Biblioteka
Tema Doktrinore


Tema Doktrinore

1. Kreu-Perëndi

Ka tri personazhe të veçanta në Kreun-Perëndi: Perëndia, Ati i Përjetshëm; Biri i Tij, Jezu Krishti; dhe Fryma e Shenjtë. Ati dhe Biri kanë trupa të prekshëm, të përlëvduar, prej mishi e kockash dhe Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit (shih DeB 130:22–23). Ata janë një në qëllim dhe janë përsosurisht të bashkuar që të bëjnë të ndodhë plani i Atit Qiellor për shpëtimin.

Perëndia, Ati

Perëndia, Ati, është Qenia më e Lartë të cilin e adhurojmë. Ai është Ati i shpirtrave tanë (shih Hebrenjve 12:9). Ai është i përsosur, ka gjithë fuqinë dhe i di të gjitha gjërat. Ai është gjithashtu i drejtë, i mëshirshëm dhe dashamirës. Perëndia e do secilin prej fëmijëve të Tij përsosurisht dhe të gjithë janë njësoj për Të (shih 2 Nefi 26:33). Vepra dhe lavdia e Tij është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.

Jezu Krishti

Jezu Krishti është i Parëlinduri i Atit në shpirt dhe është i Vetëmlinduri i Atit në mish. Nën drejtimin e Atit, Jezu Krishti krijoi qiejt dhe tokën. Ai është Jehova i Dhiatës së Vjetër dhe Mesia i Dhiatës së Re.

Jezu Krishti bën vullnetin e Atit në të gjitha gjërat. Jezu Krishti jetoi një jetë të pamëkatë dhe shleu për mëkatet e të gjithë njerëzimit (shih 3 Nefi 11:10–11). Jeta e Tij është shembulli i përkryer se si duhet të jetojmë (shih 3 Nefi 12:48). Ai ishte i pari që u ringjall prej fëmijëve të Atit Qiellor. Në kohën tonë, sikurse në kohët e lashta, Ai qëndron në krye të Kishës së Tij. Ai do të vijë sërish në fuqi e lavdi dhe do të mbretërojë në tokë gjatë Mijëvjeçarit (shih DeB 29:10–11). Ai do ta gjykojë të gjithë njerëzimin.

Ngaqë Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe Ndërmjetësuesi ynë me Atin, të gjitha lutjet, bekimet dhe ordinancat e priftërisë duhet të bëhen në emrin e Tij (shih 3 Nefi 18:15, 20–21).

Fryma e Shenjtë

Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Ai është një personazh i shpirtit dhe nuk ka trup prej mishi e kockash. Atij shpesh i drejtohemi si Shpirti, Shpirti i Shenjtë, Shpirti i Perëndisë, Shpirti i Zotit dhe Ngushëlluesi.

Fryma e Shenjtë sjell dëshmi për Atin dhe Birin, zbulon të vërtetën e të gjitha gjërave dhe i shenjtëron ata që pendohen dhe pagëzohen. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ne mund të marrim dhurata shpirtërore, të cilat janë bekime ose aftësi të dhëna nga Zoti për vetë përfitimin tonë dhe për të na ndihmuar që t’u shërbejmë të tjerëve dhe t’i bekojmë ata.

2. Plani i Shpëtimit

Në ekzistencën para lindjes, Ati Qiellor paraqiti një plan për të na aftësuar që të bëhemi si Ai dhe të fitojmë pavdekësi dhe jetë të përjetshme (shih Moisiu 1:39). Që ta përmbushim këtë plan dhe të bëhemi si Ati ynë në Qiell, ne duhet të arrijmë ta njohim Atë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe të kemi një kuptueshmëri të saktë për karakterin dhe tiparet e Tyre (shih Gjoni 17:3).

Shkrimet e shenjta i drejtohen planit të Atit Qiellor si plani i shpëtimit, plani i madh i lumturisë, plani i shëlbimit dhe plani i mëshirës. Ky plan përfshin Krijimin, Rënien, Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe të gjitha ligjet, ordinancat dhe doktrinat e ungjillit. Liria morale e zgjedhjes – aftësia për të zgjedhur e vepruar për veten tonë – është gjithashtu thelbësore për planin e Atit Qiellor. Përparimi ynë i përjetshëm varet nga mënyra se si e përdorim këtë dhuratë (shih Jozueut 24:15; 2 Nefi 2:27).

Jezu Krishti është figura qendrore në planin e Atit Qiellor. Plani i shpëtimit na aftëson të bëhemi të përsosur, të marrim plotësi të gëzimit, të kënaqemi me marrëdhëniet tona familjare përgjatë gjithë përjetësive dhe të jetojmë përgjithmonë në praninë e Perëndisë.

Jeta Para Lindjes

Përpara se të lindeshim në tokë, ne jetuam në praninë e Atit tonë Qiellor si fëmijët e Tij shpirtërorë (shih Abraham 3:22–23). Në këtë ekzistencë para lindjes, ne morëm pjesë në një këshill me fëmijë të tjerë shpirtërorë të Atit Qiellor. Gjatë atij këshilli Ati Qiellor paraqiti planin e Tij dhe Jezu Krishti paratokësor besëlidhi se do të ishte Shpëtimtari.

Ne e përdorëm lirinë tonë të zgjedhjes për ta ndjekur planin e Atit Qiellor. Ata që e ndoqën Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, u lejuan të vinin në tokë për të përjetuar vdekshmërinë dhe për të përparuar drejt jetës së përjetshme. Luciferi, një tjetër bir shpirtëror i Perëndisë, ngriti krye kundër planit. Ai u bë Satani dhe ai dhe pasuesit e tij u dëbuan nga qielli dhe atyre iu mohuan privilegjet e marrjes së një trupi fizik dhe të përjetimit të vdekshmërisë.

Krijimi

Jezu Krishti krijoi qiejt dhe tokën nën drejtimin e Atit (shih DeB 76:22–24). Krijimi i tokës ishte thelbësor në planin e Perëndisë. Ai siguroi një vend ku ne mund të fitonim një trup fizik, të viheshim në provë e të provoheshim dhe të zhvillonim tipare hyjnore.

Adami ishte njeriu i parë i krijuar në tokë. Perëndia i krijoi Adamin dhe Evën sipas vetë shëmbëlltyrës së Tij. Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj e femra – krijohen sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë (shih Zanafilla 1:26–27). Gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit të çdo njeriu para lindjes, në vdekshmëri dhe në përjetësi.

Rënia

Në Kopshtin e Edenit, Perëndia i bashkoi Adamin dhe Evën në martesë. Ndërkohë që Adami dhe Eva ishin në kopsht, ata ende ishin në praninë e Perëndisë dhe mund të kishin jetuar përgjithmonë. Ata jetonin në pafajësi dhe Perëndia ua siguronte nevojat e tyre.

Perëndia u dha Adamit dhe Evës lirinë e tyre të zgjedhjes ndërkohë që ishin në Kopshtin e Edenit. Ai i urdhëroi ata që të mos e hanin frutën e ndaluar – frutën e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes. Bindja ndaj këtij urdhërimi do të thoshte se ata mund të qëndronin në kopsht. Megjithatë, Adami dhe Eva nuk e kuptonin ende që, nëse qëndronin në kopsht, ata nuk mund të përparonin me anë të përjetimit të kundërshtimit në vdekshmëri. Ata nuk mund të njihnin gëzimin, sepse nuk mund të përjetonin hidhërim e dhembje. Për më tepër, ata nuk mund të kishin fëmijë.

Satani i tundoi Adamin dhe Evën që ta hanin frutën e ndaluar dhe ata zgjodhën ta bënin këtë gjë. Për shkak të kësaj zgjedhjeje, ata u dëbuan nga prania e Perëndisë dhe u bënë të rënë e të vdekshëm. Shkelja e Adamit dhe e Evës dhe ndryshimet që ata i përjetuan si rrjedhojë, duke përfshirë vdekjen shpirtërore dhe fizike, quhen Rënia. Vdekja shpirtërore është ndarje nga Perëndia. Vdekja fizike është ndarja e shpirtit nga trupi i vdekshëm.

Rënia është një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për shpëtimin. Si rrjedhojë e Rënies, Adami dhe Eva mundën të kishin fëmijë. Ata dhe pasardhësit e tyre mund të përjetonin gëzim dhe hidhërim, ta dallonin të mirën nga e liga dhe të përparonin (shih 2 Nefi 2:22–25). Si pasardhës të Adamit dhe Evës, ne trashëgojmë një gjendje të rënë gjatë vdekshmërisë. Ne shkëputemi nga prania e Perëndisë dhe i nënshtrohemi vdekjes fizike. Ne gjithashtu vihemi në provë nëpërmjet vështirësive të jetës në vdekshmëri dhe tundimeve të kundërshtarit. Edhe pse nuk jemi të përgjegjshëm për shkeljen e Adamit dhe të Evës, ne jemi përgjegjës për vetë mëkatet tona. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund t’i kapërcejmë pasojat negative të Rënies, të marrim falje për mëkatet tona dhe më së fundi të përjetojmë plotësi të gëzimit.

Jeta në Vdekshmëri

Jeta në vdekshmëri është një kohë mësimi, gjatë së cilës ne provojmë se do ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të bërë gjithçka që Zoti ka urdhëruar, dhe për t’u përgatitur për jetë të përjetshme nëpërmjet zhvillimit të tipareve hyjnore. Ne e bëjmë këtë kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, pendohemi, marrim ordinanca e besëlidhje shpëtuese, të tilla si pagëzimi e konfirmimi, dhe deri në fund të jetës sonë në vdekshmëri durojmë me besim duke e ndjekur shembullin e Jezu Krishtit.

Në vdekshmëri shpirtrat tanë bashkohen me trupat tanë fizikë, duke na dhënë mundësi të rritemi dhe të zhvillohemi në mënyra që nuk ishin të mundura në jetën para lindjes. Ngaqë Ati ynë në Qiell ka një trup të prekshëm prej mishi e kockash, trupat tanë janë të nevojshëm për ne që të përparojmë e të bëhemi si Ai. Trupat tanë janë të shenjtë dhe duhet të respektohen si një dhuratë nga Ati ynë Qiellor (shih 1 Korintasve 6:19–20).

Jeta pas Vdekjes

Kur vdesim, shpirtrat tanë hyjnë në botën e shpirtrave dhe presin Ringjalljen. Shpirtrat e të drejtëve pranohen në një gjendje lumturie, e cila quhet parajsë. Ata që vdesin pa njohuri për të vërtetën dhe ata që janë të pabindur në vdekshmëri, hyjnë në një vend të përkohshëm në botën pas vdekshmërisë të quajtur burgu i shpirtrave.

Më së fundi, çdo njeri do ta ketë mundësinë për t’i mësuar parimet e ungjillit dhe për t’i marrë ordinancat dhe besëlidhjet e tij. Shumë nga besnikët do ta predikojnë ungjillin tek ata që ndodhen në burgun e shpirtrave. Ata që zgjedhin ta pranojnë ungjillin, të pendohen dhe t’i pranojnë ordinancat e shpëtimit që kryhen për ta në tempuj, do të jetojnë në parajsë deri në Ringjallje (shih 1 Pjetër 4:6).

Ringjallja është ribashkimi i trupave tanë shpirtërorë me trupat tanë fizikë të përkryer, prej mishi e kockash. Pas ringjalljes ne do të jemi të pavdekshëm – shpirti dhe trupi ynë nuk do të veçohen më kurrë. Çdo njeri i lindur në tokë do të ringjallet ngaqë Jezu Krishti e mposhti vdekjen fizike (shih 1 Korintasve 15:20–22). Të drejtët do të ringjallen përpara të ligjve dhe do të vijnë në Ringjalljen e Parë.

Gjykimi Përfundimtar do të ndodhë pas Ringjalljes. Jezu Krishti do ta gjykojë çdo person për të përcaktuar lavdinë e përjetshme që ai ose ajo do të marrë. Ky gjykim do të bazohet në dëshirat dhe bindjen e çdo njeriu ndaj urdhrave të Perëndisë (shih Zbulesa 20:12).

Ka tri mbretëri lavdie: mbretëria çelestiale, mbretëria terrestriale dhe mbretëria telestiale (shih 1 Korintasve 15:40–42). Ata që janë të guximshëm në dëshminë për Jezusin dhe të bindur ndaj parimeve të ungjillit, do të banojnë në mbretërinë çelestiale, në praninë e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe me pjesëtarët e drejtë të familjes së tyre.

3. Shlyerja e Jezu Krishtit

Jezu Krishti u parashugurua në këshillin para lindjes për të qenë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai erdhi në tokë dhe me gatishmëri vuajti e vdiq për ta shëlbuar gjithë njerëzimin nga pasojat negative të Rënies dhe për ta paguar ndëshkimin për mëkatet tona. Ngadhënjimi i Jezu Krishtit mbi vdekjen shpirtërore dhe fizike nëpërmjet vuajtjes, vdekjes dhe Ringjalljes së Tij, quhet Shlyerje. Flijimi i Tij i sjell përfitim secilit prej nesh dhe tregon vlerën e pafundme të secilit dhe çdonjërit prej fëmijëve të Atit Qiellor (shih DeB 18:10–11).

Është vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit që ne mund të shpëtohemi, sepse Ai ishte i vetmi njeri i aftë për të bërë një Shlyerje të pafundme dhe të përjetshme për gjithë njerëzimin (shih Alma 34:9–10). Vetëm Ai kishte fuqinë për ta mposhtur vdekjen fizike. Nga nëna e Tij e vdekshme, Maria, Ai trashëgoi aftësinë për të vdekur. Nga Perëndia, Ati i Tij i pavdekshëm, Ai trashëgoi fuqinë për të jetuar përgjithmonë ose për ta dhënë jetën e Tij dhe për ta marrë atë sërish. Ai i vetëm mund të na shëlbonte prej mëkateve tona. Për shkak se jetoi një jetë të përkryer, të pamëkatë, Ai ishte i çliruar nga kërkesat e drejtësisë dhe mund ta paguante borxhin për ata që pendohen.

Shlyerja e Jezu Krishtit përfshiu vuajtjen e Tij për mëkatet e njerëzimit në Kopshtin e Gjetsemanit, derdhjen e gjakut të Tij, vuajtjen dhe vdekjen e Tij në kryq, dhe Ringjalljen e Tij të mirëfilltë. Ai ishte njeriu i parë që u ringjall. Ai u ngrit nga varri me një trup të përlëvduar, të pavdekshëm, prej mishi e kockash (shih Lluka 24:36–39). Për shkak të Shlyerjes së Tij, i gjithë njerëzimi do të ringjallet me trupa të përsosur, të pavdekshëm dhe do të sillet sërish në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar. Flijimi shlyes i Jezu Krishtit siguroi të vetmen mënyrë për ne që të pastrohemi dhe falemi për mëkatet tona, kështu që ne të mund të jetojmë në praninë e Perëndisë përjetësisht (shih Isaia 1:18; DeB 19:16–19).

Si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti jo vetëm vuajti për mëkatet tona, por gjithashtu mori mbi veten e Tij dhembjet, tundimet, sëmundjet dhe dobësitë e gjithë njerëzimit (shih Isaia 53:3–5; Alma 7:11–13). Ai e kupton vuajtjen tonë, sepse Ai e përjetoi atë. Kur vijmë tek Ai me besim, Shpëtimtari do të na forcojë që t’i mbajmë barrët tona dhe që t’i përmbushim detyrat që nuk mund t’i bëjmë vetë (shih Mateu 11:28–30; Ethëri 12:27).

Duke e paguar ndëshkimin për mëkatet tona, Jezu Krishti nuk e përjashtoi përgjegjësinë tonë vetjake. Me qëllim që ta pranojmë flijimin e Tij, të pastrohemi nga mëkatet tona dhe të trashëgojmë jetë të përjetshme, ne duhet të ushtrojmë besim në Të, të pendohemi, të pagëzohemi, ta marrim Frymën e Shenjtë dhe të durojmë besnikërisht deri në fund të jetës sonë.

Besimi në Jezu Krishtin

Parimi i parë i ungjillit është besimi në Zotin Jezu Krisht. Besimi ynë mund të çojë drejt shpëtimit vetëm kur përqendrohet te Jezu Krishti (shih Helamani 5:12).

Pasja e besimit në Jezu Krishtin përfshin pasjen e një besimi të palëkundur se Ai është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Ne e kuptojmë që e vetmja mënyrë se si mund të kthehemi të jetojmë me Atin tonë Qiellor është duke u mbështetur te Shlyerja e pafundme e Birit të Tij, duke mirëbesuar te Jezu Krishti dhe duke i ndjekur mësimet e Tij. Më shumë se bindje jovepruese, besimi i vërtetë në Jezu Krishtin çon drejt veprimit dhe shprehet nëpërmjet mënyrës se si jetojmë (shih Jakobi [Bibël] 2:17–18). Besimi ynë mund të rritet kur lutemi, i studiojmë shkrimet e shenjta dhe u bindemi urdhërimeve të Perëndisë.

Pendimi

Besimi në Jezu Krishtin dhe dashuria jonë për Të e për Atin Qiellor na bëjnë që të pendohemi. Pendimi është pjesë e planit të Atit Qiellor për të gjithë fëmijët e Tij që janë të përgjegjshëm për zgjedhjet e tyre. Kjo dhuratë bëhet e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Pendimi është një ndryshim i mendjes dhe i zemrës. Ai përfshin largimin prej mëkatit dhe kthimin e mendimeve, veprimeve dhe dëshirave tona drejt Perëndisë dhe përshtatjes së vullnetit tonë me vullnetin e Tij (shih Mosia 3:19).

Pendimi përfshin dallimin e mëkateve tona; ndjenjën e keqardhjes, ose trishtimin sipas Perëndisë, për kryerjen e mëkatit; rrëfimin e mëkateve tona Atit Qiellor dhe, nëse është e nevojshme, të tjerëve; braktisjen e mëkatit; përpjekjen për ta rivendosur, aq sa është e mundur, gjithçka që është dëmtuar si rrjedhojë e mëkateve tona; dhe të jetuarin e një jete me bindje ndaj urdhërimeve të Perëndisë (shih DeB 58:42–43). Në pagëzim, Zoti premton të na falë për mëkatet tona dhe ne e ripërtërijmë atë besëlidhje çdo herë që e marrim sinqerisht sakramentin me qëllimin që ta kujtojmë Shpëtimtarin dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.

Nëpërmjet pendimit të sinqertë dhe hirit të ofruar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të marrim faljen e Perëndisë dhe të ndiejmë paqe. Ne e ndiejmë ndikimin e Shpirtit në bollëk më të madh dhe jemi më të përgatitur që të jetojmë përjetësisht me Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij.

4. Rivendosja

Perëndia e ka rivendosur ungjillin e Tij në këto ditë të mëvonshme me anë të rivendosjes së të vërtetave të Tij, autoritetit të priftërisë dhe Kishës mbi tokë. Profetët e lashtë e paratreguan Rivendosjen e ditëve të mëvonshme të ungjillit (shih Isaia 29:13–14; Veprat e Apostujve 3:19–21).

Rivendosja filloi në vitin 1820. Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozef Smithit në përgjigje të lutjes së Jozefit dhe Ata e thirrën atë të ishte Profeti i Rivendosjes (shih Joseph Smith—Historia 1:15–20). Perëndia e thirri Jozef Smithin të ishte një dëshmitar i ditëve të mëvonshme i Krishtit të gjallë. Si Profeti i Rivendosjes, Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë (shih DeB 135:3). Së bashku me Biblën, Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin dhe përmban plotësinë e ungjillit (shih Ezekieli 37:15–17). Libri i Mormonit është gjithashtu një dëshmitar i thirrjes profetike të Jozef Smithit dhe i vërtetësisë së Rivendosjes.

Si pjesë e Rivendosjes, Perëndia dërgoi lajmëtarë engjëllorë për të rivendosur Priftëritë Aarone dhe Melkizedeke. Ai më pas udhëzoi që Kisha e Tij të organizohej sërish mbi tokë më 6 prill 1830. Ngaqë ishte rivendosur prej Perëndisë Vetë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e “vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut” (DeB 1:30).

Braktisja

Nevoja për Rivendosjen në ditët e mëvonshme të të vërtetave të Perëndisë, autoritetit të priftërisë dhe Kishës u shfaq për shkak të braktisjes. Braktisja ndodh kur një ose më shumë individë largohen prej të vërtetave të ungjillit.

Pas kryqëzimit të Shpëtimtarit dhe vdekjeve të Apostujve të Tij, shumë njerëz u larguan nga të vërtetat që i kishte themeluar Shpëtimtari (shih 2 Thesalonikasve 2:1–3). Parime të ungjillit dhe pjesë të shkrimeve të shenjta u korruptuan ose u humbën. Ndryshime të paautorizuara u bënë në organizimin e Kishës dhe ordinancat e priftërisë. Për shkak të kësaj ligësie të përhapur gjerësisht, Zoti i largoi nga toka autoritetin dhe çelësat e priftërisë. Edhe pse pati shumë njerëz të mirë e të ndershëm që e adhuronin Perëndinë në përputhje me dritën që zotëronin, dhe merrnin përgjigje për lutjet e tyre, bota u la pa zbulesë hyjnore nëpërmjet profetëve të gjallë. Kjo periudhë njihet si Braktisja e Madhe.

Periudha të tjera të braktisjes së përgjithshme kanë ndodhur gjatë gjithë historisë së botës.

Periudha e Kujdestarisë Ungjillore

Kur fëmijët e Perëndisë kanë rënë në një gjendje braktisjeje, Ai me dashuri iu është drejtuar atyre duke thirrur profetë dhe duke ua rifilluar sërish njerëzve bekimet e ungjillit nëpërmjet profetëve të Tij. Një periudhë kohore kur Zoti i zbulon të vërtetat, autoritetin e priftërisë dhe ordinancat e Tij quhet një periudhë e kujdestarisë ungjillore. Është një periudhë në të cilën Zoti ka të paktën një shërbëtor të autorizuar në tokë, i cili mban priftërinë e shenjtë dhe i cili ka një detyrë hyjnore për ta përhapur ungjillin dhe për t’i administruar ordinancat e tij.

Periudhat e kujdestarisë ungjillore identifikohen me Adamin, Enokun, Noeun, Abrahamin, Moisiun, Jezu Krishtin dhe të tjerë. Rivendosja e ungjillit në ditët e mëvonshme, të cilën Zoti e filloi nëpërmjet Profetit Jozef Smith, është pjesë e këtij modeli të periudhave të kujdestarisë ungjillore.

Në çdo periudhë të kujdestarisë ungjillore, Zoti dhe profetët e Tij janë përpjekur të themelojnë Sionin. Me Sion nënkuptohet populli i besëlidhjes së Zotit, të cilët janë të kulluar në zemër, të bashkuar në drejtësi dhe përkujdesen për njëri-tjetrin (shih Moisiu 7:18). Me Sion gjithashtu nënkuptohet një vendi ku jetojnë të kulluarit në zemër.

Sot ne jetojmë në periudhën përfundimtare të kujdestarisë ungjillore – periudhën e kujdestarisë ungjillore të plotësisë së kohëve. Është e vetmja periudhë e kujdestarisë ungjillore që nuk do të përfundojë në braktisje. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më së fundi do ta mbushë të gjithë tokën dhe do të qëndrojë përgjithmonë (shih Daniel 2:44).

5. Profetët dhe Zbulesa

Një profet është një njeri i cili është thirrur nga Perëndia që të flasë për Të (shih Jeremia 1:4–5; Amos 3:7; Gjoni 15:16; DeB 1:37–38). Profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe japin mësim ungjillin e Tij. Ata e bëjnë të njohur vullnetin dhe karakterin e vërtetë të Perëndisë. Ata e denoncojnë mëkatin, paralajmërojnë për pasojat e tij dhe na ndihmojnë që ta shmangim mashtrimin (shih Ezekieli 3:16–17; Efesianëve 4:11–14). Me raste, ata profetizojnë për ngjarje të së ardhmes. Profetët janë në gjendje t’i kryejnë këto përgjegjësi ngaqë marrin autoritet dhe zbulesë nga Perëndia.

Zbulesa është komunikim nga Perëndia dhënë fëmijëve të Tij. Shumica e zbulesës vjen nëpërmjet mbresave, mendimeve dhe ndjenjave nga Fryma e Shenjtë. Zbulesa gjithashtu mund të vijë nëpërmjet vegimeve, ëndrrave dhe vizitave nga engjëjt.

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri dhe përsëri në kohën tonë, Zoti e organizoi Kishën e Tij mbi themelin e profetëve dhe apostujve (shih Efesianëve 2:19–20). Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është profeti i Perëndisë për të gjithë njerëzit e tokës sot. Ne e mbështetim Presidentin e Kishës si profet, shikues dhe zbulues, dhe si të vetmin person në tokë që merr zbulesë për ta udhërrëfyer të gjithë Kishën. Nëse besnikërisht i marrim dhe iu bindemi mësimeve të Presidentit të Kishës, Perëndia do të na bekojë që ta mposhtim mashtrimin dhe ligësinë (shih DeB 21:4–6). Ne gjithashtu i mbështetim këshilltarët në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues.

Shkrimet e shenjta – Bibla, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe – përmbajnë zbulesa të dhëna nëpërmjet profetëve të lashtë dhe të ditëve të mëvonshme. Ndërsa i studiojmë fjalët e profetëve, ne mund të mësojmë të vërtetën dhe të marrim udhërrëfim.

Ndërkohë që Perëndia jep zbulesë nëpërmjet profetëve për t’i udhërrëfyer të gjithë fëmijët e Tij, individët mund të marrin zbulesë për t’i ndihmuar për nevojat, përgjegjësitë dhe pyetjet e tyre të veçanta vetjake dhe për t’i ndihmuar në forcimin e dëshmive të tyre. Megjithatë, frymëzimi vetjak nga Zoti nuk do të jetë kurrë në kundërshtim me zbulesën që Perëndia e jep nëpërmjet profetëve të Tij.

6. Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë

Priftëria është fuqia dhe autoriteti i përjetshëm i Perëndisë. Me anë të priftërisë, Perëndia i krijoi dhe i qeveris qiejt dhe tokën. Nëpërmjet kësaj fuqie, Ai i shëlbon dhe i ekzalton fëmijët e Tij.

Perëndia ua jep autoritetin e priftërisë anëtarëve të denjë meshkuj të Kishës, në mënyrë që ata të mund të veprojnë në emrin e Tij për shpëtimin dhe lartësimin e të gjithë fëmijëve të Tij (shih DeB 121:36, 41–42).

Çelësat e priftërisë janë të drejtat e kryesimit ose fuqia që Perëndia ia jep burrit për të qeverisur dhe drejtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë (shih Mateu 16:15–19). Çelësat e priftërisë janë të domosdoshëm për ta drejtuar predikimin e ungjillit dhe administrimin e ordinancave të shpëtimit.

Jezu Krishti mban të gjithë çelësat e priftërisë që i përkasin Kishës së Tij. Ai i ka dhënë secilit prej Apostujve të Tij të gjithë çelësat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë në tokë. Presidenti i Kishës është i vetmi njeri i autorizuar për t’i ushtruar të gjithë ata çelësa të priftërisë. Presidentët e tempujve, presidentët e misioneve, presidentët e kunjeve, peshkopët dhe presidentët e kuorumeve gjithashtu mbajnë çelësa të priftërisë, të cilët i lejojnë të drejtojnë e të kryesojnë mbi punën që janë autorizuar të bëjnë.

Të gjithë ata që shërbejnë në Kishë – burra e gra – thirren nën drejtimin e njërit që mban çelësat e priftërisë. Si rrjedhojë, ata kanë të drejtë për fuqinë e nevojshme për të shërbyer dhe për të përmbushur përgjegjësitë e thirrjeve të tyre (shih DeB 42:11).

Ata që shugurohen në Priftëritë Aarone dhe Melkizedeke, hyjnë në betimin dhe besëlidhjen e priftërisë. Nëse e lartësojnë thirrjen e tyre dhe me besnikëri i pranojnë Zotin dhe shërbëtorët e Tij, ata do të fitojnë bekimet e ekzaltimit. Grave po ashtu iu premtohen bekimet e ekzaltimit kur ato janë besnike ndaj besëlidhjeve që kanë bërë me Zotin.

Priftëria Aarone

Priftëria Aarone shpesh quhet priftëria përgatitore. Priftëria Aarone “mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit” (DeB 13:1). Nëpërmjet ushtrimit të kësaj priftërie, përgatitet, bekohet dhe administrohet sakramenti. Detyrat në Priftërinë Aarone janë dhjak, mësues, prift dhe peshkop.

Priftëria Melkizedeke

Priftëria Melkizedeke është priftëria më e lartë, ose më e madhe, dhe “mban të drejtën e kryesimit dhe ka fuqi e autoritet mbi gjithë detyrat në kishë, në të gjitha epokat e botës, për të administruar në gjërat shpirtërore” (DeB 107:8). Të gjitha bekimet, ordinancat, besëlidhjet dhe organizatat e Kishës administrohen nën autoritetin e Presidentit të Kishës, i cili është Presidenti i Priftërisë Melkizedeke. Kjo priftëri iu dha Adamit dhe ka qenë në tokë sa herë që Zoti e ka zbuluar ungjillin e Tij. Brenda Priftërisë Melkizedeke janë detyrat e plakut, priftit të lartë, patriarkut, Të Shtatëdhjetit dhe Apostullit.

7. Ordinancat dhe Besëlidhjet

Ordinancat

Një ordinancë është një akt i shenjtë që kryhet me anë të autoritetit të priftërisë. Secila ordinancë u përcaktua nga Perëndia për të dhënë mësim të vërteta shpirtërore, shpesh nëpërmjet simbolikës.

Disa ordinanca janë thelbësore për ekzaltimin dhe quhen ordinanca shpëtuese. Vetëm me anë të marrjes së ordinancave shpëtuese dhe mbajtjes së besëlidhjeve që lidhen me to, mund të fitojmë të gjitha bekimet e bëra të mundshme nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Pa këto ordinanca shpëtuese ne nuk mund të bëhemi si Ati ynë Qiellor apo të kthehemi të jetojmë në praninë e Tij përjetësisht (shih DeB 84:20–22). Ordinancat shpëtuese kryhen nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësa të priftërisë.

Ordinanca e parë shpëtuese e ungjillit është pagëzimi me zhytje në ujë nga një person që ka autoritet. Pagëzimi është i domosdoshëm që një individ të bëhet anëtar i Kishës së Jezu Krishtit dhe të hyjë në mbretërinë çelestiale (shih Gjoni 3:5).

Pasi një person pagëzohet, një apo më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke e konfirmojnë atë si anëtar/e të Kishës dhe japin mbi të dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih 3 Nefi 27:20). Dhurata e Frymës së Shenjtë është e ndryshme nga ndikimi i Frymës së Shenjtë. Përpara pagëzimit, një njeri mund ta ndiejë ndikimin e Frymës së Shenjtë dhe të marrë një dëshmi të së vërtetës. Pas marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, një njeri, i cili i mban besëlidhjet e tij ose të saj, ka të drejtën e shoqërimit të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.

Ordinanca të tjera shpëtuese përfshijnë shugurimin në Priftërinë Melkizedeke (për burrat), dhurimin [indaumentin] në tempull dhe vulosjen e martesës. Në tempull, këto ordinanca shpëtuese mund të kryhen gjithashtu në mënyrë mëkëmbëse për të vdekurit. Ordinancat mëkëmbëse hyjnë në fuqi vetëm kur njerëzit e vdekur i pranojnë ato në botën e shpirtrave dhe i nderojnë besëlidhjet e lidhura me to.

Ordinanca të tjera, të tilla si administrimi i të sëmurëve, vënia e emrit dhe bekimi i fëmijëve, janë gjithashtu të rëndësishme për zhvillimin tonë shpirtëror.

Besëlidhjet

Një besëlidhje është një marrëveshje e shenjtë midis Perëndisë dhe njeriut. Perëndia jep kushtet për besëlidhjen dhe ne biem dakord të bëjmë atë që Ai na kërkon të bëjmë; pastaj Perëndia na premton bekime të caktuara për bindjen tonë (shih Eksodi 19:5–6; DeB 82:10). Nëse nuk iu bindemi besëlidhjeve tona, atëherë ne nuk do t’i marrim bekimet e premtuara.

Të gjitha ordinancat shpëtuese të priftërisë shoqërohen nga besëlidhje. Për shembull, ne besëlidhim me Zotin nëpërmjet pagëzimit (shih Mosia 18:8–10) dhe burrat që marrin Priftërinë Melkizedeke, hyjnë në betimin dhe besëlidhjen e priftërisë. Ne i ripërtërijmë besëlidhjet që i kemi bërë, nëpërmjet marrjes së sakramentit.

Ne bëjmë besëlidhje të mëtejshme kur i marrim ordinancat shpëtuese të dhurimit [indaumentit] dhe të vulosjes së martesës në tempull. Ne përgatitemi të marrim pjesë në ordinanca dhe të bëjmë besëlidhje në tempull duke i jetuar standardet e denjësisë që ka caktuar Zoti (shih Psalmeve 24:3–4). Është jetike që të jemi të denjë për t’u futur në tempull, sepse tempulli është me tërë kuptimin e fjalës shtëpia e Zotit. Ai është vendi më i shenjtë prej cilitdo vendi adhurimi në tokë.

8. Martesa dhe Familja

Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe familja është qendrore për planin e Tij të shpëtimit dhe për lumturinë tonë (shih Zanafilla 2:24; DeB 49:15–17). Vetëm nëpërmjet hyrjes në besëlidhjen e martesës çelestiale dhe mbajtjes së saj besnikërisht munden një burrë e një grua ta përmbushin potencialin e tyre të përjetshëm hyjnor (shih 1 Korintasve 11:11; DeB 131:1–4).

Perëndia i ka urdhëruar fëmijët e Tij që të shumohen dhe ta mbushin tokën (shih Zanafilla 1:28). Fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis një burri dhe një gruaje, të cilët janë martuar ligjërisht si bashkëshort e bashkëshorte (shih Zanafilla 39:9; Alma 39:9). Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne që ta duan dhe të përkujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. Prindërit duhet t’i rritin fëmijët e tyre me dashuri e drejtësi dhe t’u sigurojnë për nevojat e tyre fizike e shpirtërore.

Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht. Nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet t’i kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe të sigurojnë gjërat e nevojshme të jetës. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë.

Plani hyjnor i lumturisë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit. Toka u krijua dhe ungjilli u zbulua me qëllim që familjet të mund të krijoheshin, vuloseshin dhe ekzaltoheshin përjetësisht. Nëpërmjet historisë familjare dhe shërbimit në tempull, ne mund t’i bëjmë ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit të vlefshme për paraardhësit tanë (shih Malakia 4:5–6).

(Përshtatur nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129.)

9. Urdhërimet

Urdhërimet janë ligje dhe kërkesa që Perëndia i jep për të na ndihmuar të përparojmë dhe të bëhemi si Ai. Urdhërimet janë një shfaqje e dashurisë së Perëndisë për ne. Ne e shfaqim dashurinë tonë për Të nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Tij (shih Gjoni 14:15). Zbatimi i urdhërimeve do të sjellë gjithmonë lumturi dhe bekime nga Zoti (shih Mosia 2:41; Alma 41:10). Perëndia nuk do të na japë një urdhërim pa përgatitur një udhë për ne që t’i bindemi atij (shih 1 Nefi 3:7).

Dy urdhërimet më themelore janë “duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. … Dhe … duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (shih Mateu 22:36–39). Ne mund ta duam dhe t’i shërbejmë Perëndisë duke zgjedhur që t’i duam të tjerët dhe t’u shërbejmë të tjerëve (shih Mosia 2:17; Moroni 7:45, 47–48).

Një nga urdhërimet më të hershme, të dhëna njeriut, ishte që ta mbante të shenjtë ditën e Shabatit. Perëndia i urdhëron fëmijët e Tij që ta nderojnë Atë duke e bërë vullnetin e Tij në vend të vullnetit të tyre në Shabat dhe u Ai premton bekime të mëdha atyre që e mbajnë të shenjtë ditën e Tij (shih Isaia 58:13–14).

Dhjetë Urdhërimet janë pjesë jetike e ungjillit dhe janë parime të përjetshme që janë të nevojshme për ekzaltimin tonë (shih Eksodi 20:3–17). Zoti ia zbuloi ato Moisiut në kohët e lashta dhe Ai i ka shpallur ato sërish në zbulesat e ditëve të mëvonshme.

Urdhërimet e Perëndisë përfshijnë lutjen çdo ditë, studimin e fjalës së Perëndisë, pendimin, bindjen ndaj ligjit të dëlirësisë, pagimin e një të dhjete të plotë (shih Malakia 3:8–10), agjërimin (shih Isaia 58:6–7), faljen e të tjerëve (shih DeB 64:9–11), mbajtjen e Fjalës së Urtësisë (shih DeB 89:18–21) dhe dhënien mësim të ungjillit të tjerëve (shih Mateu 5:14–16; DeB 18:15–16).

Për më shumë informacion mbi këto tema, shkoni te gospeltopics.lds.org ose shihni Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim Për Ungjillin (2004).

Shtyp në Letër