Doktrina e Besëlidhje 2021
Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta


“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

familje duke studiuar shkrimet e shenjta

Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta

Studimi i rregullt familjar i shkrimeve të shenjta është një mënyrë e fuqishme për ta ndihmuar familjen tuaj që ta mësojë ungjillin. Sa faqe lexoni dhe për sa kohë e bëni këtë si familje, nuk është aq e rëndësishme sa të qenit të vazhdueshëm në përpjekjet tuaja. Kur e bëni studimin e shkrimeve të shenjta një pjesë të rëndësishme të jetës suaj familjare, ju do t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes suaj që të vijnë më pranë njëri‑tjetrit dhe Jezu Krishtit dhe t’i ngrenë dëshmitë e tyre mbi themelin e fjalës së Tij.

Merrni parasysh pyetjet që vijojnë:

  • Si mund t’i nxitni pjesëtarët e familjes që t’i studiojnë vetë shkrimet e shenjta?

  • Çfarë mund të bëni për t’i nxitur pjesëtarët e familjes që ta tregojnë atë që po mësojnë?

  • Si mund t’i theksoni parimet që po mësoni te Doktrina e Besëlidhje, në çastet e përditshme të mësimdhënies?

Theksoni se shtëpia është vendi i përsosur për mësimin e ungjillit. Ju mund ta mësoni dhe ta jepni mësim ungjillin në shtëpi në mënyra që janë të pamundura në një orë mësimore të Kishës. Jini krijues kur mendoni për mënyra se si ta ndihmoni familjen tuaj që të mësojë nga shkrimet e shenjta.

Ide për Veprimtari

Merrni parasysh disa nga idetë vijuese që ta përmirësoni studimin tuaj familjar të shkrimeve të shenjta:

Përdoreni muzikën

Këndoni këngë që i përforcojnë parimet e dhëna mësim në shkrimet e shenjta. Një himn apo këngë që sugjerohet për fëmijët, është renditur në secilin përvijim mësimi të çdo jave. Mund të bëni pyetje rreth fjalëve ose frazave në tekstin e këngëve. Përveç të kënduarit, familjarët tuaj mund të kryejnë gjeste që lidhen me këngët, ose t’i dëgjojnë këngët si një sfond muzikor ndërkohë që po bëjnë veprimtari të tjera.

familje duke studiuar shkrimet e shenjta

Lexoni shkrime të shenjta kuptimplota

Jepuni kohë pjesëtarëve të familjes që të tregojnë fragmente të shkrimeve të shenjta të cilat i kanë gjetur kuptimplota gjatë studimit të tyre vetjak.

Përdorni vetë fjalët tuaja

Ftojini pjesëtarët e familjes të përmbledhin me fjalët e tyre atë që mësojnë nga shkrimet e shenjta që studioni.

Zbatojini shkrimet e shenjta në jetën tuaj

Pas leximit të një fragmenti të shkrimeve të shenjta, kërkojuni pjesëtarëve të familjes që të tregojnë mënyra se si fragmenti gjen zbatim në jetën e tyre.

Bëni një pyetje

Ftojini pjesëtarët e familjes që të bëjnë një pyetje nga ungjilli dhe më pas shpenzoni kohë duke kërkuar vargje që mund të ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje pyetjes.

Paraqitni një shkrim të shenjtë

Përzgjidhni një varg që e mendoni kuptimplotë, dhe paraqiteni atje ku pjesëtarët e familjes do ta shohin shpesh. Ftoni pjesëtarë të tjerë të familjes që ta bëjnë me radhë duke përzgjedhur një shkrim të shenjtë për ta paraqitur.

Bëni një listë të shkrimeve të shenjta

Si familje, zgjidhni disa vargje që do të donit t’i diskutonit gjatë javës së ardhshme.

Mësoni përmendsh shkrime të shenjta

Përzgjidhni një fragment të shkrimeve të shenjta që është kuptimplotë për familjen tuaj dhe ftojini pjesëtarët e familjes ta mësojnë përmendsh duke e përsëritur çdo ditë ose duke luajtur një lojë për ta mësuar përmendsh.

Jepni mësime me sende

Gjeni sende që lidhen me kapitujt dhe vargjet që po i lexoni si familje. Ftojini pjesëtarët e familjes që të flasin rreth mënyrës se si lidhet secili send me mësimet në shkrimet e shenjta.

Zgjidhni një temë

Lejojini pjesëtarët e familjes që të zgjedhin me radhë një temë të cilën familja do ta studiojë së bashku. Përdorni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) për të gjetur fragmente të shkrimeve të shenjta rreth temës.

Bëni një vizatim

Lexoni disa vargje si familje dhe më pas lini kohë që pjesëtarët e familjes të vizatojnë diçka që lidhet me atë që lexuat. Kaloni kohë duke diskutuar për vizatimet e njëri‑tjetrit.

Luani me role një histori

Pas leximit të një historie, ftojini pjesëtarët e familjes që ta luajnë atë me role. Pastaj, flisni rreth mënyrës se si lidhet historia me gjërat që ju po i përjetoni individualisht dhe si familje.

Dhënia Mësim Fëmijëve

Nëse keni fëmijë të vegjël në familjen tuaj, këtu janë disa veprimtari që mund t’i ndihmojnë ata të mësojnë:

Këndoni

Himnet dhe këngët nga Libri i Këngëve të Fëmijëve na e mësojnë doktrinën në mënyrë të fuqishme. Çdo përvijim mësimi në këtë burim përfshin një këngë të sugjeruar. Mund të përdorni edhe treguesin tematik në fund të Librit të Këngëve të Fëmijëve që të gjeni këngë të cilat lidhen me parimet e ungjillit që po i jepni mësim. Ndihmojini fëmijët tuaj t’i lidhin mesazhet e këngëve me jetën e tyre.

Dëgjoni ose luani me role një histori

Fëmijët e vegjël i pëlqejnë shumë historitë – nga shkrimet e shenjta, nga jeta juaj, nga historia e Kishës ose nga revistat e Kishës. Kërkoni mënyra që t’i përfshini ata në tregimin e historive. Ata mund të mbajnë figura ose sende, të vizatojnë piktura të asaj që po dëgjojnë, ta luajnë me role historinë ose madje të ndihmojnë për ta treguar historinë. Ndihmojini fëmijët tuaj t’i dallojnë të vërtetat e ungjillit në historitë që tregoni.

Lexoni një shkrim të shenjtë

Fëmijët e vegjël mund të mos jenë në gjendje të lexojnë shumë, por ju ende mund t’i përfshini në leximin nga shkrimet e shenjta. Mund të keni nevojë të përqendroheni te një varg i vetëm, një frazë kyç ose një fjalë e vetme.

Shikoni një figurë ose shihni një material filmik

Bëni pyetje rreth një figure ose materiali filmik që lidhet me një parim të ungjillit për të cilin po diskutoni. Për shembull, mund të pyetni: “Çfarë po ndodh në këtë figurë? Si ju bën të ndiheni?” Programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], Gospel Media Library [Biblioteka e Mjeteve të Informimit për Ungjillin në ChurchofJesusChrist.org, dhe children.ChurchofJesusChrist.org janë vende të mira për të kërkuar figura dhe materiale filmike.

Krijoni

Fëmijët mund të ndërtojnë, vizatojnë ose ngjyrosin diçka që lidhet me historinë ose parimin që po mësojnë.

Merrni pjesë në mësime me sende

Një mësim i thjeshtë me sende mund t’i ndihmojë fëmijët për ta kuptuar një parim të ungjillit që është i vështirë për t’u kuptuar. Kur përdorni mësime me sende, gjeni mënyra që t’i lejoni fëmijët tuaj të marrin pjesë. Ata do të mësojnë më shumë nga një përvojë ndërvepruese sesa thjesht nga shikimi i një paraqitjeje.

Interpretoni me role

Kur fëmijët e luajnë me role një situatë të cilën ka të ngjarë ta hasin në jetën reale, ata janë më në gjendje të kuptojnë se si zbatohet një parim i ungjillit në jetën e tyre.

Përsëritini veprimtaritë

Fëmijët e vegjël mund të kenë nevojë t’i dëgjojnë konceptet shumë herë që t’i kuptojnë ato. Për shembull, ju mund ta tregoni një histori nga shkrimet e shenjta disa herë në mënyra të ndryshme – duke e lexuar nga shkrimet e shenjta, duke e përmbledhur me fjalët tuaja, duke i lejuar fëmijët tuaj që t’ju ndihmojnë ta tregoni historinë, duke i ftuar ta luajnë me role historinë e kështu me radhë.

Bëni lidhjet me synimet për zhvillimin e tyre vetjak

Studimi familjar i shkrimeve të shenjta mund të sjellë frymëzim për rininë dhe fëmijët që të vendosin synime për rritjen e tyre shpirtërore, fizike, intelektuale dhe shoqërore (shih Lluka 2:52).

familje duke buzëqeshur së bashku

Dhënia Mësim të Rinjve dhe të Rejave

Nëse keni të rinj e të reja në familjen tuaj, ja disa veprimtari që mund t’i ndihmojnë ata të mësojnë:

Ftojini që të japin mësim

Zakonisht, ne mësojmë më shumë kur e japim mësim diçka sesa thjesht kur dëgjojmë rreth saj. Jepuni të rinjve e të rejave tuaja mundësi të nisin diskutime familjare rreth shkrimeve të shenjta.

Bëni lidhjet me seminarin

Këtë vit studentët e seminarit po studiojnë librin Doktrina e Besëlidhje. Nëse të rinjtë e të rejat tuaja po marrin pjesë në seminar, ftojini që t’jua thonë çfarë po mësojnë atje.

Lidhini me realitetin shkrimet e shenjta

Nganjëherë të rinjve dhe të rejave u duket e vështirë të kuptojnë se si doktrina dhe parimet në shkrimet e shenjta lidhen me jetën e tyre. Ndihmojini të shohin se si historitë dhe mësimet në shkrimet e shenjta lidhen me situatat që i hasin në shtëpi, në shkollë ose me miqtë e tyre.

Bëni pyetje që nxitin përsiatje

Shumë të rinj dhe të reja u përgjigjen mirë pyetjeve që i lejojnë të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth shkrimeve të shenjta në vend që thjesht ta përsëritin atë që shkruhet te shkrimet e shenjta. Për shembull, ju mund të pyetni: “Çfarë mund t’ju mësojë Zoti në këto vargje?” ose “Përse mendoni se kjo zbulesë do të kishte qenë kuptimplotë për shenjtorët në vitet 1830?”

Bëni lidhjet me synimet për zhvillimin e tyre vetjak

Studimi familjar i shkrimeve të shenjta mund të sjellë frymëzim për rininë dhe fëmijët që të vendosin synime për rritjen e tyre shpirtërore, fizike, intelektuale dhe shoqërore (shih Lluka 2:52).

Jini të hapur ndaj pyetjeve të tyre

Një pyetje nga një i ri ose e re është një mundësi e çmuar për të folur mbi të vërtetën dhe për të kërkuar kuptueshmëri mbi një temë për të cilën ai ose ajo interesohet vërtet. Mos druani nga pyetjet apo t’i shmangni ato, edhe nëse duken sikur s’kanë lidhje me temën e diskutimit. Nuk ka gjë nëse nuk i keni të gjitha përgjigjet. Shtëpia është vendi ideal ku tʼi kërkoni bashkërisht përgjigjet.

Nxitini ata që t’i shprehin idetë e tyre

Të rinjtë dhe të rejat kanë këndvështrime dhe ide unike për të dhënë gjatë studimit familjar të shkrimeve të shenjta. Lërini të kuptojnë se jeni të interesuar ndaj asaj që Shpirti po u mëson atyre rreth shkrimeve të shenjta. Madje mund t’u kërkoni edhe që t’i shprehin idetë nga studimi i tyre vetjak.

Jini tolerantë

Nëse keni një të ri apo të re që nuk është i/e gatshëm/me të marrë pjesë në studimin familjar të shkrimeve të shenjta, kërkoni mënyra të tjera se si të lidheni me të. Për shembull, a mund ta sillni ungjillin natyrshëm në bashkëbisedimet tuaja ose të tregoni shkrime të shenjta kuptimplota në një mënyrë që nuk duket si predikuese apo prepotente? Studimi i shkrimeve të shenjta nuk ka përse të jetë njësoj në çdo familje. Disa fëmijë mund të përgjigjen më mirë ndaj studimit të shkrimeve të shenjta tek për tek. Jini plot lutje dhe ndiqini nxitjet e Shpirtit.

Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Ju premtoj që, teksa ju punoni me zell për ta shndërruar shtëpinë tuaj në një qendër të të mësuarit të ungjillit, me kalimin e kohës, ditët tuaja të Shabatit, me të vërtetë do të jenë një kënaqësi. Fëmijët tuaj do të ngazëllehen që t’i mësojnë dhe jetojnë mësimet e Shpëtimtarit dhe ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj dhe në shtëpinë tuaj do të pakësohet. Ndryshimet në familjen tuaj do të jenë thelbësore dhe mbështetëse” (“Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 113).