2014
Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit: Mesia
gusht 2014


Mesazhi i Vizitave Mësimore, Gusht 2014

Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit: Mesia

Studiojeni me lutje këtë material dhe kërkoni të dini se çfarë të thoni. Në ç’mënyrë të kuptuarit e jetës dhe roleve të Shpëtimtarit do ta rritë besimin tuaj tek Ai dhe do t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni nëpërmjet vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.

Besim, Familje, Ndihmë

Shkrimet e shenjta na mësojnë se ne mund të banojmë në praninë e Perëndisë “nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë” (2 Nefi 2:8). Mesia është “një fjalë aramaike dhe hebraike që do të thotë ‘i vajosuri’. Në Dhiatën e Re, Jezusi quhet Krisht që është ekuivalenti në greqisht i Mesias. Do të thotë Profeti i vajosur, Prift Mbret dhe Çlirimtar.”1

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi: “Unë e di se [Jezu Krishti] është i Shenjti i Izraelit, Mesia që do të vijë një ditë përsëri në lavdinë finale, të mbretërojë në tokë si Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve. Unë e di që nuk ka emër tjetër të dhënë nën qiell me të cilin mund të shpëtohet një burrë [ose grua].”2

“[Jezu Krishti] është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës”, tha Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë. “Ai është Mesia i premtuar. Ai jetoi një jetë të përsosur dhe shleu për mëkatet tona. Ai do të jetë gjithmonë pranë nesh. Ai do t’i luftojë betejat tona. Ai është shpresa jonë; Ai është shpëtimi ynë; Ai është udha.”3

Shkrime të Shenjta Shtesë

Gjoni 1:38–41; 4:25–26, 40–42; 2 Nefi 6:13; 25:16–17

Nga Shkrimet e Shenjta

Dishepullet femra të Krishtit kanë qenë dëshmitare të rolit të Tij si Mesia. Maria Magdalena ishte një dishepulle e Jezu Krishtit. Ajo ishte e para që e pa se “guri ishte hequr nga varri” mëngjesin e Ringjalljes së Krishtit. Ajo “kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante” pasi zbuloi se trupi i Tij nuk ishte më brenda varrit.

Pastaj, “ajo u suall prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi.

Jezusi i tha: ‘O grua, pse po qan? Kë kërkon?’ Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: ‘Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr’.

Jezusi i tha: ‘Mari!’. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: ‘Rabboni!’, që do të thotë: Mësues.” Maria e dalloi se Ai nuk ishte kopshtari, por Jezu Krishti, Mesia. (Shih Gjoni 20:1–17.)

Shënime

  1. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mesia”; scriptures.lds.org.

  2. Xhefri R. Holland, “I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar” Liahona, nëntor 2007, f. 42.

  3. Diter F. Uhtdorf, “Udha e Dishepullit”, Liahona, maj 2009, f. 78.

Merreni Parasysh Këtë

Përse është e rëndësishme ta kuptoni rolin e Shpëtimtarit si Mesia?