Doktrina e Besëlidhje 2021
Kthimi në Besim Është Qëllimi Ynë


“Kthimi në Besim Është Qëllimi Ynë”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“Kthimi në Besim Është Qëllimi Ynë”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

grua duke studiuar shkrimet e shenjta

Kthimi në Besim Është Qëllimi Ynë

Qëllimi i gjithë të mësuarit dhe mësimdhënies së ungjillit është që ta thellojnë kthimin tonë në besim te Jezu Krishti dhe të na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Ai. Për këtë arsye, kur e studiojmë ungjillin, ne nuk po kërkojmë thjesht informacion të ri; ne dëshirojmë të bëhemi një “krijesë e re” (2 Korintasve 5:17). Kjo do të thotë të mbështetemi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për të na ndihmuar t’i ndryshojmë zemrën tonë, pikëpamjet tona, veprimet tona dhe pikërisht natyrën tonë.

Por lloji i mësimit të ungjillit që e forcon besimin tonë dhe na çon drejt mrekullisë së kthimit në besim, nuk ndodh i tëri njëherësh. Ai shtrihet përtej një mjedisi të klasës, brenda zemrës dhe shtëpisë së një individi. Ai kërkon përpjekje të vazhdueshme, të përditshme për ta kuptuar dhe jetuar ungjillin. Por Ati Qiellor nuk pret nga ne që ta bëjmë këtë të vetëm – Ai do të dërgojë Frymën e Shenjtë për të na ndihmuar që të kthehemi në besim.

Fryma e Shenjtë na prin drejt së vërtetës dhe na jep dëshmi për atë të vërtetë (shih Gjoni 16:13). Ai i ndriçon mendjet tona, e përshpejton të kuptuarit tonë dhe i prek zemrat tona me zbulesë nga Perëndia, burimi i gjithë së vërtetës. Fryma e Shenjtë i dëlir zemrat tona. Ai frymëzon brenda nesh dëshirë për të jetuar sipas së vërtetës dhe Ai na pëshpërit mënyrat se si ta bëjmë këtë. Vërtet, “Fryma e Shenjtë … do [të na] mësojë çdo gjë” (Gjoni 14:26).

Për këto arsye, në përpjekjet tona për ta jetuar, mësuar e dhënë mësim ungjillin, para së gjithash ne duhet të kërkojmë shoqërimin e Shpirtit. Ky synim duhet t’i drejtojë zgjedhjet tona dhe t’i udhërrëfejë mendimet e veprimet tona. Ne duhet të përpiqemi për çfarëdo gjë që e fton ndikimin e Shpirtit, dhe të mos e pranojmë asgjë që e largon atë ndikim – sepse ne e dimë që, në qoftë se mund të jemi të denjë për praninë e Frymës së Shenjtë, ne mund të jemi gjithashtu të denjë që të jetojmë në praninë e Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit.