Mesazhi i PresidencisëS së Parë, dhjetor 2010
A Mund Ta Shohim Krishtin?
Një natë një gjysh po i lexonte një histori mbesës së tij katërvjeçare kur ajo pa lart dhe tha: “Gjysh, shih tek yjet!” Plaku buzëqeshi mirësisht dhe tha: “Ne jemi brenda, zemër. Këtu nuk ka yje.” Po fëmija këmbënguli: “Ti ke yje në dhomën tënde! Shih!”
Gjyshi vështroi lart dhe, i befasuar, vuri re se tavani ishte mbuluar me një shkëlqim metalik. Ai ishte i padukshëm shumicën e kohës, por kur drita binte nga një kënd mbi sipërfaqen, ai vërtet dukej si një fushë me yje. U desh vështrimi i një fëmije që t’i shihte, por ata ishin atje. Dhe nga ai çast, kur gjyshi futej në dhomën e tij dhe shihte lart, ai mund të dallonte atë që nuk kishte qenë në gjendje ta shihte më parë.
Ne po hyjmë në një stinë tjetër të mrekullueshme Krishtlindjesh të mbushur me muzikë dhe drita, mbrëmje dhe dhurata. Por nga të gjithë njerëzit, ne si anëtarë të kishës që mban emrin e Shpëtimtarit kemi nevojë të shohim përtej fasadës së stinës dhe të shohim të vërtetën dhe bukurinë sublime të kësaj periudhe të vitit.
Unë pyes veten sa ishin në Betlehem që e dinin se pikërisht atje, pranë tyre, Shpëtimtari ishte lindur? Biri i Perëndisë, Mesia i shumë pritur dhe i premtuar – Ai ishte në mes të tyre!
A e mbani mend se çfarë u tregoi engjëlli barinjve? “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” Dhe ata i thanë njeri tjetrit: “Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç’ka ndodhur dhe ç’na bëri të ditur Zoti”(Lluka 2:11, 15).
Si barinjtë e kohëve të lashta, ne kemi nevojë të themi me zemrën tonë: “Le ta shohim këtë gjë që do të ndodhë.” Ne kemi nevojë ta duam atë me gjithë zemrën tonë. Le të shohim Të Shenjtin e Izraelit në grazhd, në tempull, në mal dhe në kryq. Ashtu si barinjtë, le të përlëvdojmë dhe lartësojmë Perëndinë për këto lajme gëzimi të madh!
Ndonjëherë gjërat më të vështira për t’u parë janë ato që kanë qenë drejt përpara nesh gjithmonë. Ashtu si gjyshi që nuk i kishte vënë re yjet në tavan, ne ndonjëherë nuk mund të shohim atë që është me pamje të qartë.
Ne që kemi dëgjuar mesazhin e lavdishëm të ardhjes së Birit të Perëndisë, ne që kemi marrë përsipër emrin e Tij dhe kemi bërë besëlidhje të ecim në rrugën e Tij si dishepuj të Tij – ne duhet të mos ngelemi pa i hapur zemrat dhe mendjet tona dhe vërtet ta shohim Atë.
Stina e Krishtlindjes është e mrekullueshme në shumë drejtime. Ajo është një stinë aktesh bamirësie të mirësisë dhe të dashurisë vëllazërore. Ajo është stinë e të qenit më të menduar mbi vetë jetën tonë dhe mbi shumë bekime që janë tonat. Ajo është stinë e të falurit dhe e të qenit të falur. Ajo është stinë për të gëzuar muzikën dhe dritat, mbrëmjet dhe dhuratat. Por shkëlqimi i stinës nuk duhet kurrë të errësojë shikimin tonë dhe të na ndalojë ne të shohim vërtet Princin e Paqes në madhështinë e Tij.
Le ta bëjmë të gjithë ne stinën e Krishtlindjes së këtij viti një kohë gëzimi dhe festimi, një kohë kur ne njohim mrekullinë që Perëndia ynë i Gjithëfuqishëm dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin, të shëlbonte botën!
© 2010 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratimi për anglisht: 6/09. Miratimi për përkthim: 6/09. Përkthim i First Presidency Message, December 2010. Albanian. 09372 101