Mesazhi i Përmuajshëm i Revistës Për Forcën e Rinisë, Dhjetor 2024
Lindja e Krishtit
Mëso rreth kësaj skene të njohur të Krishtlindjes dhe mënyrës se si ajo na ndihmon të përqendrohemi te Shpëtimtari.
Bethlehemi
Bethlehem do të thotë “shtëpia e bukës” në hebraisht. Ai ndonjëherë quhet qyteti i Davidit, prej linjës së të cilit u profetizua se do të vinte Mesia (shih te Jeremia 23:5; Gjon 7:42). Samueli e vajosi mbretin David në Bethlehem (shih te 1 Samuelit 16:1–13). U profetizua se Mesia do të lindte atje (shih te Mikea 5:2).
Han
Fjala greke për hanin mund të ketë kuptimin e çfarëdo strehimi, përfshirë një dhome për miqtë. Maria “e vendosi [fëmijën Krisht] në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta” (Lluka 2:7). (Përkthimi prej Joseph Smith‑it thotë “hane”.) “Nuk kishte vend” mund të nënkuptojë se nuk i pritën diku ose se asnjë vend ku mund të kishin qëndruar, nuk kishte hapësirë për të sjellë në jetë një foshnjë. Gjithsesi, ata shkuan diku ku kishte një koritë.
Korita
Korita është një kuti e ngritur ose govatë që mban ushqim për kafshët. Në Judenë e lashtë, ato më së shumti ishin prej guri. Hanet kishin oborre me korita në qendër dhe shumë shtëpi kishin gjithashtu korita në dhomën e madhe kryesore në mënyrë që kafshët të mund të mbaheshin atje gjatë natës.
Veshjet Mbështjellëse
Nënat i kanë mbështjellë të sapolindurit (duke iu ngjeshur rreth trupit një batanije ose cohë) prej mijëra vjetësh. Kjo i qetëson dhe i rehaton ata pas tronditjes së daljes nga barku. Coha që përdori Maria, mund të ketë pasur një shenjë të veçantë që ishte vetëm e familjes së tyre.
Maria dhe Jozefi
Ata ishin njerëz të mirë e të drejtë dhe të dy qenë pasardhës të Davidit. Secilin e kishte vizituar një engjëll në përgatitje për lindjen e Shpëtimtarit (shih te Mateu 1:18–25; Lluka 1:26–38). Ata përshkuan 100–140 km për në Bethlehem. Maria qe shtatzënë gjatë udhëtimit.
Barinjtë
Barinjtë po kujdeseshin për tufat e dhenve afër Bethlehemit. Sipas disa studiuesve, vetëm delet që synohej të flijoheshin në tempull, lejoheshin të rriteshin pranë qytetit. Pra, këta barinj mund të kenë qenë duke u kujdesur për delet që do të përfaqësonin flijimin e Jezu Krishtit për ne (shih te Moisiu 5:6–7). Ata i lanë tufat për të parë Mesian, flijimi shlyes i të cilit do t’i jepte fund flijimit të kafshëve.
Fëmija Krisht
Jezu Krishti është figura qendrore e skenës së lindjes së Krishtit dhe e jetës sonë.
© 2024 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly For the Strength of Youth Message, December 2024. Albanian. 19346 101