2018
Presidenti Rasëll M. Nelson: I Udhërrëfyer, i Përgatitur, i Zotuar
Presidenti Rasëll M. Nelson


Presidenti Rasëll M. Nelson: I Udhërrëfyer, i Përgatitur, i Zotuar

Pas dekadash të shërimit të zemrave si një kirurg zemre me famë dhe më pas i prekjes së zemrave si Apostull i Zotit Jezu Krisht, Presidenti Rasëll M. Nelson sjell një dorë të qëndrueshme dhe një dashuri të pashtershme në shërbesën e tij si President i Kishës.

President Russell M. Nelson seated in black chair

Kur një President i Kishës vdes, shumë njerëz përqendrohen te procesi sipas të cilit përzgjidhet pasuesi i tij. Në fakt, ai proces, i udhërrëfyer nga Zoti, filloi shumë vite më parë. Rasëll M. Nelsoni ka pasur një jetë të tërë përgatitjeje për këtë thirrje të shenjtë. Unë kam qenë dëshmitar për shumicën e asaj përgatitjeje.

Përgatitja e Presidentit Rasëll M. Nelson është e dukshme në përmbledhjen e plotë të të gjitha përvojave dhe arritjeve të gjithë jetës së tij. Ai është i mirënjohur si një nga kirurgët pionierë të zemrës. Ai është një shkrimtar dhe orator i shkëlqyeshëm, i aftë të komunikojë në shumë gjuhë. Ai i njeh e i do njerëzit dhe i kupton efektet e vendimeve në jetën e tyre. Ai i njeh dhe i do shkrimet e shenjta dhe tempullin e shenjtë. Ai është një administrues me përvojë, i cili merr vendime me të shpejtë dhe me vendosmëri.

Presidenti Nelson i ka njohur nga afër dhe në shumë raste ka marrë mësime nga 10 prej 16 Presidentëve të mëparshëm të Kishës. Tani, si Presidenti i 17‑të, ai e fillon shërbesën e tij presidenciale duke iu dhënë siguri shenjtorëve të ditëve të mëvonshme se Jezu Krishti do të vazhdojë ta udhërrëfejë Kishën e Tij.

“Zoti gjithmonë i ka udhëzuar e frymëzuar profetët e Tij dhe gjithmonë do t’i udhëzojë e frymëzojë ata”, tha ai gjatë transmetimit njoftues më 16 janar 2018. “Zoti është në timon. Ne, të cilët jemi shuguruar që të japim dëshmi për emrin e Tij të shenjtë anembanë botës, do të vazhdojmë të përpiqemi ta dimë vullnetin e Tij dhe ta ndjekim atë.”1

Shqetësimi i Presidentit Nelson për mirëqenien e përjetshme të fëmijëve të Perëndisë vjen nga një shërbim i përzemërt gjatë gjithë jetës. Ashtu siç i ka prekur në mënyrë të mirëfilltë shumë zemra si kirurg, po ashtu ai i ka prekur në mënyrë metaforike zemrat e shenjtorëve në mbarë botën me mësimet e tij të fuqishme, shërbimin vetëmohues dhe dashurinë e pashtershme. Sikurse tha gjatë transmetimit historik në janar, ajo dashuri “është rritur gjatë dekadave të takimit me ju, të adhurimit me ju dhe të shërbimit ndaj jush”2.

Përgatitja Thelbësore

Shumë gjëra dihen për karrierën e shquar të dr. Nelsonit si një nga studiuesit, shkencëtarët dhe kirurgët pionierë të zemrës së njeriut. Të gjitha këto, si edhe jeta e tij shembullore familjare, ishin një pjesë kryesore e përgatitjes së tij.

young Russell M. Nelson with his parents and siblings

Rasëll Marion Nelsoni u lind më 9 shtator 1924, nga Marion C. dhe Edna Anderson Nelsoni. Të dy prindërit ishin anëtarë më pak aktivë të Kishës gjatë gjithë fëmijërisë së Rasëllit, por ata i rrethuan fëmijët e tyre me dashuri dhe me raste i dërgonin në Shkollën e së Dielës. Fillimisht, djaloshi Rasëll nuk ishte i interesuar për kishën, duke parapëlqyer të luante futboll me shokët e tij. Por, kur mbushi 16 vjeç, zemra e vet filloi të reagonte ndaj të vërtetave të ungjillit dhe ai u pagëzua së bashku me motrat dhe vëllezërit e tij. Vite më vonë, për shkak të shembullit dhe shtytjes së fëmijëve të tyre, prindërit e Nelsonit u kthyen në aktivitet.

Djaloshi Rasëll iu përgjigj edhe premtimit të arsimimit. Ai po arrinte të kuptonte, sikurse do të jepte mësim më vonë, se ndjekja e arsimimit është një përgjegjësi fetare. Ai u diplomua nga shkolla e mesme në moshën 16-vjeçare dhe u regjistrua në Universitetin e Jutës kur konflikti mbarëbotëror i Luftës së Dytë Botërore e pengoi të shërbente në një mision me kohë të plotë.

Ndërkohë që Rasëlli po punonte për diplomën e tij universitare, talenti i tij muzikor e shtyu të bashkohej me trupën e një shfaqjeje muzikore në universitet. Veshi dhe syri ia kapi sopranon kryesuese, Denzel Uajtin. Ata u martuan fill pasi ai mori diplomën e tij universitare në vitin 1945. Në moshën 22‑vjeçare u diplomua si mjek nga Universiteti i Jutës me nderime të larta. E vazhdoi trajnimin akademik pasuniversitar në Universitetin e Minesotës. Atje ishte një anëtar i rëndësishëm i ekipit që bëri kërkimet nismëtare mbi zhvillimin e operacionit në zemër të hapur. Më vonë ai shërbeu si mjek stazhier në kirurgji në Minesota dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit në Boston të SHBA‑së.

Ndërkohë që vazhdonte arsimimin dhe familja po rritej, dr. Nelsoni u thirr të shërbente gjatë Luftës së Koresë, pasi ushtrisë i duheshin mjekë medoemos. Për shkak të trajnimit të tij në kirurgji, ai u dërgua në Uashington, D.K., ku ngriti një njësi kërkimore kirurgjikale në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare “Uollter Rid”. Në vitin 1953, pasi e kreu detyrimin e tij ushtarak, ai kaloi një vit në Sektorin e Shërbimit të Harvardit në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit në Boston. Më pas përfundoi doktoratën në Universitetin e Minesotës në vitin 1954.

Russell M. Nelson with his wife (Dantzel) and children

Pavarësisht nga trajnimi i tij mjekësor dhe karriera e tij e ngjeshur, dr. Nelsoni gjithmonë e vendosi familjen të parën në jetën e vet. Denzel Uajt Nelsoni i qëndroi përkrah dhe e mbështeti bashkëshortin e saj në të gjitha veprimtaritë e tij familjare, të Kishës, profesionale dhe ushtarake. Marrëdhënia e tyre e qëndrueshme, reciprokisht përkrahëse dhe dashurore ishte një frymëzim dhe ndikim i palëkundshëm për secilin prej 10 fëmijëve të tyre – nëntë vajzave dhe një djali. Marrëdhënia e tyre “ishte shumë e ëmbël dhe shumë zemërgjerë ndaj njëri-tjetrit”, sipas të bijës, Silvia Uebsterit. Më i vogli prej fëmijëve të tyre, Rasëll Nelsoni i Riu, kujtoi: “Ishte gjithnjë e dukshme që prindërit e mi e donin shumë njëri-tjetrin”3.

Papritmas, Denzel Nelsoni vdiq fare pak kohë përpara përvjetorit të tyre të 60-të të martesës. Pas një periudhe shumë të vetmuar, Plaku Nelson u martua me Uendi Uatsonin, një grua të pamartuar më parë, doktoratura, puna si profesoreshë në Universitetin “Brigam Jang” e së cilës dhe afrimi plot dashuri i saj ndaj familjes së madhe Nelson, e kanë bërë atë një shoqëruese të përkryer për Plakun dhe Presidentin Nelson.

Russell M. Nelson with Wendy, his second wife

“Jam e sigurt se është e vështirë të hysh në një familje prej 200 e kusur njerëzish dhe të ndihesh sikur jeni miq të afërt”, tha e bija, Silvia. “Uendi e ka bërë përpjekjen dhe ka qenë e mrekullueshme.”4 Rasëlli i Riu shtoi: “Uendi ka qenë një shoqëruese shumë e mrekullueshme për të. … Mund të shoh se si ai është përgatitur përgjatë viteve për këtë detyrë e këtë thirrje dhe një pjesë e rëndësishme e kësaj është ardhja e Uendit në jetën e tij.”5

Ndërkohë që kjo po shkruhet, familja Nelson përfshin 10 fëmijë, 57 nipër e mbesa dhe 116 stërnipër e stërmbesa, me dy të tjerë që do të shtohen së shpejti. Të gjithë ata që kanë mundësi, mblidhen në një shtëpi të ndryshme çdo muaj për të festuar ditëlindjet dhe përvjetorët.

“Të Gjitha Mbretëritë e Kanë një Ligj të Dhënë”

Kur Rasëll M. Nelsoni vazhdonte shkollën e mjekësisë, atij iu dha mësim se asnjë mjek nuk duhet ta prekë ndonjëherë një zemër njeriu, pasi sapo zemra të prekej, ajo do të pushonte së rrahuri. Gjithsesi, vetëm pak vite më vonë, dr. Nelsoni dhe kolegët e tij studiues raportuan përdorimin e parë të suksesshëm të një aparati artificial zemër-mushkëri te një qen. Aparati zemër-mushkëri mori përsipër qarkullimin e gjakut të pacientit duke lejuar operacionin e një zemre që nuk rrihte. Ky zbulim nga dr. Nelsoni dhe kolegët e tij u përdor shpejt te njerëzit dhe tani ka çuar në më shumë se 1,5 milionë operacione në zemër të hapur të bëra çdo vit në mbarë botën.

Frymëzimi që çoi në këtë zbulim, i erdhi dr. Nelsonit ndërkohë që po përsiaste vargjet në vijim te Doktrina e Besëlidhje:

“Të gjitha mbretëritë e kanë një ligj të dhënë. …

Dhe çdo mbretërie i jepet një ligj; dhe në çdo ligj ka kufizime dhe gjithashtu kushte të caktuara” (DeB 88:36, 38).6

Dr. Nelsoni arsyetoi se, në qoftë se punonte, studionte dhe kërkonte përgjigjet e duhura, ai dhe ekipi i tij mund të mësonin se çfarë ligjesh e bëjnë të funksionojë zemrën që rreh. “Ndodhi nëpërmjet të kuptuarit të shkrimeve të shenjta dhe ‘lidhjes’ së tyre me këtë fushë interesi”, tha ai, “që fusha e madhe e kirurgjisë së zemrës siç e njohim sot, u lehtësua për mua.”7

Gjatë gjithë jetës së tij, kjo aftësi për t’i zbatuar parimet e ungjillit e ka bekuar Presidentin Nelson, familjen e tij, Kishën dhe botën. Ajo ishte thelbësore për përgatitjen e tij në thirrjen e vet si Apostull dhe tani si President i Kishës.

Gjatë karrierës së tij profesionale, dr. Nelsoni mori shpejt famë si kirurg dhe studiues mjekësor. Në vitin 1955, ai pranoi një detyrë si profesor kërkimor i kirurgjisë në Universitetin e Jutës. Atje ndërtoi një aparat zemër-mushkëri që e përdori për të kryer operacionin e parë në zemër të hapur në Jutë – operacionin e parë të këtij lloji në perëndim të lumit Misisipi. Ai dha leksione dhe shkroi kapituj të shumtë për libra mësimorë mjekësorë dhe më shumë se 70 kumtesa të shqyrtuara nga bashkëpunëtorët në botime të tjera. Përpara thirrjes së tij në apostullim, ai kreu afërsisht 7 000 operacione.8

Përveç aftësisë së tij mjekësore, dr. Nelsoni ishte një mësues frymëzues dhe një administrator i efektshëm, cilësi që e bënë atë të paçmueshëm në fushën mjekësore dhe që më vonë do ta shquanin në thirrjet e tij në Kishë.

“Detyra e një mjeku, kryesisht, është të japë mësim”, tha dr. Nelsoni. Ai shtoi: “Një mjek funksionon me të vërtetë në nivelin më të lartë të punës së tij kur po i mëson pacientit të vet se çfarë nuk shkon dhe çfarë mund të bëhet për këtë gjë”9.

Russell M. Nelson as a doctor and during a visit to China

Dr. Nelsoni e shfaqi këtë gatishmëri dhe prirje për mësimdhënien dhe arsimimin duke udhëtuar në vende të huaja për të treguar e dhënë mësim procedura mjekësore. Për ta ndihmuar në mësimdhënien, ai studioi gjuhë të shumta, përfshirë frëngjishten, portugalishten, gjermanishten, rusishten dhe spanjishten, që të mund të komunikonte më mirë e t’iu jepte mësim mjekëve dhe studiuesve në vende të tjera. Pasi mori pjesë në një mbledhje, në të cilën Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) i këshilloi pjesëmarrësit për të mësuar gjuhën kineze, dr. Nelsoni dhe bashkëshortja e tij, Denzeli, filluan menjëherë të studionin gjuhën mandarine. Zotësia e tij në atë gjuhë bëri të mundur që ai të punonte ngushtë me komunitetin mjekësor në Kinë, ku dha leksione dhe kreu operacione, duke shpëtuar jetën e njërit prej heronjve kombëtarë të Kinës.10

Të Kërkosh së Pari Mbretërinë e Perëndisë

Sado mbresëlënëse që ishin arritjet mjekësore të Presidentit Nelson, ai e ruajti përqendrimin e vet te Zoti dhe vepra e Tij. Shumica e anëtarëve të Kishës nuk e dinë që ai shërbeu si misionar në Sheshin e Tempullit nga viti 1955 deri në 1965, duke i udhërrëfyer vizitorët çdo të enjte nga ora 16:00 deri në 17:00. Kjo ishte një nga kohët e tij më të ngjeshura si kirurg. Ai më vonë shkroi se “në 1964-ën, sapo kishim filluar në mjekësi me përpjekjen e zëvendësimit të valvulës së aortës. Shkalla e vdekjeve ishte e lartë dhe koha e përkushtuar ndaj secilit pacient ishte jashtëzakonisht e gjatë – pothuajse vetëm për vetëm me një njeri për shumë, shumë orë, ndonjëherë edhe ditë të tëra.”11

Për shumë anëtarë të Kishës, ai realitet do ta quante të pamundur një thirrje që kërkonte më shumë kohë. Por jo për dr. Nelsonin. Në vitin 1964, pasi ai dhe të tjerë u intervistuan si një president i mundshëm kunji, ish‑Plaku Spenser W. Kimball, i shoqëruar nga Plaku LeGrand Riçards (1886‑1983), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i thanë atij: “Ne e ndiejmë se Zoti dëshiron që ti ta kryesosh këtë kunj. Gjatë intervistave tona të shumta, sa herë që është përmendur emri yt, përgjigjja ka qenë pothuajse e njëjtë: ‘Eh, ai nuk do të jetë shumë i mirë’, apo ‘Ai s’ka kohë’, ose të dyja. Prapëseprapë, ne e ndiejmë se Zoti dëshiron që të jesh ti. Tani nëse e ndien se je tepër i zënë dhe se nuk duhet ta pranosh thirrjen, atëherë ky është privilegji yt.” …

“Unë thjesht u përgjigja se ai vendim u mor më 31 gusht 1945, kur unë dhe motra Nelson u martuam në tempull. Ne morëm një zotim në atë kohë që ‘para së gjithash [të] kërkoni[m] mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij’, duke pasur vetëbesim se çdo gjë tjetër do të na shtohej, siç premtoi Zoti. (Shih Mateu 6:33.)”12

Pranimi i asaj thirrjeje nga dr. Nelsoni tregon atë që kohët e fundit Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e quajti “përulësia dhe thjeshtësia si një fëmijë e besimit të Rasëll Nelsonit. … Ai është kaq i përulur, ai është kaq shumë si një fëmijë, në çdo nivel dhe praktikisht në çdo marrëdhënie tjetër njerëzore në të cilën e kam parë.”13

Plaku Kimball i dha dr. Nelsonit një bekim, duke i premtuar se do të binte shkalla e vdekjeve që lidheshin me operacionet e valvulës së aortës, dhe se procedura nuk do të ishte më një humbje e kohës dhe energjisë së tij.

“Vitin pasues, koha që nevojitej për operacionin, vërtet u pakësua dhe unë kam pasur kohën e nevojshme për të shërbyer në atë thirrje dhe në të tjera”, tha dr. Nelsoni. “Në fakt, shkalla e vdekjeve tona zbriti në … një shkallë shumë të ulët, të pranueshme dhe të lejueshme. Si për çudi, ai ishte pikërisht operacioni që e kreva për Presidentin Kimball tetë vjet më vonë.”14

Russell M. Nelson and Spencer W. Kimball; Russell M. Nelson with Dantzel, his first wife

Kërkesat e karrierës së tij dhe të thirrjeve në Kishë nënkuptonin që dr. Nelsoni e kishte tej mase të kufizuar kohën e lirë që kalonte në shtëpi. Sidoqoftë, ai bëri gjithçka mundi që bashkëshortja e tij dhe 10 fëmijët e tyre të ishin një përparësi. Sa herë që ndodhej në shtëpi, ai ia kushtonte tërësisht kohën e vet familjes së tij. Gjatë udhëtimeve të tij të shumta nëpër botë, ai shpesh merrte me vete ose bashkëshorten ose një nga fëmijët e tyre. Ndërkohë që Denzeli kujdesej shkëlqyeshëm për fëmijët e tyre gjatë mungesës së tij, ajo ishte mirënjohëse për përkushtimin e tij ndaj tyre kur shkëputej nga karriera dhe thirrjet e tij të ngjeshura. “Kur është në shtëpi, ai është në shtëpi!”, i tha ajo njëherë Presidentit Harold B. Li (1899–1973), i cili në atë kohë ishte President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.15 Presidenti Li e përsëriste shpesh këtë shprehje kur i këshillonte udhëheqësit e priftërisë të zënë me punë, që të përqendroheshin te familjet e tyre.

Ndjekja e Profetit

Unë isha dëshmitar dhe pjesëmarrës me pak rol në një ngjarje të rëndësishme në jetën profesionale të dr. Rasëll M. Nelsonit dhe bashkëshortes së tij, Denzelit. Kjo ndodhi si pjesë e takimit tim të parë me familjen Nelson në vitin 1965, mbi 52 vjet më parë. Në autobiografinë e tij, dr. Nelsoni tregon se si atij iu ofrua pozicioni si një profesor kirurgjie dhe drejtor në Sektorin e Kirurgjisë Kardiovaskulare dhe të Toraksit në Universitetin e Çikagos. Ai shkroi se kjo ofertë, “i bënte të mundura burimet për mua në aspektin e mbështetjes financiare, laboratorëve kërkimorë dhe përkrahjes së personelit që do të përmbushte ëndrrën e çdo akademiku. Si një shtysë e mëtejshme, oferta përfshinte katër vjet studim universitar për të nëntë fëmijët tanë në institucionet arsimore që do të zgjidhnin vetë, ndërsa të gjitha faturat do të paguheshin nga Universiteti i Çikagos.” Dekani i tha dr. Nelsonit: “Një nga arsyet përse ju duam ju, është se e dimë që jeni një mormon i mirë. Ne duam që të qëndroni në trupën tonë pedagogjike. Kemi nevojë për ju këtu që t’i sillni këtij universiteti ndikimin që mund të sjellë një mormon.”16

Si pjesë e rekrutimit të tij ngulmues për këtë mjek mbresëlënës, dekani më telefonoi që ta ndihmoja për ta bindur familjen Nelson të shpërngulej në Çikago. Në atë kohë isha profesor juridiku në Universitetin e Çikagos dhe e njihja dekanin e mjekësisë, sepse shërbenim së bashku në senatin e trupës pedagogjike të universitetit. Dekani më kërkoi që ta ftoja familjen Nelson për darkë në shtëpinë tonë. Ai më shtyu t’u tregoja gjithçka rreth Kishës në Çikago ngaqë e dinte se ky ishte një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm për ta.

Kështu ndodhi që unë dhe bashkëshortja ime e ndjerë, Xhuni, u takuam me Denzelin dhe Rasëll Nelsonin dhe i morëm për darkë e për një vizitë të mrekullueshme në shtëpinë tonë në Çikago, të dielën më 21 nëntor 1965. Ne bëmë sa mundëm për t’ua mbushur mendjen atyre që të shpërnguleshin në Çikago. Nga autobiografia e tij mësova më vonë se “ata u tërhoqën shumë nga kjo ofertë dhe se kishin zgjedhur edhe një shtëpi në një nga lagjet periferike të Çikagos, ku mund të rritnin familjen e [tyre]”17.

Ajo që ndodhi më pas, është veçse një shembull i mënyrës se si frymëzimi i Zotit i udhëhoqi vendimet dhe përgatitjen e Rasëll M. Nelsonit. Kur u kthyen në Solt-Lejk-Siti, ai kërkoi këshillë nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei (1873–1970) për udhërrëfim për familjen Nelson mbi vendimin e saj të rëndësishëm. Profeti u lut dhe përgjigjja erdhi: “Jo”.

David O. McKay; Russell M. Nelson looking at model of heart

Presidenti Mek-Kei tha: “Ti tashmë jeton në qytetin më të mirë në të gjithë botën. Ke një mënyrë jete që nuk mund të barazohet me asnjë vend tjetër në botë. Këtu bijat e tua do të gjejnë mjedisin më të mirë që mund t’u jepet. Ato janë më të rëndësishme për ty sesa çfarëdo fame apo e ardhme që mund të të vijë në ndonjë universitet. Jo, Vëllai Nelson, vendi yt është këtu në Solt-Lejk-Siti. Njerëzit do të vijnë nga mbarë bota tek ti ngaqë ti je këtu. Nuk mendoj se duhet të shkosh në Çikago.”18

Plot besim, dr. Nelsoni nuk e pranoi ofertën në Çikago dhe qëndroi në Solt-Lejk-Siti. Atje, në vitet e ardhshme, ai kreu operacione në zemër të hapur dhe e zgjati jetën e shumë pacientëve mirënjohës, përfshirë Presidentin Kimball, Plakun Riçard L. Evans (1906–1971), Presidentin Bojd K. Paker (1924–2015), shumë udhëheqës dhe anëtarë të tjerë të Kishës dhe familjet e tyre.

Për mua dhe Xhunin, ai takim në Çikago ishte fillimi i një miqësie të gjatë e të çmuar me Rasëll dhe Denzel Nelsonin. Gjashtë vjet më vonë ai u lirua si president kunji dhe u thirr si President i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës. Po atë vit, unë u caktova president i Universitetit “Brigam Jang”. Për shumë vite, ne kemi shërbyer së bashku në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe tani do të shërbejmë së bashku në Presidencën e Parë, me një miqësi që nisi në Çikago ndërmjet dy akademikëve dhe bashkëshorteve të tyre 52 vjet më parë.

Ndryshimi i Zemrave

Më 7 prill 1984 dr. Nelsoni u shugurua Apostull dhe u veçua si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Në një çast të shkurtër”, tha ai, “përqendrimi i dyzet vjetëve të fundit në mjekësi dhe kirurgji u ndryshua që ta përkushtoja jetën time në vazhdimësi, në shërbimin kohëplotë ndaj Zotit dhe Shpëtimtarit tim, Jezu Krishtit.”19

Russell M. Nelson with other members of the Quorum of the Twelve Apostles

Për thirrjen e tij në apostullim, Plaku Nelson shpalli: “Puna në të cilën jam përfshirë tani, është kauza më e rëndësishme në botë. Është gjithëpërfshirëse, është kuptimplote dhe është sfiduese. Dhe unë duhet të bëj më të mirën, sepse kam përgjegjësi për këtë kujdestari.”20

Qëkurse u bë Apostull dhe si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve që nga viti 2015, Presidenti Nelson ka vazhduar të udhëtojë nëpër botë – duke i përhapur fjalët e jetës së përjetshme dhe duke ndryshuar zemra. Një nga detyrat e tij të para ishte t’i hapte për ungjillin dyert e kombeve të Europës Lindore. “Brenda … pesë vjetësh, bëra 27 udhëtime në 31 kombe të Europës”, tha Presidenti Nelson. “Përpara se të vdiste Presidenti [Ezra Taft] Benson, … [isha] në gjendje t’i raportoja atij se ne e kishim kryer detyrën tonë: Tani e kemi ngritur Kishën në çdo vend të Europës Lindore.”21

Russell M. Nelson greeting Saints in Moscow, Russia

Presidenti Nelson ka përkushtuar gjithashtu 27 vende për predikimin e ungjillit, përfshirë Bullgarinë, Kroacinë, Salvadorin, Etiopinë, Polinezinë Franceze, Kazakistanin dhe Rusinë. Një herë, në kohëzgjatjen e katër ditëve, ai përkushtoi gjashtë kombe të ndryshme.22 Gjatë shërbesës së tij apostolike, ai ka vizituar tashmë 133 vende.23

Si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, Plaku Rasëll M. Nelson shërbeu shumë vite si kryetar i secilit prej tri këshillave kyç: të Misionarëve, të Tempullit e Historisë Familjare dhe të Këshillit Ekzekutiv të Priftërisë (tani Këshilli Ekzekutiv i Priftërisë dhe Familjes).

Kisha ka përjetuar shumë ndryshime të rëndësishme gjatë viteve të Plakut Nelson në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, ku ai ka shërbyer nën kryesimin e pesë Presidentëve të Kishës. Që nga viti 1984, Kisha është shtuar më shumë se dyfish në numër, nga rreth 6 milionë anëtarë në mbi 16 milionë anëtarë. Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Presidenca e Parë kanë nxjerrë dy deklarata zyrtare: “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” në vitin 1995 dhe “Krishti i Gjallë” në vitin 2000. Numri i tempujve në funksionim është rritur nga 30 në vitin 1984 deri në 159 në vitin 2017. Në vitin 2010, kur Plaku Nelson u thirr si kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Misionarëve, Kisha kishte 58 000 misionarë. Tani, pas rritjes shumë të madhe kur u ul mosha e shërbimit, numri ka ngelur i pandryshueshëm në rreth 67 000.

Cilësitë Vetjake

Shumica e gjërave që sapo u pasqyruan për mjekun, Plakun dhe tani Presidentin Nelson, janë çështje që njihen publikisht. Tani unë do të komentoj mbi disa nga cilësitë e tij të mëdha vetjake që i kam vëzhguar përgjatë viteve.

Së pari, Rasëll M. Nelsoni është një person tej mase i sjellshëm dhe një mik e bashkëpunëtor i mirë. Ai është gjithnjë i dashur dhe i dhembshur në të gjitha marrëdhëniet e tij personale. Ai është një shembull i mrekullueshëm, i zellshëm dhe i kujdesshëm për t’i përmbushur përgjegjësitë e tij – familjare, të Kishës dhe profesionale. Dhe kur je me të, është një person zbavitës.

Russell M. Nelson on a swing

Në stilin e tij udhëheqës, ai është gjithnjë miqësor dhe i kollajshëm për t’iu afruar. Kjo është cilësia më e dëshirueshme tek udhëheqësit e vjetër. Me të, ne nuk ngurrojmë kurrë të ngremë një temë të veçantë apo të ndihemi se po e shqetësojmë nëse e bëjmë këtë. Nuk druhemi kurrë të bisedojmë me të për ndonjë problem të veçantë. Presidenti Nelson është shumë i çiltër, shumë i afrueshëm dhe shumë i kollajshëm për t’i folur.

Në marrjen e vendimeve, Presidenti Nelson shqetësohet për ndikimin e përgjithshëm. Ai ka aftësinë që të mendojë pasojën e mundshme të një vendimi ose rregulloreje apo zbatimi të doktrinës në grupe të ndryshme anëtarësh – të moshuarit, të rinjtë, më pak aktivët, udhëheqësit e Kishës dhe të tjerë. E kam parë atë cilësi tek udhëheqës të tjerë, por këndvështrimi i Presidentit Nelson për këtë çështje është i pashoq. Ndofta duket se buron nga përvoja e tij si mjek që nuk mund të japë mjekim për një pjesë të trupit pa marrë parasysh ndikimin e tij në pjesë të tjera.

Presidenti Nelson është një caktues jashtëzakonisht i mirë detyrash, më i miri në këtë gjë sesa shumica e udhëheqësve që i kam vëzhguar në mjedisin profesional dhe të Kishës. Edhe kjo ndoshta ka lidhje me punën si kirurg, i cili kryen një detyrë të pashoqe pasi (dhe përpara se) të tjerët të bëjnë punën e tyre.

Një cilësi tjetër e rëndësishme e Presidentit Nelson është durimi i tij. Ai e shmang kundërvënien kur i zgjidh problemet ose i kryen gjërat. Me urtësi e shmang taktikën “le ta ndreqim tani këtë punë” duke lejuar pak kohë për të parë nëse gjërat do të sheshohen vetë. Ajo cilësi do të jetë shumë e rëndësishme në udhëheqjen e tij, ashtu siç ishte gjatë dy vjetëve e gjysmë që shërbeu si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.

Ngaqë e lavdërova durimin e Presidentit Nelson, duhet të lavdëroj edhe një cilësi të kundërt me të. Ai nuk ngurron të marrë vendime. Kur është koha e duhur dhe çështja është gati për vendim, ai i merr vendimet me të shpejtë dhe me vendosmëri. Ai e kupton mirë kur një çështje kërkon durim dhe më shumë diskutim dhe kur duhet thjesht të zgjedhim ndërmjet alternativave dhe të vazhdojmë punën e Zotit. Bashkëpunëtorët e tij në udhëheqje e çmojnë këtë gjë.

Presidenti Nelson është gjithashtu një ndërmjetësues. Ai i bashkon në harmoni këndvështrimet e kundërta dhe në unitet njerëzit e ndryshëm. Çfarë cilësie e mahnitshme për një udhëheqës të anëtarëve që janë të zotuar ndaj së njëjtës doktrinë hyjnore, por që vijnë nga kultura dhe tradita të ndryshme!

Russell M. Nelson with young adults

Rasëll M. Nelsoni ka dhunti të lindura diplomacie që i kam vëzhguar vetë. Ai i përdori ato në veprimtaritë e tij profesionale, madje dhe në Kinë. Qëkurse ka marrë thirrjen e tij tek Të Dymbëdhjetët, ai ia ka hapur dyert Kishës në Europën Lindore në një sërë rrethanash të mrekullueshme. Ndër të tjera, ai ka vizituar 133 kombe të ndryshme si shërbëtor i Zotit. Çfarë përgatitje mbresëlënëse për detyrën e lartë në të cilën është thirrur tani!

Një tjetër cilësi e madhe e Presidentit Nelson – për habinë e disave – është zotësia e tij si shkrimtar. Letrat e shkruara prej tij janë shembuj qartësie dhe redaktimi i tij ndaj shkrimeve të të tjerëve është gjithnjë i dobishëm. Anëtarët e Të Dymbëdhjetëve shkëmbejnë shkrime paraprake për të marrë sugjerime për përmirësime në tekstin e bisedave të rëndësishme. Gjatë atij procesi, unë kam mësuar se askush tjetër nuk sugjeron përmirësime më të mira të bisedave të mia sesa Presidenti Nelson. Si dikush që e ka kaluar jetën e vet profesionale duke punuar me fjalë, unë kam mbetur i habitur që marr një redaktim kaq të shkëlqyeshëm nga dikush, jeta profesionale e të cilit ishte të punonte me trupa [njerëzorë]. U lehtësova kur mora vesh se shkrimi i tij shembullor vjen si rrjedhojë e punës së madhe. Një herë, gjatë një shqyrtimi të kërkuar për një nga dorëshkrimet e tij, unë pashë se ishte varianti i tij i tetë. Po ta kisha ditur numrin e pabesueshëm të botimeve profesionale të dr. Nelsonit, nuk do të isha habitur shumë që ai ishte një nga shkrimtarët më të zotë në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve.

Russell M. Nelson on family ski outing

Shumicës së njerëzve u ngjall kureshtje mosha e presidentit tonë të ri – 93 vjeç! Ata nga ne që punojnë ngushtë me të, shqetësohen vetëm për vetë përpjekjet tona që ta mbajmë ritmin e tij. Ai të bën përshtypje për gjallërinë e tij, fizikisht dhe mendërisht. Kujtesa e tij është mbresëlënëse. Ai bën ski shpesh me një pushim fare të shkurtër. E përdor ende makinën e vet për pastrimin e dëborës, në rrugëkalimet si të vetat ashtu edhe të fqinjëve të tij.24 E kam përjetuar energjinë e tij të pashtershme çdo të enjte. Kur e përfundojmë mbledhjen tonë në Tempullin e Solt-Lejkut, disa marrin ashensorin për të zbritur poshtë dhe disa marrin shkallët që nga dhoma më e lartë. Presidenti Nelson nxiton gjithnjë që të marrë shkallët. Përpiqem gjithnjë ta mbaj ritmin e tij, por nuk e arrij dot.

I Zotuar ndaj Shpëtimtarit

Presidenti Nelson ka thënë: “Çdo ditë e shërbimit të një Apostulli është një ditë mësimi dhe përgatitjeje për më shumë përgjegjësi në të ardhmen”25. Për të koha e përgatitjes për ta udhëhequr Kishën ka mbaruar tashmë dhe ai ka marrë mantelin e shenjtë të Presidentit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çfarë na bën të presim përgatitja që ka ai, nga periudha e tij e udhëheqjes?

Kryesorja është zotimi i tij ndaj Zotit Jezu Krisht, i cili është kreu i Kishës së Tij. Siç tha Presidenti Nelson në mesazhin e janarit, të cituar më herët: “Ne … do të vazhdojmë të përpiqemi ta dimë vullnetin e Tij dhe ta ndjekim atë”26. Ndërkohë, mësimet e frymëzuara të Presidentit Nelson përcaktojnë çështje të mundshme për t’u theksuar.

Gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit 2017, Presidenti Nelson i kujtoi anëtarët e Kishës për domethënien e madhe të Librit të Mormonit. Ai tregoi rezultatet e studimit të tij vetjak të Librit të Mormonit, duke përfshirë lista se çfarë është Libri i Mormonit, çfarë pohon, çfarë përgënjeshtron, çfarë përmbush, çfarë qartëson dhe çfarë zbulon. Ai i nxiti anëtarët ta studiojnë dhe përsiatin librin përditë.27

Russell M. Nelson and his counselors during press conference

Më 16 janar 2018, dy ditë pasi Presidenti Nelson u veçua si President i Kishës, ai shpalli se Presidenca e Parë e re, do ta fillonte shërbesën e vet “me përfundimin në mendje”. Ai “përfundim” është shpëtimi i individëve dhe vulosja e familjeve në shtëpinë e Zotit. “Për këtë arsye, ne po ju flasim sot nga një tempull”, tha Presidenti Nelson nga aneksi i Tempullit të Solt-Lejkut.

“Përfundimi për të cilin përpiqet fort secili prej nesh, është të na dhurohet fuqi në një shtëpi të Zotit, të vulosur si familje, besnikë ndaj besëlidhjeve të bëra në tempull, të cilat na kualifikojnë për dhuratën më të madhe të Perëndisë – dhuratën e jetës së përjetshme. Ordinancat e tempullit dhe besëlidhjet që bëni atje, janë thelbësore për ta forcuar jetën tuaj, martesën e familjen tuaj dhe aftësinë tuaj për t’u bërë ballë sulmeve të kundërshtarit. Adhurimi juaj në tempull dhe shërbimi juaj atje për paraardhësit tuaj do t’ju bekojnë me zbulesë dhe paqe të shtuar vetjake dhe do ta forcojnë zotimin tuaj për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve.”28

Presidenti Nelson bëri edhe një thirrje për shenjtorët që të qëndronin në shtegun e besëlidhjeve: “Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo”. Për ata që janë larguar nga shtegu, ai tha: “Ju ftoj me gjithë shpresën në zemrën time që, ju lutemi, të ktheheni. Cilatdo qofshin shqetësimet tuaja, cilatdo qofshin sfidat tuaja, ka vend për ju në këtë, Kishën e Zotit. Ju dhe brezat ende të palindur do të bekoheni nga veprimet tuaja tani për t’u kthyer në shtegun e besëlidhjeve.”29

Ja tek është një e dhënë tjetër e rëndësishme: “Shkrimi i shenjtë që është bërë për mua një legjendë e gjallë, është seksioni 88 i Doktrinës e Besëlidhjeve, ku Zoti thotë: ‘Unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë’”, tha Presidenti Nelson. “Dhe unë kam jetuar … që ta shoh këtë përshpejtim.”30 Tani ai do ta udhërrëfejë atë.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dëshmuar gjithmonë për hyjnueshmërinë e Jezu Krishtit dhe vërtetësinë e planit të shpëtimit, që Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur na e kanë dhënë për të na siguruar dije dhe udhërrëfim. Ndërsa Presidenti Nelson e udhëheq Kishën drejt të ardhmes, shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të marrin ngushëllim të madh nga dijenia se ai do t’i udhërrëfejë në përputhje me vullnetin e qiellit. “Unë shpall përkushtimin tim ndaj Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit”, tha ai. “I njoh Ata, i dua Ata dhe betohem t’u shërbej Atyre – dhe juve – deri në frymën e fundit të jetës sime.”31

E dua këtë shërbëtor të Zotit, të njohurin dhe mikun tim prej shumë kohësh, Presidentin Rasëll M. Nelson. Bashkë me anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, unë i ruaj si thesar mësimet e tij dhe mezi e pres udhëheqjen e tij të frymëzuar si profeti ynë. Unë dëshmoj se ai është thirrur nga Perëndia për ta udhëhequr Kishën në kohën tonë.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 6.

  2. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, f. 7.

  3. Sylvia Webster dhe Russell Nelson Jr., në Sarah Jane Weaver, “Get to Know President Russell M. Nelson, a Renaissance Man”, Church News, 16 janar 2018, lds.org/church/news.

  4. Sylvia Webster, në Sarah Jane Weaver, “Get to Know President Russell M. Nelson”.

  5. Russell Nelson Jr., në Tad Walch, “Who Is President Russell M. Nelson? A Man of Heart, Compassion and Faith”, Deseret News, 16 janar 2018, deseretnews.com.

  6. Shih Russell M. Nelson, “Begin with the End in Mind” (mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang” 30 shtator 1984), f. 2, speeches.byu.edu.

  7. Russell M. Nelson, “Begin with the End in Mind”, f. 3.

  8. Shih Tad Walch, “Who Is President Russell M. Nelson?”

  9. Në Spencer J. Condie, Russell M. Nelson: Father, Surgeon, Apostle (2003), f. 140.

  10. Shih Rasëll M. Nelson, “Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 52–53.

  11. Në “Elder Russell M. Nelson of the Quorum of the Twelve Apostles”, Ensign, maj 1984, f. 87.

  12. Russell Marion Nelson, From Heart to Heart: An Autobiography (1979), f. 114.

  13. Jeffrey R. Holland, në Tad Walch, “Who Is President Russell M. Nelson?”

  14. Në “Elder Russell M. Nelson of the Quorum of the Twelve Apostles”, f. 88.

  15. Dantzel White Nelson, në Lane Johnson, “Russell M. Nelson: A Study in Obedience”, Ensign, gusht 1982, f. 23.

  16. Russell Marion Nelson, From Heart to Heart, f. 149.

  17. Russell Marion Nelson, From Heart to Heart, f. 149.

  18. David O. McKay, në Russell Marion Nelson, From Heart to Heart, f. 150.

  19. Në Spencer J. Condie, Russell M. Nelson: Father, Surgeon, Apostle, f. 186.

  20. Në Marvin K. Gardner, “Elder Russell M. Nelson: Applying Divine Laws”, Ensign, qershor 1984, f. 13.

  21. Faqja e Facebook-ut e Rasëll M. Nelsonit, material filmik i publikuar më 11 shtator 2014, facebook.com/lds.russell.m.nelson/videos.

  22. Shih faqen e Facebook-ut të Rasëll M. Nelsonit, material filmik i publikuar më 11 shtator 2014.

  23. Shih Tad Walch, “Who Is President Russell M. Nelson?”

  24. Shih Tad Walch, “Who Is President Russell M. Nelson?”

  25. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, f. 6.

  26. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, f. 6.

  27. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?Liahona, nëntor 2017, f. 60–63.

  28. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, f. 7.

  29. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, f. 7.

  30. Faqja e Facebook-ut e Rasëll M. Nelsonit, material filmik i publikuar më 11 shtator 2014.

  31. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, f. 7.