“Besimi te Jezu Krishti”, Liahona, Prill 2023.
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Prill 2023
Besimi te Jezu Krishti
Të pasurit besim te Jezu Krishti është parimi i parë i ungjillit (shih te Nenet e Besimit 1:4). Besimi ynë do të na ndihmojë të bëjmë zgjedhje që do të na bëjnë të kthehemi tek Ati ynë Qiellor. Ne mund të punojmë për ta forcuar besimin tonë gjatë gjithë jetës sonë.
Çfarë Është Besimi?
Besimi është një bindje ose mirëbesim i palëkundur tek diçka. Të kesh besim përfshin të shpresuarit për gjëra që janë të vërteta dhe të besuarit në to, edhe kur nuk mund t’i shohim ose t’i kuptojmë ato tërësisht (shih te Hebrenjve 11:1; Alma 32:21).
Besimi i Përqendruar te Jezu Krishti
Për të çuar drejt shpëtimit, besimi ynë duhet të përqendrohet te Jezu Krishti si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Të kemi besim te Krishti do të thotë të kemi vetëbesim tek Ai. Do të thotë të mbështetemi tërësisht tek Ai – të mirëbesojmë te fuqia, inteligjenca dhe dashuria e Tij. Gjithashtu përfshin të besuarit dhe ndjekjen e mësimeve të Tij.
Rritja e Besimit Tonë
Besimi është një dhuratë nga Perëndia, por ne duhet ta kërkojmë atë dhe të punojmë për ta mbajtur të fortë. Ne mund ta rritim besimin tonë nëpërmjet lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta dhe të mësimeve të profetëve të ditëve të mëvonshme. Gjithashtu mund ta forcojmë besimin tonë kur jetojmë me drejtësi dhe i mbajmë besëlidhjet tona.
Të Jetuarit me Anë të Besimit
Besimi është më shumë sesa thjesht bindje. Ai përfshin të vepruarit sipas asaj bindjeje. Ne e tregojmë besimin tonë nëpërmjet mënyrës se si jetojmë. Besimi te Jezu Krishti na shtyn që të ndjekim shembullin e Tij të përkryer. Besimi ynë na bën që t’u bindemi urdhërimeve, të pendohemi për mëkatet tona dhe të bëjmë e të mbajmë besëlidhje.
Besimi Mund të Çojë drejt Mrekullive
Besimi i vërtetë sjell mrekulli, të cilat mund të përfshijnë vegime, ëndrra, shërime dhe dhurata të tjera që vijnë nga Perëndia. Shkrimet e shenja përmbajnë shumë tregime për njerëz që morën mrekulli nga Zoti për shkak të besimit të tyre tek Ai. Për disa shembuj shihni zërin “Mrekulli” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Besimi Mund të Sjellë Paqe
Të pasurit e besimit te Perëndia dhe te plani i Tij i shpëtimit mund të na forcojë gjatë sfidave tona. Besimi mund të na japë forcë për të shkuar përpara dhe për t’u përballur me vështirësitë tona me kurajë. Edhe kur e ardhmja duket e pasigurt, besimi ynë te Shpëtimtari mund të na japë paqe.
Besimi te Jezu Krishti Çon drejt Shpëtimit
Ushtrimi i besimit te Krishti do të çojë drejt shpëtimit tonë. Krishti e ka përgatitur udhën për ne që të marrim jetë të përjetshme. Kur jetojmë sipas besimit tonë tek Ai, ne mund të falemi për mëkatet tona dhe mund të kthehemi që të jetojmë me Perëndinë përsëri.
© 2023 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly Liahona Message, April 2023. Language. 19006 101