2019
Mënyra se si Mund (dhe do) t’ju Ndihmojë Shpirti për Dhënien e Shërbesës
Shtator 2019


Parimet e Dhënies së Shërbesës, Shtator 2019

Si Mund (dhe do) t’ju Ndihmojë Shpirti për Dhënien e Shërbesës

Detyra e priftërisë për të dhënë shërbesë, që u jepet si burrave dhe grave, përfshin të drejtën për të marrë zbulesë.

ministering

Ilustrimet nga Getty Images

Thirrja për të dhënë shërbesë dhe për të shërbyer, e madje për të dashur siç deshi Shpëtimtari, ndonjëherë mund të duket sfiduese – veçanërisht kur përfshin ndihmën ndaj atyre që mund të mos i njohim edhe aq mirë. Duke pasur një milionë mënyra për dhënien e shërbesës, ne pyetim veten se si mund t’i njohim mënyrat më të mira për t’u dhënë ndihmë atyre tek të cilët jemi caktuar.

Nuk kemi pse të mendohemi gjatë, pasi përpjekjet tona të sinqerta mund të udhërrëfehen nga Fryma e Shenjtë.

“Detyra juaj e shenjtë për të dhënë shërbesë, ju jep të drejtën hyjnore për frymëzim”, tha Motra Boni H. Kordën, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave. “Ju mund ta kërkoni atë frymëzim me vetëbesim.”1

Kur synojmë të shërbejmë ashtu siç bëri Shpëtimtari, ne mund të udhërrëfehemi po nga i njëjti Shpirt që e udhërrëfeu edhe Atë. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur shërbejmë në detyra të tilla si dhënia e shërbesës, që bëhet nën autoritetin e çelësave të priftërisë të peshkopit. Këtu janë gjashtë sugjerime për dhënien e shërbesës me anë të Shpirtit.

Si Mund ta Kem Shpirtin kur Jap Shërbesë?

  • Kërkoni Udhërrëfim. Ati Qiellor do që ne të komunikojmë me Të nëpërmjet lutjes. Lutja jo vetëm që na lejon të afrohemi më shumë tek Ai, por ajo siguron edhe “bekimet që Perëndia është tashmë i gatshëm për t’i dhënë, por që ne duhet t’i kërkojmë që të mund t’i marrim”2. “Teksa lutemi dhe kërkojmë t’i kuptojmë zemrat e tyre”, tha Motra Kordën, “dëshmoj se Ati Qiellor do të na drejtojë dhe do ta kemi me vete Shpirtin e Tij.”3

  • Mos Pritni t’ju Vijë Nxitja. Veproni paraprakisht. “Përfshih[uni] me zell” (Doktrina e Besëlidhje 58:27) dhe do të zbuloni se përpjekjet tuaja mund të udhërrëfehen dhe lartësohen. “Vazhdimi i mëtejshëm i shërbimit dhe i punës nga ana jonë është një mënyrë e rëndësishme që të kualifikohemi për zbulesë”, tha Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë. “Gjatë studimit tim të shkrimeve të shenjta, unë kam vënë re se zbulesa më e madhe tek fëmijët e Perëndisë vjen kur ata janë në lëvizje, jo ndërkohë që janë të ulur në mjedisin e tyre duke pritur që Zoti t’u tregojë hapin e parë që duhet të ndërmarrin.”4

Si t’i Dalloj Nxitjet për të Dhënë Shërbesë?

  • Zbatoni Këshillën e Mormonit. Nuk kemi përse ta kalojmë kohën duke u merakosur nëse një mendim ishte apo nuk ishte nxitje. Jo në rastin kur e njohim zgjidhjen e thjeshtë të Mormonit: Nëse keni një mendim që ju nxit të bëni mirë dhe të besoni apo t’i ndihmoni të tjerët të besojnë në Krisht, ju mund ta dini se është nga Perëndia (shih Moroni 7:16).

  • Mos u Shqetësoni për Të. “Thjesht hidhuni në pishinë dhe notoni”, tha Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Drejtohuni te njerëzit nevojtarë. Mos u bllokoni duke e pyetur veten a duhet të notoni në shpinë ose të bëni not qeni. Nëse i ndjekim parimet bazë që na janë mësuar, qëndrojmë në një linjë me çelësat e priftërisë dhe kërkojmë Shpirtin e Shenjtë që të na udhërrëfejë, ne nuk mund të dështojmë.”5

Si Është Mënyra më e Mirë për ta Ndjekur një Nxitje?

  • Menjëherë. Motra Suzan Bednar (bashkëshortja e Plakut Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve) është një shembull i shkëlqyer i ndjekjes së nxitjeve. Pasi lutet “për sy shpirtërorë që të shohë ata që kanë një nevojë”, ajo hedh vështrimin përreth bashkësisë dhe shpeshherë “ndjen një shtysë shpirtërore që t’i shkojë për vizitë ose t’i bëjë një telefonatë dikujt në veçanti”, tregoi Plaku Bednar. “Dhe kur Motra Bednar merr një mbresë të tillë, ajo përgjigjet dhe bindet menjëherë. Shpesh ndodh që sapo thuhet ‘amen’ në lutjen e mbylljes, ajo flet me një adoleshent ose përqafon një motër apo, me t’u kthyer në shtëpi, merr menjëherë telefonin dhe bën një telefonatë.”6

  • Me Guxim. Frika ndaj refuzimit dhe ndjenjat e ndrojtjes, papërshtatshmërisë apo kur ndihesh sikur po shkakton bezdi, mund të na pengojnë që ta ndjekim nxitjen për të dhënë shërbesë. “Në raste dhe mënyra të ndryshme, ne të gjithë ndihemi të papërshtatshëm, të pasigurt, ndoshta të padenjë”, tha Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Prapëseprapë në përpjekjet tona besnike për ta dashur Perëndinë dhe për t’i dhënë shërbesë të afërmit tonë, ne mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë dhe frymëzimin që nevojitet për jetën e tyre dhe tonën në mënyra të reja dhe më të shenjta.”7

    Një vëlla tregoi se si ai ngurroi që t’i jepte ndihmë bashkëshortit të një gruaje që ishte orvatur të kryente vetëvrasje. Por si përfundim ai i kërkoi këtij bashkëshorti të dilnin për drekë. “Kur i thashë: ‘Bashkëshortja jote u orvat të vetëvritej. Kjo duhet të jetë dërrmuese për ty. A dëshiron të flasësh për këtë?’, ai qau haptazi”, tregoi ai. “Ne patëm një bashkëbisedim të dhembshur dhe të thellë dhe zhvilluam një afërsi e mirëbesim të mrekullueshëm brenda disa minutash.”8

Shënime

  1. Boni H. Kordën, “Të Bëhesh Bari”, Liahona, nëntor 2018, f. 76.

  2. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lutje”.

  3. Boni H. Kordën, “Të Bëhesh Bari”, f. 76.

  4. Dallin H. Oaks, “In His Own Time, in His Own Way”, Liahona, gusht 2013, f. 24.

  5. Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Liahona, nëntor 2018, f. 77.

  6. David A. Bednar, “Quick to Observe”, Liahona, dhjetor 2006, f. 17.

  7. Gerit W. Gong, “Zjarri Ynë i Kampit të Besimit”, Liahona, nëntor 2018, f. 42.

  8. Shih Boni H. Kordën, “Të Bëhesh Bari”, f. 76.