Takime Shpirtërore 2022
Një Pyetje që Mund ta Ndryshojë Jetën Tuaj


11:40

Një Pyetje që Mund ta Ndryshojë Jetën Tuaj

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore me Presidentin Nelson

E diel, 15 maj 2022

Vëllezërit dhe motrat tona të dashura, sa ju duam! Sa do të donim ta merrnim secilin prej jush në shtëpi me ne. Më e rëndësishmja, ne lutemi se diçka që Fryma e Shenjtë ua mëson sonte, do t’ju ndihmojë të përgatiteni më mirë që të ktheheni në Shtëpi – në Shtëpinë me SH të madhe.

Sonte do të doja të flas me ju për një pyetje – një pyetje që mund ta ndryshojë jetën tuaj! Kjo pyetje e vetme mund t’jua shtojë vetëbesimin, t’jua pakësojë ankthin, t’ju japë nxitje, t’jua lartësojë gjendjen shpirtërore dhe pikëpamjet, t’jua shtojë prodhimtarinë, t’jua shtojë përqendrimin dhe qartësinë e të menduarit, t’ju ndihmojë që t’i bëni ballë tundimit, t’ju ndihmojë që ta dalloni mashtrimin, t’jua shtojë mirënjohjen, t’jua pakësojë stresin në jetën tuaj, t’jua shtojë aftësinë për të dashur dhe t’ju ndihmojë që të merrni vendime më të mira. Kjo pyetje e vetme mund t’ju sjellë gëzim, ngushëllim, dashuri e paqe!

Si mund të jem kaq e sigurt?

Sepse kjo është pikërisht ajo që më mësuan 30 nga bashkëmoshatarët tuaj. Dhe besoj tek ata!

Këta të rinj në moshë madhore më mësuan se kur ia bëni vetes këtë pyetje të veçantë, ajo mund t’ju ndihmojë të ndiqni atë që është vërtet e rëndësishme në jetë, do t’ju ndihmojë të bëni ndryshime në jetën tuaj që ju dëshironi t’i bëni dhe madje mund t’ju ndihmojë që të pendoheni me të vërtetë.

Sipas miqve tuaj, kjo pyetje mund t’ju japë sy për të parë – siç nuk keni parë kurrë më përpara – dorën e Zotit në jetën tuaj, bukurinë e tokës dhe mirësinë te njerëz të tjerë. Me pak fjalë, ngaqë kjo pyetje ju vë në kontakt me Shpirtin e Zotit dhe me ADN‑në tuaj hyjnore brenda shpirtit tuaj, kjo pyetje e vetme mund t’ju sjellë më shumë dritë e të vërtetë.

Bashkëmoshatarët tuaj gjithashtu më mësuan se kjo pyetje do të funksionojë pavarësisht nga sa e ngarkuar apo sa monotone është jeta juaj aktualisht. Gjithashtu nuk ka rëndësi se si ndiheni: të lumtur, të trishtuar, të izoluar, të mbingarkuar, të dëshpëruar, të inkurajuar, të shqetësuar, të emocionuar, të vetmuar, të papërfshirë, të dërrmuar, të anashkaluar, jashtëzakonisht të gëzuar. Nuk ka rëndësi. Kjo pyetje e vetme mund të funksionojë për ju.

A do të donit ta dinit pyetjen?

Shkëlqyeshëm!

Pak sfond informues fillimisht: Jezu Krishti, Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë dhe kreu i kësaj Kishe – Kishës së Tij, e ka bërë shumë të qartë se Ai dëshiron që ju dhe unë të bëhemi gjithnjë e më të shenjtë. Ai madje na urdhëron ta bëjmë këtë gjë, duke thënë: “Ju duhet të ushtroni … shenjtëri përpara meje”1. Dhe Ai nuk e lë thjesht me kaq! Ai shton fjalën vazhdimisht.

Tani, a ju duket ca si shumë e vështirë – dhe thjesht e pamundur – që të ushtroni shenjtëri vazhdimisht? E kuptoj krejtësisht nëse po mendoni: “Motra Nelson, thjesht nuk e kam atë gjë brenda meje”. Lejomëni t’ju siguroj përse e di që ju e keni.

Përpara se të martoheshim, unë isha psikologe, terapiste për martesën e familjen dhe pedagoge në UBJ. Gjatë atyre 30 viteve të jetës sime profesionale mësova për fuqinë e pyetjeve. Disa pyetje mund të na ndihmojnë të mendojmë për gjërat në një mënyrë krejt të re, duke na e hapur zemrën dhe mendjen ndaj të gjitha llojeve të mundësive që ndryshe nuk do të merreshin kurrë parasysh. Prandaj dy muaj më parë, teksa po mendoja për fuqinë e pyetjeve, ftova 30 prej miqve dhe mikeshave tona, të rinj e të reja në moshë madhore – pikërisht të moshës suaj, të martuar dhe beqarë – për të kryer një eksperiment me këtë pyetje të vetme për tri ditë. U kërkova të bënin sa vijon: “Për vetëm një situatë në ditë, për secilën prej tri ditëve, pyeteni veten: ‘Çfarë do të bënte një i ri ose e re e shenjtë në moshë madhore?’”

Kjo është. Kjo është pyetja: “Çfarë do të bënte një i ri ose e re e shenjtë në moshë madhore?”

Për shembull:2

  • Si do ta fillonte ditën e vet një i ri ose e re e shenjtë në moshë madhore?

  • Çfarë do të ishte në listën e vet të “gjërave për të bërë”?

  • Si do të fliste me një shok apo shoqe, si do të bënte pazar apo luante, lutej, lante rrobat apo t’i lexonte një fëmije?

  • Çfarë do të dëgjonte ose thoshte një i ri ose e re e shenjtë në moshë madhore apo shkruante, lexonte, shihte ose vishte?

  • Nëse një e re në moshë madhore do të akuzohej në mënyrë të rreme, tradhtohej ose keqkuptohej, çfarë do të bënte ajo?

  • Çfarë do të bënte një i ri në një situatë vërtet të vështirë ku vlerat ose morali i tij po viheshin në provë?

  • Si do të përgatitej një e re për marrjen e sakramentit çdo të diel?

  • Si do ta përdorte një i ri i shenjtë beqar në moshë madhore kohën e vet që të përgatitej në vend që të priste për martesën?

  • Si do ta forconin martesën e tyre të rinjtë e të rejat e shenjta në moshë madhore që janë të martuar?

Dhe çfarë ndodhi? Në disa shtete në SHBA dhe në dy qytete në Kanada, 30 të rinj e të reja në moshë madhore iu futën punës duke pyetur veten: “Çfarë do të bënte një i ri ose e re e shenjtë në moshë madhore?”

Një larmi veprimtarish të përditshme normale filluan – secila tani duke u bërë siç do ta bënte një i ri ose e re e shenjtë në moshë madhore. Vetëm pas pak ditësh filluan të vinin raportimet.

Më lejoni t’ju tregoj se çfarë bënë disa prej miqve tuaj:3

  • Karrotat për drekën u përtypën me më shumë mirënjohje.

  • Muzika dhe programet e zakonshme zanore në internet u zëvendësuan me muzikë frymëzuese, biseda nga konferenca e përgjithshme dhe programe zanore në internet për programin Eja, Më Ndiq.

  • U fshinë programet në internet të mediave shoqërore që harxhojnë kohë.

  • U mbyllën shfaqjet televizive me fjalë të ndyra.

  • U rishikuan përparësitë në “listat e tejfryra të gjërave për t’u bërë”.

  • U ofruan lutje përpara përpjekjes për bërjen e detyrave të vështira të shkollës, duke e ftuar Frymën e Shenjtë që të bëhej këshilltari.

  • Shkrimet e shenjta u shijuan në një larmi kohësh, përfshirë kohën pikërisht para se të fillonte një provim, gjë që solli rezultate të mrekullueshme.

  • U rifilluan zakone përforcuese nga ana shpirtërore, të cilat ishin humbur që nga kthimi në shtëpi prej misionit.

  • U ndanë dëshmi me shokët dhe shoqet e klasës.

  • Xhelozia ndaj shokëve e shoqeve që po dilnin në takime dhe po martoheshin, u zëvendësua me dashuri e gëzim për ta.

  • Koha gjatë ngarjes së makinës, u bë kohë e qetë medituese.

  • Mendimet e vazhdueshme negative u zëvendësuan me numërimin e fitoreve të vogla dhe bekimeve të shumta.

  • Prekja dhe rrëshqitja me gisht nëpër telefona u zëvendësua me telefonata dhe vizita personale me njerëzit.

  • Koha në tempull u shtua – po ashtu edhe bërja e punëve të shtëpisë nga bashkëshortët.

  • Dhe dashuria e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit u përjetua me bollëk.

Çfarë tjetër ndodhi?

Një e re në moshë madhore zbuloi, citoj: “Fuqinë e lirisë sime të zgjedhjes!” Ajo vazhdoi: “Teksa zgjodha të shihja konferencën e përgjithshme sikurse do ta shihte një i ri i shenjtë në moshë madhore, nuk po shikoja që të kënaqja dikë apo që të kontrolloja mënyrën se si më shohin njerëzit. Po e shihja sepse e di që kjo Kishë është e vërtetë. Ungjilli është i vërtetë. Burrat dhe gratë që folën, janë të frymëzuar dhe të udhërrëfyer nga Zoti dhe doja të mësoja prej tyre.”

Një e re “që ua bënte qejfin njerëzve gjithmonë” raportoi se u pakësua stresi i saj në punë. Ajo shkroi: “Bërja e kësaj pyetjeje ndaj vetes e ndryshoi krejtësisht këndvështrimin tim. Kisha vetëbesim të sapogjetur ngaqë po kujtoja domethënien e gjërave më të rëndësishme. Mësova se sa më e shenjtë të bëhesh, aq më pak merakosesh që të bësh atë që të tjerët dëshirojnë dhe aq më shumë merakosesh që të bësh atë që dëshiron Perëndia.”

skeleri në Tempullin e Solt‑Lejkut

Tani, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në kohën e sotme Tempulli i Solt‑Lejkut është një mrekulli arkitekturore, por nuk është një tempull në funksionim për Zotin. Teksa ajo strukturë e jashtëzakonshme iu nënshtrohet restaurimeve të shumta dhe stabilizimeve që do t’ia shpëtojnë jetën, Tempulli i Solt-Lejkut është hequr nga përdorimi si tempull. Kur një tempull është hequr nga përdorimi, ajo që është e shenjtë – në lidhje me ordinancat dhe udhëzimin – hiqet. Trishtueshëm, e njëjta gjë mund të ndodhë me njerëzit.

Nëpërmjet goditjeve të Satanit, zgjedhjeve jo të mira dhe ndërveprimeve që e kërcënojnë jetën e përjetshme, me njerëz që ndodhen në ndërtesën e gjerë dhe të madhe, tragjikisht, shumë të rinj e të reja në moshë madhore e kanë hequr të shenjtën nga jeta e vet. Këta të rinj e të reja në moshë madhore, si të themi, janë hequr nga përdorimi si “tempuj të Perëndisë”4.

Tani, pavarësisht nëse kjo ju ka ndodhur juve ose jo, ju ftoj ta rifitoni, ose ta shtoni, të shenjtën në jetën tuaj duke bërë saktësisht atë që Zoti ka urdhëruar, që është të “ushtroni … shenjtëri … vazhdimisht”. Mund të doni ta filloni këtë proces duke bërë atë që bënë bashkëmoshatarët tuaj: pyeteni veten, në vetëm një situatë, çdo ditë, për tri ditë: “Çfarë do të bënte një i ri ose e re e shenjtë në moshë madhore?” Dhe pastaj vazhdoni me atë që merrni si përgjigje.

Teksa e jetoni jetën tuaj në kreshendo5, duke u përpjekur të jeni vetëm pak më të shenjtë nga dita në ditë dhe duke u penduar me të shpejtë kur gaboni, ju do të gjeni gëzim në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen. Dhe ju do të filloni të përjetoni, në një mënyrë më të thellë dhe më të paharrueshme, saktësisht atë që premtoi Shpëtimtari Jezu Krisht kur tha: “Unë jam në gjendje t’ju bëj të shenjtë”6.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, tani do t’ju flasë Presidenti Nelson. Unë ju dëshmoj juve dhe unë mund të dëshmoj në çfarëdo gjykate në çfarëdo kombi të tokës, se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Zotit në tokë sot, i zgjedhur dhe i udhëzuar prej Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 46:33.

  2. Pyetje të tjera për t’i marrë parasysh: Si do t’i qasej një detyre të vështirë një i ri ose e re e shenjtë në moshë madhore? Si do t’i përdorte një i ri ose e re e shenjtë në moshë madhore kohën, energjinë dhe paratë e veta?

  3. Çfarë raportuan të rinj e të reja të tjera në moshë madhore:

    Zemrat u zbutën dhe u hapën qëllimisht që të merrnin udhëzim nga Zoti.

    Lutjet u bënë me zë, me më shumë çiltërsi dhe me më pak shpërqendrim.

    U ofruan lutje pikërisht përpara përpjekjes për të kryer detyra tepër të vështira si analiza e një poeme suedeze dhe gjithashtu përpara fillimit të detyrës së shtëpisë në fushën e Shkencës së Dherave.

    U shtua mbajtja e shënimeve në konferencën e përgjithshme, siç u shtua edhe të shkruarit në ditar.

    U shtua të menduarit për nevojat e të tjerëve, përfshirë nevojat e vëllezërve dhe motrave të tyre, dhe më pas u shtua ndihma që iu dha atyre.

    “Pak nga pak, përfshiva më shumë veprimtari ose mendime shpirtërore e lartësuese gjatë ditës sime.”

    U bënë lidhje të reja mes ideve.

    Fenomeni i “shtyrjes për më vonë” u zvogëlua, si për shembull shtyrja e regjistrimit për universitet në vjeshtë.

    Fëmijët u dëgjuan me më shumë vëmendje.

    Paraardhësit u bënë më realë.

    Shkrimet e shenjta morën jetë dhe sollën të vërteta të tjera në jetë: “Lexova kapitullin Alma 11 në një qetësi ku nuk pipëtinte asgjë në bibliotekën e shkollës. Vargu 44 më kujtoi se sa shumë më duan Ati im Qiellor e Shpëtimtari dhe se sa shumë bëjnë Ata për mua. Duke qenë se e kisha marrë ordinancën e dhurimit kohët e fundit, mendova për planin e shpëtimit dhe Ditën e Gjykimit në një mënyrë të re.”

    Ndërkohë që një burrë “u përqendrua tek të qenit besnik ndaj besëlidhjeve të [tij] dhe rritjes së aftësisë [së tij] për të dëgjuar zërin e Zotit”, xhelozia e mëparshme ndaj miqve që po dilnin në takime dhe po martoheshin, u zëvendësua me dashuri e gëzim për ta.

    Një tjetër tha: “Për të vlerësuar qëndrimin tim kundrejt Zotit”, koha gjatë ngarjes së makinës u bë një kohë e qetë medituese.

    “Është kaq fantastike që zgjedhjet që bën, mund të përcaktojnë se si shkon dita jote. E di se mund të zgjedh që të jem më i shenjtë dhe do të jem më i lumtur ngaqë Shpirti do të jetë me mua.”

    Një tjetër mësoi lidhjen midis shenjtërisë dhe sakrificës. Ai shkroi: “Nuk është rastësi që ‘në ditët e lashta flijimi do të thoshte të bëje diçka ose dikë të shenjtë’ [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, ‘Sakrificë’, scriptures.ChurchofJesusChrist.org]”. Ai arriti në përfundimin se dëshiron që gjithmonë [siç thotë ai] “ta mbaj idenë e të qenit i shenjtë në mendjen time dhe madje të gjej mënyra të vogla çdo ditë për të sakrifikuar më shumë për Zotin që ta bëj veten time më të shenjtë”.

    “Zgjodha një shkrim të shenjtë që ta mbaj në mendje gjatë gjithë ditës.”

    “Zgjodha një cilësi si të Krishtit që kam dashur ta zhvilloj, dhe u përpoqa të përqendrohem te zhvillimi i asaj cilësie gjatë gjithë ditës.”

    “U shkëputa plotësisht nga mjetet shoqërore të komunikimit për javën para konferencës së përgjithshme për të qetësuar jetën time dhe për t’u përqendruar te ndikimet pozitive, lartësuese në jetën time, në vend të njerëzve me ndikim publik që janë në të gjithë internetin.”

    “Shpirti solli në vëmendjen time një zakon të keq që kam nevojë ta ndreq.”

    Përgjigje u gjendën në shkrimet e shenjta.

    Kur muzika u ndryshua në “muzikë më të mirë, vura re që isha më produktiv, më pozitiv dhe më në harmoni me Shpirtin. Humori im ndryshoi dhe ndërveprimet e mia me të tjerët ishin më të gjalla dhe plot dashuri.”

    “Sa herë që zgjidhja t’iu jepja përparësi çasteve shpirtërore, gjithçka tjetër në ditën time shkonte në vendin e vet.”

    “Koha ime shumëfishohet kur i lexoj shkrimet e shenjta përpara se të bëj detyrat e shtëpisë.”

    “Duke u përpjekur të bëja një pije me përbërës të ndryshëm [smoothie] siç do ta bënte një e re e shenjtë, isha më e përgatitur për t’iu përgjigjur nevojave të dikujt që e dua.”

    “Në vend që të dëgjoja muzikë ndërsa shkoja në klasë, fola me një të ri tjetër në moshë madhore kur po prisnim te vendkalimi i këmbësorëve. Zura një mik të ri ndërsa dëgjoja se sa i stresuar po ndihej dhe ndërsa i dëshmova se Zoti kishte një plan për të dhe se gjërat do të funksiononin.”

    “Kur e ngava makinën ashtu siç do ta ngiste një i ri i shenjtë në moshë madhore, unë menjëherë u ndjeva më pak në ankth dhe më i duruar.”

    “Për tri ditë, e ndryshova zakonin tim për të kontrolluar telefonin tim fillimisht në mëngjes dhe si gjënë e fundit natën me kontrollimin e shkrimeve të mia të shenjta. Përvoja ime ishte shumë fantastike çdo herë. U luta për përvoja misionare, kërkova dikë të cilit mund t’i sillja mirësi (siç do të bënte Krishti).” Rezultati? “Takova njerëz të rinj që janë gjithashtu studentë të ngarkuar. Ne patëm biseda të lezetshme rreth Perëndisë e fesë dhe ata tani duan të takohen me misionarët.”

    “U përballa me diçka që më frikëson dhe që ndoshta do të kisha qenë më pak i etur për ta bërë nëse nuk do të isha përpjekur në mënyrë aktive për të qenë më i shenjtë. Në fund, përballja me frikën më ndihmoi të ndihesha më i sigurt në atë fushë të veçantë – gjë për të cilën isha lutur kohët e fundit.”

    “U përpoqa të jem më e shenjtë ndërsa kujdesesha për dy kushërinjtë e mi më të vegjël. Gjatë gjithë mbrëmjes u përpoqa të isha më shumë si Krishti – të thosha atë që Ai do të thoshte dhe të veproja ashtu siç do të vepronte Ai. Kurrë nuk kam kaluar një kohë më të bukur me ta. Mendova më shumë për ta dhe më pak për veten time.”

  4. Shih 1 Korintasve 3:16–17.

  5. Për komentin e B. H. Robertsit lidhur me mënyrën se si e jetonte Jozef Smithi jetën e vet; shih B. H. Roberts, hyrje te History of the Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, bot. i 2‑të (1980), 6:xlii.

  6. Doktrina e Besëlidhje 60:7