2020
Njerëzit Janë, që Ata të Mund të Kenë Gëzim
Shtator 2020


Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Njerëzit Janë, që Ata të Mund të Kenë Gëzim

E perifrazuar, deklarata: “njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim”1, mund të lexohej: “e gjithë arsyeja për ekzistencën tuaj është që ju të mund të merrni gëzim”.

A është e vërtetë? Unë ndieva gëzim kur skuadra ime e futbollit shënoi një gol fitoreje! E di se ndieva gëzim kur mora lajmin për një kërkesë të suksesshme pune, ose kur kishim një festë familjare. A janë këto ndjenja arsyeja e ekzistencës sonë?

Jo saktësisht. Ato ndjenja gëzimi janë të vërteta dhe të rëndësishme, por ato janë vetëm pasqyrime të një gëzimi më të thellë dhe të qëndrueshëm që na është dhënë nga Ati ynë në Qiell. Nuk shënon skuadra e gjithsecilit gol fitues. Jo çdo kërkues mund ta marrë punën. Për të tjerë, një festë familjare thjesht nuk është e mundur. Sidoqoftë, gjithsecili mund të marrë gëzim të vërtetë!

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë.”2

Profesorët e UBJ së, Kelli Ogden dhe Endrju Skiner shkruan: “2 Nefi 2:25 nuk duhet të citohet kurrë pa cituar edhe vargun 26. Ata janë të lidhur pazgjidhshmërisht së bashku si dy shtylla në planin e madh të shpëtimit. Po, Adami ra që njerëzit të mund të jenë, por ‘Mesia vjen në plotësinë e kohës, që ai të mund t’i shëlbojë fëmijët e njerëzve nga rënia.’3 Me fjalë të tjera, ne po kalojmë në këtë përvojë tokësore për shkak të rënies së Adamit dhe Evës; ishte projektuar qëllimisht ashtu që ne të mund të marrim gëzim; dhe ai gëzim vjen për shkak të një Ati të dashur në Qiell dhe Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit.

Ati vazhdimisht na drejton te Biri i Tij – dhe gëzimi që vjen nga përqendrimi i jetës sonë te Jezu Krishti është një gëzim real, i thellë dhe i qëndrueshëm. Është një plotësi gëzimi.

Shembujt vijues janë nga njerëz që ndien plotësi gëzimi, edhe mes vështirësish, kur ata u përqendruan te Shpëtimtari.

Lehi dhe Saria vunë re se “gëzimi [i tyre] ishte i plotë”4 jo thjesht nga rikthimi i sigurt i bijve të tyre, por për shkak të sigurisë së drejtimit të Zotit nëpërmjet profetit të Tij.

Amoni tha: “gëzimi im është i plotë, po, zemra ime është plot e përplot me gëzim”5, për shkak të shumë shpirtrave që ai i kishte parë të vinin te Jezu Krishti dhe të bëheshin njerëzit e Zotit. Alma pati po këtë plotësi gëzimi për të njëjtat arsye6.

Nefi dhe Lehi, megjithëse qenë të burgosur, “ishin mbushur me atë gëzim që është i patregueshëm dhe plot lavdi”7, kur e dëgjuan zërin e Atit që i lavdëronte për besimin e tyre te Biri i Tij i Dashur.

Më së fundi, Jakobi flet për të gjithë pasuesit besnikë të Jezu Krishtit, njerëzit e besëlidhjes së Tij, dhe gëzimin që do t’i presë ata ndërsa e jetojnë ungjillin, pavarësisht vështirësive, pengesave, kundërshtimeve dhe sprovave. Ai dha mësim: “Por, vini re, të drejtët, shenjtorët e të Shenjtit të Izraelit, ata që kanë besuar në të Shenjtin e Izraelit, ata që kanë duruar kryqet e botës dhe që kanë përbuzur turpin e tij, ata do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, që u përgatit për ta nga krijimi i botës dhe gëzimi i tyre do të jetë i plotë përgjithnjë”.8

Unë dëshmoj se qëllimi i jetës sonë mund të realizohet dhe që të gjithë mund të marrim një plotësi të gëzimit kur ne “e zgjedhim Atin Qiellor të jetë Perëndia ynë”9, e përqendrojmë jetën tonë te Jezu Krishti, i ftojmë të tjerët të mësojnë për Të, e dëgjojmë vetë zërin e Tij, pendohemi për mëkatet tona dhe vijojmë të shkojmë përpara në shtegun e besëlidhjes.

Poshtëshënimet:

  1. 2 Nefi 2:25.

  2. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Konferenca e Përgjithshme e Tetorit 2016.

  3. Ogden and Skinner, Book of Mormon, 1:122–123.

  4. 1 Nefi 5:7.

  5. Alma 26:11 (shih edhe vargjet 7, 12–31).

  6. Alma 29:13–17.

  7. Helamani 5:44.

  8. Helamani 5:44; 2 Nefi 9:18 (Theksim i shtuar).

  9. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Konferenca e Përgjithshme e Tetorit 2016.