“Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2022)
“Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022
Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave
Cilat janë Qëllimet e Mbledhjeve të Klasave dhe Kuorumeve Tona?
Zoti ju ka dhënë një mirëbesim të shenjtë: Ai ju ka thirrur të shërbeni në një presidencë të klasës së Të Rejave ose një presidencë të kuorumit të Priftërisë Aarone. Pjesë e përgjegjësisë suaj është të udhëhiqni dhe drejtoni mbledhjet e klasave ose kuorumeve tuaja ditën e diel. Për ta bërë këtë, është e dobishme të kuptoni arsyen përse i kemi këto mbledhje.
Mbledhjet e klasave të Të Rejave dhe kuorumeve të Priftërisë Aarone ndryshojnë nga orët mësimore të Kishës si Shkolla e së Dielës ose seminari. Në mbledhjet e klasave ose kuorumeve, ne bëjmë më shumë sesa të studiojmë një temë të ungjillit. Ne mësojmë rreth punës që na ka dhënë Perëndia, dhe i organizojmë anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tonë që ta bëjnë atë punë në shtëpitë tona, në Kishë dhe në komunitetet tona. Në këto mbledhje, ne jo vetëm që flasim për punën – ne bëjmë plane për t’i përmbushur rolet tona si pjesë e batalionit të rinisë së Zotit, përfshirë ndihmën për të mbledhur Izraelin.
Por ky theksim mbi punën nuk do të thotë se ne i lëmë diskutimet doktrinore vetëm për Shkollën e së Dielës. Në fakt, të mësuarit e doktrinës në mbledhjet e klasave të Të Rejave dhe kuorumeve të Priftërisë Aarone është thelbësor – ai na ndihmon ta forcojmë marrëdhënien tonë me Jezu Krishtin, ta kuptojmë planin e Atit Qiellor dhe të marrim pjesë në punën e Tyre. Kur e studiojmë ungjillin së bashku, të vërtetat që mësojmë, mund t’i ndryshojnë zemrat tona dhe të na ndihmojnë të dimë se si të veprojmë në mënyra më të ngjashme me të Krishtit. Ne mund të marrim nxitje rreth mënyrave se si të rritemi “në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52). Kur bëhemi më të kthyer në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij, ne do të gjejmë gëzim dhe do të ndiejmë dëshirë për t’i ndihmuar të tjerët përgjatë shtegut të besëlidhjeve.
Kush i Udhëheq Këto Mbledhje?
Perëndia ju ka thirrur si presidenca të klasave dhe kuorumeve dhe ju ka dhënë autoritet për të udhëhequr. Kjo është arsyeja përse çdo mbledhje e klasës ose kuorumit tuaj duhet të drejtohet nga një anëtare e presidencës së klasës suaj ose një anëtar i presidencës së kuorumit tuaj. Udhëheqësit në moshë madhore duhet të ofrojnë udhërrëfim e përkrahje, por ata nuk duhet të marrin drejtimin në vendin tuaj. Shikoni pjesën e titulluar “Këshillohuni së Bashku” në fillim të secilit përvijim në këtë burim për ide që t’ju ndihmojnë të dini se si ta udhëhiqni një mbledhje dhe se si t’i plotësoni qëllimet e saj të vërteta. Përdorini mbledhjet e presidencave që të planifikoni se si do t’i drejtoni këto mbledhje të të dielave.
Kush Duhet ta Japë Mësimin?
Mësimet mund të jepen nga udhëheqës ose udhëheqëse në moshë madhore, një anëtare e presidencës së klasës ose një anëtar i presidencës së kuorumit apo një anëtar tjetër i klasës ose kuorumit. Si presidencë e klasës ose kuorumit, këshillohuni me udhëheqësit/et tuaj/a në moshë madhore se kush duhet të caktohet për të dhënë mësimet. Mbani mend që udhëheqësit/et tuaj/a në moshë madhore kanë shumë gjëra për të dhënë. Përpiquni të mësoni nga përvojat dhe dëshmitë e tyre. Gjithashtu ka përfitim nëse u kërkoni të rinjve dhe të rejave që të japin mësim – mësimdhënia mund t’i ndihmojë për ta thelluar kthimin e tyre në besim dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të forta me anëtaret e tjera të klasave ose anëtarët e tjerë të kuorumeve. Prandaj jepuni atyre mundësi të përshtatshme që ta japin të gjithë mësimin ose një pjesë të tij, duke mbajtur në mendje nevojat dhe aftësitë e njerëzve në klasën ose kuorumin tuaj. Për shembull, udhëheqësit/et në moshë madhore mund të japin më shpesh mësim në klasa ose kuorume me të rinj e të reja më të vogla në moshë ose të rinj dhe të reja që kanë më pak përvojë në mësimdhënien e ungjillit. Kur të rinj ose të reja ftohen të japin mësim, një prind ose një këshilltar/e në moshë madhore duhet t’i ndihmojë ata që të përgatiten, sipas nevojës.
Ata që caktohen për të dhënë mësim, mund të përdorin pjesën e titulluar “Jepeni Mësim Doktrinën” në secilin përvijim në këtë burim për t’i ndihmuar që të përgatiten. Kjo pjesë përmban sugjerime për mësimdhënien dhe diskutimin e doktrinës për atë javë, por mësuesit/et nuk duhet të ndihen të kufizuar/a vetëm te këto sugjerime. Si t’i drejtojë Shpirti, mësuesit/et mund t’i përshtatin këto ide ose të përdorin idetë e veta që të japin mësim në një mënyrë që do t’i plotësojë më mirë nevojat e anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit dhe do t’i ndihmojë që ta kuptojnë dhe vënë në zbatim doktrinën.
Cilat Tema Doktrinore do të Diskutojmë në Mbledhjet tona?
Tema e përvijimit të çdo jave është një parim doktrinor që është përzgjedhur të përputhet me leximin nga Dhiata e Vjetër, të rekomanduar për atë javë, që gjendet tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Në këtë mënyrë, diskutimet doktrinore në mbledhjet e klasave ose kuorumeve do të përkrahin atë që të rinjtë dhe të rejat po mësojnë në shtëpi.
Edhe pse përvijimet duhet të jepen mësim në të diela të caktuara, ju ende keni mundësinë të diskutoni për tema të tjera doktrinore bazuar në nevojat e klasës ose kuorumit tuaj.
Ky burim përfshin përvijimet për çdo javë kur zhvillohen mbledhjet e klasave të Të Rejave dhe kuorumeve të Priftërisë Aarone. Me raste, ju mund të keni nevojë ta kapërceni një mësim për shkak të konferencave të kunjit ose arsye të tjera.
Cili Është Roli i Udhëheqësve dhe Udhëheqëseve Tona në Moshë Madhore?
Udhëheqësit/et tuaj/a në moshë madhore luajnë rol të rëndësishëm në klasat e Të Rejave dhe kuorumet e Priftërisë Aarone. Ata/o do t’ju udhërrëfejnë dhe këshillojnë në thirrjet tuaja udhëheqëse. Ata/o do t’ju përkrahin dhe nxitin ndërkohë që bëni punën e klasës ose kuorumit tuaj. Do t’ju japin mësim doktrinën dhe do t’ju bekojnë nëpërmjet shembullit, përvojës e dëshmisë së tyre.