Takime Shpirtërore 2021
Largpamësia dhe Baraspesha


Largpamësia dhe Baraspesha

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 2 Maj 2021 • Qendra e Pionierëve

Plaku Geri E. Stivenson: Motrat e vëllezërit e mi të dashur në moshë të re, Lisa dhe unë jemi shumë të lumtur t’ju urojmë mirëseardhjen në këtë takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore. Si fillim, ju sjellim përshëndetjet e sinqerta dhe të ngrohta të Presidentit Rasëll M. Nelson dhe të Presidencës së Parë. Ata ju duan, po ashtu edhe ne dhe, së bashku i nderojmë dhe i mbështetim ata.

Motra Lisa Stivenson: Tani, ne bashkohemi me ju nga një vend tepër i rrallë e i veçantë në historinë tonë si shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Me këtë nënkuptoj vërtet “vendin”.

Plaku Stivenson: Jemi këtu në Qendrën e Pionierëve të përkushtuar rishtas pranë përmendores në Parkun e Trashëgimisë të quajtur “Ky Është Vendi”, në kodrinat sipër Solt‑Lejk‑Sitit të Jutës – vendi që kremton atë deklaratë me ndikim të gjerë nga Presidenti Brigam Jang: “Ky është vendi”1, pas udhëtimit të tyre të mundimshëm me grupin e parë të pionierëve gati 175 vjet më parë.

Motra Stivenson: Të sfilitur e të rreckosur, këta shenjtorë të hershëm të ditëve të mëvonshme u larguan nga përndjekja e egër për t’u vendosur këtu në këtë luginë të djerrë. Përfytyrojeni pamjen e luginës së Solt‑Lejkut që i priste ata. Hapësira e gjerë e shkretëtirës me gëmusha sherebele që rrokulliseshin nga era, ishte provë se vendosja atje nuk do të ishte e lehtë.

Plaku Stivenson: Megjithatë, ata u bekuan me një largpamësi qiellore të paimagjinueshme, të përkrahur nga profecia e Isaias në Dhiatën e Vjetër se Zoti “do të ngr[inte] një flamur për kombet”2. Këta shenjtorë besnikë do ta njihnin edhe një herë paqen dhe qëllimin, me një largpamësi më të lartë të ungjillit, shumë më të lartë sesa majat e maleve që ngjitën për të arritur në luginën e Solt-Lejkut.

Motra Stivenson: Këta pionierë dhe ata që erdhën më pas, do të bënin historinë duke krijuar këtë vend në shkretëtirë. Perëndia i bekoi ata ndërsa kishte filluar mbledhja e Izraelit.

Plaku Stivenson: Edhe sot, po ajo frymë dhe largpamësi e pionierëve mund të gjendet te shenjtorët e ditëve të mëvonshme kudo në botë.

Vetëm disa javë më parë, M. Rasëll Ballardi, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përkushtoi këtë Qendër të re të Pionierëve.

Këtu, njerëzit dhe familjet mund të vijnë dhe të përvetësojnë arritjet madhështore të shenjtorëve të hershëm të ditëve të mëvonshme përballë vështirësive të forta. Gjasat për t’ia arritur ishin të pakta. Pionierët i thirrën Zotit ditë e natë teksa çanë përpara për të mbjellë bimë bujqësore; për të kanalizuar ujin nga kanionet e malit; për të ndërtuar shtëpi e strehë, shkolla e shtëpi mbledhjesh dhe madje një tempull.

Motra Stivenson: Është thuajse tepër e vështirë për të rrokur atë që bënë ata. Largpamësia hyjnore – u rrënjos nga Zoti te profetët e gjallë – duke bekuar jetën e fëmijëve të Tij të zgjedhur që të realizonin qëllimin e Tij.

Plaku Stivenson: Siç mund ta shihni, vetëm disa metra më larg nga ku po qëndroj këtu në Qendrën e Pionierëve, është vetrata prej së cilës shihet përmendorja “Ky Është Vendi”. Dhe në pjesën e poshtme, kemi një panoramë vezulluese të një qyteti që ata filluan ta ndërtonin shumë kohë më parë. Përtej saj, keni një pamje të gjerë, një pamje të largët po të doni, që shikon drejt perëndimit dhe horizontit nga perëndon dielli. Kjo pamje e lartësuar, e shoqëruar me kuptueshmërinë tonë për të shkuarën, e zgjeron dhe i sjell njohuri këndvështrimit tonë për largpamësinë e pionierëve. Ajo gjithashtu mund të shërbejë si një metaforë për të ndihmuar që të thellohet largpamësia jonë vetjake për ungjillin dhe për të na udhërrëfyer kur përballemi me vendime dhe sfida në jetën tonë. Brenda pak ditëve pas deklaratës së profetit që “ky është vendi”3, largpamësia për një tempull, zyrat qendrore të Kishës dhe një vend për t’u bërë një flamur për kombet, filloi hapat e saj të para për t’u bërë realitet.

Ndaj, këtë mbrëmje, ne do të përdorim të shkuarën, largpamësinë e të parëve tanë pionierë, për të na ndihmuar që të fitojmë një largpamësi të qartë për të ardhmen tonë. Fjalët frymëzuese të Uinston Çërçillit duket se lidhen veçanërisht me bisedën tonë sonte: “Sa më prapa të vështroni, aq më larg mund të shihni përpara”4.

Motra Stivenson: Nuk ka asnjë dyshim që ne përballemi me pasigurinë në botë. Pas gati një viti e gjysmë të një pandemie të padëgjuar, çfarë shtrihet përpara? Për secilin prej nesh kërkohet po ajo largpamësi hyjnore dhe po ai udhërrëfim qiellor që përjetuan ata shenjtorë të hershëm, teksa shohim drejt të ardhmes sonë.

Plaku Stivenson: Ju mund të ndiheni të pasigurt se në cilin drejtim të shkoni. Ju mund të kapeni fort pas ëndrrave të të shërbyerit në një mision, të marrjes së një arsimimi, të nisjes së një karriere. Ose mund të jeni duke menduar për rënien në dashuri, martesën, pasjen e një familjeje dhe që të shihni se bekimet e tempullit ju vijnë juve dhe njerëzve tuaj të dashur. Ose ndoshta e keni filluar familjen tuaj të përjetshme dhe tani po përjetoni sfidat e rritjes së fëmijëve të vegjël.

Synimi ynë përfundimtar është i njëjti: të përparojmë përgjatë shtegut të besëlidhjeve, duke u përgatitur besnikërisht për ekzaltimin. Një këndvështrim për ungjillin siguron largpamësi për ju dhe mua që ta shohim qartazi atë shteg.

Motra Stivenson: Kur foli rreth të qëndruarit në shtegun e besëlidhjeve, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Kyçi është të bëjmë dhe të mbajmë besëlidhje të shenjta. Ne zgjedhim të jetojmë dhe të përparojmë në shtegun e besëlidhjeve të Zotit dhe të qëndrojmë në të. Ajo nuk është një udhë e ndërlikuar. Është pikërisht udha drejt gëzimit të vërtetë në këtë jetë dhe drejt jetës së përjetshme pas kësaj jete.”5

Plaku Stivenson: Kështu pra, shpresa jonë është që t’ju tregojmë disa nga përvojat tona vetjake që mund t’ju ofrojnë udhërrëfim teksa u jepni drejtim të gjitha kërkesave në jetën tuaj, për t’ju ndihmuar që të shkoni përpara me largpamësi dhe baraspeshë.

“Eni Shenjtor’” – interpretuar nga The Bonner Family:

Eni shenjtor’, punën mos kini frik’;

Por ecni me gëzim.

Dhe pse ky udh’tim duket i vështir’,

Dita do të ket’ hir.

Më mir’ për ne të mund t’punojm’,

Shqet’simet tona t’i largojm’;

Bëjm’ k’të dhe zemrat do t’ken’ g’zim –

Gjithçka mir’! Gjithçka mir’!

Pse të vajtojm’ se i rënd’ ësht’ yni fat?

S’ësht’ ashtu; gjithçka mir’.

Pse të mendojm’ do t’fitojm’ shpërblim t’madh

Luft’s po t’i shmangemi?

Gati t’jeni; guxim t’merrni.

Per’ndia kurr’ nuk na braktis;

Shpejt një legjend’ do të themi –

Gjithçka mir’! Gjithçka mir’!

Vendin do t’gjejm’, Per’ndia na e dha sot,

Fort larg në perëndim,

Atje askush s’na tremb e s’na nget dot’;

Shenjtor’t do t’ken’ bekim.

Gjith’ ajri veç muzik’ do t’ket’,

Lavdi do i thurim Per’ndis’, Mbret;

Mbi gjithçka k’to fjal’ do t’themi –

Gjithçka mir’! Gjithçka mir’!

Edhe në vdekshim përgjat’ udh’timit,

G’zohuni! Gjithçka mir’!

Plaku Stivenson: “G’zohuni! Gjithçka mir’!”6 është në të vërtetë, një thënie me largpamësi mbresëlënëse nga pionierët e hershëm. Largpamësia e tyre që është “gjithçka mir’” mes sfidave dhe vuajtjeve, ishte e mundur për shkak të këndvështrimit të tyre për ungjillin.

Ne mund të kalojmë një orë duke folur për largpamësinë, të cilën disa e karakterizojnë si “artin e të parit të gjërave që janë të padukshme për të tjerët”7. Kjo të çon te një pyetje që të gjithë ju do t’ia bëni vetes në një kohë apo në një tjetër: “Çfarë shoh aktualisht për veten në perspektivë? Ku kam qenë? Dhe ku po shkoj?”

Motra Stivenson: Ndonjëherë neve thjesht na nevojitet ta kuptojmë se me një këndvështrim të ungjillit dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë, ne kemi një largpamësi më të madhe për atë që është e mundur. I tillë është rasti kur nisni përpjekjet tuaja aktuale arsimore ose profesionale, edhe pse ndoshta jeni ende në shqyrtim e sipër.

Plaku Stivenson: Kam qenë në një pozicion të tillë në karrierën time të hershme profesionale. E fillova jetën time profesionale me një mik fëmijërie duke nisur një biznes kur ishim studentë në universitet, duke importuar mallra për dhurata nga Azia. Përgjatë 30 vjetëve në vijim, sipërmarrja jonë ndryshoi plotësisht dhe u rrit ndjeshëm në shkallë niveli. Një pyetje që na bëhej shpesh, ishte: “Kur e filluat biznesin, a ishte kjo largpamësia juaj?” Epo, përgjigjja e shkurtër është “jo plotësisht”.

Largpamësia ka nevojë të përshtatet sistematikisht dhe rregullisht. Nisja si importues i vogël i mallrave prej bronzi për dhurata dhe më pas rritja deri në një ofrues të madh të produkteve sportive, kërkoi shumë fat dhe përshtatje të largpamësisë sonë gjatë procesit. Braktisja dhe krijimi i një plani të ri, ripërtëritja dhe përshtatja është vërtet një forcë, jo një dobësi.

Motra Stivenson: Megjithatë, kjo është pika ku ne vëmë në dukje epërsinë domethënëse që kemi për gjetjen e largpamësisë sonë. Për shkak se keni një njohuri të ungjillit, ashtu si pionierët, ju jeni të bekuar me një këndvështrim të ungjillit. Epërsia juaj është që ta shihni udhëtimin tuaj në vdekshmëri me një pikëpamje që është mirëfilli qiellore.

Plaku Stivenson: Një këndvështrim i përjetshëm ose ungjillor siguron qartësi të dobishme që të tjerët nuk e gëzojnë – qoftë edhe në çështjet e përkohshme të arsimimit dhe profesionit. Do të donim të përpiqemi t’jua tregojmë këtë më mirë me figura sesa me fjalë.

Pra, ju kërkojmë ta shikoni këtë figurë. Tani, çfarë shihni? A e dini se çfarë paraqet kjo figurë?

Tani, a ju ndihmon ky këndvështrim i ri që t’ju japë qartësi? Kaq ka për të parë? Si mendoni? Le t’i hedhim një sy në vijimësi teksa shpaloset, prandaj shiheni me kujdes.

Plaku Stivenson: Tani, nëpërmjet këtij ushtrimi të thjeshtë, ju mund të shihni – thuajse mirëfilli – përtej asaj që keni përpara syve në këtë çast. Largpamësia juaj përmirësohet sa më larg të shkoni.

Një thënie e mençur dhe e njohur te Fjalët e Urta thotë: “Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar”8.

Ky parim i vërtetë u përshkrua më tej në kohën tonë nga Presidenti M. Rasëll Ballard, kur tha: “Ata që arrijnë më shumë në këtë botë, janë ata që kanë një përfytyrim për jetën e tyre”9. Sa e vërtetë është kjo!

Largpamësia jonë shpirtërore, e cila vjen nga këndvështrimi ynë i ungjillit, siguron ide për të gjitha përparësitë e jetës. Na lejon që t’i përputhim ato përparësi dhe t’i mbajmë siç duhet të baraspeshuara. Ja përse shohim një lidhje shumë të ngushtë ndërmjet largpamësisë dhe baraspeshimit.

Do të doja t’ju tregoja parimin e baraspeshimit duke iu referuar një përvoje vetjake që kisha.

Një miku im, i njohur në profesionin e tij, ndodhi që ishte edhe një pilot helikopteri i aftë dhe me përvojë. Në një ditë të ngrohtë vjeshte, ai na telefonoi e na tha se po fluturonte për në Solt-Lejk-Siti dhe pyeti nëse partneri im në biznes dhe unë donim të ndalonim në një pronë në zonën malore gjatë trajektores.

Për të shkuar atje me kamionçinë do të duheshin dy orë. Me helikopter, do të duheshin vetëm 15 minuta. Kështu që vendosëm të shkonim.

Ishte një ditë e bukur për të fluturuar. Mund të shihnim ngjyrat e gjetheve të vjeshtës ndërsa filluam të uleshim. As edhe një minutë nuk duhej nga ulja e plotë kur helika e bishtit të helikopterit pësoi avari. Kjo bëri që helikopteri të rrotullohej në mënyrë të pakontrolluar. Ishin rrethana të llahtarshme.

Për fatin tonë të mirë, trajnimi i pilotit për protokollin e urgjencave në ulje ishte gati instiktiv për të. Ai e dinte që nëse do të uleshim me turirin së pari ose me barkun e helikopterit, nuk do t’i mbijetonim uljes.

Në mes të rrotullimit të pakontrolluar, ai me zotësi e ktheu helikopterin në pjesën anësore dhe u përplasëm me tokën.

Lënda djegëse po rridhte dhe nga motori po dilte zjarr. Ai qe në gjendje ta fikte motorin dhe ne dolëm nga helikopteri pa pësuar shpërthim. Prej veprimeve të pilotit dhe dorës së Zotit, ne qemë të bekuar që i mbijetuam përplasjes së helikopterit.

Kam mësuar shumë rreth helikopterëve që nga ajo ditë. Përvoja jonë e përplasjes së helikopterit ishte rezultat i një mosfunksionimi të helikës së bishtit që krijoi mosbaraspeshim ndërmjet elementeve kritikë që e mbajnë një helikopter në ajër. Kur arrihet baraspesha ndërmjet shpejtësisë së helikës kryesore, helikës së bishtit dhe këndit, fluturimi i helikopterit mund të jetë ngazëllues. Nëse jo, është tmerrues! Mund të dëshmoj vetë për këtë.

Le të marrim një çast për t’i shqyrtuar këto elemente kritike më në hollësi.

E para është helika kryesore. Xhirot dhe gjatësia e fletëve krijojnë ngritjen dhe forcën e rrotullimit. Megjithatë, forca e rrotullimit e shkaktuar nga helika kryesore duhet të jetë disi e baraspeshuar, përndryshe helikopteri do të rrotullohet në mënyrë të pakontrolluar.

Motra Stivenson: Ja përse një helikopter ka një helikë të bishtit. Ajo krijon kundërshtim ndaj forcës së rrotullimit të krijuar nga fletët e sipërme. Shpejtësia e helikës kryesore kontrollohet nga piloti me një komandues dore. Shpejtësia e helikës së bishtit kontrollohet me këmbë nga piloti. Përshtatjet e vazhdueshme të shpejtësisë së këtyre dy helikave janë absolutisht të nevojshme.

Nëse jo, edhe njëherë, rezultati nuk është i mirë.

Plaku Stivenson: Tjetra është leva. Leva kontrollon këndin e helikopterit, që si rrjedhojë kontrollon drejtimin e helikopterit, aftësinë e kthimit dhe qëndrueshmërinë, duke funksionuar në harmoni me helikën kryesore dhe helikën e bishtit. Piloti e lëviz levën me dorën e djathtë.

Së fundmi, pesha e ngarkesës dhe këndi i helikopterit përcaktojnë shpejtësinë dhe fuqinë që kërkohet për helikën kryesore dhe helikën e bishtit.

Motra Stivenson: Kur të gjitha këto elemente janë të sinkronizuara, baraspesha është e bukur. Helika kryesore, helika e bishtit, leva, pesha dhe këndi – mirëfilli e mposhtin forcën e rëndesës.

Si mund ta lidhni fluturimin e bukur e megjithatë të ndërlikuar të një helikopteri, me pasjen e baraspeshës në jetën tonë?

Plaku Stivenson: Më lejoni t’ju paraqes disa mendime të frymëzuara nga një mesazh i dhënë nga Presidenti Gordon B. Hinkli, në një konferencë udhëheqjeje, në të cilën mora pjesë njëherë vite më parë. Ndoshta do ta krijojë atë lidhje për ju.

Ai përshkroi që “secili prej nesh ka një përgjegjësi të katërfishtë. Së pari, ne kemi përgjegjësi ndaj familjeve tona. Së dyti, ne kemi përgjegjësi ndaj punëdhënësve tanë. Së treti, ne kemi përgjegjësi ndaj veprës së Zotit. Së katërti, ne kemi përgjegjësi për veten tonë.”10

Duke përdorur të njëjtën analogji të baraspeshës nëpërmjet varësisë së ndërsjellë të elementeve kritike të një helikopteri, le t’i shohim këto katër përgjegjësi në të njëjtën mënyrë.

Motra Stivenson: E fillojmë me shtëpinë dhe familjen, elementet kritike në jetën e secilit prej nesh. Është e rëndësishme që të mos ta shpërfillni familjen së cilës i përkisni. “Asgjë nga ato që keni, nuk është më e çmuar. … Marrëdhënia familjare është ajo që do të merrni … në jetën e përtejme.”11 Shumë është bërë në vitet e fundit nga udhëheqësit e Kishës për të theksuar rëndësinë e shtëpisë dhe të familjeve.

Udhërrëfimi i kohëve të fundit për sa i takon baraspeshës së re ndërmjet udhëzimeve të ungjillit në shtëpi e kishë dhe programi i përshtatur i mbledhjeve, janë një tregues i shkëlqyer që shtëpia dhe familja duhen konsideruar si helika kryesore në jetën tonë.

Presidenti Nelson na sfidoi që të “puno[jmë] me zell për ta shndërruar shtëpinë t[onë] në një qendër të të mësuarit të ungjillit”. Teksa e bëjmë këtë, ai ka premtuar se “me kalimin e kohës, ditët tuaja të Shabatit, me të vërtetë do të jenë një kënaqësi. Fëmijët tuaj do të ngazëllehen që t’i mësojnë dhe jetojnë mësimet e Shpëtimtarit dhe ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj dhe në shtëpinë tuaj do të pakësohet. Ndryshimet në familjen tuaj do të jenë thelbësore dhe mbështetëse.”12

Plaku Stivenson: Në vijim, le të shqyrtojmë punën tuaj ose jetën profesionale – punësimin tuaj ose, për studentët, arsimimin që po kërkoni, i cili do t’ju shpjerë drejt profesionit ose punësimit tuaj me kohë të plotë. Arsimimi, sigurisht, i shton mundësitë tuaja të punësimit. Puna ju lejon që të kujdeseni për veten, familjen tuaj dhe të tjerët. Punësimi çon te mbështetja te vetja, si materialisht dhe shpirtërisht. Në mjedisin tuaj të punës keni një detyrim ndaj punëdhënësit tuaj që të jeni të ndershëm dhe besnikë, që të siguroni rezultatet e pritshme për të cilat paguheni. Ju përpiqeni fort të jepni më të mirën tuaj në punën ose profesionin tuaj.

Për ta ilustruar, konsiderojeni punësimin si helikën e bishtit të helikopterit.

Motra Stivenson: Me qëllim që të jeni më i miri për veten dhe familjen, ju ndihmon që të jepni më të mirën edhe në punën tuaj. Të dyja janë të lidhura ngushtë së bashku dhe baraspesha ndërmjet të dyjave është kritike. Gjithnjë e më shumë punëdhënës, sociologë dhe këshillues biznesi po i pranojnë përfitimet që vijnë nga baraspesha midis punës dhe jetës jashtë saj.

Plaku Stivenson: Elementi i tretë kritik për baraspeshën në jetë është ndaj Zotit dhe veprës së Tij. Ky është një nga qëllimet kryesore se përse secili prej nesh erdhi në tokë. Ne jemi këtu që t’i japim dashuri, nderim, t’i bindemi e t’i shërbejmë Atij dhe fëmijëve të Atit tonë Qiellor, vëllezërve e motrave tona anembanë botës. Zotit i nevojiten përpjekjet dhe talentet tona për ta ndërtuar mbretërinë e Tij.

“Planifikojeni kohën tuaj që të kujdeseni për përgjegjësitë tuaja në Kishë.”13 Fjala planifikojeni mua më duket tepër udhëzuese. Kjo gjë kërkon një zgjedhje të vetëdijshme nga ne që të “gjejmë kohë” për shërbim ndaj Zotit dhe Kishës së Tij dhe për ta përshtatur atë kohë.

Motra Stivenson: Udhëheqja dhe shërbimi vullnetar janë dy nga elementet më dalluese të Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit. Secilit prej jush do t’i kërkohet të japë ndihmesë në mbretëri në mënyra të ndryshme. Thirrjet që ju vijnë juve dhe të tjerëve në familjen tuaj, mund t’ju vijnë në kohë që mund të duken si të pavolitshme. Megjithatë, “nëse keni dëshirë t’i shërbeni Perëndisë, ju thirreni për veprën”14.

Përveç kësaj, profeti ynë i dashur, Presidenti Nelson, na mësoi se bota jonë është gjithnjë në ndryshim, ashtu si edhe shërbimi ynë në Kishën e Zotit. Ai na inkurajoi që ta përqafojmë një gjendje “të re normale”. Ai na bëri një sfidë: “Jepuni shërbesë të tjerëve. Mbani një këndvështrim të përjetshëm. [Dhe] lartësojini thirrjet tuaja.”15

Plaku Stivenson: Ky inkurajim i jep secilit prej nesh largpamësinë për të bërë atë që jemi thirrur të bëjmë, por edhe na këshillon që të mbajmë një këndvështrim të përjetshëm, ose me fjalë të tjera ta baraspeshojmë atë me përgjegjësitë tona të tjera të ngutshme. Shërbimet në Kishë i mendoj si leva e helikopterit, e cila edhe na stabilizon edhe na drejton.

Motra Stivenson: Elementi i fundit për të siguruar baraspeshë është një detyrim ndaj vetes.

Jeta mund të jetë kaq e ngarkuar. Është e rëndësishme të ngadalësojmë ndonjëherë për t’u rimbushur dhe për të parë më nga afër nevojat tona vetjake, të tilla si çlodhjen, ushtrimet fizike, dëfrimin dhe zhvillimin vetjak shpirtëror. Udhëheqësit e Kishës kanë dhënë kohët e fundit sugjerime të vlefshme dhe praktike për të na ndihmuar që ta bëjmë këtë.

Plaku Stivenson: Po Lisa, është e vërtetë. Kohët e fundit, Presidenti Ballard sugjeroi se sa e rëndësishme është të gjejmë kohë të qetë. Ai tha:

“Ndërkohë që teknologjia shpesh ka qenë një bekim në jetën time, mund të jetë edhe një shpërqendrim që vendos një pengesë midis nesh dhe aftësisë sonë për ta dëgjuar zërin e Zotit. Unë u them nipërve e mbesave të mia, që ata duhet të lënë mënjanë kohë të qetë çdo ditë për të menduar mbi jetën e tyre dhe për të përsiatur mbi atë që Zoti do që ata të bëjnë. …

… Unë nuk mund të lidhem me qiellin kur ka shumë rrëmujë. … Kur qëndroj në heshtje dhe përpiqem të jem i qetë, në këtë kohë marr përshtypje.”16

Plaku Xhefri R. Holland flet për lutjen e vendosur. Ai tha këtë: “Ka një mësim të madh për … lutjen urgjente, të vendosur me të cilën të luftojmë … pengesat nga kundërshtari, përkujdesjet e ditës apo shpërqendrimet e mendjes sonë”17.

Motra Stivenson: Motra Xhin B. Bingham, Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, përshkroi tri elementë për ta ndihmuar veten që janë secili shumë të vlefshëm.

Së pari, ajo fton Shpirtin nëpërmjet shkrimeve të shenjta. Ajo thotë: “Një nga gjërat e para që bëj në mëngjes për ta pasur Shpirtin, është leximi i shkrimeve të shenjta. Kjo më ndihmon të kem gjendjen e duhur të mendjes që të mund të marr zbulesë.”

Elementi i saj i dytë është adhurimi në tempull. “Një mënyrë tjetër e mrekullueshme që të jemi në gjendje ta dëgjojmë zërin e Shpëtimtarit më qartësisht, është frekuentimi i tempullit. Ndonjëherë kur rri ulur në tempull, marr një përgjigje për një lutje ose diçka më vjen në mendje ndërkohë që jam mjaftueshëm e qetë për ta dëgjuar Shpirtin.”

Së treti, thotë ajo: “Muzika … më ndihmon ta dëgjoj zërin e Shpëtimtarit. Më pëlqen shumë t’i dëgjoj himnet, edhe nëse thjesht dëgjoj muzikë instrumentale pa fjalët. I di ato fjalë sepse i kam kënduar për një kohë kaq të gjatë, ndaj më vijnë ndërmend.”18

Plaku Stivenson: Duket sikur gjetja e kohës për veten shpesh është gjëja më e vështirë, por prapë është tejet e rëndësishme. Kam dëgjuar të përshkruhet si një pushim mjaft i gjatë, në punën e ngarkuar të sharrimit, për të mprehur tehun e sharrës.

Motra Stivenson: Të kujtuarit se ne kemi përgjegjësi ndaj vetes dhe integrimi i tij hap pas hapi në jetën tonë, do të jetë një bekim. Kam zbuluar se ndërsa zhvillohem fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht, kjo jo vetëm që sjell përfitim të madh për mua personalisht, por më lejon që të ushqej shpirtërisht familjen dhe miqtë e mi.

Shihni se sa lehtë veprojnë këto katër aspekte të jetës sonë nëse kryhen me largpamësi dhe baraspeshë! Shkojnë kaq mirë me njëri-tjetrin, apo jo?

Plaku Stivenson: Po, vërtet. Tani, edhe kur flasim për baraspeshën ndërmjet këtyre aspekteve të ndryshme të jetës, ne kemi nevojë ta shohim këtë nga këndvështrimi i duhur.

Plaku Dejvid A. Bednar e përmblodhi këtë në një mënyrë shumë praktike në një publikim të kohëve të fundit në mediat shoqërore. Ai tha: “Nganjëherë ne reflektojmë për të gjitha përgjegjësitë tona në shtëpi, shkollë, punë dhe kishë dhe pyesim veten se si mund të arrijmë një baraspeshë midis kërkesave të shumta konkurruese për kohën tonë. Në vend që të luajmë nga mendtë duke u përpjekur që të bëjmë gjithçka njëkohësisht, ne duhet të përcaktojmë ato pak gjëra bazë që janë përparësitë tona më të larta. Atëherë ne mund të përpiqemi fort që t’u kushtojmë atyre vëmendjen që u nevojitet – duke i marrë me radhë.”19

Lisa, kjo më kujton një përvojë tepër të paharrueshme me babanë tim. Isha një babai i ri dhe peshkop i thirrur rishtas me një biznes në rritje që të hante kohë. Një natë shkova me vonesë në një festë ditëlindjeje familjare. Fëmijët tanë dhe kushërinjtë e tyre ishin gjithandej. Por hyra në shtëpi i papërfshirë emocionalisht dhe u ula në qoshe të dhomës, i zhytur në mendime mbi shqetësimet e mia për çështjet e asaj dite të sipërmarrjes dhe ato që po ndodhnin në lagje.

Im atë erdhi drejt meje dhe me një zë të sertë, të pazakontë tha: “Geri, çfarë po bën?” Kur i tregova për shqetësimet e mia me të gjitha përgjegjësitë në kishë dhe punë, isha i sigurt se do t’i vinte shumë keq. Epo, nuk qe kështu. Në fakt, ai u ul pranë meje dhe tha se ishte i shqetësuar për mua dhe se kisha nevojë të bëja disa përshtatje që të mos isha kaq i papërfshirë me familjen time kur isha me ta. A e mban mend këtë Lisa?

Motra Stivenson: Më kujtohet fare mirë.

Plaku Stivenson: Ai tha: “Kur je në shtëpi, bëje shtëpinë përparësi, as kishën dhe as punën. Kur je në punë, zgjidh ta bësh punën përparësi, as shtëpinë dhe as kishën. Kur je në kishë, zgjidh ta bësh atë përparësi, as punën dhe as shtëpinë.”

Tani, kjo këshillë ishte sfiduese për ta përvetësuar, madje edhe tani jam larg nga të qenit i përkryer, por vërtet më ndihmoi. Ajo ma hoqi barrën dhe ka sjellë përfitim të madh në jetën time. Kështu që do ta ftoja secilin prej jush që të mendojë rreth kësaj dhe të përpiqet ta bëjë edhe vetë.

Në mënyrë interesante, kjo është thuajse pikërisht ajo që këshilloi Plaku Bednar në publikimin në mediat shoqërore të cilit iu referuam. Ai tha se “mund të tingëllojë e thjeshtëzuar, por nuk duhet të acarohemi dhe t’i çojmë dëm orvatjet dhe kohën duke u përpjekur që të arrijmë një baraspeshë të përsosur midis të gjitha gjërave të rëndësishme që kemi nevojë të bëjmë. Kur i lutemi sinqerisht Perëndisë për ndihmë, për të dalluar se çfarë ka më shumë rëndësi, Ai do të na udhërrëfejë dhe ndihmojë që të përqendrohemi te përpjekjet tona ditë pas dite.”20

Motra Stivenson: Tani, kam një lajm paksa të keq për të dhënë. Nëse e ndiqni këtë këshillë dhe ecni përpara me baraspeshë dhe largpamësi, ka gjasa të keni ende disa dështime. Do të merrni disa gërvishtje dhe mavijosje.

Mund të ketë raste kur largpamësia juaj duket e mugët nga një shteg i mjegullt, ose ju mund të humbisni baraspeshën. Por ja ku është lajmi i mirë: Ju jeni bij dhe bija të një Ati të dashur Qiellor.

Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, … dhe urtësie”21. Dhe mos e harroni këtë këshillë të rëndësishme nga Vetë Zoti: “Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah”22. Kështu pra, ju keni një burim të vazhdueshëm e hyjnor force te Shpëtimtari ynë i dashur – madje Jezu Krishti.

Plaku Stivenson: Tani dëgjoni inkurajimin e frymëzuar për secilin prej jush këtu sot nga Presidenti Nelson. Ai tha: “Perëndia e dinte … se shtegu i besëlidhjeve nuk do të ishte i lehtë për t’u gjetur ose për të qëndruar në të. Prandaj Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur që të shlyente për ne dhe të na tregonte udhën. Fuqia e perëndishme e mundësuar për të gjithë njerëzit që e duan dhe e ndjekin Jezu Krishtin, është fuqia për të na shëruar, forcuar, pastruar nga mëkati dhe për të na lartësuar që të bëjmë gjërat që nuk mund t’i bëjmë kurrë të vetëm.”23

Motra Stivenson: Lëreni njohurinë se kush jeni me të vërtetë dhe kë keni në krah, që t’ju ndihmojë ta jetoni jetën me largpamësi të qartë dhe një baraspeshë të qëndrueshme. Zoti “do të shtojë mundësitë tuaja, do të rrisë të kuptuarin tuaj dhe do t’ju forcojë”24.

Plaku Stivenson: Epo, qe e mrekullueshme të ishim me ju sonte. Dhe do të donim ta mbyllnim tani duke shprehur mirënjohjen tonë dhe duke i bërë një ftesë secilit prej jush, dhe duke dhënë dëshmitë tona. Unë ju ftoj të merrni parasysh së pari se si largpamësia juaj prej ungjillit e siguron dhe pohon identitetin tuaj si një bijë e Perëndisë ose si një bir i Perëndisë.

Së dyti, merrni parasysh se si e trajtoni përgjegjësinë tuaj të katërfishtë ndaj shtëpisë dhe familjes, ndaj arsimimit dhe punësimit, ndaj Kishës dhe ndaj vetes.

Së treti, ju ftoj të gjeni një vend të qetë dhe të shkruani disa mbresa që i keni ndier gjatë këtij takimi shpirtëror. Mbani mend, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme secili prej jush ka dhuratën e shoqërimit të Frymës së Shenjtë.

Motra Stivenson: Ndërsa veproni sipas ftesave nga Plaku Stivenson, mos i harroni pionierët që erdhën përpara nesh, ata për të cilët folëm, që e kolonizuan këtë luginë, si edhe ata që janë në secilën prej familjeve dhe vendeve tuaja përkatëse. Shpirti dhe shembulli i tyre prej pionieri për të bërë gjëra të vështira, mund t’ju japin besim te vetja për të bërë gjëra të vështira po ashtu.

Plaku Stivenson: Ashtu si shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme, ne shohim përreth. Shohim lart. Dhe shohim përbrenda për largpamësinë dhe baraspeshën prej ungjillit.

Motra Stivenson: Unë jap dëshminë time se ju mund ta fitoni atë “ndriçim të përkryer të shpresës”25. Ati Qiellor e njeh secilin prej jush me emër dhe se Ai ju do. Jap dëshminë time për Jezu Krishtin si Birin e Vetëmlindur të Perëndisë së gjallë dhe e bëj këtë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Plaku Stivenson: Amen. Faleminderit, Lisa. Unë ju jap dëshminë si dhe dëshmimin tim juve, vëllezërit dhe motrat tona, të reja e të bukura. Unë jap dëshminë time se jemi fëmijë të prindërve të dashur qiellorë, se Ati Qiellor ju do dhe se doktrina e Atit është që Ai dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të kthehen tek Ai.

Tani, kjo doktrinë mundësohet nga Biri i Tij, Shpëtimtari ynë i dashur, Jezu Krishti. Është nëpërmjet Shlyerjes së Tij që ne jemi në gjendje të kthehemi në praninë e Atit tonë të dashur Qiellor. Unë ju jap juve dëshminë time për këtë. Unë jap dëshminë time për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij të shenjtë si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Dhe e bëj këtë në emrin e Tij, të Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër