Mesazhi i Mësimit të Vizitave, janar 2010
Të Bëhemi të Mbështetur tek Vetja
Jepni mësim këto shkrime të shenjta e citate ose, nëse nevojitet, një tjetër parim që do të bekojë motrat që vizitoni. Jepni dëshmi mbi doktrinën. I ftoni ato që vizitoni të ndajnë atë që kanë ndier dhe mësuar.
Çfarë Është Mbështetja tek Vetja?
“‘Mbështetja tek vetja do të thotë të përdorim të gjitha bekimet tona nga Ati Qiellor për t’u kujdesur për veten dhe familjet tona dhe për të gjetur përgjigje për vetë problemet tona.’ Secili prej nesh ka përgjegjësi të përpiqet t’i shmangë problemet përpara se të ndodhin dhe të mësojë të kapërcejë sfidat kur ndodhin. …
Si bëhemi të mbështetur tek vetja? Ne bëhemi të mbështetur tek vetja duke fituar dije, arsimim dhe shkrim e këndim mjaftueshëm; duke i administruar me mençuri paratë e burimet, duke qenë të fortë shpirtërisht, duke u përgatitur për gjendje kritike e probleme të mund-shme; si dhe duke pasur shëndet fizik dhe mirëqenie shoqërore dhe emocionale.”1
Xhuli B. Bek, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës.
Një Përgjegjësi Ungjillore
“Ndërsa jetojmë me maturi dhe i rrisim dhuratat e talentet tona, ne bëhemi më të mbështetur tek vetja. Mbështetja tek vetja është marrja e përgjegjësisë për mirëqenien tonë vetjake shpirtërore e materiale dhe për ata që Ati Qiellor ia ka besuar përkujdesjes sonë. Vetëm kur mbështetemi tek vetja, mund ta ndjekim vërtet shembullin e Shpëtimtarin në shërbimin dhe bekimin e të tjerëve.
Është e rëndësishme ta kuptojmë se mbështetja tek vetja është një mjet për një qëllim. Synimi ynë përfundimtar është të bëhemi si Shpëtimtari dhe ai synim shtohet nga shërbimi ynë bujar për të tjerët. Aftësia jonë për të shërbyer rritet ose zvogëlohet nga niveli i mbështetjes tonë tek vetja.”2
Plaku Robert D. Hejls nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve.
“Mbështetja tek vetja është rezultat i punës sonë dhe forcon të gjitha praktikat e tjera të mirëqenies. Ajo është një element thelbësor për mirëqenien tonë shpirtërore si edhe materiale. Në lidhje me këtë parim, Presidenti Marion G. Romni [1897–1988] ka thënë: ‘Le të punojmë për atë që na duhet. Le të bëhemi të mbështetur tek vetja dhe të pavarur. Shpëtimi nuk mund të sigurohet me ndonjë parim tjetër. Shpëtimi është një çështje vetjake dhe ne duhet të punojmë për shpëtimin tonë në gjërat materiale si edhe shpirtërore.’ …
President Spenser W. Kimball [1895–1985] dha mësim më tej në lidhje me mbështetjen tek vetja: ‘Përgjegjësia për mirëqenien shoqërore, emocionale, shpirtërore, fizike, ose ekonomike të çdo personi bie së pari mbi atë vetë, së dyti mbi familjen e tij dhe së treti mbi Kishën nëse ai është anëtar besnik i saj.’”3
Presidenti Tomas S. Monson.
© 2009 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Printed in Germany. Miratuar për anglisht: 6/09. Miratuar për përkthim: 6/09. Përkthim i Visiting Teaching Message, January 2010. Albanian. 09361 101