Mbrojeni të Vërtetën
Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë dhe Të Rejat në Moshë Madhore
E diel, 21 maj 2023
Presidenti Dallin H. Ouks: Faleminderit për atë muzikë të mrekullueshme. Faleminderit, Komisioner Gilbert, për atë hyrje të bukur.
Të dashur të rinj e të reja në moshë madhore, përfshirë nxënësit që shpejt do të marrin diplomën e gjimnazit, Motra Ouks dhe unë jemi shumë të emocionuar që t’ju shprehim dashurinë dhe t’ju flasim në këtë takim të rëndësishëm shpirtëror. Këto janë kohë stresuese për ne të gjithë, por ungjilli i Jezu Krishtit na jep arsye të bollshme që të marrim zemër. Nëpërmjet profetit të Tij, Perëndia na ka dhënë sfidën që të ngulmojmë gjatë fatkeqësisë, dhe mësimet e Jezu Krishtit përvijojnë shtegun për të triumfuar drejt fatit tonë hyjnor të jetës së përjetshme.
I.
Duke i folur një publiku si ju, Presidenti Rasëll M. Nelson dha këtë zgjidhje të rëndësishme: “Ndërkohë që bota bëhet gjithnjë e më shumë laike dhe gjithnjë e më pak shpirtërore, rritja juaj duhet të jetë gjithnjë e më shumë shpirtërore dhe gjithnjë e më pak laike. Përpiquni të mbroni parimet në vend të popullaritetit.”
Më pas ai dha këtë sfidë, që ne e kemi përshtatur si titullin e takimit tonë shpirtëror: “Dijeni të vërtetën dhe mbrojeni atë, edhe nëse e vërteta nuk është politikisht e njohur”1.
Synimi ynë në jetën në vdekshmëri dhe shtegu që duhet të ndjekim për të triumfuar, jepen në planin e shpëtimit dhe, më së fundi, në dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Merreni parasysh këndvështrimin në këtë përmbledhje me vlerë nga Presidenti Nelson:
“Jeta nuk është një pjesë teatrale me një akt. Vërtet ka një periudhë para lindjes. Dhe vërtet ka jetë pas vdekjes. Pjesët para vdekshmërisë dhe në vdekshmëri nuk janë veçse prelude për jetën tonë pas vdekshmërisë. Njohuria për tri shkallët e lavdisë, siç iu zbulua profetëve, na jep një vështrim të shpejtë të potencialit tonë pas vdekshmërisë. Jeta e përjetshme është një përpjekje e lavdishme dhe plot vlerë.”2
Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne bekohemi me zbulesën bashkëkohore që na jep kuptueshmëri më të madhe për qëllimin e kësaj jete në vdekshmëri. Siç tha Presidenti Nelson ne nuk e shohim jetën në vdekshmëri si një pjesë teatrale me një akt. Për ne ka të paktën tre akte në rrugëtimit tonë të përjetshëm. Akti 1 është ekzistenca jonë para lindjes. Ekzistenca jonë e tanishme në vdekshmëri vjen më pas, si akti 2. Jeta jonë pas vdekjes është akti 3. Ky akt i fundit përfshin një Ringjallje të mirëfilltë për të gjithë ata që kanë jetuar dhe një Gjykim Përfundimtar që na cakton në një mbretëri lavdie për të cilën na kanë kualifikuar veprimet, vendimet dhe dëshirat tona.
Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit siguron qasje të pashoqe tek e vërteta rreth planit të Atit tonë të dashur Qiellor për shpëtimin e fëmijëve të Tij.
Qëllimi i jetës sonë në tokë, akti 2, është që të rritemi drejt fatit tonë të jetës së përjetshme. Ne e bëjmë këtë gjë duke kapërcyer atë që Libri i Mormonit e quan kundërshtim në të gjitha gjërat, përfshirë shumë tundime për të dhunuar urdhërimet e Perëndisë. Përballja me tundimin dhe mposhtja e tundimit, ardhja më pranë Perëndisë nëpërmjet zgjedhjeve të drejta dhe pendimit për zgjedhjet e gabuara, na ndihmojnë të fitojmë rritje të përjetshme që është qëllimi i jetës në vdekshmëri për fëmijët e Perëndisë.
Ne që kemi dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe ndriçimin e zbulesës bashkëkohore, jemi të bekuar me shumë ide. Për shembull, Libri i Mormonit premton se ata që kërkojnë me zell, “do të gjej[n]ë dhe misteret e Perëndisë do t’u shpalosen nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”3. Unë lutem që të gjithë njerëzit që i dua, dhe kjo përfshin të gjithë fëmijët e Perëndisë brenda tingullit të zërit tim, do të veprojnë sipas asaj ftese për ta gjetur e ditur të vërtetën.
II.
E vërteta e parë ka lidhje me martesën. Martesa është thelbësore për qëllimin e jetës në vdekshmëri dhe për atë që vjen më pas. Ne jemi fëmijë të një Ati të dashur Qiellor i cili na krijoi me aftësinë për të zbatuar urdhërimin e Tij që të shumohemi dhe të mbushim tokën. Ajo fuqi e krijimit është një nga dhuratat më të çmuara që kemi në jetën në vdekshmëri. Por qendrore në atë dhuratë është ligji i dëlirësisë, urdhërimi që fuqitë tona të krijimit të jetës të shprehen vetëm brenda martesës midis një burri dhe një gruaje. Ai urdhërim është qendror në ungjillin e Jezu Krishtit. Ai realitet shpjegon arsyen përse kemi vlera të ndryshme dhe u shmangemi sjelljeve të caktuara që duken të zakonshme për shumë njerëz përreth nesh.
Qëndrimi ynë kundrejt përkufizimit për martesën dhe kundrejt martesës vetë janë shembuj për këtë. Udhëheqësit e Kishës së Jezu Krishtit shqetësohen në mënyrë të pashoqe rreth ndryshimeve të kohëve të fundit në natyrën dhe shtrirjen e martesës në Shtetet e Bashkuara. Kjo përfshin prirjen në rritje të shtetasve të SHBA‑së, përfshirë disa të rinj e të reja të denja shenjtore të ditëve të mëvonshme, që ta shtyjnë martesën. Për ta paraqitur këtë prirje, le të shohim dy grafikë mbi martesën. Ndërkohë që këto figura janë për Shtetet e Bashkuara, ato përfaqësojnë një problem mbarëbotëror.
Ky grafik i parë tregon pakësimin e dukshëm të përqindjes së shtetasve në Shtetet e Bashkuara që janë martuar ndonjëherë. Në 30 vitet e fundit kjo përqindje bie me tetë deri në nëntë përqind si për burrat ashtu edhe për gratë. Martesa është qartësisht në rënie në Shtetet e Bashkuara.
Ky grafik i dytë tregon një rritje të moshës së martesës te shenjtorët e ditëve të mëvonshme në moshë të re. Kjo paraqet moshën mesatare të burrave dhe grave shenjtore të ditëve të mëvonshme në kohën e martesës së tyre të parë. Tregon një rritje gati prej pesë vjetësh si për burrat ashtu edhe për gratë.4
Merreni parasysh se çfarë humbasin të rinjtë shenjtorë të ditëve të mëvonshme në moshë madhore kur martesat e tyre shtyhen qëllimisht për një periudhë të rëndësishme: mundësitë humbasin dhe bekimet shtyhen. Kjo do të thotë vonesa në rritjen e rëndësishme vetjake që ndodh në marrëdhënien midis një bashkëshorti dhe bashkëshorteje, në rritjen në cilësi të tilla si sakrifica e përulësia. Do të thotë mundësi të pakësuara që të veprojnë së bashku për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Dhe më e rëndësishme se kjo, do të thotë më pak fëmijë të lindur për t’u rritur me bekimet e ungjillit. Ju e dini gjithë këtë dhe duhet të dini se udhëheqësit tuaj e dinë se shumë prej të pamartuarve tanë nuk po martohen më herët për arsye përtej kontrollit të tyre. Do të flas më shumë për këtë më vonë.
Kristen, të lutem, na jep mendimet e tua për këtë.
Motra Kristen M. Ouks: Në rregull. Në të vërtetë, martesa është një dhuratë. Jo vetëm që martesa na jep mundësinë për fëmijë por ajo na jep mundësinë dhe stimulin që të fillojmë një rrugëtim rritjeje me njëri‑tjetrin. Ne mësojmë të sakrifikojmë dhe të shërbejmë sa mundemi në disa mënyra të tjera.
Kur isha beqare, gjithmonë kërkoja mundësi për të shërbyer. Tani, çdo natë në darkë, projekti im i shërbimit ulet pikërisht përballë meje. Mësoj se si ta dua dhe ta ndihmoj më mirë bashkëshortin tim; kam një mik me të cilin të qesh e të qaj. Kam një këshillues dhe një mësues dhe një nxitës i cili më ndihmon në këmbim. Martesa është një mundësi e pandarë për të mësuar mbi komunikimin dhe këndvështrimet. Dua që ju të dini se jeta përmirësohet kur martesa jonë lidhet me diçka më të madhe sesa vetja jonë dhe jemi më të afërt me Shpëtimtarin tonë. Dhe ne e duam këtë për të gjithë ju.
Në shfaqjen Të Mjerët ka një varg: “Të duash një person tjetër është të shohësh fytyrën e Perëndisë”5. Askund nuk ndodh kjo gjë më mirë sesa në një martesë.
Presidenti Ouks: Në terma laikë, shtyrja e pasjes së fëmijëve, madje zhvleftësimi i rëndësisë së tyre, është e dukshme në prirjen e saporaportuar në një anketë të vlerësuar kombëtare, e cila tregon se rëndësia për njerëzit në moshë madhore që të kenë fëmijë ka rënë në 25 vitet e fundit nga 66 përqind në 33 përqind.6
Kristeni dhe unë menduam për rëndësinë që ka për Kishën e rivendosur ky zhvleftësim kombëtar i rëndësisë së fëmijëve kur motra e Kristenit na tregoi një koment nga nipi i saj i vogël. Teksa lexonin revistën Miku së bashku dhe shihnin një figurë të Jezusit, ajo vrau mendjen për Shpëtimtarin që ua bën me shenjë fëmijëve që të vijnë tek Ai. Andresi katërvjeçar u përgjigj me këtë shpjegim të frymëzuar: “A nuk e kupton? Jezusi i do fëmijët.”
Thjesht mbani mend, një Atë i dashur Qiellor ka një plan për të rinjtë dhe të rejat e Tij në moshë madhore dhe pjesë e atij plani janë martesa dhe fëmijët.
Tani, sa për argëtim, duam t’ju tregojmë se çfarë mësuam dikur rreth daljes në takime dhe daljes për shoqëri. Ja një material filmik i asaj që thashë në vitin 2005, kur më të mëdhenjtë nga të rinjtë në moshë me ne sot ishin vetëm 12 vjeç dhe pjesa tjetër prej jush ishit thjesht fëmijë ose madje nuk kishit lindur.
Për shumë vjet, Kisha ka këshilluar që të rinjtë e të rejat tona të mos dalin në takime përpara moshës 16‑vjeçare. Ndoshta disa të rinj e të reja në moshë madhore, sidomos meshkujt, e kanë ndjekur më tepër nga ç’duhet atë këshillë të mençur dhe kanë vendosur të mos dalin në takime përpara moshës 26 ose madje 36‑vjeçare. Tani ju ftoj të ktheheni pas me mua dhe të shihni këtë material filmik nga viti 2005.
Presidenti Ouks [materiali filmik]: Djem, nëse jeni kthyer nga misioni dhe ende po ndiqni modelet djalë‑vajzë që ishit këshilluar t’i ndiqnit kur ishit 15 vjeç, është koha që të rriteni. Mblidheni guximin tuaj dhe kërkoni dikë me të cilën të bëheni çift. Fillojeni me një larmi daljesh në takime, me një larmi të rejash dhe kur ajo fazë çon drejt një kandidateje të mirë, shkoni drejt vardisjes. Është koha për t’u martuar. Kjo është ajo që Zoti ka për qëllim për bijtë dhe bijat e Tij, të rinj e të reja në moshë madhore. Meshkujt e marrin nismën dhe ju djema duhet ta filloni. Nëse nuk e dini se çfarë është një takim, ndoshta ky përkufizim do të ndihmojë. E dëgjova nga mbesa ime 18-vjeçare. Një takim duhet të kalojë provën e tre p‑ve: 1) planifikuar që më parë, 2) paguar dhe 3) përgatitur për dy veta. …
“Miqtë tanë të rinj beqarë, ju këshillojmë t’i kanalizoni shoqërimet tuaja me dikë të gjinisë së kundërt si dalje në takime që kanë potencialin për t’u pjekur në martesë, jo në kalim kohe që kanë vetëm mundësinë për t’u pjekur në sporte me skuadra si futbolli amerikan me prekje. Martesa nuk është një veprimtari në grup, të paktën jo deri sa prej saj të vijnë shumë fëmijë.”7
[mbaron materiali filmik]
Motra, duket se u kënaqët nga udhëzimet për djemtë beqarë. Tani Kristeni ka ca fjalë për motrat e pamartuara.
Motra Ouks: Presidenti Ouks, ai material filmik lidhur me daljen në takime vërtet ka dalë nga moda, por parimi mbetet i njëjtë, dalja në takime ende e paraprin martesën.
Për shkak se u martova 53‑vjeçe, e di se çfarë ndiejmë kur presim një shoqërues të denjë dhe dëshirën e madhe, dhembjen e lotët mbi jastëk që e shoqërojnë shpesh atë. Por mund të dëshmoj për dashurinë e Zotit për motrat besnike që e gjejnë veten duke pritur, sepse e kam ndier atë. Dhe zemra ime preket edhe për vëllezërit besnikë që e dëshirojnë këtë gjë. Është vërtet e vështirë. Dalja, madje edhe mosdalja në takime mund të jenë stresuese.
Kur besimi dhe e ardhmja ime dukej se sfidoheshin, kur pyesja veten përse jeta dukej kaq e vështirë kur po bëja gjithçka mundesha për ta jetuar ungjillin, ndonjëherë ndieja se mund të kisha bërë diçka të gabuar. Nuk po bëja asgjë të gabuar.
Siç ka thënë Motra Mishel D. Krejg: “Sprovat nuk janë tregues se plani po dështon”. Plani përfshin rritje dhe ka për qëllim të na ndihmojë që të kërkojmë Perëndinë. Motra Krejg shtoi: “Ati Qiellor është më i interesuar në rritjen [tuaj] si dishepulle [të] Jezu Krishtit sesa është i interesuar për rehatinë [tuaj]”8.
Nëse po e lini kohën të ikë duke pritur për një kandidat të mundshëm për martesë, jepini fund pritjes dhe filloni përgatitjen. Përgatiteni veten tuaj për jetën me anë të arsimimit, përvojës dhe planifikimit. Mos prisni që lumturia t’ju vijë nga të tjerët. Kërkoni mundësi për të shërbyer e mësuar. Dhe më e rëndësishmja, mirëbesoni te Zoti, “duke [e] thirrur emrin e Zotit çdo ditë dhe duke qëndruar me vendosmëri në besimin e asaj që do të vijë”9. Dhe ju premtoj teksa e bëni, lumturia do t’ju vijë.
Presidenti Ouks: Kristeni u ka dhënë juve, motrave, ca këshilla të vlefshme. Këshilla e saj nuk ka dalë nga moda. Në fakt, as këshilla ime për të rinjtë beqarë nuk ka dalë nga moda. Udhëheqësit e Kishës së Jezu Krishtit janë po aq të shqetësuar lidhur me martesën saç ishim 20 vjet më parë. Shqetësimi ynë përfshin shkaqet, të tilla si mungesa e shtëpive që të rinjtë e të rejat e sapomartuara mund t’i blenë dhe shumat në rritje të borxhit studentor.
Siç e dini ju të rinj e të reja në moshë madhore fare mirë, ju nuk jeni shkaku i atyre rrethanave, por viktimat e tyre. Çfarë të bëni? Shkoni përpara me besim dhe bëni çmos në rrethanat e tregut të pronave më pak të favorshme sesa rrethanat që u përballëm unë dhe gjyshërit tuaj në rini. Veçanërisht punoni që ta pakësoni borxhin tuaj studentor.
Në planin e Perëndisë ne mund të kemi gjithçka, por jo në rendin që duket se e dikton bota. Ne duam t’ju ndihmojmë duke ju kujtuar planin e Perëndisë dhe shembujt e denjë të paraardhësve tuaj. Pionierët tanë të hershëm i lanë shtëpitë dhe zotërimet e tyre që t’i sillnin familjet në sigurinë shpirtërore të Perëndimit Malor. Sot, ne ju nxitim që të mos i lini sigurinë shpirtërore dhe familjen për të fituar zotërime materiale.
III.
Tani do të flas për disa çështje që janë shqetësuese edhe për nxënësit e dashur të shkollave të mesme në publikun tonë.
Në gjithë SHBA‑në moshatarët tuaj vuajnë nga ankthi, janë të varur nga droga dhe mediat shoqërore dhe kërkojnë këshillim në numra rekord. Ju prekeni nga këto ndikime, por për ju lajmi i mirë ka më shumë peshë se të gjitha këto.
E dini se jeni fëmijë të Perëndisë, një trashëgimi jashtëzakonisht hyjnore. Perëndia ju do. Ai është një këshillues i fuqishëm dhe ka premtuar t’ju ndihmojë nëse e kërkoni Atë në mënyrën që na e ka mësuar Ai. Nguliteni në mendje dhe në përparësitë tuaja vetjake të vërtetën e fuqishme se jeni fëmijë i dashur i Perëndisë. Dashuria e Tij ju dhuron respekt për veten, forcën dhe shtytjen për të shkuar përpara çfarëdo problemesh të hasni në jetën tuaj. Mos harroni kurrë që shërbëtorët e Tij ju duan. Ne ju duam.
Sapo mora një letër të çmuar nga një 16‑vjeçare e cila jeton në një shtet ku kemi pak anëtarë. Do ta quaj Emi. Letra e saj është e rëndësishme ngaqë ajo shpreh ndjenja që janë të zakonshme tek të rinjtë anembanë Kishës. Letra e gjatë e Emit përfshin këto pjesë. I kam kërkuar një të reje të lexojë fjalët e saj.
Emi: “Ndiej nganjëherë sikur marr mesazhe kontradiktore dhe pështjelluese nga Kisha. Në jetën e përditshme shoh anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në mediat shoqërore që veprojnë si të mos ishin pjesë e këtij ungjilli. … Ndiej se jam e vetmja e re në lagjen time që i sheh gjërat që nuk shkojnë në botë. … Vërtet nuk e kuptoj përse kaq shumë të rinj në kishën tonë nuk e kanë problem që njerëzit po ndryshojnë gjininë nga dita në ditë, dalin në takime me njerëz të të njëjtës gjini apo që përcaktohen si pa gjini. …
Në aktivitetet e lagjes apo kunjit për rininë, më pyesin për përemrat e mi ose në shkollë më kërkohet të vallëzoj me një vajzë që mendon se është djalë. E di se duhet ta duam njëri‑tjetrin dhe të tregojmë respekt dhe gjithmonë e bëj këtë. [Thjesht] mendoj se ka një kufi që po kalohet. … Do të doja të dëgjonim të flitej më shumë nga udhëheqësit e Kishës për këtë problem.”10
Presidenti Ouks: Kjo është një letër plot dëshpërim nga një e re e cila ka moshën e maturantëve në këtë publik. Përse letra e saj më goditi aq thellë? Ajo dëshiron të bëjë atë që është e drejtë, por ndihet e rrethuar nga vlera dhe sjellje që i ndien të gabuara dhe thjesht nuk e di se çfarë të bëjë. Ajo dëshiron ta mbrojë të vërtetën por nuk e di se si ta bëjë atë me dashuri. Në një takim shpirtëror për të rinjtë në moshë madhore te kolegji “Ensign”, Plaku Klark G. Gilbert dhe unë e përshkruam këtë sfidë të qëndrimit të palëkundur me dashuri ndërkohë që shpallim të vërtetën. Ne ende mund t’i duam të tjerët dhe të gjejmë gjëra të përbashkëta pa rrezikuar të vërtetat që dimë.11
Në letër Emi shkruan rreth shoqeve në Kishë që janë të pështjelluara rreth gjinisë së tyre, një gjendje që quhet disfori gjinore. Ky pështjellim mund të marrë forma të ndryshme në kohë të ndryshme në jetën e një personi. Njerëzit e ndikuar dhe familjarët duhet të mendojnë për të ardhmen dhe të përpiqen që të mbështeten te parimet e përjetshme dhe të veprojnë sipas tyre. Kam përsiatur për këtë çështje për ca kohë. Tani, me dashurinë që ndiej për ata që shqetësohen nga çështje të tilla, kam ndier mbresën nga Shpirti që ta përdor këtë mundësi për të theksuar të vërteta të çmuara që ungjilli i Jezu Krishtit i zbulon për të na ndihmuar me pështjellime të tilla.
Të rinj e të reja, udhëheqësit dhe mësuesit tuaj të Kishës dhe të seminareve e instituteve dhe prindërit tuaj kanë përgjegjësinë dhe frymëzimin që t’ju mësojnë të vërtetat e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ju e keni broshurën e çmuar Për Forcën e Rinisë që bazohet te parimet e planit të Atit tonë Qiellor për shpëtimin, Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe besëlidhjet që bëmë kur u pagëzuam dhe që i ripërtërijmë çdo Shabat nëpërmjet marrjes së sakramentit. Në faqet e fillimit përmbahet ky premtim: “Me këto të vërteta si udhëzuesin tuaj, ju mund të bëni zgjedhje të frymëzuara që do t’ju bekojnë … gjatë gjithë përjetësisë”12.
Kur Jezusin e pyetën se cili ishte urdhërimi i madh, Ai dha dy. I pari ishte të duam Perëndinë, gjë që e tregojmë duke zbatuar urdhërimet e Tij. I dyti ishte të duam të afërmin tonë.13 Duhet t’i bëjmë që të dyja dhe kjo nuk është e lehtë. Shumë prej nesh kanë prirje t’i kushtojnë më pak vëmendje dashurisë për të afërmin dhe të mbitheksojnë zbatimin e ligjit (urdhërimet). Kjo është sigurisht prirja ime për shkak të shkollimit tim ligjor. Në fund të fundit, të duam Perëndinë dhe ta tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë duke i zbatuar urdhërimet e Tij, është urdhërimi i parë i madh. Sigurisht është më e lehtë të gjykojmë veten dhe të tjerët nëse po i bindemi apo jo ligjit. Megjithatë është gjithashtu jetike për secilin prej nesh që ta zbatojë urdhërimin e dytë, që është “i ngjashëm me këtë”14, t’i duam të afërmit tanë ashtu siç na do Jezusi15.
Shembulli im i parapëlqyer hyjnor i ndërthurjes dhe zbatimit të këtyre dy urdhërimeve të mëdha është ajo që bëri Shpëtimtari kur u përball me këtë çështje. Kapitulli tetë i librit të Gjonit raporton se si një grup skribësh dhe farisenjsh sollën një grua për t’u gjykuar nga Jezusi. Synimi i tyre ishte që ta zinin në kurth Shpëtimtarin që të zgjidhte të kundërshtonte ligjin e Moisiut ose ligjin e Romës, i cili nuk e lejonte dënimin me vdekje që kërkohej nga ligji i Moisiut për rrethana të tilla. Por vlera e shembullit për ne sot është se si Jezusi iu shmang kurthit dhe dha një mësim të fuqishëm se si t’i zbatojmë që të dy urdhërimet e mëdha.
Fillimisht, Shpëtimtari i çarmatosi me efektshmëri ata që kërkonin zbatim të menjëhershëm të ligjit. E bëri këtë duke i detyruar të shqyrtonin vetveten. “Kush nga ju është pa mëkat”, tha Ai, “le ta hedhë i pari gurin kundër saj.”16 Kur turma e turpëruar u largua, Shpëtimtari zbatoi fuqinë e dashurisë. Plot mëshirë Ai refuzoi ta dënonte gruan dhe ai veprim dashurie e ngriti atë grua në një jetë të re. Zbatimi i ligjit do të vinte më pas kur ajo do të gjykohej për tërë jetën e saj, përfshirë pendimin. Por në atë rast të parë, Shpëtimtari i ofroi dashuri e mëshirë duke mos e dënuar dhe më pas pohoi ligjin duke thënë: “Shko dhe mos mëkato më”17.
Nevoja për ta ndërthurur dhe zbatuar si ligjin ashtu edhe dashurinë, me kohë të frymëzuar, është gjithmonë e pranishme. Plaku Kristoferson na ka kujtuar se “fakti që e vëmë të parin urdhërimin e parë, nuk e pakëson ose kufizon aftësinë tonë për ta zbatuar urdhërimin e dytë. Përkundrazi, e plotëson dhe e forcon atë. … Dashuria jonë për Perëndinë e rrit aftësinë tonë për t’i dashur të tjerët në mënyrë më të plotë e më të përsosur sepse ne në thelb jemi bashkëpjesëmarrës me Perëndinë për kujdesin ndaj fëmijëve të Tij.”18
Merrni parasysh dy shprehje, njëra nga një folës kohët e fundit në UBJ dhe tjetra nga një bisedë më e hershme nga një Autoritet i Përgjithshëm.
“Tërë vepra e planit të shpëtimit, duke arritur kulmin në flijimin e madh shlyes të Zotit Jezu Krisht, është që të na aftësojë të bëhemi qenie të dashurisë në formën më të thellë të lidhjes me të tjerët. …
Kjo na mëson se urdhërimet dhe [i gjithë udhërrëfimi profetik], përfshirë të vërtetat e çmuara në proklamatën mbi familjen, janë që të na udhërrëfejnë në udhët e Perëndisë që të mund të bëhemi qenie të dashurisë.”19
Tani, biseda tjetër:
“Përpjekja për t’u pëlqyer të tjerëve përpara se t’i pëlqejmë Perëndisë është ndërrim i vendit të urdhërimit të parë me të dytin. Është të harrosh se nga cili drejtim i mbajmë sytë. Dhe prapëseprapë, ne të gjithë e kemi bërë atë gabim për shkak të frikës nga njerëzit. …
Shpëtimtari, shembulli ynë i madh, përherë i mbante sytë të drejtuar tek Ati i Tij. Ai i donte dhe u shërbente bashkënjerëzve të Tij, por tha: ‘Unë nuk marr lavdi nga njerëzit’ (Gjoni 5:41). Ai dëshironte që ata të cilët i mësonte, ta ndiqnin Atë, por Ai nuk e kërkoi pëlqimin e tyre.”20
Këto përshkrime të dashurisë dhe ligjit janë të dy udhërrëfyes të vërtetë për atë që Perëndia na ka urdhëruar të bëjmë. Më përpara i jam referuar “[përpjekjes sonë] të vazhdueshme për të baraspeshuar urdhërimet e dyfishta të dashurisë dhe ligjit”21, por tani besoj se ai synim duhet shprehur më mirë si përpjekja për t’i jetuar që të dyja këto urdhërime në një mënyrë më tërësore. Kushdo që nuk i trajton me dashuri e dinjitet individët që përballen me sfida të identitetit gjinor, nuk është në përputhje me mësimet e urdhërimit të parë e të dytë të madh. Si rrjedhim, për temën e ligjit të Perëndisë, na nevojitet të kujtojmë se Perëndia ka dhënë nëpërmjet zbulesës herë pas here se Ai krijoi mashkullin dhe femrën.22 Dhe për temën lidhur me detyrën tonë për ta dashur të afërmin tonë, na nevojitet të kujtojmë se Perëndia na ka urdhëruar t’i duam edhe ata që nuk i zbatojnë të gjitha urdhërimet.
Nëse ju, një pjesëtar i familjes, ose një mik i juaji po ndeshet me këto çështje të pështjellimit të identitetit, ju nxit t’i zbatoni të dyja ligjet e ungjillit dhe dashurinë e mëshirën e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, i cili do t’ju ndihmojë e udhërrëfejë nëse ecni me durim në shtigjet e Tij. Jezu Krishti, i cili tha se ishte “drita e botës”23, na mëson shtegun që nevojitet të ndjekim për t’i bërë realitet bekimet më të zgjedhura të Atit tonë Qiellor. Ai na mëson nëpërmjet shkrimeve të shenjta, nëpërmjet profetëve të Tij dhe nëpërmjet zbulesës vetjake. Ai na do dhe do të na udhërrëfejë kur përpiqemi ta ndjekim atje ku do të na çojë Ai.
IV.
Një çështje që lidhet me këtë dhe është më e njohur, është ndjenja e tërheqjes romantike ndaj personave të së njëjtës gjini. Sigurisht, nëse nuk veprohet sipas tyre, këto tërheqje nuk janë mëkate. Por si të veprojmë me ndjenja të tilla, tek vetja ose tek të tjerët?
Këshilla ime e parë është të kujtojmë se cilatdo qofshin variacionet tona në larminë e krijesave të Atit tonë në Qiell, Ai na do të gjithëve dhe plani i Tij i përsosur për lumturinë ka një vend për të gjithë. Ne e tregojmë dashurinë tonë për Të duke i zbatuar urdhërimet e Tij, përfshirë dashurinë për fëmijët e Tij.
Ndërkohë që njerëzit dhe pjesëtarët e familjes përjetojnë ndjenja të tilla, ata duhet të jenë të kujdesshëm me etiketimet. Presidenti Rasëll M. Nelson foli për këtë në takimin shpirtëror mbarëbotëror vitin e kaluar. Ai na mësoi se etiketimi është botërisht kufizues ngaqë e ndan dhe kufizon mënyrën se si njerëzit mendojnë për vetveten dhe njëri‑tjetrin. Rrjedhimisht ai dha mësim: “Asnjë përcaktues nuk duhet t’i zhvendosë, zëvendësojë ose të marrë përparësi mbi këto tre emërtime afatgjata: ‘fëmijë i Perëndisë’, ‘fëmijë i besëlidhjes’ dhe ‘dishepull i Jezu Krishtit’”. Pastaj ai paralajmëroi:
“Çfarëdo [identifikuesi] që nuk përputhet me këto tri emërtime bazë, përfundimisht do t’ju zhgënjejë. Etiketime të tjera do t’ju zhgënjejnë me kalimin e kohës ngaqë nuk e kanë fuqinë për t’ju udhëhequr drejt jetës së përjetshme në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.”24
Ato që kanë vërtet fuqinë për të na çuar drejt jetës së përjetshme dhe mbretërisë çelestiale janë besëlidhjet që bëjmë. Përsëri Presidenti Nelson na dha mësim vitin e kaluar:
“Kur ju dhe unë kemi bërë besëlidhje me Perëndinë, marrëdhënia jonë me Të bëhet shumë më e ngushtë sesa përpara besëlidhjes sonë. Tani ne jemi të lidhur së bashku. Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne. Secili prej nesh ka një vend të veçantë në zemrën e Perëndisë.”25
Më pas, vetëm ca muaj më parë, Presidenti Nelson përsëri na kujtoi se “mbajtja e besëlidhjeve, në fakt e bën jetën më të lehtë! Çdo person që bën besëlidhje … ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit.”26
Fuqisë vetjake që vjen nga mbajtja e besëlidhjeve i shtohet edhe mësimi i mrekullueshëm i Shpëtimtarit tonë se në mes të sfidave të jetës në vdekshmëri, ne duhet të “m[arrim] zemër”27.
Në një fjalim mbarëbotëror pak muaj më parë, Plaku Xhefri R. Holland na kujtoi se Jezusi e dha atë mësim në prag të Kryqëzimit të Tij. Si mund të fliste Ai për të marrë zemër në mes të gjithë ankthit me të cilin u përball? Plaku Holland shpjegoi:
“Edhe në atmosferën fatale që duhet të ketë mbizotëruar në Darkën e Fundit, Krishti gjithsesi [ishte] duke u kujtuar dishepujve të Tij arsyen dhe detyrën që kishin për të ‘m[arrë] zemër’ [Gjoni 16:33]. …
… Sigurisht, kjo shfaqje e besimit të Tij, e shpresës dhe dashurisë hyjnore të Tij, vjen sepse Ai e di fundin e historisë. Ai e di se drejtësia triumfon kur tregimet përfundimtare të plotësohen. Ai e di se drita gjithnjë e mund errësirën përgjithmonë dhe përgjithmonë dhe përgjithmonë.”28
Kristen, a dëshiron t’i thuash disa fjalë mbyllëse këtij grupi të dashur?
Motra Ouks: Gjithçka që kemi thënë këtu mund të sjellë bekime në jetën tonë. Ne të gjithë e dimë historinë e fëmijëve të Izraelit që po sulmoheshin nga gjarpërinj helmues në shkretëtirë. Por sonte ajo është edhe historia juaj. Siç urdhëroi Perëndia, Moisiu bëri një shkop që simbolizonte Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Më pas Moisiu i bëri thirrje gjithkujt të shihte lart dhe ata do të shëroheshin nga plagët e tyre.
Sonte, sikurse izraelitët, ne jemi nën sulm prej bindjeve të ndryshme që ne i kemi të shenjta. Ju kërkoj edhe juve që të shihni te Perëndia dhe të jetoni. Shihni te fjalët e thëna sonte, fjalët e profetit tonë, shkrimet e shenjta, plani i shpëtimit dhe bekimet tuaja patriarkale. Lutuni dhe Zoti do të jetë me ju. Kjo nuk do të thotë që çdonjëri prej nesh do të dalë i padëmtuar, por do të thotë që nuk do të jemi vetëm dhe do të shkojmë përpara të udhërrëfyer dhe të mbrojtur nga ligësia përreth nesh. Do të thotë që do ta dimë të vërtetën dhe do të gëzohemi nga Shpirti. Ju ftoj të shihni te Perëndia dhe të jetoni.
V.
Presidenti Ouks: Kemi folur rreth planit të shpëtimit, që të tre aktet që janë zbuluar, veçanërisht qëllimi i kësaj jete në vdekshmëri.
Ne kemi folur për rolin dhe kohën e martesës dhe fëmijëve.
Kemi dhënë mësim se duhet të përpiqemi me zell që ta njohim Jezu Krishtin, ta ndiejmë dashurinë e Tij dhe të kemi besim tek Ai dhe tek udhërrëfimi i Tij i dashur përgjatë shtegut të besëlidhjeve drejt fatit tonë të përjetshëm.
Kemi folur për dy urdhërimet e mëdha – ta duam Perëndinë dhe ta duam të afërmin tonë – dhe ju kemi mësuar se që të dyja duhet të zbatohen.
Në të gjitha shqetësimet tona, teksa i zgjidhim sfidat tona, nxitemi që të marrim zemër, sepse Ai e ka mposhtur botën. Edhe ne mund ta mposhtim. Kujtoni, plani i Atit tonë është një plan lumturie.
Unë dëshmoj për Shpëtimtarin tonë Jezu Krishtin, i cili është udha, e vërteta dhe jeta. Në emrin e Tij të shenjtë, emrin e Jezu Krishtit, amen.