovakinë dhe Skandinavinë, duke u shpërndarë ushqim, veshmbathje dhe shtresa shenjtorëve që po vuanin.4 Ai u përball vazhdimisht me gjëra që dukeshin të pakapërcyeshme. Prapëseprapë ai tregoi herë pas herë me vepra “besim të patrembur në fuqinë e Zoti për të kapërcyer pengesat”5.

Dyzet vjet më vonë, në nëntor të vitit 1985, Presidenti Benson, në atë kohë i saposhuguruar si President i Kishës, më caktoi si anëtar të ri tek Të Dymbëdhjetët për të hapur dyert e vendeve të Europës Lindore që në atë kohë ishin nën zgjedhën e komunizmit.

U ndjeva i papërgatitur për një detyrë kaq sfiduese, por Presidenti Benson e kishte bërë këtë punë përpara meje. Si mund të mos veproja siç kishte vepruar ai? Shembulli i Tij më shtyu të lutem e të punoj aq fort sa mundesha dhe më pas të vëzhgoja dorën mrekullibërëse e ndihmuese të Zotit.6

Kurdoherë që ndonjëri prej nesh ndihet i mbingarkuar, mund të mësojë shumë nga Presidenti Benson. Për tetë vjet ai shërbeu njëkohësisht si një Apostull dhe si ministër i bujqësisë në këshillin e ministrave të presidentit të SHB-së Duajt D. Ajzenauer.

Si ia doli ai? Këto janë fjalët e tij: “Punoj aq fort sa mundem dhe bëj gjithçka brenda fuqisë sime. Dhe përpiqem të mbaj urdhërimet. Pastaj e lë Zotin të bëjë pjesën që mbetet.”7 Ato janë fjalë sipas të cilave duhet të jetojmë.

Presidenti Gordon B. Hinkli ishte një udhëheqës dinamik, mësimdhënia e të cilit për drejtimin e Kishës ishte e pashoqe. Përpara shërbimit të tij si Presidenti i 15- të i Kishës, kishte qenë këshilltar për tre Presidentë të mëparshëm. Pas kthimit nga misioni i tij kur ishte i ri në Angli, ai punoi për Kishën në pozicione të ndryshme, gjithnjë nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Atij vazhdimisht iu kërkua të gjente zgjidhje për sfida të mëdha. Për shembull, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei e caktoi Vëllanë Hinkli të vendoste se si të jepej ordinanca e dhurimit [indaumentit] me film në mënyrë që nevojat e përkthimit të mund të përmbusheshin për Kishën e zgjeruar.

Presidenti Hinkli ishte një komunikues par ekselans. Ai fliste me siguri rreth ungjillit me çdokënd, nga gazetarë të rrahur, deri tek udhëheqësit botërorë. Isha dëshmitar i mënyrës se si ai e zbuti zemrën e Mihail Gorbaçovit, presidentit të dikurshëm të Bashkimit Sovjetik, i cili fillimisht i bëri qëndresë ftesës për t’u takuar me Presidentin Hinkli në zyrën e tij. Përkundrazi, z. Gorbaçov  deshi që Presidenti Hinkli të vinte në dhomën e tij në hotel. Por, kur u takuan në zyrat qendrore të Kishës, Presidenti Hinkli vuri në dukje mobilimin me dru arre kirkasiane në dhomën e këshillit të Presidencës së Parë. Kur Presidenti Hinkli i tha z. Gorbaçov se nga vinte ai dru, z. Gorbaçov u mahnit! Ai dru kishte ardhur pikërisht nga krahina e vendlindjes së tij në Rusi!8 Gjendja e tij shpirtërore u zbut menjëherë.

Presidenti Hinkli ishte optimist në mënyrë të patundur, një pasojë e besimit të tij të plotë te Zoti. Gjatë pothuajse 13-viteve si President, ai e udhëhoqi Kishën gjatë një periudhe mbresëlënëse risish, përfshirë planin për tempuj më të vegjël, ndërtimin e Qendrës së Konferencave, njoftimin e 79 tempujve të rinj dhe përkushtimin ose ripërkushtimin e 95 tempujve nga 124 që ishin atëherë në funksionim. Largpamësia e Presidentit Hinkli dhe ajo që ai kërkonte nga vetja për shkak të asaj largpamësie, nuk njihte kufij.

Presidenti Hinkli ishte një autoritet në historinë e Kishës. Ai ishte edhe një shikues. Si i tillë, ai e shpallte të ardhmen pa druajtje. Dëgjojini fjalët e tij: “Kjo kauzë [e Krishtit] do të përhapet me madhështi e fuqi për ta mbushur tokën. Do të hapen dyer tani të mbyllura ndaj predikimit të ungjillit. Të Plotfuqishmit, nëse nevojitet, mund t’i duhet t’i tundë kombet për t’i përulur ato dhe të bëjë që ato t’i dëgjojnë shërbëtorët e Perëndisë së gjallë. Do të ndodhë çfarëdo që të jetë e nevojshme.”9

Tani Presidenti Tomas S. Monson është profeti i gjallë i Perëndisë në tokë. Sa e duam, e mbështetim dhe lutemi për të! Dhe sa kemi mësuar prej tij! Mendoni për të. Ai u thirr për të qenë peshkop në moshën 22-vjeçare. Lagjja e tij përmbante diku tek 80 vejusha. Ai u thirr për të qenë Apostull në moshën e re 36-vjeçare. Presidenti Monson e ka jetuar jetën e tij sipas motos: “Nëse Zoti ka nevojë që të bëhet një punë, unë dua që Ai ta dijë se mund të mbështetet tek Tom Monsoni për ta bërë atë”10.

Ai na e ka treguar se si t’i afrohemi e ta shpëtojmë individin. Ai na ka mësuar me anë të shembullit se përkujdesja për njerëzit është gjithnjë më e rëndësishme se administrimi i kohës, ose mbledhjet apo oraret.

Gjatë gjithë jetës së tij, Presidenti Monson ka përshkuar rrugë rastësore në mbarim të një dite të gjatë pune. Nganjëherë, ai ndalonte në spital për t’i ngushëlluar ata që ishin të munduar. Ditë të tjera, ai udhëhiqej për të vizituar shtëpi të caktuara. Shpesh, trokitja e tij e papritur në derë është ndeshur me një njeri të përlotur që thotë gjëra të tilla si: “Nga e dije se ishte përvjetori i vdekjes së bijës sonë?”, ose “Nga e dije se ishte ditëlindja ime sot?”

Gjatë gjithë jetës së tij, Presidenti Monson ka treguar me vepra në mënyrë të pandërprerë dy cilësi themelore që i bëjnë profetët e Perëndisë udhëheqës të jashtëzakonshëm: E para, ai ka dhënë shembullin për urdhërimin e parë dhe të dytë të madh – ta duam Perëndinë me gjithë shpirt dhe t’i duam të afërmit tanë, fëmijët e Perëndisë, ashtu sikurse veten. Dhe e dyta, çdo profet di si të marrë zbulesë dhe si të reagojë shpejt ndaj saj kur ajo vjen. Presidenti Tomas S. Monson është personifikimi i udhëheqjes së drejtë.

Profetët e Perëndisë kanë shumë tipare të përbashkëta. Njëri është se çdo profet e kupton rëndësinë e ligjit hyjnor. Dija për ligjin hyjnor dhe udhëheqjen e efektshme e të drejtë ecin dora-dorës. Sa më shumë nga ligjet e Perëndisë që të dish – dhe më e rëndësishmja, mënyra si i jeton – aq më e efektshme do të jetë udhëheqja jote e drejtë.

Kur isha student i ri për mjekësi, studimi im i rregullt i trupit njerëzor më bindi se Perëndia jetonte. Kur arrita ta dija se trupi ishte krijimi i Perëndisë, më ngjallën kureshtje gjithnjë e më tepër ligjet e Perëndisë që e komandojnë funksionimin e trupit. Nëpërmjet kërkimeve të zgjatura në laborator, e mësova më vonë ligjin që komandon rrahjen e zemrës. Më tej, mësova se zemra që rrihte, mund të ndalej përkohësisht në mënyrë të sigurt për të lehtësuar riparime delikate kirurgjikale. Kjo mund të bëhej duke ndryshuar përpjesëtimin midis natriumit dhe kaliumit në gjakun që i shkonte zemrës. Më vonë, kur zemra ushqehej me gjak me një përpjesëtim normal midis natriumit dhe kaliumit, ajo rrihte përsëri normalisht. Këto gjetje u vërtetuan që ishin të parashikueshme, të besueshme dhe të përsëritshme.

Kohët e fundit, pata mundësinë t’ia shpjegoja këtë një klase nga shkolla e mjekësisë. Një profesor i ditur që ishte i pranishëm, më pyeti: “Po sikur të mos funksionojë?” Iu përgjigja: “Ajo funksionon përherë! Funksionon sipas ligjit hyjnor.”

Ligji hyjnor është i pamohueshëm dhe i pakundërshtueshëm. Ligji hyjnor nuk mund të mohohet apo hidhet poshtë. Dhe, kur u bindemi ligjeve të Perëndisë, përherë vijnë bekimet përkatëse! Bekimet bazohen përherë te bindja ndaj një ligji të zbatueshëm.11

Ekzistencialistët mund të parashtrojnë; relativistët mund të arsyetojnë me pikëpamjet e tyre të ngushta për realitetin – se e vërteta është thjesht një përvojë subjektive – por ligjet janë ligje! E vërteta e Perëndisë është njëmend e vërtetë! Ajo që Perëndia thotë se është e drejtë, është e drejtë! Dhe ajo që Ai thotë se është e gabuar, është e gabuar!

Ja pse është e domosdoshme që t’i dini ligjet e Perëndisë. Ato e kontrollojnë këtë univers dhe një mori të tjerësh. Kur thyhen ligjet hyjnore, vijnë pasoja. Ndonëse zemrat tona dhembin për ata që i thyejnë ligjet e Perëndisë, dëmshpërblimet duhet të paguhen. Duhet t’i bindemi ligjit hyjnor.

E mësova këtë si kirurgu i Presidentit Spenser W. Kimball. Kur rregulluesi i rrahjeve i vendosur në zemrën e tij u prish papritur, Presidenti Kimball u kthye tek unë për ndihmë. Por së pari ai më kërkoi që t’i jepja një bekim priftërie. Pas bekimit, që premtoi ndreqjen e rregulluesit të prishur të rrahjeve, ai më pas më tha: “Tani t’i mund të bësh çfarëdo që nevojitet për ta bërë realitet atë bekim”.

Unë vazhdova operacionin. Tek teli që mbartte elektricitetin nga rregulluesi i rrahjeve në zemrën e tij, gjeta një dëmtim të izolimit. Kur e zëvendësova telin me defekt, rregulluesi i rrahjeve punoi përsëri sakaq, duke e lejuar zemrën e Presidentit Kimball që të rrihte normalisht. As madje për një profet të Perëndisë nuk mund të shpërfillej ligji që lidhet me përcjelljen e elektricitetit.

Presidenti Kimball ishte vërtet profet i Perëndisë. Teksa e vështroja atë nga afër gjatë sëmundjeve të ndryshme dhe e vëzhgoja studimin e tij të thellë e tejpërshkues ndërsa kërkonte zbulesë, ai ishte këshilluesi im. Dashuria ime për të është e pakufishme!

Ndërkohë që bota është e mbushur me pasiguri, nuk ka pse të ketë pasiguri në zemrën dhe mendjen tuaj rreth asaj që është e vërtetë dhe që nuk është e vërtetë. Pasiguria lind nga informacioni i papërsosur ose i panjohur. Si një Apostull, ju përgjërohem t’i mësoni ligjet e pakthyeshme të Perëndisë. Mësojini ato me anë të studimit dhe besimit. Kjo do të thotë, midis të tjerash “jetoni me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”12.

Lutuni për të bërë dallimin midis ligjeve të Perëndisë dhe filozofive të njerëzve, përfshirë ato sajesa dhelparake të kundërshtarit. Gjatë mijëra vjetëve, Luciferi e ka mprehur mjeshtërinë e tij. Ai është i aftë për shpërqendrim, shtrembërim, mashtrim dhe ngatërrim orientimi. Ju lutem t’i shmangni kurthet e tij dinake siç do të shmangnit murtajën!

Grackat e shpikura nga Satani mund t’ju sjellin vetëm mjerim, robëri shpirtërore dhe vdekje.13 Kjo është e vërtetë çdo herë. Pasojat e trishta të rënies pre e joshjeve të Luciferit janë të parashikueshme, të besueshme, të përsëritshme dhe të vajtueshme.

Anasjelltas, ju premtoj se, teksa i mbani urdhërimet e Perëndisë, teksa jetoni sipas ligjeve të Tij, ju do të bëheni gjithnjë e më të lirë. Kjo liri do t’jua shpalosë natyrën tuaj hyjnore dhe do t’ju lejojë të përparoni vetë. Do të jeni të lirë nga robëria e mëkatit. Do të jeni të lirë të jeni vetvetja – një udhëheqës i efektshëm, i drejtë. Do të jeni të përgatitur të udhëhiqni me anë të parimit dhe me anë të shembullit kudo që të kenë nevojë për ju. Lumturisht, edhe bekimet e mbajtjes së urdhërimeve të Perëndisë janë të parashikueshme, të besueshme dhe të përsëritshme.

Si anëtarë të Kishës së Tij të rivendosur, ne e dimë se Jezu Krishti, është Këshilluesi ynë më i mirë. Si mijëvjeçaristë të vërtetë, ju u lindët për të qenë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit. Në fakt, mënyra e vetme për të qenë mijëvjeçaristë të vërtetë është të jeni një prej dishepujve të vërtetë të Tij!

Si mund të rriteni në dishepullimin tuaj? Kam një ftesë për ju që do t’ju ndihmojë – është një detyrë, në të vërtetë – nëse zgjidhni ta pranoni. Filloni sonte ta shenjtëroni një pjesë të kohës suaj çdo javë për të studiuar gjithçka që tha dhe bëri Jezusi siç u mbajt shënim në Dhiatën e Vjetër, sepse Ai është Jehovai i Dhiatës së Vjetër. Studiojini ligjet e Tij siç u mbajt shënim në Dhiatën e Re, sepse Ai është Krishti i saj. Studiojeni doktrinën e Tij siç u mbajt shënim në Librin e Mormonit, sepse nuk ka asnjë libër shkrimi të shenjtë në të cilin zbulohen më qartë misioni i Tij dhe shërbesa e Tij. Dhe studiojini fjalët e Tij siç u mbajtën shënim te Doktrina e Besëlidhje, sepse Ai vazhdon t’i japë mësim popullit të Tij në këtë periudhë ungjillore.

Kjo mund të duket si një detyrë e rëndë, por ju nxit që ta pranoni. Nëse vazhdoni të mësoni gjithçka mundeni rreth Jezu Krishtit, ju premtoj se dashuria juaj për Të dhe për ligjet e Perëndisë, do të rritet përtej asaj që mund të përfytyroni tani. Ju premtoj se do të shtohet edhe aftësia juaj për t’u larguar nga mëkati. Dëshira juaj për t’i mbajtur urdhërimet do të ngrihet në qiell. Do ta gjeni veten më në gjendje për t’iu ikur argëtimeve dhe ngatërresave të atyre që i përqeshin ndjekësit e Jezu Krishtit. Për t’ju ardhur në ndihmë, drejtohuni tek Udhëzuesi Tematik për referenca nën temën “Jezu Krishti”14.

Studiojeni gjithçka është Jezu Krishti duke kërkuar me lutje dhe vrull që ta kuptoni çfarë do të thotë për ju vetë secili prej titujve dhe emrave të Tij të ndryshëm. Për shembull, Ai njëmend është Avokati juaj me Atin. Ai do të mbajë anën tuaj. Do t’ju dalë në krah. Do të flasë në emrin tuaj, çdo herë, ndërsa ju zgjidhni të jeni më shumë si Ai.15

Njiheni Atë duke studiuar gjithçka që Ai vazhdon të japë mësim nëpërmjet profetëve dhe apostujve të Tij të gjallë. Studiojeni shpalljen “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Studiojeni dokumentin “Krishti i Gjallë”. Ata u morën që të dy me anë të zbulesës. Publikojini ato në internet atje ku mund t’i shikoni përditë.

Ato fjalë të zbuluara janë ajo që beson çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme. Lutuni për një dëshmi që ato të vërteta përfaqësojnë ligjin hyjnor. Mësoni t’i thoni ato të vërteta me fjalët tuaja vetjake. Ushtrohuni! Pastaj lutuni dhe kërkoni mundësi për të folur rreth asaj që besoni. Aftësia juaj për të udhëhequr e për të pasur ndikim të drejtë do të rritet teksa e bëni këtë.

Në një kohë të ardhme, ju do të paraqiteni përpara Shpëtimtarit. Do të jeni aq të tronditur që do të jeni në praninë e Tij të shenjtë, sa do të përloteni. Zor se do të gjeni dot fjalë për ta falënderuar Atë që pagoi për mëkatet tuaja, që ju fali për ndonjë sjellje të vrazhdë ndaj të tjerëve, që ju shëroi nga lëndimet dhe padrejtësitë e kësaj jete.

Do ta falënderoni Atë që ju forcoi për të bërë të pamundurën, që i ktheu dobësitë tuaja në forcë dhe që jua bëri të mundur të jetoni me Të dhe me familjen Tuaj përgjithmonë. Identiteti i Tij, Shlyerja e Tij dhe tiparet e Tij do të bëhen vetjake dhe të vërteta për ju.

Por nuk ju duhet të prisni deri atëherë. Zgjidhni tani të jeni një nga dishepujt e Tij të vërtetë. Jini dikush që e do Atë vërtet, që vërtet dëshiron të shërbejë e të udhëheqë si Ai.16

Ne jemi populli i Tij! Ne jemi nën besëlidhjen për ta mbartur mesazhin e ungjillit në çdo komb, fis, gjuhë dhe popull. Teksa punojmë qëllimisht për t’u bërë udhëheqës të drejtë, mund të këndojmë me një zemër: “Punës s’Zotit që të gjith’ le t’i vihemi”17.

Tani, si njëri nga Apostujt e Tij, unë u bëj thirrje atyre çelësave që të lë një bekim mbi çdonjërin prej jush. Ju bekoj që t’i mësoni ligjet e Perëndisë dhe të jetoni sipas tyre. Ju bekoj që të jeni një shembull i mirë, në fjalë dhe vepra të një dishepulli të vërtetë të Jezu Krishtit. Ju bekoj që të jeni të lirë nga mëkati, të rrezatoni mirësi dhe dritë në një mënyrë që do t’i tërheqë të tjerët për ta ditur dhe ndier burimin e dritës suaj. Ju bekoj me sukses në përpjekjet tuaja arsimore dhe profesionale. Ju bekoj që të kërkoni dhe të kujdeseni për shokun/shoqen tuaj të virtytshëm/me të jetës. Dhe ju bekoj që secili prej jush të jetë një udhëheqës i drejtë në familjen, komunitetin, vendin e vet dhe në Kishë.

Kështu ju bekoj dhe shpall se Perëndia jeton! Jezusi është Krishti! Kjo është Kisha e Tij! Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Veprat e Apostujve 17:11; Alma 32:6.

  2. Shih LDS.org. Programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ka gjithashtu një mori burimesh për t’ju ndihmuar në studimin tuaj.

  3. Shih Spencer J. Condie, Russell M. Nelson: Father, Surgeon, Apostle (2003), f. 165.

  4. Shih Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 197–227.

  5. Letër e Harold B. Lee-së drejtuar Ezra Taft Benson-it, në Dew, Ezra Taft Benson , f. 224.

  6. Shih 2 Nefi 27:20–21.

  7. Ezra Taft Benson, në Dew, Ezra Taft Benson , f. viii.

  8. Shih Condie, Russell M. Nelson, f. 279.

  9. Gordon B. Hinckley, “Look to the Future”, Ensign, nëntor 1997, f. 68.

  10. Bashkëbisedim vetjak me Presidentin Tomas S. Monson.

  11. Shih Doktrina e Besëlidhje 130:20–21.

  12. Doktrina e Besëlidhje 84:44.

  13. Shih 2 Nefi 2:27.

  14. Shih Udhëzuesin Tematik, “Jezu Krishti”. Përveç tekstit nën kreun kryesor, ka 57 nëntituj për Të. Për botimet e shkrimeve të shenjta që nuk janë në gjuhën angleze, përdorni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta. Lëreni këtë burim të bëhet programi juaj thelbësor mësimor.

  15. Shih 3 Nefi 27:27.

  16. Abinani i paralajmëroi të padrejtët që e zunë rob [duke thënë]: “Ju nuk i keni përdorur zemrat tuaja që të kuptoni” (Mosia 12:27). Ju mund ta vëzhgoni po atë tipar mes kundërshtuesve të brezit tuaj.

  17. “Punës Le t’i Vihemi”, Himne, nr. 154.