“Të Besojmë te Krishti përpara se Ai të Vijë Sërish”, Për Forcën e Rinisë, prill 2024.
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Për Forcën e Rinisë, Prill 2024
Të Besojmë te Krishti përpara se Ai të Vijë Sërish
Nefitët kishin besim përpara se Shpëtimtari të vinte dhe ne mund të kemi besim përpara se Ai të vijë sërish.
A e ke menduar ndonjëherë se si do të ishte të besoje te Shpëtimtari përpara se Ai të vinte në tokë? Nefitët e lashtë duhej të bënin pikërisht atë, “të shikonin me padurim për Mesian dhe të besonin në ardhjen e tij, sikur ai tashmë të kishte ardhur” (Jaromi 1:11).
Në ditët e sotme, ne kemi anale të shkrimeve të shenjta dhe historike që dëshmojnë se Jezu Krishti jetoi, vdiq dhe u ngrit sërish. Ne besojmë në një Shpëtimtar që tashmë ka ardhur. Por ne besojmë gjithashtu në një Shpëtimtar që do të vijë sërish.
Përpara se Jezu Krishti të Vinte, Nefitët Kishin Besim:
Të faleshin për mëkatet e tyre.
“Kushdo që do të besojë se Krishti do të vijë, po ai mund të marrë heqje të mëkateve të tij dhe të gëzojë me gëzim jashtëzakonisht të madh, madje sikurse ai të kishte ardhur tashmë mes tyre” (Mosia 3:13; theksimi i shtuar).
Ta falnin vetveten.
“Dhe erdhi një zë tek unë duke thënë: Enos, mëkatet e tua të janë falur. … Prandaj fajësia ime u fshi. Dhe unë thashë: Zot, si u bë ajo? Dhe ai më tha: Për shkak të besimit tënd në Krishtin, të cilin ti kurrë më parë as e ke dëgjuar, as e ke parë. Dhe shumë vjet kalojnë para se ai të shfaqë veten e tij në mish; … besimi yt të ka bërë ty të shëruar” (Enosi 1:5–8; theksimi i shtuar).
Të kryenin mrekulli.
“Ne dinim për Krishtin dhe ne kishim një shpresë të lavdisë së tij, shumë qindra vjet para ardhjes së tij. … Sa ne me të vërtetë mund të urdhërojmë në emrin e Jezusit dhe vetë pemët na binden, ose malet, ose valët e detit” (Jakobi [LiM] 4:4, 6; theksimi i shtuar).
Të merrnin zbulesë.
“Pati shumë, besimi i të cilëve qe aq jashtëzakonisht i fortë, madje para se të vinte Krishti, të cilët nuk mund të mbaheshin përjashta velit, por panë me të vërtetë me sytë e tyre” (Ethëri 12:19; theksimi i shtuar).
Përpara se Jezu Krishti të Vijë sërish, Ne Mund të Kemi Besim:
Të marrim falje, të falim veten, të kryejmë mrekulli dhe të marrim zbulesë (ashtu si nefitët).
Ta përgatitim veten tonë për ardhjen e Tij.
Teksa përpiqemi t’i mbajmë besëlidhjet tona, ne po përgatitemi për të jetuar në mbretërinë çelestiale. “Pasi vini re, kjo jetë është koha për njerëzit që të përgatiten të takohen me Perëndinë; po, vini re, dita e kësaj jete është dita për njerëzit që të kryejnë punët e tyre” (Alma 34:32).
Ta përgatitim botën për ardhjen e Tij.
Ne jemi ftuar nga Presidenti Rasëll M. Nelson, që të jemi pjesë e “punës më të madhe në tokë”, mbledhjes së Izraelit. “Ati ynë Qiellor ka ruajtur shumë nga shpirtrat e Tij më fisnikë – ndoshta, mund të them, skuadrën e Tij më të mirë – për këtë fazë përfundimtare. Ata shpirtra fisnikë – ata lojtarë më të mirë, ata heronj – jeni ju!”1
Të kemi shpresë gjatë kohëve të vështira.
Kur Shpëtimtari të vijë sërish, të drejtët do të jetojnë në paqe. Shpëtimtari do të mbretërojë dhe padrejtësia do të ndreqet. “Sepse Zoti do të jetë mes tyre e lavdia e tij do të jetë mbi ta dhe ai do të jetë mbreti e ligjdhënësi i tyre” (Doktrina e Besëlidhje 45:59).
Të mirëbesojmë te Ringjallja.
I gjithë njerëzimi do të ringjallet. Ne do të kemi trupa të përsosur e të pavdekshëm. Mund t’i shohim sërish njerëzit tanë të dashur që kanë ndërruar jetë. “Shpirti dhe trupi do të bashkohen përsëri në formën e tij të përkryer; dhe si gjymtyrët ashtu dhe nyj[a]t do të rivendosen në të njëjtin trup, pikërisht ashtu siç jemi në këtë kohë” (Alma 11:43).
Nefitët e lashtë kishin besim te Shpëtimtari përpara se Ai të vinte. Ne mund të kemi besim se Shpëtimtari do të vijë sërish, kur “[ne] do t[a] … shoh[im Atë] në retë e qiellit, të mbuluar me fuqi dhe lavdi të madhe” (Doktrina e Besëlidhje 45:44; shihni edhe te Veprat e Apostujve 1:11). Si e ndryshon dijenia se Ai do të vijë sërish, atë që do të bësh sot?
© 2024 nga Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly For the Strength of Youth Message, April 2024. Albanian. 19353 101