Eja, Më Ndiq
25 Nëntor – 1 Dhjetor: “Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen”. Ethëri 12–15


“25 Nëntor – 1 Dhjetor: ‘Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen’. Ethëri 12–15”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“25 Nëntor – 1 Dhjetor. Ethëri 12–15”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Ethëri duke u futur në një shpellë

Ether Hiding in the Cavity of a Rock [Ethëri Fshihet në Zgavrën e një Shkëmbi], nga Gary Ernest Smith

25 Nëntor – 1 Dhjetor: “Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen”

Ethëri 12–15

Profecitë e Ethërit për jareditët ishin “të mëdha dhe të mrekullueshme” (Ethëri 12:5). Ai “u tha atyre të gjitha gjërat, që nga fillimi i njeriut” (Ethëri 13:2). Ai parashikoi “ditët e Krishtit” dhe Jerusalemin e Ri të ditëve të mëvonshme (Ethëri 13:4). Dhe ai foli për “shpres[ën] … për një botë më të mirë, po, madje për një vend në krahun e djathtë të Perëndisë” (Ethëri 12:4). Por jareditët nuk i pranuan fjalët e tij, për të njëjtën arsye që njerëzit shpesh nuk i pranojnë profecitë e shërbëtorëve të Perëndisë sot – “për shkak se nuk i sh[ohin]” (Ethëri 12:5). Duhet besim që të besohen premtimet ose paralajmërimet rreth gjërave që nuk mund të shihen, ashtu sikurse Ethërit iu desh besim që të profetizonte për “gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme” mes një populli mosbesues. U desh besim nga ana e Moronit që të mirëbesonte se Zoti mund ta merrte “dobësi[në e tij] në të shkruar” dhe ta kthente në forcë (shihni tek Ethëri 12:23–27). Është ky lloj besimi që na bën “të sigurt dhe të vendosur, gjithmonë plot me vepra të mira, duke qenë të udhëhequr për të lavdëruar Perëndinë” (Ethëri 12:4). Dhe është ky lloj besimi me anë të të cilit “të gjitha gjërat plotësohen” (Ethëri 12:3).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Ethëri 12

Besimi te Jezu Krishti mund të çojë drejt mrekullive.

Është e zakonshme sot, sikurse ishte në kohën e Ethërit, që njerëzit të dëshirojnë të shohin prova para se të besojnë te Perëndia dhe fuqia e Tij. Çfarë mësoni nga Ethëri 12:5–6 për këtë ide?

Ndërsa lexoni tek Ethëri 12, mund të mbani shënim sa herë që gjeni fjalën “besim/besimi/besimit”. Merreni parasysh se çfarë na mëson rreth besimit secila herë që përmendet. Pyetje si këto mund të ndihmojnë: Çfarë është besimi? Çfarë do të thotë të ushtrojmë besim? Cilat janë frytet e besimit te Jezu Krishti? Ju gjithashtu mund të shënoni mendimet tuaja rreth dëshmive që keni fituar “pas provës së besimit tuaj” (Ethëri 12:6).

Shihni edhe Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 101–104.

Lërini të tjerët të tregojnë dhe ndonjëherë jepuni mësim. Njerëzit mësojnë më mirë kur kanë mundësi ta tregojnë atë që po mësojnë ose edhe të japin mësim në një mjedis formal. Qoftë në shtëpi ose në kishë, merreni parasysh t’i lini të tjerët, përfshirë të rinjtë, që të japin një pjesë të mësimit.

Ethëri 12:1–9, 28, 32

Jezu Krishti na jep “një shpresë më të shkëlqyer”.

Përveç pikëpamjeve të thella rreth besimit, Ethëri 12 gjithashtu ka shumë për të thënë rreth shpresës. Lërini këto pyetje ta udhërrëfejnë studimin tuaj:

  • Cilat ishin arsyet që kishte Ethëri për të “shpres[uar] … për një botë më të mirë”? (Shihni tek Ethëri 12:2–5.)

  • Cili është qëllimi i një spirance? Çfarë i bën shpresa shpirtit tuaj që ngjan me atë që i bën spiranca anijes? (Shihni tek Ethëri 12:4.)

  • Për çfarë duhet të shpresojmë? (Shihni tek Ethëri 12:4; Moroni 7:41.)

  • Si ju ka dhënë ungjilli i Jezu Krishtit “një shpresë më të shkëlqyer”? (Ethëri 12:32.)

Shihni edhe te Moroni 7:40–41; Xhefri R. Holland, “Një Ndriçim i Përkryer i Shpresës”, Liahona, maj 2020, f. 81–84.

Ethëri 12:23–29

ikona e seminarit
Jezu Krishti mund ta kthejë dobësinë time në forcë.

Kur lexojmë shkrimet e fuqishme të Moronit, është e lehtë të harrojmë se ai shqetësohej rreth “dobësisë [së tij] në të shkruar” dhe kishte frikë se mos njerëzit do të talleshin me fjalët e tij (shihni tek Ethëri 12:23–25). Nëse ndiheni ndonjëherë në ankth rreth dobësisë suaj, lexoni rreth mundimeve të Moronit dhe përgjigjen e Shpëtimtarit tek Ethëri 12:23–29. Mund edhe të përsiatni për kohët kur Jezu Krishti ju ka ndihmuar ta dalloni dobësinë tuaj dhe ju ka bërë të fortë edhe nëse nuk e hoqi atë tërësisht. Gjithashtu mendoni rreth dobësive me të cilat po ndesheni aktualisht. Çfarë nevojitet të bëni për të marrë premtimin e Shpëtimtarit që “gjërat e dobëta, të bëhen të forta”? (Ethëri 12:27.)

Merreni parasysh të kërkoni në fragmentet vijuese për të parë se si të tjerët në shkrimet e shenjta morën forcë nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit:

Shihni edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Zoti më Ësht’ Drit”, Himne, nr. 45.

Ethëri 13:13–22; 14–15

Mospranimi i profetëve të Zotit më vë në rrezik shpirtëror.

Të qenit mbret i jareditëve ishte historikisht një pozitë e rrezikshme. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për Koriantumrin, pasi shumë “njerëz të fuqishëm … kërkuan t[a] shkatërronin” atë (Ethëri 13:15–16). Tek Ethëri 13:15–22 vini re atë që bëri Koriantumri për t’u mbrojtur, dhe atë që profeti Ethër e këshilloi të bënte në vend të saj. Ndërkohë që lexoni pjesën tjetër të librit të Ethërit, përsiatni për pasojat e mospranimit të profetëve. Çfarë u ndodh njerëzve kur “Shpirti i Zotit … push[on] së përpjekuri me ta”? (Ethëri 15:19.) Çfarë mund të dëshirojë Zoti që të mësoni nga këto ndodhi? Merreni parasysh atë që do të bëni për t’i ndjekur profetët e Tij.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Ethëri 12:6–22

Besimi është të besoj në gjëra që nuk mund t’i shoh.

  • Merreni parasysh t’i ndihmoni fëmijët tuaj ta përsëritin frazën “Besimi qëndron në gjërat që shpresohen dhe nuk shihen” nga Ethëri 12:6. Atyre mund t’u pëlqejë të vështrojnë figura që tregojnë shembuj besimi tek Ethëri 12:13–15, 19–21 (shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 7885 dhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Lërini fëmijët tuaj të shpjegojnë atë që dinë për secilën ndodhi. Ja tek janë disa pyetje për t’ju ndihmuar t’i diskutoni këta shembuj besimi:

    • Për çfarë shpresonin këta njerëz?

    • Si u vu në provë besimi i tyre?

    • Çfarë ndodhi për shkak të besimit të tyre?

    Mund të tregoni edhe vetë përvojat tuaja me ushtrimin e besimit.

Ethëri 12:4, 32

Shpresa është si një spirancë për shpirtin tim.

  • Për ta kuptuar atë që mësoni nga vargu Ethëri 12:4 rreth shpresës, ju dhe fëmijët tuaj mund të vështroni një figurë të një anijeje dhe një spirance. Përse anijet kanë nevojë për spiranca? Çfarë do t’i ndodhte një anije që nuk ka spirancë? Ndërkohë që lexoni së bashku tek Ethëri 12:4, bisedoni rreth mënyrës se si na ndihmon shpresa ashtu si një spirancë e ndihmon një anije. Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të një anijeje dhe të një spirance në mënyrë që të mund t’u mësojnë të tjerëve rreth shpresës.

  • Nëse fëmijët tuaj kanë nevojë për një përkufizim të fjalës shpresë, ndihmojini të gjejnë një përkufizim tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpresë” (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Sipas këtij përkufizimi dhe vargjeve tek Ethëri 12:4, 32, për çfarë duhet të shpresojmë ne? (Shihni edhe te Moroni 7:40–42.) Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për fjalë të tjera të ngjashme me fjalën shpresë, së bashku me fjalë që kanë kuptim të kundërt me fjalën shpresë. Mund edhe t’i tregoni njëri-tjetrit disa të vërteta të ungjillit që ju japin shpresë.

Ethëri 12:23–29

Jezu Krishti mund të më ndihmojë që të bëhem i/e fortë shpirtërisht.

  • Fëmijët ndonjëherë hasin situata kur ndihen të dobët, ashtu si bëri Moroni. Ndihmojini fëmijët tuaj të zbulojnë se pse Moroni u ndje në këtë mënyrë tek Ethëri 12:23–25 dhe pyetini ata a kanë pasur ndonjëherë ndjenja të ngjashme. Pastaj ftojini që të lexojnë vargjet 26–27 për të zbuluar se si e ndihmoi Zoti Moronin.

  • Mbase fëmijët tuaj mund të vizatojnë një figurë të diçkaje të dobët dhe diçkaje të fortë. Pastaj mund t’i shtojnë vizatimit të tyre disa fjalë e fraza nga Ethëri 12:23–29 që u mësojnë për mënyrën se si Shpëtimtari mund t’i kthejë dobësitë tona në forcë. Nxitini fëmijët tuaj të mendojnë për një dobësi që kanë dhe pastaj të kërkojnë ndihmën e Shpëtimtarit për t’u bërë të fortë. Mund të tregoni edhe një përvojë kur Shpëtimtari ju ndihmoi të bëheni mjaft të fortë për të bërë diçka të vështirë.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Ethëri i gjunjëzuar në hyrjen e një shpelle

Marvelous Were the Prophecies of Ether [Të Mrekullueshme Ishin Profecitë e Ethërit], nga Walter Rane