“3–9 Korrik. Veprat e Apostujve 1–5: ‘Do të Bëheni Dëshmitarët e Mi’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“3–9 Korrik. Veprat e Apostujve 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
3–9 Korrik
Veprat e Apostujve 1–5
“Do të Bëheni Dëshmitarët e Mi”
Teksa i studioni kapitujt te Veprat e Apostujve 1–5, Fryma e Shenjtë mund t’ju frymëzojë të gjeni të vërteta që janë domethënëse për jetën tuaj. Mbajini shënim vargjet që ju lënë mbresë, dhe kërkoni mundësi që të flisni për atë që po mësoni.
Shënojini Mbresat Tuaja
A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë mund të ketë qenë duke menduar e ndier Pjetri, kur ai bashkë me Apostujt e tjerë “po i mbanin sytë e ngulitur në qiell” ndërsa Jezusi u ngjit drejt Atit të Tij? (Veprat e Apostujve 1:10.) Kisha që u themelua nga Biri i Perëndisë tani ishte nën kujdesin e Pjetrit. Detyra për udhëheqjen e përpjekjes për të “bë[rë] dishepuj nga të gjithë popujt”, tani ra mbi të (Mateu 28:19). Por nëse ai u ndie i papërshtatshëm apo i frikësuar, ne nuk gjejmë ndonjë provë për këtë në librin e Veprave të Apostujve. Ajo çfarë gjejmë në të vërtetë janë shembuj dëshmie të guximshme dhe kthimi në besim, shërimesh mrekullibërëse, shfaqjesh shpirtërore dhe rritjeje domethënëse për Kishën. Kjo ishte ende Kisha e Shpëtimtarit, ende e udhëhequr prej Tij. Në fakt, libri Veprat e Apostujve mund të quhet edhe Veprat e Jezu Krishtit nëpërmjet Apostujve të Tij. I udhërrëfyer nga derdhja e Shpirtit, Pjetri nuk ishte më peshkatari i pamësuar, të cilin Jezusi e gjeti në brigjet e Detit të Galilesë. As nuk ishte më ai burri i shqetësuar, i cili vetëm javë më parë kishte vajtuar me dënesë, për shkak se kishte mohuar madje edhe që e njihte Jezusin nga Nazareti.
Në librin Veprat e Apostujve, ju do të lexoni deklarata të fuqishme rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Ju do të shihni gjithashtu se si ai ungjill mund t’i ndryshojë njerëzit – përfshirë ju – në dishepujt e guximshëm që Perëndia e di se ata mund të jenë.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Veprat e Apostujve 1:1–8, 15–26; 2:1–42; 4:1–13, 31–33
Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Libri Veprat e Apostujve shënon përpjekjet e Apostujve për të ngritur Kishën e Jezu Krishtit pas Ngjitjes në Qiell të Shpëtimtarit. Ndonëse Jezu Krishti nuk ishte më në tokë, Ai e udhëhiqte Kishën me anë të zbulesës nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Merrni parasysh se si Fryma e Shenjtë i udhërrëfeu udhëheqësit e rinj të Kishës së Krishtit ndërsa shqyrtoni fragmentet vijuese: Veprat e Apostujve 1:1–8, 15–26; 2:1–42; 4:1–13, 31–33.
Si anëtarë të Kishës së Krishtit sot, secili nga ne ka përgjegjësinë për të marrë pjesë në punën e shpëtimit dhe të ekzaltimit – për ta jetuar ungjillin e Jezu Krishtit, për t’u përkujdesur për njerëzit nevojtarë, për t’i ftuar të tjerët që të vijnë te Krishti dhe për t’i bashkuar familjet për përjetësinë (shih Manuali i Përgjithshëm, 1.2). Çfarë mësoni nga këta Apostujt të hershëm rreth mënyrës se si mund të mbështeteni te Fryma e Shenjtë për t’ju udhërrëfyer në përpjekjet tuaja?
Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Frymë e Shenjtë”.
Veprat e Apostujve 2:36–47; 3:12–21
Parimet dhe ordinancat e ungjillit më ndihmojnë që të vij te Krishti.
A jeni ndier ndonjëherë të “pikëllua[r] në zem[rën]” tuaj, sikurse judenjtë në ditën e Rrëshajave? (Veprat e Apostujve 2:37.) Ndoshta bëtë diçka për të cilën ndieni keqardhje ose ndoshta thjesht doni ta ndryshoni jetën tuaj. Çfarë duhet të bëni kur i keni këto ndjenja? Këshilla e Pjetrit drejtuar judenjve gjendet te Veprat e Apostujve 2:38. Vini re se si parimet dhe ordinancat e para të ungjillit (përfshirë besimin, pendimin, pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë – ose që ndonjëherë quhet doktrina e Krishtit) ndikuan te këta të kthyer në besim, siç shënohet te Veprat e Apostujve 2:37–47.
Ju mund të jeni pagëzuar tanimë dhe e keni marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, kështu që si vazhdoni ta zbatoni doktrinën e Krishtit? Merrni parasysh këto fjalë nga Plaku Dejll G. Renland: “Ne mund të përsosemi … [kur] vazhdimisht … ushtr[ojmë] besim në [Krisht], … pendohemi, marr[im] sakramentin për të përtërirë besëlidhjet dhe bekimet e pagëzimit dhe … marr[im] Frymën e Shenjtë si një shoqërues të vazhdueshëm në një shkallë më të madhe. Ndërsa bëjmë kështu, ne bëhemi më shumë si Krishti dhe [jemi në gjendje të] durojmë deri në fund, [me gjithçka që ajo përfshin]” (“Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Vazhdojnë të Përpiqen”, Liahona, maj 2015, f. 56).
Cilat janë “kohët e flladit” dhe “kohë[t] e ripërtëritjes të të gjitha gjërave”?
Fraza “kohët e flladit” i referohet Mijëvjeçarit, kur Jezu Krishti do të kthehet në tokë. Fraza “kohë[t] e ripërtëritjes të të gjitha gjërave” i referohet Rivendosjes së ungjillit, që e përgatit botën për Mijëvjeçarin.
Veprat e Apostujve 3; 4:1–31; 5:12–42
Dishepujve të Jezu Krishtit u jepet fuqi për të kryer mrekulli në emrin e Tij.
Njeriu i çalë po shpresonte të merrte para nga ata që vinin në tempull. Por shërbëtorët e Zotit i ofruan atij shumë më tepër. Ndërsa lexoni kapitujt te Veprat e Apostujve 3; 4:1–31 dhe 5:12–42, merrni parasysh se si mrekullia që vijoi, ndikoi te këta njerëz:
-
Njeriu i çalë
-
Pjetri dhe Gjoni
-
Dëshmitarët në tempull
-
Kryepriftërinjtë dhe krerët
-
Shenjtorë të tjerë
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Veprat e Apostujve 1:21–26.Leximi i vargjeve te Veprat e Apostujve 1:21–26 mund ta ndihmojë familjen tuaj të diskutojë për bekimet që vijnë nga të pasurit e Apostujve në tokë sot. Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë se si ata kanë marrë një dëshmi se apostujt dhe profetët e kohëve të sotme thirren nga Perëndia. Përse është e rëndësishme të pasurit e kësaj dëshmie?
-
Veprat e Apostujve 2:37.Çfarë mund të nënkuptojë fraza “u pikëlluan në zemër”? Kur kemi ndier diçka të ngjashme? Përse është e rëndësishme që të themi: “Ç’duhet të bëjmë?” kur kemi ndjenja të tilla?
-
Veprat e Apostujve 3:1–10.Familja juaj mund të kënaqet duke e aktruar rrëfimin në këto vargje. Ose ju mund të shihni materialin filmik “Peter and John Heal a Man Crippled Since Birth” [“Pjetri dhe Gjoni Shërojnë një Njeri të Çalë që Prej Lindjes”] (ChurchofJesusChrist.org). Si u bekua njeriu tek tempulli ndryshe nga sa e priste? Si i kemi parë bekimet e Atit Qiellor të na vijnë në mënyra që nuk i prisnim?
-
Veprat e Apostujve 3:12–26; 4:1–21; 5:12–42.Çfarë ju bën përshtypje rreth besnikërisë së Pjetrit dhe Gjonit? (Shih edhe materialin filmik “Peter Preaches and Is Arrested” [“Pjetri Predikon dhe Arrestohet”] në ChurchofJesusChrist.org). Si mund të jemi të guximshëm në dëshmitë tona për Jezu Krishtin? Merrni parasysh t’i ndihmoni fëmijët më të vegjël të ushtrojnë dhënien e dëshmive të tyre.
-
Veprat e Apostujve 4:31–5:4.Si mund ta ndihmojmë familjen, lagjen ose komunitetin tonë që të bëhet më shumë si te ajo që përshkruhet te Veprat e Apostujve 4:31–37? Çfarë do të thotë të jemi “me një zemër të vetme dhe një shpirt të vetëm”? Në çfarë mënyrash ndonjëherë ne e “mbaj[më] për vete një pjesë” të ndihmesës sonë? Përse bërja e kësaj është si të … “gënj[esh] Perëndinë”? (Veprat e Apostujve 5:2, 4.) Si na ndikon shpirtërisht padrejtësia?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Himni i sugjeruar: “Let the Holy Spirit Guide” [“Fryma e Shenjtë le të Udhëheqë”], Hymns [Himne], nr. 143.