Takime Shpirtërore 2017
Një Lidhje Bashkëngjitëse


Një Lidhje Bashkëngjitëse

Një Mbrëmje me Plakun Dejvid A. Bednar

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për të Rinjtë në Moshë Madhore • 10 Shtator 2017 • Qendra e Kunjit të Apeksit në Karolinën e Veriut

Zinxhiri i Brezave

Mesazhi im e ka fillesën nga një përvojë që patëm unë dhe Suzana në shtator të vitit 1999. Presidenti Gordon B. Hinkli erdhi në Kolegjin Riks, tani UBJ–Ajdaho, që të përkushtonte ndërtesën “Spenser W. Kimball” të sapopërfunduar. Unë dhe Suzana patëm nderin ta mirëpritnim Presidentin dhe Motrën Hinkli gjatë një dite të mrekullueshme, shpirtërore dhe të paharrueshme.

Ndërsa ishte në kompleksin universitar, Presidenti Hinkli u foli studentëve, personelit dhe trupës pedagogjike në një takim shpirtëror. Isha ulur në podium vetëm disa metra larg nga Presidenti i Kishës së rivendosur të Zotit ndërsa jepte mesazhin e tij. Edhe sot, pikërisht në këtë çast, ndërsa shoh fytyrat tuaja dhe ju flas, unë kam një kujtim të gjallë të Presidentit Hinkli duke qëndruar në foltore në auditorin Hart. Më kujtohen parimet që dha mësim, tonaliteti i zërit të tij dhe shprehjet e fytyrës, dhe gjërat që mësova me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë ndërsa e dëgjova të fliste.

Ju ftoj që të na bashkoheni tani në një pjesë të atij takimi shpirtëror.

“Të shtunën dhe të dielën e kaluar ne ishim në Kolumbus të Ohajos, duke përkushtuar një tempull të ri e të bukur. Tempulli dhe godina kishtare e lagjes që ishte atje pranë ishin mbushur plot për të gjashta sesionet. Shpirti i Zotit ishte i pranishëm dhe ishte një rast i shkëlqyer e i rëndësishëm që të përkushtoje tempullin e dytë në historinë e Kishës në shtetin e mrekullueshëm të Ohajos.

Me mua ishin bashkëshortja ime dhe vajza ime, e cila qe atje për të ndihmuar nënën e saj. Për kënaqësinë tonë, një mbesë dhe dy prej fëmijëve të saj, stërnipi dhe stërmbesa jonë, erdhën me makinë që nga Seint-Luisi, vendi ku ata jetojnë. …

Ditën tjetër, teksa u ula në tempull në Kolumbus të Ohajos, duke parë stërnipin dhe stërmbesën time, më ndodhi diçka e veçantë. Papritur kuptova se po qëndroja në mes, duke pasur tri breza paraardhësish prapa meje, të cilët i kam njohur, dhe tri breza përpara meje. Zemra ime u kthye me të vërtetë drejt etërve të mi. Zemra ime u kthye edhe drejt pasardhësve të mi. Përfytyrova një zinxhir brezash; ai zinxhir shkon prapa, shumë larg, në një të kaluar të largët për të cilën ne dimë kaq pak. Tani ai arrin deri në tri breza pas meje. E përfytyrova atë zinxhir në mendjen time, deri tani të pathyer e të shndritshëm dhe të fortë. …

Tani mendova, ndërsa isha ulur në tempull, se unë jam një hallkë zinxhiri, që i bashkon të gjithë brezat e së kaluarës dhe të gjithë brezat e së ardhmes. Gjithçka që kam në mendje dhe trup, ind e gjymtyrë dhe kyçe e tru, kanë ardhur si një trashëgimi e atyre që ishin përpara meje. Dhe gjithçka që kanë pasardhësit e mi, u ka kaluar atyre nëpërmjet meje. Nuk mund të lejoj që ta thyej atë zinxhir. Pasardhësit e mi nuk mund të lejojnë që ta thyejnë atë zinxhir. …

Do të doja të kisha gojëtarinë e të folurit për t’ju përçuar juve të rinjve këtu sot ndjenjën që pata në tempull, dëshirën e madhe mbizotëruese që as unë, as pasardhësit e mi, të mos e thyejmë kurrë zinxhirin e brezave të familjes sonë.

Juve ju them, me gjithë fuqinë që zotëroj, mos u bëni një lidhje e dobët në zinxhirin tuaj të brezave. Ju vini në këtë botë me një trashëgimi të mrekullueshme. Ju vini nga burra dhe gra të mrekullueshme, nga burra trima e të guximshëm, nga gra me arritje e besim të jashtëzakonshëm. Kurrë mos i zhgënjeni ata. Mos bëni kurrë ndonjë gjë që do ta dobësonte zinxhirin në të cilin ju jeni një pjesë themelore.”1

Shëmbëlltyra e një zinxhiri brezash ishte e qartë në mendjen time. Paralajmërimi për të mos u bërë një lidhje e dobët në zinxhirin e brezave, ishte i fuqishëm në zemrën time. Nxitja për të mos bërë kurrë ndonjë gjë që do ta dobësonte zinxhirin e brezave, depërtoi në shpirtin tim. Për mua dhe Suzanën, mësimet e thjeshta dhe të fuqishme që mësuam atë pasdite shtatori, kanë ndikuar për mirë në martesën tonë, familjen tonë dhe në çdo aspekt të jetës sonë.

Familja Koll

Kur ishte vajzë e re, gjatë kohës që rritej në qytetin e saj të lindjes në Afton të Uajomit, Suzana njihte dhe admironte një familje në lagjen e saj, e cila është një shembull i mrekullueshëm i zinxhirit të brezave.

Fjalët e Motrës Suzan K. Bednar

Në lagjen ku u rrita, jetonte një familje e jashtëzakonshme e cila kishte 14 fëmijë. Nëna dhe babai, Besi dhe Evan Kolli, ishin martuar në tempull dhe kishin qëndruar të vërtetë e besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre. Ata u mësuan fëmijëve të tyre doktrinën e ungjillit të rivendosur dhe patën bekimin që të rritnin një familje të drejtë.

Disa vite më parë, takova një të re të bukur në një mbledhje sakramenti ku po merrja pjesë. Ndërsa m’u paraqit, ajo më përmendi se e njihja nënën e saj. Nëna e saj, ishte një bijë e Vëllait dhe Motrës Koll dhe një mike e çmuar që nga rinia ime. Kjo e re që takova në mbledhjen e sakramentit, ishte mbesa e çiftit Koll. Pasi e pyeta, zbulova se ajo ishte mbesa e 44-t nga 96 nipër e mbesa dhe foshnja e saj e vogël ishte stërmbesa e 230-të e Besi dhe Evan Kollit. Këta numra më lanë pa fjalë. Sa shumë pasardhës!

Kam menduar shumë herë që nga ajo kohë: Po sikur Vëllai dhe Motra Koll të mos ishin martuar në tempull apo të mos i kishin mbajtur besëlidhjet e tyre? Po sikur ata të mos kishin qëndruar të vërtetë ndaj “besim[it] të jashtëzakonshëm” të brezave të mëparshëm? Po sikur ata të mos ua kishin mësuar ungjillin fëmijëve të tyre me anë të shembullit dhe parimit? Po sikur ata të kishin qenë një lidhje e dobët në zinxhirin e brezave të tyre? Sa njerëz do të ishin ndikuar nga kjo? Përgjigjja është e qartë. Vendimet e marra nga ky çift kanë ndikuar tashmë në më shumë se 300 pjesëtarë të familjes – dhe numri vazhdon të rritet ndërsa më shumë stërnipa e stërmbesa dhe stër-stërnipa e stër-stërmbesa mirëpriten në këtë familje.

Krahasojeni këtë me një përvojë të ndryshme që pata me një mike të shtrenjtë joanëtare, të cilën e njihja prej shumë kohësh. Përfytyrojeni tronditjen time kur, një ditë, ajo përmendi rastësisht se kishte një gjyshe mormone. U befasova ngaqë ajo nuk dinte asgjë rreth doktrinës dhe parimeve të ungjillit dhe nuk kishte qenë kurrë e interesuar për t’i ditur ato. Megjithëse nuk e di përgjigjen, shpesh e kam pyetur veten: “Ku ndodhi thyerja në zinxhirin e brezave të saj?” Pasoja e sigurt është që mikesha ime nuk i kishte shijuar kurrë bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit në jetën e saj për shkak të vendimeve të marra nga ata që i paraprinë asaj.

Si një lidhje në zinxhirin e brezave tuaj, ju duhet ta pranoni se vendimet që merrni tani dhe në të ardhmen, nuk ndikojnë vetëm te ju. Vendimet tuaja ndikojnë si tek ata që kanë shkuar përpara jush, edhe tek ata që vijnë pas jush. Shembulli dhe ndikimi i bindjes suaj ndaj parimeve të ungjillit, fuqia e drejtësisë suaj vetjake dhe pasojat e vendimeve që ju merrni, për mirë apo për keq, do të shtrihen gjatë gjithë brezave. Ju lutem, jini një lidhje e fortë në zinxhirin e brezave tuaj.

Unë kam një dëshmi për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Dëshmoj se martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore për fatin e përjetshëm të fëmijëve të Perëndisë.

Dëshmoj se, për shkak të flijimit të Tij shlyes, Jezu Krishti na shëlben nga mëkatet tona dhe zgjedhjet e këqija dhe gjithashtu na jep forcë përtej forcës sonë që të qëndrojmë të vërtetë ndaj ungjillit dhe besëlidhjeve që bëjmë, veçanërisht kur shohim se përvojat e jetës janë të vështira.

E di se Fryma e Shenjtë sjell mbresa shpirtërore në mendjen dhe zemrën tonë dhe do të na ndihmojë që të zbulojmë dhe të zbatojmë mënyra për të qenë një lidhje besnike në zinxhirin e brezave tanë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Fundi i fjalëve të Motrës Suzan K. Bednar

Një Lidhje Bashkëngjitëse

Shpresoj që tani t’i bazoj fjalët e mia mbi mësimet e Presidentit Hinkli rreth “zinxhirit [tonë] të brezave”. Ai e përshkroi qartë dhe me forcë atë që nuk duhet të bëjmë, që është të bëhemi një lidhje e dobët në zinxhirin e brezave. Dua të përqendrohem tek ajo që duhet të bëjmë, që është të bëhemi një lidhje bashkëngjitëse në zinxhirin e brezave.

Te Doktrina e Besëlidhje 128:18, ne mësojmë “se toka do të goditet me një mallkim , në qoftë se nuk ka një lidhje bashkëngjitëse të një lloji ose të një tjetri midis etërve dhe fëmijëve, për një çështje ose për një tjetër – dhe vini re, cila është kjo çështje? Është pagëzimi për të vdekurit. Sepse ne pa ta nuk mund të bëhemi të përsosur; as ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur. As ata, as ne nuk mund të bëhemi të përsosur pa ata që kanë vdekur në ungjill gjithashtu; sepse është e nevojshme në fillimin e periudhës së plotësisë së kohëve, periudhë e cila po fillon të hyjë tani, që një bashkim i plotë dhe i tërë, dhe i përsosur, dhe lidhja së bashku e periudhave të kujdestarisë dhe e çelësave, dhe e fuqive, dhe e lavdive të ndodhë dhe të zbulohet në ditët e Adamit madje deri në kohën e tanishme.”2

Ju ftoj të merrni në shqyrtim dy pyetje bazë që dalin nga ky shkrim i shenjtë.

Pyetja e parë: Çfarë është lidhja bashkëngjitëse? Presidenti Jozef F. Smith dha mësim: “Duhet të ketë një bashkëngjitje së bashku dhe një bashkim së bashku të prindërve dhe fëmijëve e të fëmijëve dhe prindërve, derisa i gjithë zinxhiri i familjes së Perëndisë do të lidhet së bashku në një zinxhir dhe ata të gjithë do të bëhen familja e Perëndisë dhe e Krishtit të Tij”3.

Rivendosja e autoritetit dhe çelësave të priftërisë në këtë periudhë të fundit ungjillore bën të mundur që secili prej nesh t’i marrë, t’i kujtojë dhe t’i nderojë ordinancat, si për shpëtimin individual ashtu edhe për ekzaltimin e familjes. Elija me të vërtetë ka ardhur ashtu siç u premtua, për të dhënë çelësat e priftërisë dhe autoritetin vulosës që i kthen zemrat dhe i farkëton lidhjet bashkëngjitëse përgjatë brezave. Sërish në tokë, në këto ditë të mëvonshme, ka shërbëtorë të autorizuar të cilët mund të japin bekimet e shenjta të dhëna me anë të Shpëtimtarit, “se çfarëdo që ti vulos në tokë, do të vuloset në qiell; dhe çfarëdo që ti lidh në tokë, në emrin tim dhe me anë të fjalës sime, thotë Zoti, do të jetë përjetësisht e lidhur në qiej”4.

Pra, “ordinancat me mëkëmbës që ne kryejmë në tempuj, duke filluar me pagëzimin, bëjnë të mundur një lidhje bashkëngjitëse të përjetshme midis brezave, gjë e cila përmbush qëllimin e krijimit të tokës”5.

Pyetja e dytë: Si e ruan lidhja bashkëngjitëse tokën nga të qenit e goditur me një mallkim? Presidenti Jozef Filding Smith shpalli: “Nuk është vetëm çështja e pagëzimit për të vdekurit, por gjithashtu vulosja e prindërve dhe fëmijëve me prindërit, në mënyrë që të jetë një ‘bashkim i plotë dhe i tërë, dhe i përsosur, dhe lidhja së bashku e periudhave të kujdestarisë dhe e çelësave, dhe e fuqive, dhe e lavdive’, nga fillimi deri në fund të kohës. Nëse fuqi[a] vulosëse [e rivendosur nga Elija] nuk do të ishte në tokë, atëherë do të mbretëronte çoroditja dhe rrëmuja do të zinte vendin e rregullit në atë ditë kur Zoti do të vijë dhe, sigurisht, kjo nuk mund të ndodhë, sepse të gjitha gjërat sundohen dhe kontrollohen nga ligji i përsosur i mbretërisë së Perëndisë.”6

Përse do të mallkohej toka? “Thjesht sepse, nëse nuk ka një lidhje të pandashme midis etërve dhe fëmijëve – që është puna për të vdekurit – atëherë ne të gjithë do [të ishim] të flakur; e gjithë puna e Perëndisë do të dështo[nte] dhe do të shkatërrohe[j] tërësisht. … Rivendosja e këtij autoriteti [vulosës] është majaja [apo ndikimi i drejtë] që e shpëton tokën nga një shkatërrim tërësor në ardhjen e Jezu Krishtit.”7

Këto të vërteta themelore të ungjillit na ndihmojnë të kuptojmë përse “martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”8.

Disa prej jush kanë përjetuar pikëllim të madh në marrëdhënie familjare fyese apo të trazuara. Dhe si pasojë, ju mund të keni pak ose aspak dëshirë që të lidheni me njerëz që shkaktuan kaq pikëllim dhe vuajtje.

Ju lutem dëgjoni: hallkat e përjetshme familjare lidhen së bashku vetëm nëpërmjet autoritetit të priftërisë dhe drejtësisë vetjake. Çfarëdo gjërash të këqija që mund të kenë ndodhur në familjen tuaj, unë ju dëshmoj e premtoj se Zoti Jezu Krisht është burimi i shërimit, përtëritjes dhe rivendosjes që ju nevojitet.

Të qarat mund të kenë vazhduar gjatë natës së fatkeqësisë tuaj, por gëzimi mund të shpërthejë në mëngjesin e jetës suaj të re, të bërë të mundur nga Shëlbuesi dhe Shpëtimtari ynë.9

Po Pastaj?

Gjatë diskutimeve për çështje të rëndësishme në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, Presidenti Bojd K. Paker shpesh do të pyeste: “Po pastaj?” Pyetjen e tij e kuptoja kështu: “Pra, çfarë ndryshimi të rëndësishëm shpirtëror do të sjellë kjo ide, ky propozim apo kjo mënyrë veprimi në jetën e anëtarëve të Kishës? A do t’i bekojë me të vërtetë ata të cilëve u shërbejmë?” Në thelb, ai po na ftonte të merrnim parasysh vlerën dhe pasojat në vazhdim të çështjes rreth së cilës po këshilloheshim. Kam zbuluar se pyetja “po pastaj?” është shumë e dobishme për ta përqendruar mendimin tim rreth një çështjeje dhe për të përcaktuar gjërat që kanë më tepër rëndësi.

Pra, ju mund të pyesni: “Vëllai Bednar, cili është ‘po pastaj-i?’ i mesazhit tuaj për ne?” Besoj se përgjigjja për atë pyetje mund të gjendet në tri pyetje që disa prej jush mund të jenë duke ia bërë vetes pikërisht tani.

Ka shumë të reja e të rinj që po marrin pjesë në këtë takim shpirtëror, të cilët janë anëtarë të brezit të parë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ju e keni dëgjuar dhe pranuar mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, jeni pagëzuar dhe konfirmuar me anë të autoritetit të duhur të priftërisë dhe sot për sot jeni duke shkuar përpara me besim të patundur në Krisht. Nëse jeni një i kthyer në besim i kohëve të fundit apo kohë më parë, ju jeni lëngu jetësor i Kishës dhe shpëtimi i familjeve tuaja të tanishme dhe të ardhshme. Ju jeni lidhja e parë në zinxhirin e brezave tuaj.

Por ju mund të jeni duke e pyetur veten: “Si anëtari i vetëm i Kishës në familjen time dhe për shkak se has kundërshtim të fortë nga prindërit, motrat e vëllezërit dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, si mund të bëhem një lidhje e fortë bashkëngjitëse?”

Ndërsa lexoni dhe dëgjoni histori rreth pionierëve të hershëm të kësaj periudhe ungjillore, të cilët vuajtën përndjekje, duruan vështirësi fizike dhe ecën përgjatë rrafshnaltave për t’u vendosur në luginën e Solt-Lejkut, ju mund ta pyetni veten nëse do ta kishit bërë atë që bënë ata. Por shumë prej jush janë duke e bërë atë që bënë ata! Natyra e saktë dhe llojet e sfidave që ju hasni sot, mund të jenë të ndryshme nga ato të pionierëve, por kundërshtimi ndaj së vërtetës së rivendosur është i njëjti sot dhe bëhet përherë e më i fortë.

Në prill të vitit 1986, kryetari i një fisi në Ganën qendrore ndërroi jetë. Në përgatitjet për varrimin po ndihmonte gjysmëvëllai i kryetarit, Fred Antui, i cili një vit më parë ishte pagëzuar dhe konfirmuar si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pa dijeni të Fredit, po bëheshin plane nga motra më e vogël e kryetarit, nëna mbretëreshë, që ai të bëhej kryetari i ri i fisit.

Natën përpara varrimit, një pjesëtar i familjes bisedoi me Fredin fshehurazi dhe e pyeti: “A e di ti se çfarë planesh ka familja për ty?” Fredi u përgjigj: “Jo, jo derisa të më thonë”. Pjesëtari i familjes më pas tha: “Ti do të jesh kryetari i ri”. Fredi u habit dhe tha prerazi: “Jo! Feja ime nuk do të më lejojë ta bëj këtë.”

Të shërbesh si kryetar është nder. Kryetari është kreu i përgjithshëm në fshatrat e tij dhe, kur ai flet, njerëzit do të bëjnë siç urdhërohen. Një kryetar merr mbështetje financiare dhe çfarëdo gjëje që ai ndjen se i nevojitet, i jepet atij. Fredi po shërbente si president dege në kohën kur mësoi rreth mundësisë që të bëhej kryetari. Dhe ai thjesht nuk ishte i gatshëm të merrte pjesë në ritet fisnore që ishin në kundërshtim me parimet e ungjillit të Shpëtimtarit.

Tani citoj vetë përgjigjen e Fredit ndaj lajmërimit befasues të motrës së tij. “Po atë natë, mora makinën time dhe udhëtova për të vizituar një nga të moshuarit e fisit tonë në një fshat atje pranë. Doja të bisedoja me të rreth lajmeve që më ishin thënë. Ai shpjegoi: ‘Jam në dijeni të planeve dhe nuk mund të bëj asgjë për të të ndihmuar që t’i shmangesh të bërit kryetar’.”

Atëherë Fredi tha: “Ti e di që jam i krishterë dhe feja ime nuk do të më lejojë që të jem një kryetar, sepse ka shumë gjëra që një kryetar duhet t’i bëjë që unë nuk do t’i bëj”. Plaku i fisit u përgjigj: “Epo atëherë, kthehu tek udhëheqësit e tu dhe thuaju atyre se je i krishterë dhe që nuk mund të jesh kryetari”. Fredi u përgjigj: “U ktheva për t’ua bërë të ditur udhëheqësve, por ata e shpërfillën mesazhin tim”.

Fredi vazhdoi: “Gjysmëvëllai im [ish-kryetari] duhej të varrosej atë mesnatë, kështu që po i jepja makinës sime prapa të gjithë pjesëtarëve të tjerë të familjes që ishin në makinat e tyre. Kur mbërrita në një kryqëzim, në rrugën që të çonte te varrezat, në vend që të kthehesha majtas me të tjerët, u ktheva djathtas në rrugën që të çonte te Kepi i Bregut dhe u largova me shpejtësi të madhe.”

Për gjashtë muajt vijues, Fredi nuk pati asnjë kontakt me të afërmit e tij. Më vonë ai mësoi se, nëse do të kishte shkuar në varrim, ai do të ishte caktuar si kryetari pasues, duke e vendosur atë në një situatë tepër të vështirë. Përfundimisht ai mësoi se nipi i tij, një bir i nënës mbretëreshë, ishte caktuar kryetari i ri.

Kur Fredi mori atë kthesë djathtas dhe u drejtua për në Kepin e Bregut, ai po forconte lidhjen e parë në zinxhirin e brezave të tij. I patundur në dëshminë e tij për doktrinën dhe parimet e ungjillit të rivendosur, drejtimi i jetës së Fredit ndryshoi në mënyra të mrekullueshme. Ai dhe Motra Antui ishin misionarët e parë kohëplotë nga Afrika Perëndimore që u caktuan të shërbenin në Tempullin e Ganës. Aktualisht, Fredi dhe bashkëshortja e tij shërbejnë përkatësisht si këshilltar në presidencën e Tempullit të Akrës në Ganë dhe si ndihmëskryekujdestare.

Si një i sapokthyer në besim në Kishën e rivendosur të Shpëtimtarit, Fredi u bekua dhe u forcua për ta mposhtur kundërshtimin e fuqishëm prej familjes, miqve dhe të njohurve të tij. Dhe Vëllai e Motra Antui u kanë mësuar me zell fëmijëve të tyre ungjillin e Jezu Krishtit dhe kanë vendosur modele të drejtësisë në familjen e tyre që po shtrihen përgjatë brezave. Ashtu siç filloi me Fredin dhe bashkëshorten e tij, kështu fillon edhe me ju!

Juve që jeni anëtarë të brezit të parë të Kishës: ajo fillon me ju! Ju jeni pionierët, si për paraardhësit tuaj ashtu edhe për pasardhësit tuaj. Pjesëtarë të vdekur të familjes, që ju paraprijnë në zinxhirin e brezave tuaj, janë duke u lutur për ndihmën tuaj dhe ata që do të vijnë pas jush, mbështeten te besnikëria juaj. Ju me të vërtetë keni fuqinë të bëheni lidhje të forta bashkëngjitëse. Mbajeni mend, ajo fillon me ju! Dhe me ndihmën e Zotit, ju mund ta arrini atë.

Disa prej jush mund të jenë duke e pyetur veten: “Si mund të shpresoj të krijoj një familje të përjetshme duke mos qenë kurrë pjesëtar i një shtëpie të fortë shenjtore të ditëve të mëvonshme?” Disa vëzhgime nga vetë përvoja ime mund të jenë të dobishme për ju.

“Zinxhirët e [mi vetjakë] të brezave” janë krejt të ndryshëm në linjat e prejardhjes familjare prej nënës dhe babait. Në zinxhirin e nënës sime, unë jam një anëtar i brezit të pestë në Kishë. Paraardhësit e saj u bashkuan me Kishën në Angli dhe Zvicër, në ditët e hershme të Rivendosjes. Pra, nga ana e mamit unë jam një lidhje në një zinxhir të gjatë brezash besnikë.

Në zinxhirin e babait tim, unë jam një anëtar i brezit të parë të Kishës. Për shkak se babi u bashkua me Kishën më vonë në jetën e tij, unë dhe vëllai im ishim Bednarët e parë që morën priftërinë. Isha i pari në familjen tonë që shërbeu si një misionar kohëplotë. Pra, ashtu si shumë prej jush, unë jam lidhja e parë e ungjillit në zinxhirin e brezave Bednar.

Babai im ishte një burrë i mirë, i përkushtuar dhe punëtor. E dua atë dhe mësova mësime të mëdha duke punuar me të, të cilat më kanë ndihmuar të bëhem njeriu që jam sot. Nëna ime më mësoi të lutesha dhe të gëzohesha në shkrimet e shenjta. E dua atë dhe e vlerësoj flakën e besimit që ndezi në mua. Gjithsesi, është interesante që nuk më kujtohet të jemi lutur, t’i kemi studiuar shkrimet e shenjta apo të kishim ndonjëherë mbrëmje familjare së bashku si familje. U luta dhe e lexova Librin e Mormonit me mamin, por ne kurrë nuk i bëmë këto gjëra së bashku si baba, nënë dhe fëmijë.

Me ndihmën e Zotit, ju mund të krijoni një familje të përjetshme, edhe nëse nuk vini nga lloji i shtëpisë shenjtore të ditëve të mëvonshme që paraqitet ndonjëherë në kapakët e revistave Liahona apo Ensign. Ju lutem, mbajeni mend gjithmonë: ajo fillon me ju!

Vetë fakti që unë nuk kisha përjetuar modele të drejta familjare në shtëpinë e djalërisë sime, krijoi tek unë një dëshirë të fortë që të punoja me zell me Suzanën për t’u siguruar që modele të tilla të ishin gjithnjë pjesë e shtëpisë të cilën ne e krijuam së bashku. Ndërsa u këshilluam me njëri-tjetrin dhe kërkuam ndihmë në lutjet tona, ne u frymëzuam dhe u bekuam që t’i ndihmonim fëmijët tanë të mësonin parimet e ungjillit të rivendosur të Shpëtimtarit. Me siguri ne nuk ishim prindër të përsosur, por morëm dhuratat shpirtërore që na nevojiteshin, dhe gjetëm “forcë përtej vetvetes”10.

Unë dhe ju nuk jemi zënë në kurthin e përvojave tona të kaluara. Ne nuk jemi plotësisht dhe krejtësisht viktima të rrethanave tona të tanishme apo robër të mjedisit tonë. Fryma e Shenjtë do të na mësojë të gjitha gjërat që duhet të bëjmë, përfshirë modelet e drejtësisë familjare, në të cilat ne nuk kemi marrë pjesë më parë. Ajo fillon me ju! Dhe me ndihmën e Zotit, ju mund ta arrini atë.

Disave prej jush u janë thyer zemrat nga pjesëtarë të familjes apo udhëheqës të respektuar të cilët nuk i kanë nderuar besëlidhjet e shenjta të martesës. Ju mund ta pyetni veten: “Nëse prindërit e mi apo çifte të tjera që i kam njohur, u vulosën në tempull dhe martesat e tyre nuk ia dolën mbanë, çfarë shprese kam se martesa ime do të zgjasë përgjithmonë?”

Juve që keni përjetuar pikëllimin e një divorci në familjen tuaj apo keni ndier ankthin e një mirëbesimi të dhunuar, ju lutem mbajeni mend se ajo fillon sërish me ju! Një lidhje në zinxhirin e brezave tuaj mund të jetë thyer, por lidhjet e tjera të drejta dhe ajo që mbetet nga zinxhiri, janë gjithsesi përjetësisht të rëndësishme. Ju mund t’i shtoni forcë zinxhirit tuaj e ndoshta edhe të ndihmoni për t’i rivendosur lidhjet e thyera. Ajo punë do të kryhet një e nga një.

Ne jemi bij e bija të Perëndisë. Sipas planit të përjetshëm të Atit për lumturinë, neve na është dhënë dhurata e lirisë morale të zgjedhjes dhe ne jemi vetëveprues, me aftësinë për të vepruar. Ne nuk jemi thjesht objekte mbi të cilat veprohet. Ne jemi vetëveprues dhe duhet të përfshihemi me zell për të bërë të ndodhë shumë drejtësi.11

Një martesë përmbushëse dhe e lumtur nuk gjendet; përkundrazi, ajo krijohet nga një burrë e një grua që i mbajnë besëlidhjet. Kam frikë se disa prej jush mund të jenë përfshirë në një kërkim të pafund të diçkaje që nuk ekziston. Nuk ka një bashkëshort ose bashkëshorte të mundshëm/e të përkryer, i cili ose e cila mund t’ju mbrojë nga dhembja emocionale dhe ankthi shpirtëror. Por në forcën e Zotit, një burrë dhe një grua besnike, që veprojnë si vetëveprues, mund të krijojnë martesën përmbushëse dhe familjen e përjetshme për të cilën ata kanë shpresuar dhe të cilën e kanë dëshiruar fort.

Shërbimi vetëmohues në një marrëdhënie martesore kërkon durim dhe këmbëngulje në një botë që nxit pa ndërprerje përqendrimin te vetja dhe egoizmin. Por kjo fillon me ju ndërsa veproni dhe shkoni përpara me besim në Shpëtimtarin, ndërsa kërkoni vazhdimisht ndihmë qiellore dhe ushtroni drejtësisht lirinë morale të zgjedhjes. Ju mund ta arrini atë me ndihmën e Zotit.

Premtime, Bekim dhe Dëshmi

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju përgjërohem me të gjithë fuqinë e shpirtit tim që të bëheni një lidhje bashkëngjitëse në zinxhirin e brezave tuaj.

Të bërit një lidhje bashkëngjitëse fillon me ju, duke bërë gjërat e thjeshta që bëri Vëllai dhe Motra Koll për t’i nderuar besëlidhjet e shenjta dhe për t’u mësuar fëmijëve të tyre që ta jetojnë dhe ta duan ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Të bërit një lidhje bashkëngjitëse fillon me ju, duke pasur guximin dhe besimin në Shpëtimtarin për t’u kthyer djathtas, ashtu siç bëri Vëllai Antui.

Të bërit një lidhje bashkëngjitëse fillon me ju, duke i mirëbesuar Frymës së Shenjtë që t’ju mësojë të gjitha gjërat dhe ta ndriçojë shtegun tuaj, madje edhe kur ju nuk e dini saktësisht më përpara se ku duhet të shkoni dhe atë që duhet të bëni.

Të bërit një lidhje bashkëngjitëse fillon me ju, duke e larguar me zell e me guxim errësirën nga mesi juaj12 dhe duke qëndruar të fortë ndaj të këqijave joshëse të ditëve të mëvonshme.

Unë lutem për një bekim apostolik mbi ju, madje që, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju të mund të kuptoni më plotësisht rëndësinë e vendit tuaj në zinxhirin e brezave. E di se ju do të bekoheni dhe forcoheni ndërsa përpiqeni të bëheni një lidhje e fortë bashkëngjitëse. Dhe ju premtoj se me ndihmën e Zotit ju mund ta arrini atë!

Dëshmoj plot gëzim se Jezu Krishti është Biri i Gjallë i Perëndisë së Gjallë. E di që Ai jeton, që Ai është ngritur dhe që Ai na njeh dhe na do si individë. Dëshmoj se autoriteti dhe çelësat e priftërisë që lidhin në tokë e në qiell, janë rivendosur në tokë në këto ditë të mëvonshme. Dhe e di se, ndërsa ndjekim planin e përjetshëm të Atit, ne jemi të lumtur në këtë jetë dhe familjet tona mund të jenë përgjithmonë së bashku. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.

Shënime.

  1. Gordon B. Hinckley, “Chains” (takim shpirtëror në Kolegjin Riks, 7 shtator 1999), video.byui.edu; shih edhe “Ricks College Devotional, September 7, 1999”, Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1: 1995–1999 [2005], f. 471–477.

  2. Doktrina e Besëlidhje 128:18; theksimi i shtuar.

  3. Teachings of the Presidents of the Church: Joseph F. Smith (2011), f. 411.

  4. Doktrina e Besëlidhje 132:46.

  5. D. Todd Christofferson, “The Redemption of the Dead and the Testimony of Jesus”, Ensign, nëntor 2000, f. 11.

  6. Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith (2013), f. 224.

  7. Mësime: Jozef Filding Smith, f. 224.

  8. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  9. Shih Psalmeve 30:5.

  10. “Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek”, Himne, nr. 137.

  11. Shih Doktrina e Besëlidhje 58:27–28.

  12. Shih Doktrina e Besëlidhje 50:23–25.