“Jezu Krishti na Shpëtoi nga Mëkati dhe Vdekja”, Liahona, Prill 2021
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Prill 2021
Jezu Krishti na Shpëtoi nga Mëkati dhe Vdekja
Për shkak të flijimit të Tij, ne të gjithë kemi mundësinë për të gjetur paqe dhe gëzim të përjetshëm.
Ne i referohemi Jezu Krishtit si Shpëtimtari ynë. Kjo për shkak se Ai pagoi çmimin për mëkatet tona dhe e mposhti fuqinë e vdekjes. Ai na shpëtoi! Flijimi i Tij për ne, i quajtur Shlyerja, është ngjarja më e rëndësishme që ka ndodhur ndonjëherë. Për shkak të Tij, vdekja nuk është fundi. Për shkak të Tij, neve mund të na falen mëkatet, të bëhemi sërish të pastër dhe të bëhemi më të mirë çdo ditë.
Jezu Krishti Ishte i Parëlinduri
Përpara se të vinim në tokë, ne jetuam me prindërit tanë qiellorë. Si i Parëlinduri, Jezu Krishti ndihmoi në krijimin e kësaj bote të bukur. Ai u zgjodh që të ishte Shpëtimtari ynë dhe ra dakord të lindte në tokë që Ai të mund të jepte një shembull të përsosur, të jepte mësim ungjillin e Tij dhe të kryente Shlyerjen për ne.
Jezu Krishti Pagoi për Mëkatet Tona
Kur Jezusi e dinte se shpejt do të vdiste, Ai shkoi në një kopsht që quhej Gjetseman, për t’u lutur. Gjatë asaj lutjeje, Ai filloi të paguante çmimin për mëkatet tona. Ai vuajti me gatishmëri që ne të mos na duhet të vuajmë – nëse pendohemi. Ndërsa largohemi nga mëkatet tona dhe në vend të kësaj ndjekim Shpëtimtarin, ne mund të gjejmë falje dhe shërim. Për shkak të asaj që Ai përjetoi në Gjetseman, Jezusi e kupton saktësisht se ç’do të thotë të jesh si çdonjëri prej nesh. Ai i ndjeu të gjitha brengat, sëmundjet dhe dhembjet tona. Kjo është pjesa e parë e Shlyerjes.
Jezu Krishti e Mposhti Vdekjen
Pas lutjes së Tij në Gjetseman, Jezusin e tradhtuan, e arrestuan dhe e dënuan me vdekje duke e kryqëzuar. Edhe pse Ai ishte i gjithëfuqishëm, Jezusi e lejoi Veten që të vdiste në kryq. Ndjekësit e Tij me dashuri e vendosën trupin e Tij në një varr. Ata nuk e kuptuan se megjithëse trupi i Tij kishte vdekur, shpirti i Tij ishte ende gjallë në botën e shpirtrave. Tri ditë më vonë, Jezusi u kthye sërish në jetë dhe i vizitoi ata, duke vërtetuar se Ai mund ta mposhtte vdekjen. Kjo e plotësoi Shlyerjen. Për shkak se Jezusi u ringjall, secili prej nesh do të jetojë sërish pasi të vdesë.
Kuptimi i Krishtlindjes dhe Pashkës
Shumë njerëz në botë kremtojnë dy festa që na ndihmojnë të kujtojmë Shlyerjen e Jezu Krishtit. Gjatë Krishtlindjes, ne kujtojmë me mirënjohje se Jezusi ishte i gatshëm ta pranonte misionin e ardhjes në tokë, edhe pse kjo përfshinte faktin se do të vuante dhe vdiste për ne. Pashka kremton fitoren e Shpëtimtarit mbi mëkatin dhe vdekjen, e cila na jep shpresë për një të ardhme të përjetshme gëzimi.
Çfarë Thonë Shkrimet e Shenjta për Shlyerjen e Shpëtimtarit?
Për shkak se Jezusi na njeh në mënyrë të përsosur, Ai mund të na “ndihmojë” ose do të na vijë në ndihmë (shih Alma 7:11–12).
Shpëtimtari i kupton dhembjet dhe sëmundjet tona (shih Isaia 53:2–5).
Perëndia e dërgoi Jezusin që të na shpëtojë sepse Perëndia e do secilin prej nesh (shih Gjoni 3:16–17).
Jezusi u lut për ndjekësit e Tij, përfshirë edhe ne, që të mbrohemi nga e liga dhe të jemi një me Të dhe Atin Qiellor (shih Gjoni 17).
Shpëtimtari ynë na fton ta ndjekim Atë dhe të kthehemi në praninë e Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 19:16–19, 23–24; 132:23).
© 2021 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly Liahona Message, April 2021. Albanian. 17467 101