Qëndroni në Detyrën në të cilën ju Kam Caktuar
U shkofshim në ndihmë dhe i shpëtofshim ata që kanë rënë buzë rrugës, që asnjë shpirt i çmuar të mos humbasë!
Jemi mbledhur këtë mbrëmje si një trup i fuqishëm i priftërisë, këtu në Qendrën e Konferencave si edhe në vendndodhje anembanë botës. Disa mbajnë Priftërinë Aarone, ndërsa të tjerë mbajnë Priftërinë Melkizedeke.
Presidenti Stiven L. Riçards, i cili shërbeu si këshilltar i Presidentit Dejvid O. Mek‑Kei, deklaroi: “Priftëria zakonisht përkufizohet thjesht si ‘fuqia e Perëndisë që i delegohet njeriut’”. Ai vazhdon: “Unë mendoj se ky përkufizim është i saktë. Por për arsye praktike, më pëlqen ta përkufizoj priftërinë në kuptimin e shërbimit dhe shpesh e quaj atë ‘plani i përkryer i shërbimit’. … Ajo është një vegël shërbimi … dhe njeriu që nuk arrin ta përdorë atë, është i prirur ta humbasë, sepse na është thënë qartë nëpërmjet zbulesës se ai që do ta lërë pas dore ‘nuk do të llogaritet i denjë për të qëndruar’.”1
Në Kunjin e Pionierëve, që gjendet në Solt‑Lejk‑Siti dhe është vendi ku mora edhe Priftërinë Aarone, edhe atë Melkizedeke, na u mësua të njiheshim me shkrimet e shenjta, përfshirë seksionet 20, 84 dhe 107 te Doktrina e Besëlidhje. Në këto seksione mësojmë rreth priftërisë dhe qeverisjes së Kishës.
Sonte dëshiroj të theksoj një varg nga Seksioni 107: “Si rrjedhim, tani çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij dhe të veprojë në thirrjen që është caktuar, gjithë zell”.2
Presidenti Harold B. Li jepte vazhdimisht mësim: “Kur dikush bëhet mbajtës i priftërisë, ai bëhet një veprues për Zotin. Ai duhet ta konsiderojë thirrjen e tij sikur të ishte në punën e Zotit.”3
Ne mësojmë nga këto seksione edhe detyrat e presidencave të kuorumeve dhe faktin që mbajmë përgjegjësi për të tjerët përveçse për veten tonë.
Unë besoj me vendosmëri se Kisha sot është më e fortë nga sa ka qenë ndonjëherë. Nivelet e aktivizimit të rinisë sonë dëshmojnë që ky është një brez besimi dhe përkushtimi ndaj së vërtetës. Prapëseprapë janë disa që bien buzë rrugës, të cilët gjejnë interesa të tjerë që i bindin t’i shpërfillin detyrat e tyre në Kishë. Ne nuk duhet t’i humbasim shpirtra të tillë të çmuar.
Ka një numër në rritje mes pleqve të ardhshëm, të cilët nuk i gjen në mbledhjet e Kishës e as duke përmbushur detyrat e Kishës. Kjo situatë mund dhe duhet të zgjidhet. Detyra është e jona. Duhet caktuar përgjegjësia dhe duhen bërë përpjekje pa vonesë.
Presidencat e kuorumeve të Priftërisë Aarone, nën udhëheqjen e peshkopatës dhe këshilluesve të kuorumeve, mund të fuqizohen për t’i ndihmuar dhe shpëtuar ata.
Zoti tha: “Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë; … dhe sa i madh është gëzimi i tij për shpirtin që pendohet!”4
Nganjëherë puna duket mbingarkuese. Mund të marrim guxim sërish prej përvojës së Gedeonit të lashtësisë, i cili, me trupën e tij modeste, duhej të luftonte me midianitët dhe amalekitët. Duhet t’ju kujtohet mënyra se si Gedeoni dhe ushtria e tij u përballën me një furi tronditëse trupash me epërsi shumë më të madhe në armatim dhe në numër. Libri i Gjyqtarëve në Dhiatën e Vjetër shënon se ushtria e bashkuar, midianitët dhe amalekitët “ishin shpërndarë në luginë si një mori karkalecash dhe devetë e tyre të panumërta ishin si rëra që ndodhet mbi bregun e detit”.5 Gedeoni shkoi te Perëndia i Plotfuqishëm për të marrë forcë.
Për befasinë e tij, Gedeoni u këshillua nga Zoti që trupa e tij ishte tepër e madhe në numër që Zoti t’ia dorëzonte armikun në duar, që populli të mos thoshte: “Është dora ime që më ka shpëtuar”6. Gedeoni u udhëzua t’i shpallte popullit: “‘Ai që ka frikë dhe dridhet, le të kthehet prapa dhe të largohet nga mali i Galaadit’. Atëherë u kthyen prapa njëzet e dy mijë burra dhe mbetën në vend dhjetë mijë.”7
Atëherë Zoti tha “Njerëzit janë përsëri shumë”8. Ai e udhëzoi Gedeonin që t’i bënte burrat të zbrisnin në ujë për të vëzhguar mënyrën se si do ta pinin atë ujë. Ata që e lëpinë ujin me gjuhë, u vendosën në një grup dhe ata që u gjunjëzuan për të pirë u vendosën në një grup tjetër. Zoti i tha Gedeonit: “Me anë të treqind burrave që lëpinë ujin unë do t’ju shpëtoj dhe do t’i jap Madianitët në duart e tua. Gjithë të tjer[ë]t le të kthehen në shtëpitë e tyre”9
Gedeoni u rikthye tek trupat e tij dhe u tha: “Çohuni se Zoti ka dhënë në duart tuaja kampin e Madianit!”10 Pastaj i ndau të treqind burrat në tre grupe dhe i dorëzoi secilit prej tyre bori dhe enë boshe me nga një pishtar brenda; Dhe ai u tha atyre:
“Shikomëni mua dhe veproni ashtu si do të veproj unë; kur të kem arritur në kufijtë e kampit, ju do të veproni pikërisht si unë.
Kur do t’i bie borisë, unë dhe të gjithë ata që janë me mua, edhe ju do t’[u] bini borive rreth e qark … dhe do të bërtisni: ‘Për Zotin dhe për Gedeonin’.” Ai pastaj në fakt tha: “Më ndiqni”. Fjalët e tij të sakta qenë: “Veproni ashtu si do të veproj unë”11.
Pas sinjalit të udhëheqësit, ushtria e Gedeonit u ra vërtet borive dhe i thyen enët dhe bërtitën: “Shpata e Zotit dhe e Gedeonit!” Shkrimi i shenjtë shënon rrjedhojën e kësaj beteje vendimtare: “Secili prej tyre qëndroi në vendin e tij” dhe u mor fitorja.12
Mësimi i shtëpisë është pjesë e planit të sotëm për shpëtimin e shpirtrave. Kur ai iu paraqit të gjithë Autoriteteve të Përgjithshme nga Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei, ai këshilloi: “Mësimi i shtëpisë është një prej mundësive tona më të ngutshme dhe më shpërblyese për t’i ushqyer shpirtërisht dhe për t’i frymëzuar, për t’i këshilluar dhe drejtuar fëmijët e Atit tonë. … Është një shërbim hyjnor, një thirrje hyjnore. Është detyra jonë si Mësues të Shtëpisë për ta çuar … shpirtin në çdo shtëpi dhe zemër.”13
Në zona të caktuara, ku mungon trupa e duhur e Priftërisë Melkizedeke, presidentët e kunjeve dhe peshkopët, duke i bashkërenduar veprimet me presidentin e misionit, mund t’i përdorin misionarët kohëplotë për të vizituar familjet më pak aktive dhe familjet pjesërisht anëtare. Kjo jo vetëm që e rindez shpirtin misionar në shtëpi, por siguron gjithashtu një mundësi ideale që të merren referime cilësore [për persona që duan të njohin ungjillin].
Me kalimin e viteve, ndërsa kam vizituar shumë kunje anekënd botës, ka pasur nga ato kunje ku udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve, nga nevoja ose në përgjigje të detyrës, ndaluan së ndenjuri me duar lidhur, i përveshën mëngët dhe, me ndihmën e Zotit, iu futën punës dhe sollën burra të çmuar për t’u kualifikuar për Priftërinë Melkizedeke dhe për të hyrë në tempullin e shenjtë me gratë dhe fëmijët e vet për dhurimet dhe vulosjet e tyre.
Do të përmend shkurtimisht disa shembuj:
Gjatë një vizite në kunjin e Millkrikut në Solt‑Lejk‑Siti disa vjet më parë, mësova se gjatë vitit të shkuar mbi 100 vëllezër që ishin pleq të ardhshëm ishin shuguruar pleq. E pyeta Presidentin Xhejms Kleg për sekretin e suksesit të tij. Ndonëse ishte shumë modest për t’i marrë meritat, njëri prej këshilltarëve të tij zbuloi faktin se Presidenti Kleg, duke e njohur sfidën, kishte ndërmarrë që ta merrte në telefon secilin prej pleqve të ardhshëm dhe të linte një takim personal me të. Gjatë takimit, Presidenti Kleg përmendte tempullin e Zotit, ordinancat shpëtuese dhe besëlidhjet e theksuara atje dhe e mbyllte me këtë pyetje: “A nuk do të dëshiroje ta çoje bashkëshorten tënde të ëmbël dhe fëmijët e tu të çmuar në shtëpinë e Zotit, që të mund të jeni një familje përgjithmonë në përjetësi?” Pas kësaj burri pranonte, ndiqej procesi i riaktivizimit dhe arrihej synimi.
Në vitin 1952, shumica e familjeve në lagjen Roz Park 3 ishin anëtare, etërit ose bashkëshortët e të cilave mbanin vetëm Priftërinë Aarone, në vend që të mbanin Priftërinë Melkizedeke. Vëllai L. Brent Gouts u thirr për të shërbyer si peshkop. Ai ftoi një vëlla më pak aktiv në lagje, Ernest Skinerin, që t’i vinte në ndihmë për t’i aktivizuar 29 vëllezërit në moshë madhore të lagjes që mbanin detyrën e mësuesit në Priftërinë Aarone dhe për t’i ndihmuar këta burra dhe familjet e tyre që të shkonin në tempull. Duke qenë vetë një anëtar më pak aktiv, vëllai Skiner ngurroi në fillim, por në fund dha shenjë se do të bënte atë që mundej. Ai filloi të takohej vetë me mësuesit më pak aktivë në moshë madhore, duke u përpjekur t’i ndihmonte ata që ta kuptonin rolin e tyre si udhëheqës priftërie në shtëpitë e tyre dhe si bashkëshortë e etër për familjet e tyre. Ai shpejt rekrutoi disa nga vëllezërit më pak aktivë që t’i vinin në ndihmë për detyrën e tij. Një e nga një, ata u bënë sërish plotësisht aktivë dhe i çuan familjet e veta në tempull.
Një ditë, nëpunësi i lagjes doli nga radha e pritjes në arkën e një ushqimoreje për të përshëndetur burrin e fundit të grupit që do të shkonte në tempull. Duke e komentuar pozicionin e tij si i fundit, burri tha: “Ndenja në pritje dhe vëzhgova se si i gjithë ai grup u bë aktiv në lagjen tonë dhe shkoi në tempull. Sikur vetëm të kisha mundur ta përfytyroja se sa bukur ishte në tempull dhe se si do të ma ndryshonte jetën përgjithnjë, nuk do të kisha qenë kurrë i fundit nga të 29‑tët që vulosej në tempull.”
Në secilin prej këtyre tregimeve, pati katër elemente që i shtynë ata drejt suksesit:
-
Mundësia për riaktivizim u ndoq në nivel lagjeje.
-
U përfshi peshkopi i lagjes.
-
U siguruan mësues të kualifikuar dhe të frymëzuar.
-
Iu dha vëmendje çdo individi.
Vëllezër, le ta mbajmë mend këshillën e Mbretit Beniamin: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”14.
Le të shkojmë në ndihmë për t’i shpëtuar ata që kanë kaq shumë nevojë për ndihmën tonë, dhe t’i ngremë në udhën më të lartë dhe mënyrën më të mirë. Le t’i përqendrojmë mendimet tona te nevojat e mbajtësve të priftërisë dhe të bashkëshorteve dhe fëmijëve që kanë rrëshqitur nga shtegu i aktivizimit. E dëgjofshim mesazhin e pathënë nga zemra e tyre:
Tregom’, drejtom’, pran’ ti më rri,
Rrugën që ta gjej.
Ç’duhet të bëj më mëso,
Të rroj me të në qiej. 15
Detyra e riaktivizimit nuk është punë për dembelin apo ëndërrimtarin. Fëmijët rriten, prindërit moshohen dhe koha nuk pret askënd. Mos e shtyni një nxitje për më vonë; përkundrazi, veproni sipas saj dhe Zoti do ta hapë udhën.
Kërkohet vazhdimisht virtyti qiellor i durimit. Si peshkop, ndjeva një ditë nxitjen për të marrë në telefon një burrë, bashkëshortja e të cilit qe disi aktive, ashtu si fëmijët. Ky burrë sidoqoftë, nuk ishte përgjigjur kurrë. Qe një ditë e nxehtë vere kur unë trokita në derën me xham të Harold G. Galaherit. Mund ta shihja vëllanë Galaher të ulur në karrigen e tij duke lexuar gazetën. “Kush është?”, pyeti ai, pa i ngritur sytë.
“Peshkopi yt”, iu përgjigja. “Kam ardhur të njihemi dhe t’ju nxit për pjesëmarrje me familjen tuaj në mbledhjet tona.”
“Jo, jam tepër i zënë”, erdhi përgjigjja shpërfillëse. Ai asnjëherë nuk i ngriti sytë. E falënderova që më dëgjoi, dhe u largova nga pragu i derës.
Familja Galaher u shpërngul në Kaliforni pak pas kësaj. Vitet kaluan. Në atë kohë, si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, po punoja në zyrën time një ditë, kur sekretarja ime, më telefonoi duke thënë: “Njëfarë vëllai Galaher, i cili dikur jetonte në lagjen tënde, dëshiron të flasë me ty. Është këtu në zyrën time.”
Iu përgjigja: “Pyete a quhet Harold G. Galaher”, i cili ka jetuar me familjen e vet në Vising Plejs në bllokun Uest Tempëll dhe Fifth Sauth”.
Ajo tha: “Ai është”.
I kërkova ta sillte në zyrën time. Ne bëmë një bisedë të këndshme së bashku në lidhje me familjen e tij. Ai më tha: “Kam ardhur të të kërkoj falje që nuk u ngrita nga karrigia ime dhe që të lashë tek dera atë ditë vere shumë vite më parë”. E pyeta a ishte aktiv në Kishë. Me një buzëqeshje të matur, u përgjigj: “Tani jam këshilltar i dytë në peshkopatën e lagjes sime. Ftesa jote për të ardhur në kishë dhe përgjigjja ime negative, më përndoqi aq shumë saqë vendosa të bëj diçka lidhur me të.”
Haroldi dhe unë biseduam së bashku në raste të shumta përpara se ai të ndërronte jetë. Familja Galaher dhe fëmijët e tyre përmbushën shumë thirrje në Kishë. Një prej nipërve më të vegjël tani po shërben në një mision kohëplotë.
Misionarëve të shumtë që mund të jenë duke më dëgjuar këtë mbrëmje, u jap vërejtjen time se farat e dëshmisë shpesh nuk zënë rrënjë e lulëzojnë menjëherë. Frytet e përpjekjeve na vijnë, nganjëherë, vetëm pas shumë ditësh. Por ama na vijnë.
U përgjigja pasi më ra telefoni një mbrëmje dhe dëgjova një zë që më pyeti: “A ke lidhje më një Plak Monson i cili shërbeu vite më parë në Misionin e Nju‑Inglëndit?
Iu përgjigja që nuk ishte kështu. Telefonuesi e paraqiti veten si Vëllai Leonardo Gambardela dhe më pas përmendi që një Plak Monson dhe një Plak Boner telefonuan në numrin e shtëpisë së tij kohë më parë dhe dhanë dëshmi për të dhe bashkëshorten. Ata i kishin dëgjuar, por nuk kishin bërë asgjë më tutje për t’i vënë në zbatim mësimet e tyre. Pas kësaj u shpërngulën në Kaliforni, ku, pas rreth 13 vjetësh, e gjetën përsëri të vërtetën dhe u kthyen në besim dhe u pagëzuan. Vëllai Gambardela më pas më pyeti a kishte ndonjë mënyrë në të cilën mund të fliste me pleqtë që kishin biseduar herën e parë me ta, që ai të mund t’u shprehte mirënjohjen e thellë për dëshmitë e tyre, të cilat i qenë ngulitur atij dhe bashkëshortes së tij.
Kontrollova dokumentet. E gjeta vendndodhjen e pleqve. A mund ta përfytyroni befasinë e tyre, që tani ishin të martuar dhe me familje të vetat, kur i mora në telefon dhe u dhashë lajmin e mirë – madje pikën kulmore të përpjekjeve të tyre të hershme? Atyre iu kujtua në çast familja Gambardela. Lashë orar për një konferencë telefonike që ata të mund t’i shprehnin vetë urimet e tyre dhe t’u uronin mirëseardhjen në Kishë. Ata e bënë. Pati lot, por qenë lot gëzimi.
Edvin Markami shkroi këta rreshta:
Ekziston një fat që vëllezër na bën,
Askush vetëm për vete s’jeton:
Gjithçka që në jetën e të tjerëve bëjmë,
Na kthehet në jetën tonë. 16
Sonte lutem që të gjithë ne që mbajmë priftërinë, të mund t’i ndiejmë përgjegjësitë tona, që ne, sikurse Gedeoni i lashtësisë, të mund ta vëmë çdo burrë të qëndrojë në detyrën e tij dhe, si një trup i vetëm, ta ndjekim Udhëheqësin tonë – madje Zotin Jezu Krisht – dhe profetin e Tij, Presidentin Gordon B. Hinkli. U shkofshim në ndihmë dhe i shpëtofshim ata që kanë rënë buzë rrugës, që asnjë shpirt i çmuar të mos humbasë!
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.