Parimet e Dhënies së Shërbesës, Gusht 2019
A Mund ta Ndihmoj Dikë që të Ndryshojë?
Po. Por roli yt mund të jetë më ndryshe nga sa mendove.
Ne u krijuam me aftësinë për të ndryshuar. Përparimi drejt potencialit tonë hyjnor është qëllimi i përvojës sonë në vdekshmëri. Një nga synimet tona përfundimtare pse japim shërbesë, është që t’i ndihmojmë të tjerët të vijnë te Krishti dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme për t’u kthyer në praninë e Tij. Por, për shkak të lirisë së tyre të zgjedhjes, roli ynë për t’i ndihmuar ata që të bëhen më shumë si Krishti, është i kufizuar.
Këtu janë shtatë mësime të fuqishme nga Shpëtimtari mbi mënyrën se si ne mund t’i ndihmojmë të tjerët gjatë përpjekjeve të tyre për të ndryshuar dhe për t’u bërë më shumë si Ai.
-
Mos Kini Frikë që të Ftoni për Ndryshim
Shpëtimtari nuk pati frikë t’i ftonte të tjerët që t’i linin pas mënyrat e vjetra dhe t’i përqafonin mësimet e Tij. Ai i ftoi Pjetrin dhe Jakobin që t’i linin punët e tyre dhe “[të] bë[heshin] peshkatarë njerëzish” (Marku 1:17). Ai e ftoi gruan që u kap duke shkelur kurorën, që të “shko[nte] dhe [të] mos mëkato[nte] më” (Gjoni 8:11). Ai e ftoi të riun pasanik që të hiqte dorë nga kapja pas gjërave të botës dhe ta ndiqte Atë (shih Marku 10:17–22). Ne gjithashtu mund të jemi edhe të guximshëm edhe të dashur kur i ftojmë të tjerët të bëjnë ndryshime dhe ta ndjekin Shpëtimtarin.
-
Mbajeni Mend se Është Zgjedhja e Tyre që të Ndryshojnë
Lloji i ndryshimit për të cilin na fton Shpëtimtari, nuk mund të bëhet me detyrim. Shpëtimtari dha mësim dhe ftoi por Ai nuk detyroi. I riu pasanik “iku i trishtuar” (Mateu 19:22). Në Kapernaum, shumë nga dishepujt e Tij zgjodhën që të “tërh[iqeshin]” dhe Ai i pyeti Të Dymbëdhjetët a donin që të largoheshin edhe ata (shih Gjoni 6:66–67). Disa nga ndjekësit e Gjon Pagëzorit zgjodhën që ta ndiqnin Shpëtimtarin, të tjerë nuk e zgjodhën këtë gjë (shih Gjoni 1:35–37; 10:40–42). Ne mund t’i ftojmë të tjerët të bëhen më shumë si Ai, por nuk mund ta marrim ne vendimin që ata të ndryshojnë . Dhe nëse nuk kanë zgjedhur ende që të ndryshojnë, ne nuk duhet të heqim dorë – as nuk duhet të ndihemi sikur kemi dështuar.
-
Lutuni për Aftësinë e të Tjerëve që të Ndryshojnë
Gjatë Lutjes së Tij Ndërmjetësuese, Jezusi i kërkoi Perëndisë që dishepujt e Tij t’i ruante nga e liga, të bëheshin më shumë si Ai dhe Ati dhe të mbusheshin me dashurinë e Perëndisë (shih Gjoni 17:11, 21–23, 26). Dhe duke e ditur se Pjetri do të kishte nevojë për forcë gjatë përpjekjeve për të përparuar në rolin e tij, Shpëtimtari u lut për të (shih Lluka 22:32). Lutjet tona për të tjerët mund të sjellin një ndryshim (shih Jakob [Bibla] 5:16).
-
Mësojuni Atyre që të Mbështeten te Fuqia e Tij
Ndodh vetëm nëpërmjet Shpëtimtarit që ne mund të ndryshojmë me të vërtetë dhe të përparojmë drejt potencialit hyjnor që kemi që të gjithë. Ai është “udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet [Tij]” (Gjoni 14:6). Fuqia e Tij është ajo që mund të “bëj[ë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta” (Ethëri 12:27). Besimi në fuqinë e Tij shlyese ishte ai që e aftësoi Alma të Riun që të ndryshonte (shih Alma 36:16–23). Ne mund t’i mësojmë të tjerët që të mbështeten te Shpëtimtari kështu që edhe ata të mund ta kenë fuqinë e Tij pastruese në jetën e tyre.
-
Trajtojini ata Ashtu siç Mund të Bëhen
Dashuria dhe pranimi mund të jenë agjentë të fuqishëm për ndryshim. Gruaja te pusi po jetonte me një burrë që nuk ishte i shoqi. Dishepujt e Jezusit “u mrekulluan që po fliste me një grua” (Gjoni 4:27), por Jezusi u interesua më shumë për atë që ajo mund të bëhej. Ai i dha mësim asaj dhe i dha mundësinë që të ndryshonte, gjë që ajo e bëri. (Shih Gjoni 4:4–42.)
Kur i trajtojmë të tjerët si ata që kanë qenë në vend të atyre që mund të bëhen, ne mund t’i frenojmë ata. Në vend të kësaj, ne mund të falim dhe t’i harrojmë gabimet e së shkuarës. Ne mund të besojmë se të tjerët mund të ndryshojnë. Ne mund t’i anashkalojmë dobësitë dhe të vëmë në dukje tiparet pozitive që ata mund të mos jenë në gjendje t’i shohin te vetja. “Ne kemi përgjegjësinë për t’i parë individët jo siç janë, por përkundrazi, ashtu si mund të bëhen.”1
-
Lërini të Ecin me Ritmin e Tyre
Ndryshimi kërkon kohë. Ne të gjithë duhet të “vazhdo[jmë] me durim derisa të përsose[mi]” (Doktrina e Besëlidhje 67:13). Jezusi pati durim me të tjerët dhe vazhdoi t’u jepte mësim edhe atyre që e kundërshtuan Atë, duke dëshmuar për rolin që i ishte dhënë nga Ati i Tij, dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre (shih Mateu 12:1–13; Gjoni 7:28–29). Ne mund të jemi të duruar me të tjerët dhe t’i nxitim ata që të jenë të duruar me veten e tyre.
-
Mos Hiqni Dorë nëse Ata u Rikthehen Mënyrave të Vjetra
Pasi Krishti vdiq, madje dhe Pjetri dhe disa nga Apostujt e tjerë u rikthyen tek ato [gjëra] me të cilat ishin mësuar (shih Gjoni 21:3). Krishti i kujtoi Pjetrit se ai duhej t’i “kullo[ste] delet e [Tij]” (shih Gjoni 21:15–17) dhe Pjetri iu rikthye dhënies së shërbesës. Mund të jetë tepër e thjeshtë t’u rikthehemi mënyrave të mëparshme. Ne mund të vazhdojmë të përkrahim duke dhënë zemër butësisht dhe me ftesa frymëzuese që të vazhdojnë ta ndjekin Shpëtimtarin dhe të përpiqen të bëhen më shumë si Ai.
Lejojini të Tjerët të Rriten
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregon këtë histori rreth faktit që duhet t’i lëmë të tjerët të rriten: “Njëherë më treguan për një të ri i cili për shumë vjet me radhë ishte thuajse përherë shënjestra e çdo talljeje në shkollën e tij. Ai kishte disa mangësi dhe ishte e lehtë për bashkëmoshatarët e tij që ta vinin në lojë. Më vonë në jetë, ai u shpërngul. Përfundimisht hyri në ushtri dhe pati disa përvoja të suksesshme atje duke u arsimuar dhe duke u larguar përgjithësisht nga e shkuara. Mbi të gjitha, siç bëjnë shumë në ushtri, ai zbuloi bukurinë dhe madhështinë e Kishës dhe u bë aktiv dhe i lumtur në Kishë.
Pastaj, pas disa vjetësh, u rikthye në qytetin e fëmijërisë. Pjesa më e madhe e brezit të tij ishin shpërngulur, por jo të gjithë. Me sa duket, kur ai u rikthye krejt i suksesshëm dhe krejt i rilindur, e njëjta mendësi e vjetër që kishte ekzistuar dikur, ishte ende atje, duke pritur që ai të rikthehej. Për njerëzit në vendlindjen e tij, ai ishte ende po i njëjti ‘kaqol’. …
Pak e nga pak përpjekja e këtij djali, e ngjashme me atë të Palit, për ta lënë pas atë që kishte shkuar dhe për ta rrokur çmimin që Perëndia kishte vënë përpara tij, gradualisht u zhduk derisa ai vdiq në të njëjtat rrethana që kishte jetuar në rininë e tij. … Shumë keq dhe shumë e trishtë që atij iu desh të rrethohej sërish nga … njerëz që menduan se e shkuara e tij ishte më interesante se e ardhmja e tij. Ata arritën që t’ia shqitnin nga dora atë për të cilën Krishti e kishte rrokur. Dhe ai vdiq i trishtuar, edhe pse pati fare pak faj vetë. …
Lërini njerëzit të pendohen. Lërini njerëzit të rriten. Besoni që njerëzit mund të ndryshojnë dhe të përmirësohen.”2
© 2019 nga Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/18. Miratuar për përkthim: 6/18. Përkthim i Ministering Principles, August 2019. Albanian. 15769 101