Mesazh nga Udhëheqja Zonale
Sepse Perëndia e Deshi aq Botën
Një nga rregullat e mia vetjake gjatë javëve përpara Krishtlindjes, është të dëgjoj oratorion “Mesia” nga Xhorxh Frederik Handeli, duke ngarë makinën për në punë. Kjo oratorio përbëhet nga tri pjesë dhe tregon historinë e Shpëtimit të krishterë, duke filluar me zbulesat rreth Jezu Krishtit që gjenden në Dhiatën e Vjetër, jetën e Tij si një përmbushje të këtyre profecive, lindjen e Tij, vdekjen e Tij në kryq dhe më pas Ardhjen e Dytë të Tij. Një fragment kryesor në shfaqjen muzikore “Mesia” përbëhet nga disa vargje të kapitullit 9 të Isaias, vënë në muzikë. Në pah dalin disa parime të rëndësishme, në veçanti:
1. Të gjithë ne ecim në errësirë nganjëherë – në Krishtin gjejmë dritën
“Populli që ecte në terr pa një dritë të madhe; mbi ata që banonin në vendin e hijes së vdekjes doli një dritë.” (Isaia 9:2.)
Të gjithë ne përjetojmë periudha errësire dhe sfidash dhe viti i kaluar u karakterizua nga vështirësi shumë të veçanta. Shumë njerëz përjetuan se si është të ndiesh vetminë dhe të kesh frikë nga e ardhmja. Lindja e Krishtit na jep shpresë. Në Krishtin ne gjejmë dritë edhe kur gjithçka rrotull nesh duket e errët. Ai është drita e botës dhe mund të jetë një dritë për secilin prej nesh, por vetëm nëse e ndjekim dritën e Tij (shih Plaku Kuentin L. Kuk, “Zoti Është Drita Ime”, Konferenca e Përgjithshme, Prill 2015 [Liahona, maj 2015]).
2. Ne gjejmë gëzim të vërtetë në mesazhin e Jezu Krishtit
“Ti e ke rritur kombin, ke shtuar gëzimin e tyre; ata gëzohen para teje ashtu si gëzohet dikush në korrje dhe ashtu si gëzohet kur ndahet plaçka e luftës.” (Isaia 9:3.)
Nganjëherë kolegët e mi dhe anëtarët e Kishës gjithashtu, më pyesin se përse jam njeri i lumtur. Në jetën time, përjetoj sfida gjithashtu, dhe jo gjithçka shkon ashtu si do të më pëlqente apo siç e prisja. Sidoqoftë, nëpërmjet Krishtit, ne mund të kemi një këndvështrim të përjetshëm dhe me gjasë, sfidat e mëdha mund të duken shumë ndryshe sipas atij këndvështrimi. Ungjilli i Tij – lajmet e Tij të gëzueshme të gëzimit – na tregojnë se errësira ndiqet gjithnjë nga drita dhe hiri i Tij është i mjaftueshëm për të gjithë ne (shih 2 Korintasve 12:9.) Kjo më sjell gëzim!
3. Në Krishtin ne mund të gjejmë forcë; Ai u përgjigjet pyetjeve thelbësore për jetën tonë
“Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.” (Isaia 9:6.)
Krishti është me të vërtet një këshilltar i admirueshëm. Le ta përdorim për dobinë tonë këtë dhuratë kur ndihemi të pasigurt, le të përpiqemi vërtet ta “Dëgjoj[më] Atë” (shih bisedën e Presidentit Rasëll M. Nelson “Dëgjojeni Atë”, Konferenca e Përgjithshme, Prill 2020 [Liahona, maj 2020]). Ai nuk është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë vetëm për përjetësinë, Ai mund të na ndihmojë edhe në jetën tonë të përditshme. Alma e përshkroi se Ai “do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe … se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij … që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, … që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre”. (Alma 7:11,12.) Ne mund të mbështetemi gjithmonë te Krishti!
4. Krishti është Princi i Paqes; Ai duhet të jetë qendra për ne gjatë Krishtlindjes
“Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mënçurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë.” (Isaia 9:7.)
Krishti është Princi i Paqes. Kur e kërkojmë aktivisht paqen e Tij në shtëpinë tonë gjatë periudhës së Krishtlindjes, Krishtlindja jonë nuk do të jetë vetëm e mrekullueshme, por do të bëhet edhe një burim force shpirtërore.
Plaku Uhtdorf e përshkroi në mënyrë shumë të gjallë këtë parim: “Nganjëherë, duket sikur përpjekjet tona për të pasur një periudhë të përsosur Krishtlindjeje janë si një lojë e Xhengas – e dini, loja që luhet me blloqe të vogla druri që vihen grumbull në mënyrë të pasigurt për të ndërtuar një kullë. Ndërsa përpiqemi të rrisim lartësinë e kullës, ne heqim një bllok të drunjtë përpara se të mund ta vendosim në majë të strukturës delikate.
Secili prej atyre blloqeve të vogla e të drunjta është një simbol i ngjarjeve të Krishtlindjes së përsosur që dëshirojmë kaq skajshëm që ta kemi. Ne kemi në mendjen tonë një pamje të asaj se si duhet të jetë çdo gjë – pema e përsosur, dritat e përsosura, dhuratat e përsosura dhe ngjarjet familjare të përsosura. Ne ndoshta mund të duam madje t’i rikrijojmë disa çaste magjike që kujtojmë nga Krishtlindje të shkuara dhe asgjë më pak se e përsosura nuk do të na kënaqë.
Herët ose vonë, diçka e pakëndshme ndodh – blloqet e drunjtë gremisen, perdet marrin zjarr, gjeli i detit digjet, pulovra ka masën e gabuar, lodrat nuk kanë bateri, fëmijët grinden, tensioni rritet – dhe Krishtlindja e përsosur si një pikturë që kishim përfytyruar, magjia që kishim qëllim të krijonim, thërrmohet rreth nesh. Si rezultat, periudha e Krishtlindjes shpesh është një kohë stresi, ankthi, mërzitjeje dhe ndoshta madje zhgënjimi.
Por atëherë, nëse ne vetëm jemi të gatshëm t’i hapim zemrat e mendjet tona ndaj shpirtit të Krishtlindjes, do t’i dallojmë gjërat e mrekullueshme që ndodhin rreth nesh, të cilat do ta drejtojnë ose ridrejtojnë vëmendjen tonë drejt gjërave qiellore. Zakonisht është diçka e vogël – ne lexojmë një varg nga shkrimi i shenjtë, ne dëgjojmë një këngë të shenjtë krishtlindjeje dhe ua vëmë veshin vërtet, ndoshta për herë të parë, fjalëve të saj, ose jemi dëshmitarë të një shprehjeje të sinqertë dashurie. Në një mënyrë ose në një tjetër, Shpirti na prek zemrat dhe ne shohim se Krishtlindja, në thelbin e saj, është shumë më energjike dhe e qëndrueshme sesa shumë gjëra të vogla të jetës që ne tepër shpesh i përdorim për ta stolisur atë.” (Plaku Dieter F. Uchtdorf, “Of Curtains, Contentment, and Christmas”, [“Mbi Perdet, Kënaqjen dhe Krishtlindjen”], takim shpirtëror për Krishtlindje 2011.)
Të gjitha këto përvoja vetjake që i lidhim me Krishtlindjen janë një shprehje e dashurisë që Perëndia ka për ne, të cilën mund ta ndiej pa pushim, veçanërisht gjatë periudhës së Krishtlindjes:
“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” (Gjoni 3:16.)
Le të kujtojmë këtë vit, në këtë periudhë Krishtlindjeje, se çfarë është më e rëndësishme: Kjo është dashuria që Perëndia ka për secilin prej nesh!