Përparimi i Vazhdueshëm Drejt Martesës së Përjetshme
Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 5 maj 2019 • Tabernakulli i Solt‑Lejk‑Sitit
[Plaku Karl B. Kuk]
Motra Kuk dhe unë jemi mirënjohës që jemi me ju sonte. Ky transmetim na sjell së bashku nga të gjitha anët e botës, duke përfshirë 99 vende dhe 39 gjuhë. Shumë prej jush po e shohin këtë transmetim drejtpërsëdrejti. Disa do të shohin ritransmetimet për shkak të ndryshimeve të orës. Kudo që të jeni dhe sido që ta shihni këtë takim shpirtëror – mirë se vini!
Ne u drejtojmë një mirëseardhje të veçantë atyre prej jush që e kanë mbaruar kohët e fundit shkollën e mesme, të cilët po marrin pjesë për herë të parë në këtë grumbullim mbarëbotëror. Shpresojmë që, si pjesë e arsimimit tuaj, ju do të frekuentoni institutin dhe klasa të tjera fetare, për të përfituar nga mësimi shpirtëror që është në dispozicion për ju. Pjesëmarrja në klasa dhe veprimtari është një përkrahje e rëndësishme që t’ju ndihmojë të udhëtoni me sukses në këtë periudhë të jetës suaj.
[Motra Linet H. Kuk]
Jemi të bekuar që jemi me secilin prej jush. Na i lartësoni shpirtrat dhe na e shtoni besimin tonë për të ardhmen. E admirojmë mënyrën se si i përgjigjeni asaj që theksojnë profetët dhe apostujt tanë. Pjesëmarrja juaj e mbushur me besim në punën për historinë familjare, në punën misionare dhe punën në tempull – përfshirë shërbimin si punonjës ordinancash – është frymëzuese. Jemi mirënjohës për ju dhe ju duam.
[Plaku Kuk]
Sonte do të filloj duke ju treguar një përvojë që unë dhe Motra Kuk e patëm me disa të rinj në moshë madhore beqarë në Najrobi të Kenias. Po bënim një diskutim të hapur rreth martesës gjatë një takimi shpirtëror. I pyetëm të rinjtë në moshë madhore se çfarë cilësish kërkonin të kishte një shoqërues/e i/e përjetshëm/e.
Pas disa komentesh, ishte e qartë se disa të rinj mendonin se disa të reja pritnin që ata të kishin një diplomë universitare, makinë dhe një vend të rehatshëm për të jetuar përpara se të merrnin parasysh që të martoheshin me ta. Nga ana tjetër, disa të reja komentuan se ishin të gatshme të pritnin për ato gjëra nëse të rinjtë po punonin aktivisht për t’i arritur ato. Ata mund të punonin së bashku për t’i arritur ato.
Le ta provojmë atë sonte. Vëllezër beqarë në moshë për martesë, kudo ku jeni, më lejoni t’ju bëj një pyetje. Sa prej jush mendoni se jeni burra shumë punëtorë, me karakter të mirë, me dëshmi të fortë dhe në harmoni me shpirtin, por ndoshta ndiheni më pak të përgatitur materialisht për ta bërë një grua të lumtur në martesë? Ngrini duart. Lart!
Tani ju motra që jeni beqare. Sa prej jush jeni të gatshme të pritni për bekimet materiale në një martesë, teksa mësoni dhe rriteni përkrah një burri shumë punëtor, të cilin e doni, një burri me karakter të mirë, me dëshmi të fortë dhe në harmoni me shpirtin? Ngrini duart. Lart!
Nëse ndonjëri/a prej jush e hodhi vështrimin nëpër dhomë dhe pa dikë interesant, me dorën e tij ose të saj të ngritur lart, e po …
Në Najrobi unë u lexova një citim nga Manuali 2 që shpjegon: “Tiparet e shpirtrave mashkullorë dhe femërorë janë të tilla që ata e plotësojnë njëri‑tjetrin. Burrat dhe gratë janë paracaktuar që të përparojnë së bashku [drejt] ekzaltimit.”1
Një i ri u ngrit në këmbë dhe tha plot gëzim: “Shkëlqyeshëm! Mendoj se në vend që ta pyes dikë nëse do të martohet me mua, unë do ta pyes nëse ajo dëshiron të përparojë me mua!”
Në fakt, mendoj se ka shumë urtësi në idenë e këtij të riu. Siç thotë një fjalë e urtë afrikane: “Nëse do të shkosh shpejt, shko i vetëm. Nëse do të shkosh larg, shko së bashku.” Po, do të shtoja: “Shkoni së bashku dhe, me ndihmën e Zotit, ju mund të përparoni së bashku dhe ta plotësoni njëri‑tjetrin”.
Nga një këndvështrim matematikor, një plus një baras dy. Por nëse dy njerëz janë të bashkuar, një plus një është e barabartë me më shumë se dy! Dhe nëse Zoti është pjesë e ekuacionit, shuma e përgjithshme është e pafundme dhe e përjetshme!
Siç mund ta keni marrë me mend, ne do të flasim sonte rreth martesës – pak më ndryshe. Do të flasim për përparimin drejt martesës së përjetshme. Dhe ajo e përfshin çdo njeri, përfshirë Motrën Kuk dhe mua. Të martuar ose beqarë dhe pavarësisht nga mosha, ne të gjithë mund të përparojmë nga vendi ku jemi tashmë.
Martesa e përjetshme është ordinanca kurorëzuese e ungjillit të Jezu Krishtit. Ajo përfshin një burrë e një grua që vulosen në tempull dhe që e kanë martesën e tyre të vulosur me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit. Vetëm nëpërmjet marrjes së kësaj ordinance të priftërisë dhe mbajtjes së besëlidhjeve tona, ne mund të marrim bekimin e vazhdimësisë si bashkëshort e bashkëshorte, shoqërues të përjetshëm pas vdekjes.2
Ne kemi një dëshirë brenda vetes për marrëdhënie të përjetshme. Presidenti Nelson ka thënë: “Dëshira më fisnike e zemrës njerëzore është për një martesë që mund të durojë përtej vdekjes”3.
Martesa e përjetshme është e mundshme për secilin prej nesh. Madje me të gjitha rrethanat e vështira me të cilat ndeshen fëmijët e Atit tonë Qiellor në vdekshmëri, martesa e përjetshme është e mundur në planin e Tij të përjetshëm. “Askush nuk është i paracaktuar që të marrë më pak sesa gjithçka që Ati ka [si qëllim] për fëmijët e Tij.”4 Nëse jemi besnikë, neve na premtohet gjithçka që kanë Prindërit tanë Qiellorë, përfshirë një martesë të përjetshme që është një partneritet i vërtetë. Askush që po e dëgjon këtë mesazh, nuk përjashtohet nga ai bekim i premtuar.
Ngaqë “martesa midis burrit dhe gruas është thelbësore në planin e … përjetshëm [të Perëndisë]”5, kundërshtari dhe pasuesit e tij po luftojnë kundër saj dhe beteja po bëhet e ashpër. Satani nuk do ta përjetojë kurrë martesën e përjetshme dhe siç thonë shkrimet e shenjta: “Ai kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë”6. “A[i] gjarpër [i] lashtë, … që ngriti krye kundër Perëndisë, … u shpall luftë shenjtorëve të Perëndisë.”7
Me çfarë ngjan lufta e Satanit kundër martesës së përjetshme? Merrni parasysh sa vijon: Kur ne, si fëmijë besëlidhës të Perëndisë, kërkojmë dashuri, kundërshtari nxit epshin. Kur kërkojmë virtyt, ai tallet me dëlirësinë. Kur kërkojmë shenjtëri, ai na tërheq drejt errësirës. Kur mëkatojmë, ai na ofron shkurajim në vend të pendimit.
Ai ka krijuar një cunam virtual të ndikimeve shkatërruese që po mbulojnë tokën: pornografinë, pabesinë, përçmimin nga njerëzit në “ndërtesë[n e] gjerë dhe të madhe”8, individualizmin, mungesën e zotimit dhe martesat e dështuara, duke përmendur vetëm disa. Edhe nëse ia dalim të shmangim disa prej ndikimeve të botës, rehatia jonë relative mund të na përgjumë deri në vetëkënaqje dhe të na e pengojë përparimin tonë drejt martesës së përjetshme.
Por nëse mirëbesojmë te Perëndia, ushtrojmë besimin tonë dhe lëvizim lart – drejt një niveli më të lartë, ne do të ngrihemi mbi valët vorbulluese të negativitetit që vijnë nëpërmjet teknologjisë, argëtimit të botës, mediave shoqërore dhe nganjëherë si rrjedhim i situatave pikëlluese që i dëshmojmë në jetën e pjesëtarëve të familjes dhe të miqve.
Vite më parë, një i ri besnik na tha në mirëbesim se ishte i shkurajuar për mundësinë e një martese të lumtur. Jo vetëm që prindërit e tij ishin shkurorëzuar, por kështu kishte ndodhur edhe me çdo hallë, teze, xhaxha dhe dajë në familjen e tij. Ai tha se kurrë nuk kishte parë nga afër një martesë të lumtur. Sidoqoftë, me ndihmën e Zotit, ai u ngrit mbi frikën e vet dhe u martua në tempull. Ai dhe bashkëshortja e tij po gjejnë gëzim në martesën e tyre dhe kanë pesë fëmijë të bukur.
Si fëmijë besëlidhës të Perëndisë, ne mund ta ngremë kokën dhe të shohim përpara drejt së ardhmes sonë me besim e vetëbesim. Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, e ka mposhtur botën, vuajti për mëkatet tona dhe siguron një udhë që ne të shkojmë përpara e të përparojmë.
Sikurse po e dëshmojmë të gjithë, qiejt janë hapur dhe zbulesa po rrjedh nëpërmjet profetëve dhe apostujve tanë që ta forcojë vijën ndarëse midis nesh dhe kundërshtarit. Zoti po i mbledh forcat e Tij – ne, fëmijët e Tij besëlidhës – në mjedise të sigurta ku mund të krijojmë martesa dhe familje të përjetshme, madje ndërkohë që bota kalbet.
Pra, çfarë mund të bëni ju vetë që t’i luftoni ndikimet e kundërshtarit? Si mund ta ndaloni baticën e negativitetit që e rrethon martesën? Si mund ta mposhtni fuqinë e kundërshtarit në jetën tuaj dhe vazhdimisht të përparoni drejt një martese dhe familjeje të gëzuar e të përjetshme? Përgjigjja është e thjeshtë. Ju mund ta jetoni ungjillin e Jezu Krishtit, të merrni nga fuqia e Shlyerjes së Tij, të përgatiteni për kthimin e Tij dhe t’i ndihmoni të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
Ju që jeni të martuar, mund të kryesoni gjatë udhës duke krijuar shtëpi të përqendruara tek ungjilli dhe duke folur pozitivisht rreth martesës me vëllezërit e motrat tuaja të pamartuara, që po përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve.
Lajme të Mira
Sonte, Motra Kuk dhe unë dëshirojmë të tregojmë disa lajme të mira rreth martesës. Dhe ka plot lajme të mira!
Le ta fillojmë duke shprehur ndjenjat tona të sinqerta dhe dëshmitë tona të thella që martesat dhe familjet e lumtura dhe të suksesshme mund të ndërtohen sot, nga njerëz të papërsosur si ju dhe unë, në qoftë se i ngremë ato mbi një themel ungjillor të besimit tek Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij; të lutjes; pendimit; faljes; dashurisë; ndershmërisë; besnikërisë; unitetit dhe besëlidhjeve të tempullit.9
Presidenti Nelson shpjegon: “Çdo martesë fillon me dy dobësi të brendshme. Ajo përfshin dy njerëz jo të përsosur. Atyre mund t’u vijë lumturia vetëm nëpërmjet përpjekjes së tyre të sinqertë.”10 Kërkimi për një martesë të përjetshme nuk është rastësor as automatik. Ai është një udhëtim për gjithë jetën që kërkon përulësi, zell dhe përpjekje të ndërgjegjshme si nga bashkëshorti ashtu edhe bashkëshortja.
Lajmi më i mirë është që Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe Shlyerja e Tij e bëjnë të mundur përparimin e vazhdueshëm. Krahët e Tij janë gjithmonë të shtrirë drejt nesh. Ndërsa ushtrojmë besim tek Ai, lutemi dhe bëjmë përpjekjen më të zellshme, mrekulli ndodhin në jetën tonë. Qëllimi i mirë çon drejt veprimit, pendimi çon drejt faljes, dobësia i hap udhën forcës dhe veset tona zëvendësohen nga virtyti. Shpresat dhe ëndrrat tona për një martesë të lumtur bëhen realitet ndërkohë që ne forcohemi dhe aftësohemi nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, si individë ashtu edhe si çifte, ditë pas dite.
Tani do të dëgjojmë nga Motra Kuk. Jam mirënjohës për shoqëruesen time të mirëbesuar; e di se ajo e do Zotin dhe është e zotuar ndaj Tij, si dhe ndaj meje. Lineta është mikja ime më e mirë. Ajo është shoqëruesja ime e përjetshme dhe e shtrenjtë.
[Motra Kuk]
Jam kaq mirënjohëse për shoqëruesin tim të përjetshëm. Ai është i mirë dhe shumë i duruar. Dhe gjithashtu argëtohemi së bashku. Jam mirënjohëse për bekimin e ndarjes së jetës me të dhe të përparimit së bashku.
Sonte shpresojmë që t’ju ndihmojmë ta rritni besimin tuaj se të gjithë ne, pavarësisht nga rrethanat dhe papërsosuritë tona, mund të përparojmë drejt martesës së përjetshme. Do të donim t’ju tregonim për dy çifte të zakonshme, të cilët po e bëjnë pikërisht këtë. Këto çifte janë vulosur në tempull. Ata kanë bërë besëlidhje me njëri‑tjetrin dhe me Perëndinë që t’i zbatojnë urdhërimet e Tij dhe t’i zbatojnë parimet e ungjillit në martesat e tyre. Ata janë zotuar që ta rritin dashurinë dhe unitetin që e kanë me njëri‑tjetrin dhe me Perëndinë.
Teksa i tregoj këto histori, kushtojini vëmendje të veçantë përpjekjes që po bëjnë ata për të zhvilluar tipare si të Krishtit, të cilat janë blloqet ndërtuese për një martesë të përjetshme.
Daui dhe Elisa
I takuam Dauin dhe Elisën11 disa vite më parë në Afrikën e Jugut. Ata janë shembull i gëzimit që vjen në një marrëdhënie kur një bashkëshort e një bashkëshorte kanë unitet.
Gjatë një takimi shpirtëror në një degë mbi forcimin e familjeve, Plaku Kuk e pyeti grupin se çfarë bënin për t’i forcuar martesat e tyre. Daui tregoi një përvojë që e kishte pasur me bashkëshorten e vet. Hëngrën mëngjesin një të diel. Më pas, për shkak të largësisë së vendit ku jetonin nga shtëpia e mbledhjeve, ata ecën dy orë për në kishë, morën pjesë në tri orët e mbledhjeve dhe pastaj ecën edhe dy orë të tjera për t’u kthyer në shtëpi. Ishin të lodhur dhe të uritur, por nuk kishin ushqime. Më së fundi shkuan në shtrat të uritur.
Në mes të natës, që të dy u zgjuan nga gërryerja e stomakut. Daui u ndje shumë keq që nuk kishte siguruar ushqim për Elisën. Ishte i shqetësuar se çfarë po ndiente ajo për të. Por në vend që të ishte e trishtuar apo e zemëruar, Elisa bëri shaka rreth zhurmave të çuditshme që po bënte stomaku i tij. Të dy qeshën së bashku dhe më së fundi ranë përsëri në gjumë.
Në takimin shpirtëror, Daui shprehu vlerësim për mirësinë, përkrahjen dhe besnikërinë e saj. Ai tha: “Ajo mund të më kishte lënë. Është përgjegjësia ime që të siguroj për të. Por jemi të dy njësoj.”
Kur iu kërkua të shprehte mendimet e saj për përvojën, Elisa tha: “Ai është miku im më i mirë. Bën kaq shumë për mua. Kur kam probleme me njerëzit në punë, ai më jep këshillë dhe më ndihmon të ndihem më mirë.”
Ishte e dukshme që Daui dhe Elisa po i kapërcenin sfidat e jetës së bashku. Sipas fjalëve të Dauit, ata janë “njësoj”. Mospasja e ushqimit nuk ishte problemi “i tij” ose problemi “i saj”, por problemi “i tyre”. Ata nuk e trajtuan mungesën e ushqimit si një krizë të madhe martesore, por si një pengesë të përkohshme që në njëfarë mënyre do ta kapërcenin së bashku. Ata përdorën humor për ta zbutur gjendjen. Shfaqën besim kur shkuan të flinin, duke pritur që ata mund ta përmirësonin gjendjen e tyre të nesërmen.
Daui dhe Elisa nuk janë të zotuar vetëm ndaj njëri‑tjetrit, ata janë të zotuar edhe ndaj Perëndisë. Ata kanë besim që nëse i zbatojnë urdhërimet e Tij, Ai do t’i ndihmojë që t’i kapërcejnë sfidat e tyre. Dhe ata po gjejnë gëzim në udhëtimin e jetës së bashku si bashkëshort e bashkëshorte. Ata nuk po i lejojnë rrethanat sfiduese që t’i largojnë nga njëri‑tjetri fizikisht, emocionalisht ose shpirtërisht.12
Daui dhe Elisa kohët e fundit na treguan se Zoti po i bekon. Tani ata kanë plot ushqime jo vetëm për vete, por kanë mjaft sa t’u japin edhe të tjerëve që janë në nevojë.13 Ata po përparojnë së bashku.
Presidenti Nelson na mëson se si mund të përparojmë si çifte.14
Nejti dhe Leksi (Besimi në Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij)
Tani do t’ju tregoj për Nejtin dhe Leksin.15 Ata janë një shembull frymëzues i fuqisë që vjen në një martesë kur si bashkëshorti edhe bashkëshortja ushtrojnë besim në Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.
Nejti dhe Leksi u martuan dhe mezi pritnin të kishin një fëmijë. Pas muaj pritjeje, ajo më së fundi ngeli shtatzënë. E përhapën lajmin gjithë gëzim. Fatkeqësisht, pak kohë më vonë, Leksi e dështoi fëmijën. Ishin të pikëlluar.
Pas disa muajsh të tjerë, Leksi dhe Nejti po prisnin sërish një fëmijë. Shtatzënia shkoi mirë këtë herë. Pak kohë para se të lindte fëmija, isha në një festë me Leksin. Që të gjithë, përfshirë Leksin, ishin të emocionuar që vajza e tyre e vogël do të vinte në jetë së shpejti.
Pak kohë më pas, u trishtuam kur dëgjuam se fëmija i tyre kishte vdekur. Leksi e lindi të pajetë vajzën e tyre të vogël në një pavijon plot me nëna e foshnja. Ishte një lajm rrënues. Plaku Kuk dhe unë shkuam t’i vizitonim Nejtin dhe Leksin në shtëpinë e tyre. Pritëm që t’i gjenim në një gjendje të tmerrshme vajtimi.
Kur hymë në shtëpi, ndiem një shpirt plot paqe. Nejti dhe Leksi na mirëpritën ngrohtësisht. U ulën pranë njëri‑tjetrit në divan dhe u mbajtën te njëri‑tjetri teksa na treguan disa nga hollësitë lidhur me humbjen e bijës së tyre. Na treguan për mëshirat e dhembshura me të cilat i kishte bekuar Zoti që t’ua lehtësonte barrën. Ata shprehën mirënjohje për foshnjën e tyre të bukur, që e kishin quajtur Houp [Shpresa]. Leksi ishte mirënjohëse për mundësinë që kishte pasur të ishte shtatzënë me Houpin dhe t’i kishte dhënë jetë asaj.
Besimi i Nejtit dhe Leksit na frymëzoi. Ne u ngushëlluam nga ky çift i ri. U thashë se e ndjeva që ishte një mrekulli se sa mirë po e përballonin këtë sfidë. Ata që të dy u përgjigjën duke dhënë dëshmitë e tyre për fuqinë lartësuese dhe forcuese të Jezu Krishtit dhe të Shlyerjes së Tij. Barra e tyre ishte e rëndë, por Ai po i ndihmonte ta mbartnin atë. Zoti i kishte trajtuar me dhembshuri dhe Nejti e Leksi po e trajtonin njëri‑tjetrin me dhembshuri. Ata ishin të bashkuar me Perëndinë dhe me njëri‑tjetrin.
Me ndihmën e Zotit, sfidat mund të na bashkojnë. Plaku D. Tod Kristoferson ka thënë: “Pa Perëndinë, … përvoja të errëta priren drejt shkurajimit, dëshpërimit dhe madje hidhërimit. Me Perëndinë, qetësimi e zëvendëson dhembjen, paqja e zëvendëson trazirën dhe shpresa e zëvendëson pikëllimin.”16
Shpresojmë që historitë e këtyre çifteve t’ju ndihmojnë që ta forconi besimin tuaj te martesa. Jeta është sfiduese, por ne të gjithë mund të përparojmë drejt martesës së përjetshme teksa vëmë në zbatim parimet e ungjillit.
[Plaku Kuk]
Përveç çifteve që i kemi vënë në dukje, shumë të tjerë, në të gjitha anët e botës, kanë martesa të gëzuara dhe në përparim. I takojmë këto çifte kudo që shkojmë. Ata përfshijnë njerëz të të gjitha moshave dhe prejardhjeve. Ju ftojmë që të përcaktoni disa çifte që ju personalisht i njihni. Vështrojini ata; flisni me ta; bëjuni pyetje. Ata nuk do të jenë të përsosur, por mund të mësoni prej tyre. Ata mund t’ju ndihmojnë që ta forconi besimin tuaj te natyra e përjetshme e martesës dhe mund t’ju frymëzojnë që të zhvilloni cilësi si të Krishtit, të cilat do t’ju bekojnë ju dhe shoqëruesin/en tuaj përgjithmonë!
Pengesat
Ngaqë jetojmë në një botë të rënë, na duhet të ndeshemi me pengesat – përfshirë ato në marrëdhëniet tona. Do të përmend disa pengesa që mund t’i hasni teksa përpiqeni fort që të përparoni drejt martesës së përjetshme.
Pritshmëri Realiste
Një pengesë e zakonshme për martesën është pasja e pritshmërive jorealiste për personin me të cilin do të martoheni. Pritshmëritë tona nuk duhet të jenë tepër të larta ose tepër të ulëta. Teksa komunikojmë çiltërsisht e ndershmërisht me Atin Qiellor nëpërmjet lutjes së sinqertë, me qëllim të vërtetë, Ai do të na udhërrëfejë.
Vetëkënaqja
Vetëkënaqja është shpesh një pengesë drejt martesës së përjetshme. Është e lehtë të përgjumesh nga siguria mishtore e të jetuarit të një jete me interes të lartë për veten dhe me përgjegjësi të pakta. Ne mund të gjejmë rehatinë e jetës sonë dhe të mos ndiejmë ngutje për t’u rritur. Kjo ndjenjë është në kundërshtim me planin e Atit tonë Qiellor. Qëllimi tërësor i kësaj përvoje në vdekshmëri është të bëhemi siç është Ai. Nuk mund të bëhemi si Ai nëse nuk jemi të gatshëm të rritemi, ndryshojmë e përparojmë. Nëse jeni në një gjendje vetëkënaqësie, lutuni dhe ushtroni besim që të çliroheni dhe të përparoni drejt martesës së përjetshme. Ati Qiellor mund t’ju ndihmojë të dini se çfarë mund të bëni për të përparuar në rrethanat tuaja individuale dhe Ai do t’ju bekojë.
Teknologjia dhe Mediat
Së fundi, një nga ndëshkimet e mëdha të pengesave tona – dhe pengesave të kohës sonë, është përdorimi jo siç duhet ose përdorimi i tepërt i teknologjisë dhe mediave. Kjo i dëmton individët dhe i pengon marrëdhëniet, si kur dilni në takime ashtu dhe në martesë. Nëse e gjeni veten duke përdorur Pinterest‑in, duke vënë komente, fotografi në faqe interneti, duke luajtur, duke fituar, duke përdorur Twitter‑in, Snapchat‑in e Tinder‑in më shumë sesa e gjeni veten ballë për ballë me një njeri të gjallë real duke folur, qeshur, treguar, ndihmuar, ecur, pyetur, mësuar, duke u kujdesur e duke dhënë, ndoshta teknologjia dhe mediat po ju largojnë nga përparimi drejt gëzimit të vërtetë të një martese të përjetshme. Ndërveprimi në internet nuk është një zëvendësues i përshtatshëm për ndërveprimin njerëzor – ndërveprimin me njerëz të vërtetë në kohë reale.
Presidenti Nelson ka theksuar rëndësinë e fikjes së telefonave dhe të vënies së tyre mënjanë. Ai ka thënë: “Koha cilësore e kaluar së bashku është e rëndësishme! Çiftet kanë nevojë për kohë së bashku që t’i ushqejnë marrëdhëniet e tyre. Ata kanë nevojë të mësojnë që të dëgjojnë, dhe të dëgjojnë që të mësojnë nga njëri‑tjetri. Ajo kohë ka nevojë të planifikohet që më parë. Nëse një martesë e lumtur ka rëndësinë më të madhe, ajo meriton kohën më cilësore.”17 Zakonet tona me teknologjinë gjatë viteve tona të beqarisë përçohen edhe në martesat tona.
Mund ta Bëni
Vëllezër e motra, me ndihmën e Zotit ju mund të kapërceni çfarëdo pengese me të cilën ndesheni. Kudo që jeni në shtegun e besëlidhjeve, i cili ju çon drejt martesës së përjetshme, Zoti mund t’ju ndihmojë të përparoni me qëllim që të ecni në shteg së bashku – me dikë që ju e doni. Qofshi beqarë pa ndonjë mundësi plot shpresë, apo në një martesë me shqetësime, të shkurorëzuar me fëmijë, duke u përpjekur të mposhtni një varësi, duke përjetuar sfida shëndetësore ose të shkurajuar në çfarëdo mënyre, balsami shërues i Zotit mund t’ju riparojë, ndreqë e forcojë. Kur ktheheni tek Ai me besim, pendoheni për mëkatet tuaja dhe merrni nga fuqia e Tij për t’ju ndihmuar që të përparoni, mrekulli ndodhin.
Shembuj në Librin e Mormonit e rritin besimin tonë. Më pëlqen shumë kur Nefi u urdhërua të ndërtonte një anije. Ai nuk kishte ndërtuar kurrë anije dhe ai ishte në vendin e shkretë. Ne mund ta krahasojmë gjendjen e tij me detyrën tonë për të krijuar një martesë të përjetshme në këtë botë që nganjëherë e ndiejmë si një vend të shkretë.
Nefi tha lidhur me përvojën e tij: “Dhe në qoftë se fëmijët e njerëzve i mbajnë urdhërimet e Perëndisë, ai i ushqen dhe i forcon ata dhe siguron mjete me anë të të cilave ata mund të plotësojnë gjënë për të cilën ai i ka urdhëruar”18.
Nefi ushtroi besim, veproi me zell dhe Zoti e bëri të aftë që të ndërtonte anijen – një anije që e mbarti atë dhe bashkëshorten dhe familjen e tij përmes oqeanit drejt tokës së premtuar.19
Nëse Nefi mund të ndërtojë një anije me ndihmën e Zotit, ne sigurisht mund të ndërtojmë martesa të përjetshme me ndihmën e Tij. Në fakt, ndoshta ndërtimi i një martese është paksa më sfidues se ndërtimi i një anije, por është gjë që mund të bëhet! Apo jo, Motra Kuk?
Me Kë të Martoheni?
Pra, për ata prej jush që janë beqarë, me kë të martoheni? Sigurisht që këshillat nuk mungojnë rreth faktit se kush mund të jetë personi i duhur. Kur isha i ri, këshilla e babait tim ishte: “Bir, martohu për paratë dhe dashuria do të vijë”. Këshilla e nënës sime ishte: “Martohu për dashurinë dhe paratë do të vijnë”. Më vonë, presidenti im i misionit20 më mësoi: “Martohu për përjetësinë”.
Martesa e përjetshme është një partneritet me Perëndinë dhe është e domosdoshme që të kërkojmë këshillën e Tij lidhur me kë të martohemi. Nuk e zgjedhim shoqëruesin ose shoqëruesen tonë nisur nga paratë ose pasuritë, as thjesht nga dashuria. Ne kërkojmë një martesë të përjetshme.
I vlerësoj mësimet e presidentit tim të misionit. Jam gjithashtu mirënjohës për këshillën që më dha teksa përgatitesha për t’u kthyer në shtëpi. Ai tha se duhej të përparoja vazhdimisht drejt qëllimeve të mia të përjetshme. Sugjeroi që të përgatitesha për martesë dhe të mos e vonoja sapo të dilte mundësia e drejtë.
Rekomandimet
Edhe me qëllimet më të mira, nuk është gjithmonë e lehtë që ta gjeni shoqëruesin/en tuaj të përjetshëm. Shpesh duhet përpjekje e përbashkët. Gjatë vitit tim të parë në shtëpi, u takova me të reja në shkollë, në institut, në punë dhe në kishë. Dola në takime me disa një herë, me disa dy herë, por asnjë nga marrëdhëniet e mia të takimeve nuk u zhvillua përtej miqësisë. Kisha nevojë për ndihmë, prandaj iu drejtova një shoku të mëparshëm misionar tek i cili kisha besim, Mark Ollredit, që jetonte nga ana tjetër e qytetit. I kërkova një rekomandim – një rekomandim për të dalë në takim, dikë të cilës mund t’i kërkoja të dilnim bashkë.
Marku më njihte mua dhe mori në shqyrtim vajza të reja që i njihte. Pasi mendoi ca, ai më dha emrin e Linet Hensenit. Mendoi se ishim një kombinim i mirë dhe do të kënaqeshim me shoqërinë e njëri‑tjetrit, prandaj e takova atë. Marku kishte të drejtë! Ajo ishte një rekomandim i artë, ose siç doli më pas qe një rekomandim diamanti. Ai kishte pasur frymëzim.
Për ata prej jush që janë beqarë, e di se ka shumë mënyra se si mund të kërkoni për shoqëruesin/en tuaj të përjetshëm/me, por disa metoda janë pa dyshim më të mira se të tjerat. Kërkojeni shoqëruesin/en tuaj në vende ku ka më shumë mundësi ta gjeni shoqëruesen/in tuaj të përjetshme/ëm. Shoqërues të përjetshëm – nuk e theksoj dot sa duhet këtë gjë.
Merreni parasysh të kërkoni rekomandim nga një burim i njohur dhe tek i cili keni besim. A keni ndonjë shok apo shoqe të mëparshme misioni, një shok apo shoqe të mirëbesuar shkolle, një shok ose shoqe të mirë nga një lagje e mëparshme? Dikë që ju njeh? Po sikur t’i kërkoni atij ose asaj një rekomandim?
Nëse merrni një rekomandim, ushtroni besim, vihuni në kontakt me personin dhe provojeni një herë. Sigurisht, do të ketë ca rekomandime që nuk funksionojnë, por do të ketë edhe rekomandime të frymëzuara që e ndryshojnë jetën. Besoj se kur ushtrojmë besim, kemi shpresë dhe përfshijmë Atin Qiellor, ndodhin gjëra të mira.
Përparimi së Bashku
Kur Lineta dhe unë filluam të dalim në takime, kënaqeshim shumë gjatë kohës që kalonim së bashku. Takoheshim shpesh me njëri‑tjetrin dhe miqësia jonë u rrit gjithnjë e më shumë çdo ditë. Ishim të ndryshëm nga njëri‑tjetri në disa mënyra, por përputheshim në të gjitha mënyrat e rëndësishme. Ramë në dashuri dhe më së fundi arritëm në një pikë ku ndiem se kishim nevojë të merrnim një vendim. A do të martoheshim dhe të përparonim së bashku? Apo do ta vazhdonim jetën veç e veç?
E vlerësuam realitetin e martesës. Ku do të jetonim? Si do të mbijetonim financiarisht larg prej prindërve tanë? A ishte koha e duhur? U lutëm së bashku për të gjitha shqetësimet tona. Që të dy e ndiem se Ati Qiellor do të ishte i kënaqur nëse do të martoheshim. E ndiem se Ai do të na ndihmonte t’i kapërcenim pengesat që i ndeshëm.
Shumica e kësaj ndodhi gjatë një semestri shkolle. Lineta ishte studente e mirë dhe shkonte shpesh në bibliotekë për të studiuar. Edhe unë shkoja në bibliotekë – për të parë atë. Notat e mia u përmirësuan dhe notat e Linetës ranë. E vërtetë! Por që të dy ramë dakord se ai ishte semestri më i mirë që patëm ndonjëherë. Përse vallë? Përveç lumturisë që ndiem kur ishim së bashku, ne po përparonim drejt një qëllimi të përbashkët. U ndiem të lidhur me njëri‑tjetrin e me Perëndinë dhe u ndiem mirë. Besimi ynë u rrit. Arritëm të ndienim se me ndihmën e Zotit ne mund të kapërcenim çdo gjë. U mbushëm me gëzim.
U vulosëm në Tempullin e Ogdenit në Jutë. Kjo ndodhi gati 40 vjet më parë. Kemi zbuluar vetë se martesa vërtet sjell mundësi më të mëdha për lumturi sesa çfarëdo marrëdhënie tjetër njerëzore.21 Sepse është plani i Zotit.
Kemi folur për shumë gjëra sonte. Shpresojmë që doktrina për të cilën folëm, të pikojë mbi shpirtin tuaj dhe t’ju ndihmojë që të përparoni përgjatë shtegut të besëlidhjeve drejt martesës së përjetshme. Shpresojmë që shembujt që treguam për martesa të lumtura, ta rritin besimin tuaj dhe që Shpirti t’ju ketë pëshpëritur diçka që mund ta bëni për të përparuar. Ndoshta për disa prej jush, Shpirti ju pëshpëriti se me kë mund të përparoni!
Për ata prej jush që po bëjnë atë që duhet për të kërkuar martesën e përjetshme, por asgjë nuk duket se do të ndodhë – qoftë nëse tanimë jeni beqarë ose në një martesë që tregon pak shenja përparimi – ne lutemi që ju do të bekoheni që të qëndroni optimistë dhe të bëni gjithçka mundeni për të dhënë ndihmesë në punën e Zotit dhe të jetoni me gëzim. Presidenti Nelson tha: “Ne e dimë se Zoti do të na gjykojë të gjithëve sipas dëshirave të zemrës sonë, si dhe veprave tona dhe se bekimet e ekzaltimit do t’u jepen të gjithëve që janë të denjë”22. Jini besnikë dhe ecni përpara. Të gjitha bekimet do të jenë tuajat në kohën e Zotit. Unë e di se kjo është e vërtetë.
Vëllezër e motra, mundësia jonë e madhe është që vazhdimisht të përparojmë – të krijojmë e forcojmë martesa çelestiale dhe familje të përjetshme me ndihmën e Zotit. Unë jap dëshmi se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi ynë. Nëpërmjet Tij, ne mund të forcohemi që të bëjmë të gjitha gjërat që na fton të bëjmë Ati Qiellor. Dhe qofshin me ju bekimet e Tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2019 nga Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Varianti: 2/19. Përkthim i “Continually Progressing Toward Eternal Marriage”. Albanian PD60008283 101