2019
Të Japësh Shërbesë do të Thotë t’i Shohësh të Tjerët sikurse i Sheh Shpëtimtari
Qershor 2019


ministering

Parimet e Dhënies së Shërbesës, Qershor 2019

Të Japësh Shërbesë do të Thotë t’i Shohësh të Tjerët sikurse i Sheh Shpëtimtari

Jezusi e kaloi pjesën më të madhe të kohës së Tij me ata që shiheshin si të ndryshëm; Ai pa potencialin e tyre hyjnor.

Gjatë përpjekjeve tona për të dhënë shërbesë si Shpëtimtari, mund të na kërkohet t’i japim shërbesë dikujt që është i ndryshëm nga ne. Kjo është një mundësi për ne për të mësuar dhe për t’u rritur.

Kultura, arsimi, raca, ekonomia, mosha, sjelljet në të kaluarën ose në të tashmen, ose ndryshime të tjera mund ta bëjnë të lehtë që ta gjykojmë dikë madje përpara se ta njohim atë. Ky gjykim i parakohshëm është arsyeja kryesore e paragjykimit, dhe Shpëtimtari paralajmëroi kundër tij (shih 1 Samuelit 16:7; Gjoni 7:24).

A mund t’i shpërfillim ndryshimet dhe t’i shohim të tjerët sikurse i sheh Shpëtimtari? Si mund të mësojmë t’i duam të tjerët për atë që janë dhe atë që mund të bëhen?

Të Vështrojmë në Fytyrë dhe të Ndiejmë Dashuri

Bibla tregon historinë e njohur të të riut pasanik që pyeti se si të merrte jetë të përjetshme: “Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: ‘Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq’” (Marku 10:21).

Kur Plaku S. Mark Palmer, i Të Shtatëdhjetëve, e studioi këtë shkrim të shenjtë disa vjet më parë, një pjesë e historisë që nuk e kishte marrë parasysh më parë, papritmas i bëri shumë përshtypje.

‘Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të.’

Teksa i dëgjoja ato fjalë, mendja m’u kaplua nga një imazh i gjallë i Zotit tonë tek ndalonte dhe e vështronte në fytyrë këtë të ri. E vështroi në fytyrë – si të ishte duke parë thellësisht dhe duke depërtuar brenda shpirtit të tij, duke e dalluar mirësinë dhe potencialin e tij, si dhe duke e shquar nevojën e tij më të madhe.

Pastaj fjalët e thjeshta – Jezusi ndjeu dashuri për të. Ai ndjeu një dhembshuri dhe dashuri të skajshme për këtë të ri të mirë, dhe për shkak të kësaj dashurie, dhe me këtë dashuri, Jezusi kërkoi edhe më shumë prej tij. E përfytyrova se si mund të jetë ndier ky i ri i rrethuar nga një dashuri e tillë, madje edhe gjatë kohës që po i kërkohej të bënte diçka kaq tejet të vështirë si shitja e gjithçkaje që zotëronte dhe dhurimi i saj tek të varfërit. …

[E pyeta veten]: ‘Si mund të mbushem me dashuri si të Krishtit, në mënyrë që [të tjerët] të mund ta ndiej[n]ë dashurinë e Perëndisë nëpërmjet meje dhe të dëshiroj[n]ë të ndryshoj[n]ë?’ Si mundem unë t’i vështroj në fytyrë [individët përreth meje] në të njëjtën mënyrë që Zoti e vështroi të riun pasanik, duke i parë ata siç janë në të vërtetë dhe se si ata mund të bëhen, në vend që t’i shoh vetëm për atë që po bëjnë apo nuk po bëjnë? Si mund të jem më shumë si Shpëtimtari?”1

Të Mësojmë se si T’i Shohim të Tjerët

Kur mësojmë t’i shohim të tjerët sikurse i sheh Shpëtimtari, kjo vërtet sjell shpërblime të çmuara. Ja tek janë disa sugjerime që mund të ndihmojnë teksa punojmë drejt këtij synimi.

  • Njihini Ata
    Bëjeni përpjekjen për t’i njohur njerëzit përtej hollësive sipërfaqësore. Dallojeni se ndërtimi i marrëdhënieve kërkon kohë dhe përpjekje të sinqertë. (Shih për ndihmë artikullin “Ndërtimi i Marrëdhënieve Kuptimplota” te Parimet e Dhënies së Shërbesës për muajin gusht 2018.)

  • Shqyrtojeni Imtësisht Vetveten
    Kushtojuni vëmendje gjykimeve që mund t’i bëni me vetëdije ose pa vetëdije. Jini të vëmendshëm ndaj hamendësimeve që po bëni për të tjerët dhe përpiquni të kuptoni se përse ndiheni ashtu për ta.

  • Përmbajeni Gjykimin
    Kuptojeni se denjësia e një individi nuk përcaktohet nga rrethanat. Vëreni veten në vendin e tyre dhe merrni parasysh se si do të donit që dikush t’ju shihte po të ishit në të njëjtat rrethana. Ndarja e zgjedhjeve dhe sjelljes së dikujt nga vlera e brendshme dhe potenciali i tyre hyjnor, mund të na ndihmojnë t’i shohim ata siç do t’i shihte Shpëtimtari.

  • Lutuni që t’i Doni Ata
    Lutuni për ta rregullisht me emër dhe për durimin për të krijuar marrëdhënie të vërtetë. Hidhini një sy plot lutje shërbimit tuaj. A ka boshllëk midis asaj që po bëni dhe asaj që ata vërtet kanë nevojë?

Jezusi e kaloi kohën e Tij me njerëz nga shumë sfera të ndryshme të jetës: të pasur, të varfër, sundues dhe njerëz të zakonshëm. Ai shpesh ishte viktimë e gjykimit të pasaktë nga të tjerët kur e shihnin Atë dhe rrethanat e Tij në dukje të varfra ose të parëndësishme. “Nuk kishte … bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim. … Ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak” (Isaia 53:2–3).

Aftësi për të Parë si Krishti

Një motër tregon këtë histori mësimi për ta parë një fqinj me sy si të Krishtit:

“Xhulia (emri është ndryshuar) jetonte afër meje dhe dukej sikur nuk kishte asnjë shoqe. Ajo përherë dukej e mërzitur dhe e zemëruar. Pavarësisht nga kjo, vendosa të jem shoqe me të. Jo thjesht një shoqe e zakonshme kalimtare, por një shoqe e vërtetë. I flisja asaj sa herë që e shihja dhe shfaqja interes për çfarëdo gjëje që ajo po bënte. Dalëngadalë, krijova një lidhje të fortë miqësie me të, që më solli gëzim në zemër.

Një ditë vendosa ta vizitoja Xhulian dhe ta pyesja për vendimin e saj për të mos ardhur në kishë.

Mësova se ajo nuk kishte familje ose të afërm afër. Vëllai i saj i vetëm, i cili jetonte shumë larg, komunikonte me të vetëm një herë në vit nëpërmjet telefonit. Ndërsa e dëgjova të zbrazte zemërimin, inatin dhe mërzinë për familjen e saj dhe Kishën, një ndjenjë e pamohueshme dhembshurie dhe dashurie për këtë motër erdhi mbi mua kaq fuqishëm. E ndjeva dhembjen dhe mërzinë e saj. E kuptova se sa e vetmuar ishte jeta e saj. Ishte si të dëgjoja një frazë të qetë pas meje: ‘Edhe unë e dua atë. Duaje dhe respektoje.’

U ula dhe e dëgjova derisa nuk kishte më gjë për të thënë. Ndjeva dashuri dhe dhembshuri për të. Kjo është një motër që nuk e ka ditur kurrë se çfarë do të thotë të të duan. Papritur e kuptova atë më thellësisht. E falënderova që më lejoi të bisedoja me të dhe u largova duke e përqafuar dhe duke i treguar dashurinë dhe respektin tim për të. Ajo nuk do ta dijë asnjëherë se sa shumë më preku me atë takim. Ati Qiellor m’i ka hapur sytë dhe më ka mësuar se kam aftësinë për të dashur me dhembshuri më të madhe. Jam e patundur në vendimin tim që jo vetëm të jem shoqja e saj por të jem edhe familja e saj.”

Është diçka e shenjtë kur dikush të fton në jetën e vet. Me lutje, durim dhe ndihmë nga Shpirti, ne mund të mësojmë ta bëjmë këtë nëpërmjet aftësisë për të parë më shumë si Krishti.

Shënim

  1. S. Mark Palmer, “Atëherë Jezusi e Vështroi në Fytyrë, Ndjeu Dashuri për Të”, Liahona, maj 2017, f. 115.