“2–8 Dhjetor: ‘Për t’i Mbajtur në Udhën e Drejtë’. Moroni 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)
“2–8 Dhjetor. Moroni 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)
2–8 Dhjetor: “Për t’i Mbajtur në Udhën e Drejtë”
Moroni 1–6
Pasi e mbaroi analin e atit të vet për nefitët dhe e përmblodhi analin e jareditëve, Moroni mendoi që puna e tij për mbajtjen e analeve mbaroi (shihni te Moroni 1:1). Çfarë tjetër kishte për t’u thënë rreth dy kombeve që ishin shkatërruar tërësisht? Por Moroni kishte parë kohët tona (shihni te Mormoni 8:35) dhe u frymëzua të “shkrua[nte] edhe pak gjëra, që ndoshta mund t’u vle[nin] një ditë në të ardhmen” (Moroni 1:4). Ai e dinte se po vinte braktisja e përhapur gjerësisht, që sillte me vete pështjellim rreth ordinancave të priftërisë dhe rreth fesë në përgjithësi. Kjo mund të jetë arsyeja përse ai dha hollësi sqaruese rreth sakramentit, pagëzimit, dhënies së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe bekimeve të mbledhjes së bashkëbesimtarëve për ta “mbajtur [njëri‑tjetrin] në udhën e drejtë, … duke u mbështetur vetëm në meritat e Krishtit që ishte autori dhe plotësuesi i besimit [tonë]” (Moroni 6:4). Pikëpamje të çmuara si këto na japin arsye të jemi mirënjohës/e që Zoti e ruajti jetën e Moronit, me qëllim që ai të mund të “shkrua[nte] edhe pak gjëra” (Moroni 1:4).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Unë mund ta ndjek Jezu Krishtin pavarësisht nga kundërshtimi.
Ndërkohë që lexoni te Moroni 1, çfarë ju frymëzon nga besnikëria e Moronit ndaj Zotit dhe thirrjes së tij? Cilat janë disa mënyra se si një njeri mund ta “mohojë Krishtin”? (Moroni 1:2–3.) Përsiatni se si mund jeni besnik/e ndaj Jezu Krishtit, edhe kur përballeni me sprova dhe kundërshtim.
Ordinancat e priftërisë duhet të administrohen sikurse urdhëron Zoti.
Moroni po ia mbathte për të shpëtuar jetën e vet kur i shkroi këta kapituj. Pse do të merrte ai mundimin të shkruante për hollësi administrative si mënyra se si kryhen ordinancat? Përsiatni për këtë ndërsa lexoni te Moroni 2–6. Si mendoni, përse këto hollësi janë të rëndësishme për Zotin? Këtu janë disa pyetje që mund ta udhërrëfejnë studimin tuaj:
-
Konfirmimi (Moroni 2; 6:4).Çfarë ju mësojnë udhëzimet e Shpëtimtarit te Moroni 2:2 për ordinancën e konfirmimit? Si do ta shpjegonit domethënien që ka fraza “u ndikuan dhe u pastruan nga fuqia e Frymës së Shenjtë”? (Moroni 6:4.)
-
Shugurimi në priftëri (Moroni 3).Çfarë gjeni në këtë kapitull që mund ta ndihmonte dikë për t’u përgatitur që të shugurohet në priftëri? Çfarë gjeni që do ta ndihmonte dikë të përgatitej për të kryer një shugurim?
-
Sakramenti (Moroni 4–5; 6:6).Çfarë mund të bëni për ta bërë sakramentin pikën kulmore shpirtërore të javës suaj?
-
Pagëzimi (Moroni 6:1–3).Çfarë po bëni që të vazhdoni t’i plotësoni kërkesat për pagëzim?
Bazuar në atë që keni mësuar, si do t’i ndryshoni mënyrat se si mendoni për këto ordinanca, se si merrni pjesë në to ose i përgatitni të tjerët për to?
Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 84:20.
Marrja e sakramentit më ndihmon të afrohem më pranë Jezu Krishtit.
Ju me gjasë i keni dëgjuar lutjet e sakramentit shumë herë, por sa shpesh mendoni me kujdes rreth domethënies së fjalëve? Ndoshta mund të provoni t’i shkruani dy lutjet e sakramentit përmendsh. Më pas krahasojeni atë që shkruat me vargjet te Moroni 4:3 dhe 5:2. A vutë re ndonjë gjë rreth këtyre lutjeve që nuk e kishit vënë re më parë?
Merreni parasysh të përfshini një himn sakramenti në studimin tuaj, të tillë si “Në Kujtim të t’Kryq’zuarit” (Himne, nr. 109).
Dishepujt e Jezu Krishtit kujdesen për shpirtin e njëri-tjetrit.
Zgjedhja për ta ndjekur Krishtin është zgjedhje individuale, por bashkëbesimtarët mund të ndihmojnë për të na mbajtur në “udhën e drejtë” (Moroni 6:4–5). Çfarë bënë anëtarët e Kishës në kohën e Moronit për ta forcuar njëri-tjetrin? Ndërsa lexoni te Moroni 6:4–9, përsiatni bekimet që vijnë nga të qenit të “numërua[r] mes njerëzve të kishës së Krishtit” (Moroni 6:4).
Mund të mendoni edhe për njerëzit që frekuentojnë lagjen ose degën tuaj. A është ndokush që mund të ketë nevojë të veçantë për dashurinë tuaj, mbase dikush që është i ri ose i sapokthyer? Si mund të ndihmoni për t’i bërë përvojat e tij ose të saj në kishë më të ngjashme me atë që përshkroi Moroni? (Për ide, shihni materialet filmike My Covenant Path [Shtegu Im i Besëlidhjeve] ose “Strengthening New Members” [“Forcimi i Anëtarëve të Rinj”] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].) Mund të gjeni pak frymëzim në pjesën I të mesazhit të Presidentit Dallin H. Ouks “Nevoja për një Kishë” (Liahona, nëntor 2021, f. 24–25).
Teksa përsiatni se çfarë do të thotë të “ushqehesh nga fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4), mund t’ju ndihmojë të mendoni rreth të ushqyerit që i nevojitet një filizi ose foshnjëje dhe asaj që ndodh po të lihet pas dore. Kërkoni te Moroni 6:4–9 për ide se si mund të ndihmoni që të tjerët të “ushqehen” shpirtërisht. Si kanë ndihmuar bashkëdishepujt për t’ju ushqyer ju?
Nuk është e dukshme për gjithkënd se pse është e rëndësishme të “numër[ohesh] mes njerëzve të kishës së Krishtit” dhe të “mblidhesh shpesh së bashku” në mbledhjet e Kishës. Si do ta shpjegonit arsyen pse jeni falënderues/e ndaj një anëtari të Kishës së Jezu Krishtit? (Shihni pjesët e tjera të mesazhit të Presidentit Ouks “Nevoja për një Kishë”.)
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Fryma e Shenjtë është një dhuratë e shenjtë.
-
Fryma e Shenjtë ose Shpirti përmendet disa herë te Moroni 2–6. Mbase mund t’u kërkoni fëmijëve tuaj të gjejnë çdo varg ku përmendet Ai, t’i lexojnë ato vargje dhe të renditin atë që mësojnë rreth Frymës së Shenjtë. Mund t’i tregoni njëri-tjetrit edhe përvojat kur e ndiet ndikimin e Shpirtit.
Unë e marr sakramentin që të tregoj se do ta kujtoj gjithmonë Jezu Krishtin.
-
Leximi i lutjeve të sakramentit me fëmijët tuaj mund të çojë drejt një diskutimi rreth mënyrës se si të keni përvoja më kuptimplota me sakramentin. Mund t’u vijnë në ndihmë të imagjinojnë sikur një mik ose mikeshë po vjen në mbledhjen e sakramentit për herë të parë. Si do t’ia shpjegojmë mikut ose mikeshës sonë se çfarë është sakramenti dhe përse është i shenjtë? Nxitini fëmijët tuaj të përdorin diçka nga kapitulli te Moroni 4 ose 5 në shpjegimet e tyre. Fëmijët më të vegjël mund të përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave ose figurën nr. 108 te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit.
-
Merreni parasysh të këndoni një këngë së bashku që i ndihmon fëmijët tuaj të mendojnë rreth Shpëtimtarit (të tillë si “Nderim, Qetësi”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 11). Mund të ushtroheni edhe për t’u ulur me nderim gjatë sakramentit.
Unë mund të përgatitem që të pagëzohem.
-
Kush mund të pagëzohet? Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë përgjigje për këtë pyetje te Moroni 6:1–3. Çfarë do të thotë të kesh një “zemër të thyer dhe shpirt të penduar”? (Moroni 6:2.) Si na ndihmon kjo që të përgatitemi për pagëzimin? Merreni parasysh t’u thoni fëmijëve tuaj se si u përgatitët për t’u pagëzuar.
Ne shkojmë në kishë për të marrë sakramentin dhe për ta përkrahur njëri‑tjetrin.
-
A e dinë fëmijët tuaj pse ju pëlqen të shkoni në kishë? Leximi i vargjeve te Moroni 6:4–6, 9 mund t’ju japë një mundësi për t’i diskutuar së bashku disa nga gjërat që bëjmë në kishë. Ndoshta ata mund të bëjnë vizatime të vetes duke i bërë këto gjëra (të tilla si lutja, mësimdhënia, të kënduarit dhe marrja e sakramentit).
-
Pasi të lexoni te Moroni 6:4 së bashku, ju dhe fëmijët tuaj mund të vështroni fotografi ose shembuj të ushqimeve të mira dhe krahasojeni të ushqyerit e trupave tanë me të “ushq[yerit] nga fjala e mirë e Perëndisë”. Ju gjithashtu mund të shihni materialin filmik “Children Sharing the Gospel” [“Fëmijë duke Përhapur Ungjillin”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit].