2000–2009
Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë
Tetor 2006


Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë

Ne ndihmojmë për t’i mbledhur të zgjedhurit e Zotit në të dyja anët e velit.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, faleminderit për besimin tuaj, përkushtimin tuaj dhe dashurinë tuaj. Ne kemi një përgjegjësi të pamasë për të qenë ata që Zoti do që ne të jemi dhe për të bërë atë që Ai do që ne të bëjmë. Ne jemi pjesë e një lëvizjeje të madhe – mbledhja e Izraelit të shpërndarë. Sot po flas për këtë doktrinë për shkak të rëndësisë së saj të pashoqe në planin e përjetshëm të Perëndisë.

Besëlidhja e Abrahamit

Në kohët e lashta, Zoti e bekoi atin Abraham me një premtim për t’i bërë pasardhësit e tij një popull të zgjedhur.1 Në të gjitha shkrimet e shenjta ka referenca për këtë besëlidhje. Të përfshira ishin premtimet se Biri i Perëndisë do të vinte nga linja e pasardhësve të Abrahamit, që disa vende do të trashëgoheshin, që kombet dhe fiset e tokës do të bekoheshin nëpërmjet farës së tij dhe shumë të tjera.2 Ndërkohë që disa aspekte të asaj besëlidhjeje tashmë janë përmbushur, Libri i Mormonit na mëson se kjo besëlidhje e Abrahamit do të përmbushet vetëm në këto ditë të mëvonshme!3 Ai thekson gjithashtu se ne jemi midis njerëzve të besëlidhjes së Zotit.4 I yni është privilegji për të marrë pjesë personalisht në përmbushjen e këtyre premtimeve. Çfarë kohe e mrekullueshme për të jetuar!

Izraeli u Shpërnda

Si pasardhës të Abrahamit, fiset e Izraelit të lashtë kishin qasje tek autoriteti i priftërisë dhe bekimet e ungjillit, por përfundimisht njerëzit u rebeluan. Ata i vranë profetët dhe u ndëshkuan nga Zoti. Dhjetë fise u morën rob në Asiri. Prej andej ata humbën nga analet e njerëzimit. (Padyshim, dhjetë fiset nuk kanë humbur për Zotin.) Dy fiset e mbetura vazhduan për një kohë të shkurtër dhe më pas, për shkak të rebelimit të tyre, u morën rob në Babiloni.5 Kur u rikthyen, ata u favorizuan nga Zoti, por përsëri nuk e nderuan Atë. Ata e refuzuan dhe e përgojuan Atë. Një Atë i dashur, por i brengosur, u përbetua: “Do t’ju shpërndaj midis kombeve”6 dhe Ai e bëri atë – tek të gjitha kombet.

Izraeli Duhet të Mblidhet

Premtimi i Perëndisë për mbledhjen e Izraelit të shpërndarë ishte po aq i qartë.7 Isaia, për shembull, parashikoi se në ditët e mëvonshme, Zoti do të dërgonte “lajmëtarë të shpejtë” tek ata popuj që ishin kaq “shtatlartë dhe lëkurëndritur”8.

Ky premtim për mbledhjen, i thurur nëpër gjithë pëlhurën e shkrimeve të shenjta, do të përmbushet po me aq siguri sa u përmbushën profecitë e shpërndarjes së Izraelit.9

Kisha e Jezu Krishtit në Meridianin e Kohës dhe Braktisja

Përpara Kryqëzimit, Zoti Jezu Krisht e kishte krijuar Kishën e Tij. Ajo përfshinte apostuj, profetë, të shtatëdhjetë, mësues dhe kështu me radhë.10 Dhe Mësuesi dërgoi dishepujt e Tij nëpër botë që të predikonin ungjillin e Tij.11

Pas njëfarë kohe, Kisha e krijuar nga Zoti ra në një kalbëzim shpirtëror. Mësimet e Tij u tjetërsuan; ordinancat e Tij u ndryshuan. Braktisja e Madhe erdhi ashtu siç ishte parashikuar nga Pali, i cili e dinte se Zoti nuk do të vinte përsëri “pa ardhur më parë rënia”12.

Kjo Braktisje e Madhe ndoqi modelin që i kishte dhënë fund çdo periudhe të mëparshme ungjillore. E para fare ishte në kohën e Adamit. Pastaj erdhën periudhat ungjillore të Enokut, Noeut, Abrahamit, Moisiut dhe të tjerëve. Secili profet kishte detyrën e shenjtë për të dhënë mësim për natyrën hyjnore dhe doktrinën e Zotit Jezu Krisht. Në çdo epokë këto mësime synonin t’i ndihmonin njerëzit. Por mosbindja e tyre çonte në braktisje. Kështu që, të gjitha periudhat e mëparshme ungjillore, ishin të kufizuara në kohë dhe vendndodhje. Ato ishin të kufizuara në kohë sepse secila përfundoi në braktisje. Ato ishin të kufizuara në vendndodhje në një segment relativisht të vogël të planetit tokë.

Rivendosja e të Gjitha Gjërave

Në këtë mënyrë kërkohej një rivendosje e plotë. Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti thirrën Profetin Jozef Smith që të ishte profeti i kësaj periudhe ungjillore. Të gjitha forcat hyjnore të periudhave të mëparshme ungjillore duhej të rivendoseshin nëpërmjet Tij.13 Kjo periudhë ungjillore e plotësisë së kohëve nuk do të kufizohej në kohë apo në vendndodhje. Ajo nuk do të përfundonte në braktisje dhe do të mbushte botën.14

Mbledhja e Izraelit – një Pjesë Integrale e Rivendosjes së të Gjitha Gjërave

Siç u profetizua nga Pjetri dhe Pali, të gjitha gjërat duhej të rivendoseshin në këtë periudhë ungjillore. Prandaj, duhet të vijë, si pjesë e asaj rivendosjeje, mbledhja e shumëpritur e Izraelit të shpërndarë.15 Ajo është një prelud i nevojshëm për Ardhjen e Dytë të Zotit.16

Kjo doktrinë e mbledhjes është një nga mësimet e rëndësishme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Zoti ka shpallur: “Unë do t’ju jap një shenjë … kur unë të mbledh nga shpërndarja e tij e gjatë, popullin tim, O shtëpi e Izraelit dhe të vendos përsëri mes tyre Sionin tim”17. Dalja në dritë e Librit të Mormonit është një shenjë për të gjithë botën që Zoti ka filluar ta mbledhë Izraelin dhe t’i përmbushë besëlidhjet që Ai bëri me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin.18 Ne jo vetëm që e japim mësim këtë doktrinë, por marrim pjesë në të. Ne e bëjmë këtë ndërkohë që ndihmojmë për t’i mbledhur të zgjedhurit e Zotit në të dyja anët e velit.

Libri i Mormonit është thelbësor për këtë punë. Ai shpall doktrinën e mbledhjes.19 I bën njerëzit të mësojnë rreth Jezu Krishtit, ta besojnë ungjillin e Tij dhe të bashkohen me Kishën e Tij. Në fakt, nëse nuk do të kishte Libër Mormoni, mbledhja e premtuar e Izraelit nuk do të ndodhte.20

Për ne, emri i nderuar i Abrahamit është i rëndësishëm. Ai përmendet në më shumë vargje të shkrimeve të shenjta të Rivendosjes sesa në të gjitha vargjet e Biblës.21 Abrahami është i lidhur me të gjithë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.22 Zoti e ripohoi besëlidhjen e Abrahamit në kohën tonë nëpërmjet Profetit Jozef Smith.23 Në tempull ne marrim bekimet tona më të larta, si fara e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.24

Periudha Ungjillore e Plotësisë së Kohëve

Kjo periudhë ungjillore e plotësisë së kohëve ishte parashikuar nga Perëndia si koha për t’u mbledhur, si në qiell edhe në tokë. Pjetri e dinte se, pas një periudhe braktisjeje, një rivendosje do të vinte. Ai, i cili kishte qenë me Zotin në malin e Shpërfytyrimit, shpalli:

“Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit, …

të cilin qielli duhet ta mbajë deri në kohën e ripërtëritjes të të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës”25.

Në kohët moderne, Apostujt Pjetri, Jakobi dhe Gjoni u dërguan nga Zoti me “çelësat e mbretërisë [së Tij] dhe një periudhë të ungjillit për kohët e fundit; dhe për plotësinë e kohëve”, në të cilën Ai do të “mbledh[ë] së bashku në një të gjitha gjërat, si ato që janë në qiell, dhe ato që janë në tokë”26.

Në vitin 1830, Profeti Jozef Smith mësoi për një lajmëtar qiellor të quajtur Elias, i cili zotëronte çelësat për të kryer “rivendosje[n e] gjithë gjërave”27.

Gjashtë vjet më vonë u përkushtua Tempulli i Kirtlandit. Pasi Zoti e pranoi atë shtëpi të shenjtë, lajmëtarë qiellorë erdhën me çelësat e priftërisë. U shfaq Moisiu28 “dhe na dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës dhe të udhëheqjes së dhjetë fiseve nga toka e veriut.

Pas kësaj, Eliasi u shfaq dhe dorëzoi periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit, duke thënë se në ne dhe në farën tonë gjithë brezat pas nesh do të bekoheshin.”29

Pastaj erdhi Elija profeti dhe deklaroi: “Vini re, ka ardhur plotësisht koha, që ishte folur nga goja e Malakias, duke dëshmuar që ai [Elija] do të dërgohej, përpara se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit të vinte – Për t’i kthyer zemrat e etërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit, përndryshe tërë toka do të goditej me një mallkim”30.

Këto ngjarje ndodhën më 3 prill 183631 dhe në këtë mënyrë u përmbush profecia e Malakias.32 Çelësat e shenjtë të kësaj periudhe ungjillore u rivendosën.33

Mbledhja e Shpirtrave në Anën Tjetër të Velit

Plot mëshirë, ftesa “ejani te Krishti”34 mund t’u drejtohet edhe atyre që vdiqën pa pasur njohuri për ungjillin.35 Një pjesë e përgatitjes së tyre kërkon përpjekjet tokësore nga të tjerët. Ne mbledhim tabela të prejardhjes familjare, krijojmë fletë të grupeve familjare dhe bëjmë në mënyrë mëkëmbëse punën në tempull për të mbledhur individë te Zoti dhe te familjet e tyre.36

Për të Marrë Pjesë në Mbledhjen: Një Zotim nëpërmjet Besëlidhjes

Këtu në tokë puna misionare është vendimtare për mbledhjen e Izraelit. Ungjilli duhej të çohej së pari tek “delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”37. Si rrjedhim, shërbëtorët e Zotit kanë shkuar përpara për shpalljen e Rivendosjes. Në shumë kombe, misionarët tanë i kanë kërkuar njerëzit e Izraelit të shpërndarë; ata i kanë ndjekur hap pas hapi “në të çarat e shkëmbinjve” dhe kanë peshkuar për ta si në kohët e lashta.38

Zgjedhja për të ardhur te Krishti nuk është çështje vendndodhjeje fizike; ajo është çështje zotimi vetjak. Njerëzit mund të “sillen në njohurinë e Zotit”39 pa u larguar nga vendlindjet e tyre. Me të vërtetë, në kohët e hershme të Kishës, kthimi në besim shpesh do të thoshte edhe emigrim. Por tani mbledhja ndodh në çdo komb. Zoti ka dekretuar krijimin e Sionit40 në çdo vend ku Ai iu ka dhënë vendlindjen dhe kombësinë shenjtorëve të Tij. Shkrimet e shenjta profetizojnë se njerëzit “do të mblidhen në shtëpi, në tokat e trashëgimit të tyre dhe do të vendosen në të gjitha tokat e tyre të premtimit”41. “Çdo komb është një vend mbledhjeje për njerëzit e vet.”42 Vendi i mbledhjes për shenjtorët brazilianë është në Brazil; vendi i mbledhjes për shenjtorët nigerianë është në Nigeri; vendi i mbledhjes për shenjtorët koreanë është në Kore dhe kështu me radhë. Sioni është “të kulluarit në zemër”43. Sioni është kudo ku janë shenjtorët e drejtë. Botimet, komunikimet dhe bashkësitë janë tani të tilla sa thuajse të gjithë anëtarët kanë qasje te doktrinat, çelësat, ordinancat dhe bekimet e ungjillit, pavarësisht nga vendndodhja e tyre.

Siguria shpirtërore gjithmonë do të varet nga mënyra se si jeton një njeri, jo nga vendi ku jeton ai. Shenjtorët në çdo vend kanë të drejtë të njëllojtë për bekimet e Zotit.

Kjo punë e Perëndisë së Plotfuqishëm është e vërtetë. Ai jeton. Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha e Tij, e rivendosur për të përmbushur fatin e saj hyjnor, përfshirë mbledhjen e premtuar të Izraelit. Presidenti Gordon B. Hinkli, është profeti i Perëndisë sot. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.