“1. Plani i Perëndisë dhe Roli Juaj në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).
“1. Plani i Perëndisë dhe Roli Juaj në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit”, Manuali i Përgjithshëm.
1.
Plani i Perëndisë dhe Roli Juaj në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit
1.0
Parathënia
Ju jeni thirrur për të shërbyer në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Faleminderit për shërbimin tuaj. Ju do të bekoni jetë njerëzish dhe do të përjetoni gëzim kur shërbeni me besnikëri.
Ky manual do t’ju ndihmojë të mësoni parimet e shërbimit si Krishti dhe të kuptoni përgjegjësitë tuaja. Ju do të jeni më të efektshëm kur e përputhni shërbimin tuaj në Kishë me veprën e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Ky kapitull do t’ju ndihmojë të fitoni një vizion për:
-
Planin e Perëndisë për lumturinë.
-
Veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.
-
Qëllimin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
1.1
Plani i Perëndisë për Lumturinë
Ati Qiellor dha planin e lumturisë për të na krijuar mundësinë që të gëzojmë të gjitha bekimet e Tij. Vepra dhe lavdia e Tij është të “bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Pavdekësia është të jetojmë përgjithmonë me një trup fizik të ringjallur. Jeta e përjetshme, ose ekzaltimi, është të bëhemi si Perëndia dhe të jetojmë në praninë e Tij përjetësisht si familje.
Ne nuk mund të marrim pavdekësi dhe jetë të përjetshme pa ndihmën e Perëndisë. Në këtë jetë, ne u nënshtrohemi mëkatit dhe vdekjes, që na ndajnë nga Ati Qiellor dhe na pengojnë nga bërja më shumë si Ai.
Jezu Krishti është qendra e planit të Perëndisë. Për shkak të dashurisë së pafundme të Atit Qiellor për ne, Ai dërgoi Birin e Tij që të na shëlbonte nga mëkati dhe vdekja nëpërmjet flijimit të Tij shlyes (shihni te Gjoni 3:16). Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti siguron që secili prej nesh, që u lind në tokë, do të ringjallet dhe do të fitojë pavdekësinë. Shlyerja e Tij gjithashtu bën të mundur që ne të pastrohemi nga mëkati dhe t’i kemi zemrat tona të ndryshuara, që të mund të marrim jetë të përjetshme dhe një plotësi të gëzimit.
Për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet të “[vijmë] te Krishti dhe [të] përsos[emi] në të” (Moroni 10:32). Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve që kanë jetuar ose do të jetojnë ndonjëherë në tokë. Ati Qiellor dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të zgjedhin që të kthehen tek Ai.
1.2
Vepra e Shpëtimit dhe e Ekzaltimit
Kur vijmë te Krishti dhe i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, ne marrim pjesë në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Kjo vepër udhërrëfehet nga dy urdhërimet e mëdha, që ta duam Perëndinë dhe t’i duam të afërmit tanë (shihni te Mateu 22:37–39). Ne e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë kur i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe u shërbejmë fëmijëve të Tij (shihni te Gjoni 14:15).
Vepra e shpëtimit dhe e ekzaltimit përqendrohet mbi katër përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore. Këto përvijohen më poshtë.
Ky manual do t’ju ndihmojë që t’i kuptoni këto katër aspekte të veprës së Perëndisë. Fryma e Shenjtë do t’ju udhërrëfejë kur e luani rolin tuaj në përmbushjen e tyre (shihni te 2 Nefi 32:5).
1.2.1
Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit
Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit përfshin:
-
Ushtrimin e besimit te Krishti, pendimin çdo ditë, bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë kur marrim ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit, si dhe durimin deri në fund duke i mbajtur ato besëlidhje (shihni 3.5.1).
-
Të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit të Jezu Krishtit në shtëpi dhe në kishë.
-
Bërjen të mbështetur te vetja që të sigurojmë për veten tonë dhe familjet tona, si shpirtërisht edhe materialisht.
1.2.2
Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë
Përkujdesja për njerëzit nevojtarë përfshin:
-
Shërbimin dhe dhënien e shërbesës ndaj individëve, familjeve dhe komuniteteve.
-
Ndarjen e burimeve, përfshirë ndihmën nga Kisha, me njerëzit nevojtarë.
-
Të ndihmuarit e të tjerëve që të bëhen të mbështetur te vetja.
1.2.3
Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin
Ftesa ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin përfshin:
-
Pjesëmarrjen në punën misionare dhe shërbimin si misionarë.
-
Ndihmën për anëtarët e rinj dhe ata që kthehen në Kishë, që të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve.
1.2.4
Bashkimi i Familjeve për Përjetësinë
Bashkimi i familjeve për përjetësinë përfshin:
-
Bërjen e besëlidhjeve kur marrim ordinancat tona vetjake në tempull.
-
Zbulimin e paraardhësve tanë të vdekur dhe kryerjen e ordinancave për ta në tempull, me qëllim që ata të mund të bëjnë besëlidhje me Perëndinë.
-
Vajtjen në tempull rregullisht, atje ku është e mundur, për të adhuruar Perëndinë dhe për të kryer ordinanca për fëmijët e Tij.
1.3
Qëllimi i Kishës
Jezu Krishti e themeloi Kishën e Tij për t’u krijuar mundësi individëve dhe familjeve që të bëjnë veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni te Efesianëve 4:11–13; shihni edhe 2.2 në këtë manual). Për të ndihmuar në përmbushjen e këtij qëllimi hyjnor, Kisha dhe udhëheqësit/et e saj sigurojnë:
-
Autoritetin dhe çelësat e priftërisë.
-
Besëlidhjet dhe ordinancat.
-
Udhëzimin profetik.
-
Shkrimet e shenjta.
-
Përkrahjen e të mësuarit dhe të mësimdhënies së ungjillit.
-
Mundësitë për shërbim dhe udhëheqje.
-
Një bashkësi shenjtorësh.
1.3.1
Autoriteti dhe Çelësat e Priftërisë
Nëpërmjet priftërisë, Perëndia e përmbush veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Autoriteti dhe çelësat e priftërisë, të domosdoshëm për ta drejtuar veprën e Perëndisë në tokë, iu rivendosën Profetit Jozef Smith (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16; 112:30; shihni edhe 3.1 në këtë manual). Këta çelësa mbahen nga udhëheqësit e Kishës sot. Ata thërrasin dhe autorizojnë të tjerë për të ndihmuar në veprën e Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:8, 65–67).
1.3.2
Besëlidhjet dhe Ordinancat
Në planin e Atit Qiellor, ne bëjmë besëlidhje kur marrim ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit, të tilla si pagëzimi (shihni te Gjoni 3:5; shihni edhe kapitullin 18 në këtë manual). Këto besëlidhje dhe ordinanca janë thelbësore që ne të bëhemi më shumë si Perëndia dhe të kthehemi për të jetuar në praninë e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:19–22).
1.3.3
Udhëzimi Profetik
Nëpërmjet profetëve të Tij të zgjedhur, Perëndia zbulon të vërtetën dhe jep udhërrëfim e paralajmërime të frymëzuara (shihni tek Amos 3:7; Doktrina e Besëlidhje 1:4). Ky udhërrëfim na ndihmon që të hyjmë dhe të qëndrojmë në shtegun që çon drejt jetës së përjetshme.
1.3.4
Shkrimet e Shenjta
Nën drejtimin e profetëve dhe apostujve të Zotit, Kisha e jep dhe e ruan fjalën e Perëndisë siç gjendet në shkrimet e shenjta. Shkrimet e shenjta dëshmojnë për Krishtin, na mësojnë ungjillin e Tij dhe na ndihmojnë të ushtrojmë besim tek Ai (shihni te Jakobi [LiM] 7:10–11; Helamani 15:7).
1.3.5
Përkrahja e të Mësuarit dhe e Mësimdhënies së Ungjillit
Kisha i përkrah individët dhe familjet në përgjegjësinë e tyre për të mësuar të vërtetat e ungjillit dhe për t’ua dhënë mësim këto të vërteta pjesëtarëve të familjes dhe të tjerëve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:77–78, 118; shihni edhe 2.2.3 në këtë manual).
1.3.6
Mundësitë për Shërbim dhe Udhëheqje
Nëpërmjet thirrjeve dhe detyrave në Kishë, Perëndia u jep anëtarëve mundësi për të shërbyer dhe udhëhequr. Kisha siguron strukturën për të ndihmuar në përkujdesjen për anëtarët nevojtarë dhe për t’u dhënë ndihmë humanitare njerëzve të tjerë (shihni te Mosia 18:27–29).
1.3.7
Një Bashkësi Shenjtorësh
Si një bashkësi shenjtorësh, anëtarët e Kishës mblidhen rregullisht për të adhuruar Perëndinë dhe për të kujtuar Shpëtimtarin me anë të marrjes së sakramentit (shihni te Moroni 6:4–6; Doktrina e Besëlidhje 20:77). Anëtarët gjithashtu kujdesen për njëri‑tjetrin dhe i japin shërbesë njëri‑tjetrit (shihni te Efesianëve 2:19).
1.4
Roli Juaj në Veprën e Perëndisë
Si një udhëheqës/e në Kishë, ju thirreni që t’i mësoni dhe përkrahni njerëzit të cilëve u shërbeni, ndërsa ata përfshihen në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni 1.2). Ju jeni të përgjegjshëm që të përmbushni thirrjen tuaj dhe që të jepni “mës[im] … fjalën e Perëndisë me gjithë zell” (Jakobi [LiM] 1:19). Të punuarit me Zotin në vreshtin e Tij do t’ju sjellë gëzim të madh (shihni te Jakobi [LiM] 5:70–72).
Të pasurit e një kuptimi të qartë për veprën e Perëndisë, për atë që Ai ju fton të bëni dhe për qëllimin e Kishës së Tij do t’ju ndihmojë t’i përqendroni përpjekjet tuaja në sjelljen e shpirtrave te Krishti. Mbajtja në mendje e këtij vizioni do t’ju rreshtojë me Shpëtimtarin dhe do të udhërrëfejë gjithçka që bëni si një udhëheqës/e në Kishë.
Drejtojuni shpesh parimeve në këtë kapitull. Me lutje kërkoni të dini se si mund të ndihmoni për përmbushjen e qëllimeve të Perëndisë në jetën e njerëzve të cilëve u shërbeni. Perëndia do t’ju drejtojë nëpërmjet nxitjeve të Frymës së Shenjtë.