Dhiata e Re 2023
26 Shkurt. Si më Ndihmojnë Mësimet e Shpëtimtarit që të Bëj Gjykime të Drejta? Mateu 6–7


“26 Shkurt. Si më Ndihmojnë Mësimet e Shpëtimtarit që të Bëj Gjykime të Drejta? Mateu 6–7”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023 (2022)

“26 Shkurt. Si më Ndihmojnë Mësimet e Shpëtimtarit që të Bëj Gjykime të Drejta?”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023

Jezusi dhe gruaja që u kap duke shkelur kurorën

26 Shkurt

Si më Ndihmojnë Mësimet e Shpëtimtarit që të Bëj Gjykime të Drejta?

Mateu 6–7

ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtare e presidencës së klasës ose një anëtar i presidencës së kuorumit; përafërsisht 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj drejtoni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet e mëposhtme ose pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Çfarë temash ka diskutuar peshkopata në mbledhjet e këshillit të lagjes sonë për rininë? Çfarë mund të bëjmë si klasë ose kuorum bazuar në ato diskutime?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Si mund t’i ndihmojmë njerëzit në mënyra të ngjashme me të Krishtit kur shohim një nevojë dhe nuk dimë se çfarë të themi?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Çfarë kemi gjetur tek ungjilli i Jezu Krishtit që na sjell gëzim? Si mund ta përhapim atë gëzim tek të tjerët?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Çfarë po bëjmë për të gjetur emrat e paraardhësve tanë që kanë nevojë për ordinancat e tempullit? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të gjejnë emrat e paraardhësve të tyre?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuani anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

ikona jepeni mësim doktrinën

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Ka një prirje te secili prej nesh – si pasojë e natyrës sonë të rënë – që t’i gjykojmë të tjerët, ndonjëherë në mënyrë të padrejtë ose siç na duket neve e drejtë. Por Shpëtimtari dha mësim: “Mos gjykoni padrejtësisht, që ju të mos gjykoheni; por gjykoni me gjykim të drejtë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 7:2 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Përsiatni se si ndjekja e kësaj këshille mund t’ju bekojë ju dhe ata të cilëve u jepni mësim. Shpëtimtari e tregoi nëpërmjet shembullit se çfarë donte të thoshte me “gjykim të drejtë”. Për shembull, merreni parasysh se si e trajtoi Ai gruan që kishte bërë shkelje kurore. Ai nuk e dënoi atë, por as nuk e fali mëkatin e saj. Ai e ftoi atë të “shko[nte] dhe mos mëkato[nte] më” (Gjoni 8:11). Çfarë keni mësuar nga Shpëtimtari rreth gjykimit me drejtësi?

Ndërsa përsiatni se si do t’i ndihmoni të rinjtë dhe të rejat ta kuptojnë gjykimin e drejtë, ju mund të studioni vargjet te Mateu 7:1–2 dhe mesazhin e Plakut Lin. G. Robins “Gjykatësi i Drejtë” (Liahona, nëntor 2016, f. 96–98).

Mësoni së Bashku

Ju mund të filloni një diskutim rreth gjykimit me drejtësi duke u kërkuar anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit të mendojnë rreth një rasti kur u ndien se u gjykuan në mënyrë të padrejtë nga të tjerët. Si e ndien këtë? Çfarë mësojmë rreth gjykimit nga mësimet e Shpëtimtarit te Mateu 7:1–5? (Shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 7:1–2.) Çfarë mund të nënkuptojë fraza “gjykim të drejtë”? Ju mund t’i diskutoni këto vargje duke i ftuar anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit ta riformulojnë çdo varg me fjalët e tyre. Veprimtaritë si ato në vijim mund t’i ndihmojnë edhe ata të cilëve u jepni mësim, që të gjykojnë me drejtësi.

  • Mësimet e Shpëtimtarit te Mateu 6–7 mund të na ndihmojnë të “gjyko[jmë] me gjykim të drejtë”. Për t’i ndihmuar anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit t’i zbulojnë këto mësime, mund t’i jepni secilit prej tyre njërin nga fragmentet e mëposhtme për ta përsiatur: Mateu 6:14–15; 7:3–5; 7:12; 7:15–20. Çfarë sugjerojnë fjalët e Shpëtimtarit te këto vargje rreth domethënies së gjykimit me drejtësi? Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit te Gjoni 8:1–11 dhe Mateu 9:10–13? Çfarë ndryshimesh vëmë re midis mënyrës se si na gjykon Shpëtimtari dhe mënyrës se si ne e gjykojmë shpesh njëri-tjetrin?

  • Ngaqë të gjithë kemi lirinë e zgjedhjes, duhet të bëjmë vazhdimisht gjykime për atë që do të bëjmë dhe nuk do të bëjmë. Por si ndjekës të Shpëtimtarit, ne përpiqemi fort që të mos i gjykojmë ose kritikojmë njerëzit e tjerë. Për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat ta kuptojnë ndryshimin, lexojuni atyre thënien nga Presidenti Dallin H. Ouks te pjesa “Burime Mbështetëse”. Si klasë ose kuorum, punoni së bashku për të menduar për shembuj të gjykimit të një situate – të tillë si një veprimtari, një ngjarje ose një bashkëbisedim – në vend që të gjykoni një njeri që është i përfshirë. Përse është më mirë të gjykoni një situatë sesa një njeri? Të rinjtë dhe të rejat mund të kenë pyetje të tjera rreth gjykimit me drejtësi (shih shembujt te pjesa “Burime Mbështetëse”). Diskutojini pyetjet e tyre së bashku duke përdorur informacionin në pjesën “Burime Mbështetëse” për të gjetur përgjigje. Ftojini të rinjtë dhe të rejat të tregojnë se çfarë ndihen të frymëzuar të bëjnë për shkak të asaj që po mësojnë.

  • Në mesazhin e tij në konferencën e përgjithshme “Të Zhvillojmë Gjykimin e Mirë e të Mos Gjykojmë të Tjerët” (Liahona, maj 2010, f. 103–105), Plaku Gregori A. Shvicer tregoi dy histori – historinë e shoqes së Jezusit, Martës dhe të një burri që ndihmoi Plaku Shvicer. Çfarë na mësojnë këto histori rreth mënyrës se si ne duhet t’i shohim dhe trajtojmë të tjerët? Cilat parime mund të na ndihmojnë të jemi më të ngjashëm me Krishtin dhe të gjykojmë me drejtësi? Materialet filmike “Looking through Windows” [“Të Parit nga Dritarja”] dhe “Judging Others? Stop It!” [“Gjykimi i të Tjerëve? Ta Ndalojmë Atë”] (ChurchofJesusChrist.org) mund të japin ide shtesë.

të rinj duke biseduar

Ndërsa mësojmë të jemi më të ngjashëm me Krishtin, ne mund të gjykojmë më me drejtësi.

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse duan, mund të japin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin po të veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

  • Shembuj pyetjesh rreth gjykimit të të tjerëve: “Më kanë mësuar t’i zgjedh me kujdes miqtë. Por si mund ta bëj atë pa i gjykuar njerëzit?” “Kur përpiqem ta jetoj ungjillin, më akuzojnë se jam gjykues/e. Si mund të jem i/e vërtetë ndaj asaj që besoj dhe të tregoj dashuri ndaj atyre me të cilët nuk jam dakord?”

  • 1 Samuelit 16:7; Moroni 7:12–19; Doktrina e Besëlidhje 11:12

  • Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Judging Others” [“Gjykimi i të Tjerëve”], topics.ChurchofJesusChrist.org

  • Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Sa herë që të jetë e mundur të përmbahemi për të mos i gjykuar njerëzit dhe të gjykojmë vetëm situatat. Kjo është thelbësore sa herë që përpiqemi të veprojmë sipas normave të ndryshme nga të tjerët me të cilët duhet të shoqërohemi – në shtëpi, në punë ose në komunitet. Ne mund të vendosim standarde të larta për veten ose për shtëpitë tona dhe të veprojmë sipas tyre, pa i dënuar ata që veprojnë ndryshe” (“‘Judge Not’ and Judging”, Ensign, gusht 1999, f. 11).

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Përpjekjet tuaja duhet t’i përkrahin përpjekjet e prindërve. Tregojuani prindërve të të rinjve dhe të të rejave atë që po jepni mësim. Këshillohuni me ta që të mësoni rreth nevojave të të rinjve e të rejave në klasën tuaj dhe mënyrave më të mira për të ndihmuar që t’i plotësojnë ato nevoja.