“12. Fillorja”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).
“12. Fillorja”, Manuali i Përgjithshëm.
12.
Fillorja
12.1
Qëllimi dhe Organizimi
Fillorja është një organizatë e përqendruar te shtëpia dhe e përkrahur nga Kisha. Është për fëmijët nga mosha 18 muajsh deri në 11 vjeç. Në shtëpi, prindërit ua mësojnë fëmijëve ungjillin. Në kishë, udhëheqëset dhe mësuesit/et e Fillores i përkrahin prindërit nëpërmjet mësimeve, muzikës dhe aktiviteteve.
12.1.1
Qëllimet
Fillorja i ndihmon fëmijët që:
-
Të ndiejnë dashurinë e Atit të tyre Qiellor dhe të mësojnë për planin e Tij të lumturisë.
-
Të mësojnë rreth Jezu Krishtit dhe rolit të Tij në planin e Atit Qiellor.
-
Ta mësojnë dhe ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit.
-
Ta ndiejnë, dallojnë dhe të veprojnë sipas ndikimit të Frymës së Shenjtë.
-
Të përgatiten për besëlidhje të shenjta, t’i bëjnë dhe t’i mbajnë ato.
-
Të marrin pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.
12.1.2
Tema e Fillores
Është një privilegj i shenjtë t’u jepet mësim fëmijëve. Jezu Krishti na mësoi: “Vini re të vegjlit tuaj” dhe “Kulloti[ni] qengjat e mi” (3 Nefi 17:23; Gjoni 21:15). Duke i ndjekur këto ftesa, udhëheqëset e Fillores i duan dhe u japin mësim fëmijëve sipas mënyrës së Shpëtimtarit.
Tema e Fillores është një kujtues i bekimeve për shërbimin në Fillore:
“Të gjithë fëmijët e tu do të mësohen nga Zoti; dhe e madhe do të jetë paqja e fëmijëve të tu” (Isaia 54:13; 3 Nefi 22:13).
12.1.3
Orët Mësimore
Klasat e Fillores organizohen sipas moshës dhe numrit të mësuesve/eve në dispozicion. Njësitë me më pak fëmijë ose mësues/e, mund të ndërthurin dy ose më shumë grupmosha në një klasë. Në njësitë më të mëdha, udhëheqëset e Fillores mund të formojnë më shumë se një klasë për një grupmoshë dhe më shumë se një çerdhe.
Kur ka mjaft fëmijë, ata ndahen në klasa nisur nga mosha e tyre më 31 dhjetor të vitit të mëparshëm, siç tregohet në tabelën e mëposhtme:
Mosha më 31 Dhjetor të Vitit të Mëparshëm |
Klasa më 1 janar |
---|---|
Mosha më 31 Dhjetor të Vitit të Mëparshëm 2 | Klasa më 1 janar Çerdhja (fëmijët shkojnë në çerdhe në moshën 18 muajsh) |
Mosha më 31 Dhjetor të Vitit të Mëparshëm 3 | Klasa më 1 janar Rrezet e Diellit |
Mosha më 31 Dhjetor të Vitit të Mëparshëm 4 | Klasa më 1 janar ZTD 4 |
Mosha më 31 Dhjetor të Vitit të Mëparshëm 5 | Klasa më 1 janar ZTD 5 |
Mosha më 31 Dhjetor të Vitit të Mëparshëm 6 | Klasa më 1 janar ZTD 6 |
Mosha më 31 Dhjetor të Vitit të Mëparshëm 7 | Klasa më 1 janar ZTD 7 |
Mosha më 31 Dhjetor të Vitit të Mëparshëm 8 | Klasa më 1 janar Guximtarët 8 |
Mosha më 31 Dhjetor të Vitit të Mëparshëm 9 | Klasa më 1 janar Guximtarët 9 |
Mosha më 31 Dhjetor të Vitit të Mëparshëm 10 | Klasa më 1 janar Guximtarët 10 |
Fëmijët në përgjithësi përparojnë nga Fillorja tek Të Rejat ose në kuorumin e dhjakëve në janarin e vitit kur do të mbushin 12 vjeç. Ata mund të marrin një certifikatë të përparimit. Këto certifikata mund të krijohen në sistemin Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit.
Në disa rrethana, një fëmijë 11‑vjeçar mund të mos jetë gati për t’u larguar nga Fillorja. Peshkopi, prindërit dhe fëmija këshillohen së bashku për kohën e largimit.
Fëmijët mund të mos e përfundojnë Filloren përpara janarit të vitit kur mbushin 12 vjeç. Po ashtu disa të rinj mund të mos shugurohen si dhjakë përpara asaj kohe.
12.1.4
Koha e të Kënduarit
Koha e të kënduarit i ndihmon fëmijët të ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor dhe të mësojnë rreth planit të Tij për lumturinë. Kur fëmijët këndojnë për parimet e ungjillit, Fryma e Shenjtë dëshmon për vërtetësinë e tyre. Fjalët dhe muzika do të mbeten në mendjen dhe zemrën e fëmijëve gjatë gjithë jetës së tyre.
Koha e të kënduarit është e ndryshme nga koha e orës mësimore. Gjatë kohës së të kënduarit, fëmijët mësojnë teksa përfshihen aktivisht në të kënduarit. Udhëheqësit/et e muzikës në Fillore japin mësim parimet e ungjillit, por këtë e bëjnë kryesisht nëpërmjet muzikës.
Presidenca e Fillores dhe udhëheqësi/ja e muzikës përzgjedhin këngë për çdo muaj për t’i përforcuar parimet e ungjillit që fëmijët po i mësojnë në klasat e tyre dhe në shtëpi. Këngët që i përforcojnë këto parime sugjerohen edhe tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Për më shumë informacion, shihni “Udhëzime për Kohën e të Kënduarit dhe Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit”, 12.2.1.2 dhe 12.3.4.
12.1.5
Çerdhja
Çerdhja i ndihmon fëmijët e moshave 18 muajsh deri në 3 vjeç të ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor dhe të mësojnë rreth planit të Tij për lumturinë.
Udhëheqësit/et e çerdhes i duan fëmijët dhe u japin mësim e shërbesë atyre. Ata/ato garantojnë gjithashtu sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
Të paktën dy njerëz duhet të thirren për secilën klasë të çerdhes. Nëse udhëheqësit/et e çerdhes nuk janë një çift bashkëshortësh, ata/ato duhet të jenë të së njëjtës gjini. Udhëheqësit/et e çerdhes garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.
Çerdhja zhvillohet gjatë gjithë kohës së planifikuar të Fillores. Për më shumë informacion, shihni 12.1.3 dhe 12.3.5.
12.2
Pjesëmarrja në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit
Perëndia i fton të gjithë të vijnë te Krishti dhe të ndihmojnë në veprën e Tij nëpërmjet:
-
Të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit.
-
Përkujdesjes për njerëzit nevojtarë.
-
Ftesës ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin.
-
Bashkimit të familjeve për përjetësinë.
Fillorja i ndihmon fëmijët, familjet, udhëheqësit/et dhe mësuesit/et që ta përmbushin këtë vepër. Për më shumë informacion rreth veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit, studioni kapitullin 1.
12.2.1
Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit
12.2.1.1
Rolet e Prindërve dhe të Udhëheqëseve
Prindërit janë përgjegjës që t’ua mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre dhe t’i ndihmojnë ata që ta jetojnë atë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28). Udhëheqëset dhe mësuesit/et e Fillores i përkrahin prindërit në këtë përgjegjësi si vijon:
-
Sigurohen që mësimet e Fillores, koha e të kënduarit, shërbimi dhe aktivitetet t’i ndihmojnë fëmijët që ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit.
-
I ndihmojnë fëmijët të përgatiten për pagëzimin dhe konfirmimin.
-
I ndihmojnë djemtë të përgatiten për shugurimin në priftëri.
-
I ndihmojnë fëmijët të përgatiten për të marrë një rekomandim tempulli dhe për të kryer ordinanca në tempull.
-
U mësojnë fëmijëve rreth bekimeve të shpërndarjes së ungjillit, përfshirë shërbimin si misionarë kohëplotë.
Udhëheqëset duhet të jenë të ndjeshme ndaj fëmijëve që nuk kanë përkrahje nga familja për ta jetuar ungjillin.
Prindërit dhe udhëheqëset përpiqen fort të jenë shembuj të mirë për fëmijët. Ata i nxitin fëmijët në përpjekjet e tyre për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti. Programi Fëmijët dhe Rinia është një burim për t’i ndihmuar fëmijët e moshës 8–11 vjeç (shihni ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org).
12.2.1.2
Të Mësuarit e Ungjillit
Udhëheqëset dhe mësuesit/et e Fillores i nxitin fëmijët dhe familjet e tyre që ta mësojnë ungjillin në shtëpi. Këto udhëheqëse dhe mësues/e e studiojnë ungjillin dhe ua tregojnë fëmijëve atë që mësojnë. I ftojnë fëmijët të tregojnë në kishë atë që po mësojnë në shtëpi.
Mbledhjet e Fillores të Dielën. Mbledhjet e Fillores të dielën i ndihmojnë fëmijët të përmbushin qëllimet e Fillores (shihni 12.1.1). Një anëtare e presidencës së Fillores zakonisht e drejton hapjen. Udhëheqësi/ja e muzikës drejton kohën e të kënduarit. Mësuesit/et e Fillores u japin mësim fëmijëve gjatë orëve mësimore.
Mbledhjet e Fillores për fëmijët e moshës 3–11 vjeç mbahen çdo të diel për 50 minuta ndërkohë që personat në moshë madhore dhe rinia ndjekin klasat e tyre. Programi i mësimit është si vijon:
Pjesa e Mbledhjes |
Kohëzgjatja |
---|---|
Pjesa e Mbledhjes Hapja (lutja, shkrimi i shenjtë ose Neni i Besimit dhe biseda, të gjitha jepen nga fëmijët) | Kohëzgjatja 5 minuta |
Pjesa e Mbledhjes Koha e të kënduarit | Kohëzgjatja 20 minuta |
Pjesa e Mbledhjes Kalimi për në klasa | Kohëzgjatja 5 minuta |
Pjesa e Mbledhjes Orët mësimore dhe lutja e mbylljes | Kohëzgjatja 20 minuta |
Në lagjet me shumë fëmijë, udhëheqëset e Fillores mund t’i ndajnë fëmijët në dy grupe. Njëri grup është në klasa ndërkohë që grupi tjetër është në kohën e të kënduarit. Më pas të dy grupet ndryshojnë vendet. Udhëheqëset e përshtatin kohën sipas nevojës.
Çerdhja për fëmijët e moshës 18 muajsh deri në 3 vjeç zgjat 50 minuta. Materiali Behold Your Little Ones [Vini Re Të Vegjlit Tuaj] siguron një program të sugjeruar mësimor. Fëmijët mund të fillojnë ta frekuentojnë çerdhen kur mbushin 18 muajsh.
Programi i Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit. Programi vjetor i fëmijëve në mbledhjen e sakramentit zhvillohet në një prej muajve të fundit të vitit. Fëmijët paraqitin atë që kanë mësuar në shtëpi dhe në kishë gjatë vitit. Ata e ndihmojnë bashkësinë që të përqendrohet tek Ati Qiellor, Shpëtimtari dhe mësimet e Tyre.
Presidenca e Fillores dhe udhëheqësi/ja e muzikës me lutje planifikojnë programin. Peshkopata jep udhëzime. Fëmijët mund të këndojnë, të japin biseda dhe të tregojnë histori, shkrime të shenjta ose të japin dëshmi.
Programi mund të zërë të gjithë kohën e mbledhjes pasi shpërndahet sakramenti ose një pjesë të kohës. Njësitë me pak fëmijë mund të ftojnë pjesëtarë të familjes së fëmijëve që të marrin pjesë.
Për shkak të shenjtërisë së mbledhjes së sakramentit, programi nuk duhet të përfshijë ilustrime pamore, veshje teatrale ose paraqitje mediatike.
Shihni “Udhëzime për Kohën e të Kënduarit dhe Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit” tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren për më shumë informacion.
Mbledhja e Përgatitjes për Tempullin dhe për Priftërinë. Prindërit kanë përgjegjësinë parësore për t’u mësuar fëmijëve të tyre rreth tempullit dhe priftërisë. Për t’i përkrahur ata, presidenca e Fillores planifikon çdo vit një mbledhje të Përgatitjes për Tempullin dhe për Priftërinë. Peshkopata jep udhëzim. Mbledhja është për fëmijët në klasën Guximtarët 10. Ftohen prindërit. Kjo mbledhje ka qëllimet vijuese:
-
T’i ndihmojë fëmijët që të kuptojnë qëllimet, përgjegjësitë dhe bekimet e priftërisë.
-
T’i ndihmojë fëmijët që të marrin pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare, si dhe të përgatiten për të bërë e mbajtur besëlidhje të shenjta.
-
T’i ndihmojë djemtë që të marrin Priftërinë Aarone.
-
T’i ndihmojë fëmijët që të përgatiten për të marrë një rekomandim tempulli.
Mbledhja mund të zhvillohet gjatë Fillores të dielën, në një kohë tjetër të dielën ose në një kohë të ndryshme. Ajo drejtohet nga një anëtar i peshkopatës. Në të merr pjesë të paktën një anëtare e presidencës së Fillores.
Nëse një njësi ka pak fëmijë, mbledhja mund të zhvillohet nën drejtimin e presidencës së kunjit. Disa ose të gjitha lagjet në kunj mblidhen së bashku.
Shihni Përgatitja për Tempullin dhe Priftërinë te ChurchofJesusChrist.org për më shumë informacion.
12.2.1.3
Shërbimi dhe Aktivitetet
Duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 8 vjeç, fëmijët mund të fillojnë të frekuentojnë aktivitetet e Fillores. Për orientime të përgjithshme për aktivitetet, shihni kapitullin 20.
Udhëheqësit/et e aktiviteteve të Fillores planifikojnë shërbim dhe aktivitete që ndihmojnë në përmbushjen e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit. Shërbimi dhe aktivitetet duhet të ndërtojnë dëshmitë, të forcojnë familjet dhe të sigurojnë mundësi për t’i bekuar të tjerët. Ato duhet të baraspeshohen midis katër fushave të rritjes vetjake: shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale.
Aktivitetet e Fillores zhvillohen në kohë të ndryshme nga mbrëmjet e të dielave ose të hënave. Udhëheqësit/et në moshë madhore ndihmojnë për të siguruar që aktivitetet të jenë të sigurta (shihni safety.ChurchofJesusChrist.org; shihni edhe 20.7 në këtë manual). Të paktën dy udhëheqës/e të përgjegjshëm/e në moshë madhore duhet të jenë të pranishëm/me në të gjitha aktivitetet (shihni 12.5.1).
Orientimet vijuese mund të përshtaten sipas rrethanave vendore:
-
Aktivitetet e Fillores mbahen dy herë në muaj kur është e mundur. Ato mund të mbahen më shpesh ose më rrallë. Udhëheqësit/et marrin parasysh rrethanat familjare, largësinë dhe kostot e udhëtimit, si edhe sigurinë.
-
Në përgjithësi, fëmijët organizohen sipas grupmoshave. Djemtë dhe vajzat normalisht mblidhen veçmas. Sidoqoftë, ata mund të mblidhen së bashku për aktivitete të caktuara ose në vendndodhje me pak fëmijë.
-
Udhëheqësit/et mund të zgjedhin të planifikojnë e mbajnë kampe ditore çdo vit për fëmijët e Fillores të moshës 8–11 vjeç. Kampe të tilla nuk janë të detyrueshme. Aktivitetet e Fillores, përfshirë kampet ditore, nuk përmbajnë qëndrime me fjetje.
Të gjitha furnizimet dhe aktivitetet, përfshirë kampet ditore jo të detyrueshme, paguhen nga buxheti i lagjes. Udhëtimi dhe shpenzimet nuk duhet të jenë të tepruara.
Peshkopata siguron që buxheti dhe aktivitetet për djemtë dhe vajzat në Fillore të jenë të mjaftueshme dhe të ndara në mënyrë të paanshme. Buxheti ndahet sipas numrit të fëmijëve.
Për më shumë informacion, shihni ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org. Shihni edhe faqen JustServe.org, atje ku është në dispozicion. Këto burime sigurojnë ide për shërbim dhe aktivitete.
12.2.1.4
Zhvillimi Vetjak
Gjatë përpjekjeve të tyre për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari, fëmijët – duke filluar në vitin kur mbushin 8 vjeç – ftohen të vendosin synime që të rriten nga ana shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale (shihni te Lluka 2:52). Me ndihmë nga prindërit, fëmijët kërkojnë frymëzim për të zbuluar se me çfarë të punojnë. Ata bëjnë plane, veprojnë sipas planeve të tyre dhe reflektojnë për atë që mësojnë. Udhëheqëset ofrojnë përkrahje sipas nevojës. Sidoqoftë, ato nuk duhet t’i kontrollojnë synimet ose përparimin e fëmijëve.
Duke filluar nga viti kur mbushin 8 vjeç, fëmijët nxiten që të plotësojnë çdo vit të paktën një synim në secilën prej të katër fushave. Ata mund të përdorin broshurën Zhvillimi Vetjak: Libër Udhëzues për Fëmijët që të vendosin dhe të mbajnë shënim synimet.
Për më shumë informacion, shihni ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org.
12.2.2
Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë
Fëmijët duhet të kenë mundësi të vazhdueshme për t’u shërbyer të tjerëve në familjet e tyre, si dhe të shërbejnë me familjet e tyre dhe gjatë aktiviteteve të Fillores. Idetë për shërbim mund të gjenden te ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org. Atje ku është në dispozicion, faqja JustServe.org sugjeron mundësi për shërbim në komunitet.
12.2.3
Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin
Fëmijët mund t’i ftojnë në shumë mënyra të gjithë njerëzit që ta pranojnë ungjillin. Më poshtë renditen disa nga këto mënyra:
-
Të japin një shembull të mirë si dishepuj të Jezu Krishtit.
-
T’ua japin dëshmitë e tyre shokëve, shoqeve dhe pjesëtarëve të familjes.
-
T’u japin shërbesë anëtarëve më pak aktivë në klasat e tyre.
-
Të ftojnë shokë e shoqe që të frekuentojnë kishën, aktivitetet ose pagëzimet, apo që të marrin mësime nga misionarët.
-
Të ftojnë shokë e shoqe që të marrin pjesë në programin Fëmijët dhe Rinia. Udhëheqëset punojnë ngushtësisht me prindërit e këtyre fëmijëve për t’i ndihmuar ata që ta kuptojnë programin dhe të përcaktojnë se si ata dhe fëmijët e tyre do të duan të përfshihen.
-
Të ftojnë shokë, shoqe dhe pjesëtarë të familjes për të qenë të pranishëm në programin vjetor të fëmijëve në mbledhjen e sakramentit.
12.2.4
Bashkimi i Familjeve për Përjetësinë
Fëmijët mund të ndihmojnë për t’i bashkuar familjet për përjetësinë në shumë mënyra. Më poshtë renditen disa nga këto mënyra:
-
Të nderojnë prindërit e tyre dhe të japin një shembull të të jetuarit si Krishti në shtëpinë e tyre.
-
Të përgatiten që të kenë vetë familjen e tyre të përjetshme.
-
Të përpiqen fort që të jenë të denjë për të marrë një rekomandim tempulli në moshën e duhur.
-
Të përgatiten që të marrin ordinanca, përfshirë martesën e përjetshme.
-
Të mësojnë për rrethin e tyre të gjerë familjar dhe për paraardhësit e tyre (shihni Familja Ime: Histori që na Bashkojnë).
-
Të përcaktojnë paraardhësit që kanë nevojë për ordinanca në tempull (shihni FamilySearch.org).
-
Të përgatiten që të marrin pjesë në pagëzime dhe konfirmime për të vdekurit.
-
Të marrin pjesë në indeksim me një pjesëtar të familjes (shihni FamilySearch.org/indexing).
12.3
Udhëheqja e Fillores në Lagje
12.3.1
Peshkopata
Përgjegjësia kryesore e peshkopit është brezi i ri, përfshirë fëmijët. Peshkopi mund të caktojë një këshilltar për ta ndihmuar në përgjegjësinë e tij për Filloren. Peshkopi ose një këshilltar i caktuar takohet rregullisht me presidenten e Fillores.
Peshkopi dhe këshilltarët e tij u përgjigjen menjëherë rekomandimeve nga presidenca e Fillores për ata që do të thirren për të shërbyer në Fillore. Peshkopata punon me presidencën që të ruajnë vazhdimësi të mësuesve/eve dhe udhëheqësve/eve të muzikës. Kur është e mundur, anëtarët në këto thirrje duhet të shërbejnë aq kohë sa të krijojnë marrëdhënie dashurie dhe mirëbesimi me fëmijët. Marrëdhënie të tilla ndihmojnë për t’i ushqyer dëshmitë në zemrat e fëmijëve.
Peshkopi dhe këshilltarët e tij e frekuentojnë rregullisht Filloren. Ata gjithashtu mësojnë emrat dhe kuptojnë rrethanat e shtëpisë të secilit fëmijë të lagjes.
12.3.2
Presidenca e Fillores
Peshkopi thërret dhe veçon një grua në moshë madhore që të shërbejë si presidente e Fillores së lagjes. Nëse njësia është mjaft e madhe, ajo rekomandon një ose dy gra në moshë madhore që të thirren si këshilltaret e saj (shihni kapitullin 30). Peshkopata i merr në shqyrtim rekomandimet e saj dhe jep thirrjet.
Presidenca e Fillores merr orientime dhe përkrahje të vazhdueshme nga presidenca e Fillores së kunjit.
Në një njësi të vogël, presidentja e Fillores mund të jetë udhëheqësja e vetme, e thirrur në Fillore. Në këtë rast, ajo punon me prindërit që të organizojë mësimet, kohën e të kënduarit dhe aktivitetet. Ajo gjithashtu siguron që të paktën dy gra të përgjegjshme në moshë madhore të jenë të pranishme në të gjitha mbledhjet dhe aktivitetet. Nëse njësia është mjaft e madhe, thirrjet shtesë mund të plotësohen sipas këtij rendi: këshilltaret, udhëheqësi/ja i/e muzikës, mësuesit/et dhe udhëheqësit/et e çerdhes, sekretarja dhe udhëheqësit/et e aktiviteteve.
Nëse një degë nuk ka presidente të Fillores, presidentja e Shoqatës së Ndihmës mund t’i ndihmojë prindërit të organizojnë mësimdhënien për fëmijët derisa të thirret një presidente e Fillores.
Presidenca e Fillores i ndihmon prindërit për t’i përgatitur fëmijët që të hyjnë dhe të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Kjo është njëra nga përgjegjësitë e tyre më të rëndësishme.
Për ta përmbushur këtë, presidentja e Fillores mund të caktojë një anëtare të presidencës që t’i ndihmojë prindërit për t’i përgatitur fëmijët e tyre që të pagëzohen dhe konfirmohen. Presidentja e Fillores mund të caktojë një anëtare tjetër të presidencës për t’i ndihmuar prindërit lidhur me përgatitjen për tempull dhe priftërinë për fëmijët e tyre.
Këto anëtare të presidencës i vënë prindërit në dijeni për burimet në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] që mund t’i ndihmojnë. (Shihni “Preparing for Baptism” [“Përgatitja për Pagëzim”] dhe “Temple and Priesthood Preparation” [“Përgatitja për Tempullin dhe Priftërinë”].) Anëtaret e presidencës mund të punojnë me vëllezërit dhe motrat shërbestare, mësuesit dhe të tjerë për të përkrahur prindërit.
Presidentja e Fillores ka përgjegjësitë e mëtejshme vijuese. Këshilltaret e saj e ndihmojnë atë.
-
Të shërbejë në këshillin e lagjes. Ajo shërben si 1) anëtare e këshillit të lagjes që ndihmon për të trajtuar nevojat në lagje dhe për të gjetur zgjidhje, dhe si 2) përfaqësuese e Fillores. Ajo e ndihmon këshillin e lagjes të dijë emrin dhe rrethanat në shtëpinë e secilit fëmijë, me qëllim që të përmirësojë shërbesën ndaj fëmijëve dhe familjeve. Shihni 29.2.5.
-
Të zhvillojë rregullisht mbledhjet e presidencës së Fillores dhe të takohet me peshkopin ose këshilltarin e caktuar prej tij.
-
T’i dorëzojë peshkopatës rekomandime për burra e gra në moshë madhore që të shërbejnë në Fillore.
-
Ta ndihmojë këshillin e lagjes që të njohë fëmijët të cilët do të kenë të drejtën për t’u pagëzuar vitin e ardhshëm (shihni 18.7.1.1).
-
Të ndihmojë për të planifikuar shërbesa të pagëzimeve për fëmijët prej dokumentit kur i kërkohet kjo gjë (shihni 18.7.2).
-
Të planifikojë dhe drejtojë hapjen e mbledhjeve të Fillores të dielave.
-
T’u japë shërbesë fëmijëve, mësuesve/eve dhe udhëheqësve/eve individuale në Fillore.
-
T’u japë mësim udhëheqësve/eve dhe mësuesve/eve të Fillores lidhur me përgjegjësitë e tyre dhe t’i përkrahë ata në përgjegjësitë e tyre duke i orientuar në thirrjet e tyre (shihni Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 38).
-
T’i ndihmojë udhëheqësit/et dhe mësuesit/et e Fillores gjatë orës mësimore, kohës së të kënduarit dhe kalimeve nga një klasë në tjetrën.
-
Të vizitojë klasat e Fillores dhe organizojë që mësuesit/et të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit të mësuesve.
-
Të ndihmojë që programi Fëmijët dhe Rinia t’u paraqitet fëmijëve që mbushin moshën 8 vjeç dhe prindërve të tyre. Kjo mund të ndodhë në shtëpitë e tyre ose në orët mësimore të Fillores (shihni 12.5.7).
-
Të mbikëqyrë dokumentet, raportet, buxhetin dhe financat e Fillores.
12.3.3
Sekretarja
Nëse njësia është mjaft e madhe, presidentja e Fillores i rekomandon peshkopatës një grua në moshë madhore që të shërbejë si sekretare. Ajo ka përgjegjësitë vijuese:
-
Të ndihmojë presidencën e Fillores për të përgatitur rendin e ditës për mbledhjet e presidencës. Ajo merr pjesë në këto mbledhje, mban shënime dhe ndjek ecurinë e detyrave.
-
Të punojë ngushtësisht me mësuesit/et dhe udhëheqësit/et që të mbajnë regjistra të sakta të frekuentimit.
-
Të sigurohet që presidenca e Fillores është e vetëdijshme për:
-
Fëmijët e rinj dhe vizitorët.
-
Fëmijët që mbushin moshën për në çerdhe dhe fëmijët që kalojnë nga çerdhja në klasën e Rrezeve të Diellit.
-
Fëmijët që kanë të drejtën për pagëzim.
-
Vajzat që do të përparojnë tek Të Rejat dhe djemtë që do të shugurohen dhjakë.
-
-
Të caktojë fëmijët që do të japin lutjet, shkrimet e shenjta dhe bisedat gjatë hapjes së mbledhjeve të Fillores të dielave (nën drejtimin e presidencës). Ajo gjithashtu njofton prindërit.
-
Të ndihmojë presidencën e Fillores për të përgatitur një buxhet, një llogari për shpenzimet dhe për të gjetur materialet për programin Fëmijët dhe Rinia.
12.3.4
Udhëheqësi/ja i/e Muzikës dhe Pianisti/ja
Udhëheqësi/ja i/e muzikës dhe pianisti/ja ua mësojnë fëmijëve ungjillin e Jezu Krishtit nëpërmjet muzikës gjatë kohës së të kënduarit. Muzika e përforcon studimin e përjavshëm të programit Eja, Më Ndiq. Mund të përdoren burimet vijuese:
-
Udhëzime për Kohën e të Kënduarit dhe Programin e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit
-
Primary Music Collections [Koleksionet Muzikore të Fillores] te ChurchofJesusChrist.org
-
“Primary Singing Time—Music Can Teach Doctrine” [“Koha e të Kënduarit në Fillore – Muzika Mund të ta Mësojë Doktrinën”] (MediaLibrary.ChurchofJesusChrist.org)
Peshkopata duhet të miratojë përdorimin e ndonjë muzike tjetër në Fillore.
Nëse një pianist/e ose piano nuk është në dispozicion, udhëheqësit mund të përdorin regjistrime të këngëve nga burimet vijuese:
-
programi Sacred Music [Muzika e Shenjtë]
-
programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
CD [disqe muzike] te store.ChurchofJesusChrist.org
Fëmijët gjithashtu mund të këndojnë pa shoqërim instrumenti.
Udhëheqësi/ja i/e muzikës mund të ndihmojë me muzikën për çerdhen kur e ftojnë. Një udhëheqës/e tjetër për muzikën mund të thirret nëse nevojitet.
Udhëheqësi/ja i/e muzikës punon me presidencën e Fillores për t’i ndihmuar fëmijët të përgatiten për programin vjetor të fëmijëve në mbledhjen e sakramentit (shihni 12.2.1.2).
Shihni Koha e të Kënduarit te ChurchofJesusChrist.org për më shumë ide dhe burime.
12.3.5
Mësuesit/et dhe Udhëheqësit/et e Çerdhes
Presidenca e Fillores i rekomandon peshkopatës burra e gra që të shërbejnë si mësues/e të Fillores dhe si udhëheqës/e të çerdhes. Peshkopata i merr në shqyrtim këto rekomandime dhe jep thirrjet. Këta anëtarë thirren për t’u dhënë mësim dhe shërbesë grupmoshave të caktuara të fëmijëve.
Mësuesit/et e Fillores dhe udhëheqësit/et e çerdhes japin mësim nga manualet Eja, Më Ndiq – Për Filloren (moshat 3–11 vjeç) dhe Behold Your Little Ones [Vini Re Të Vegjlit Tuaj] (çerdhja). Ata ndjekin parimet te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit dhe kapitulli 17 i këtij manuali.
Kur personat në moshë madhore u japin mësim fëmijëve në mjediset e Kishës, duhet të jenë të pranishëm të paktën dy persona të përgjegjshëm në moshë madhore. Të dy personat në moshë madhore mund të jenë dy gra, dy burra ose një çift i martuar. Nëse kjo nuk është e mundur, udhëheqëset/it i ndërthurin klasat. Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et duhet të kryejnë trajnimin te ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org. (Shihni 12.5.1.)
Të rinjtë ose të rejat nuk duhet të japin mësim në Fillore, përfshirë edhe si zëvendësues/e.
Mësuesit/et e Fillores dhe udhëheqësit/et e çerdheve qëndrojnë me fëmijët gjatë gjithë kohës në Fillore, përfshirë kohën e të kënduarit dhe kalimin nëpër klasa. Gjatë kohës së të kënduarit, mësuesit/et marrin pjesë me klasat e tyre. Mësuesit/et duhet të qëndrojnë me fëmijët e vegjël pas Fillores derisa një pjesëtar i familjes të vijë për ta.
Mësuesit/et dhe udhëheqësit/et e çerdhes marrin pjesë në mbledhjet tremujore të këshillit të mësuesve (shihni 13.4).
12.3.6
Udhëheqësit/et e Aktiviteteve
Udhëheqësit/et e aktiviteteve të Fillores u japin shërbesë fëmijëve ndërkohë që planifikojnë shërbim dhe aktivitete duke filluar nga janari i vitit kur fëmijët mbushin 8 vjeç (shihni 12.2.1.3). Shërbimi dhe aktivitetet përqendrohen te vepra e shpëtimit dhe e ekzaltimit. Ato janë zbavitëse dhe tërheqëse. Ato ndërtojnë dëshmitë, forcojnë familjet dhe nxitin rritjen vetjake.
Udhëheqësit/et e aktiviteteve të Fillores mund të jenë mësuesit/et e fëmijëve të Fillores. Gjithashtu mund të jenë edhe anëtarë të tjerë që i rekomandon presidenca e Fillores dhe që peshkopata i thërret. Të paktën dy udhëheqës/e marrin pjesë në secilin aktivitet. Udhëheqësit/et mund të jenë dy gra, dy burra ose një çift i martuar. Udhëheqësit/et duhet të kryejnë trajnimin te faqja ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org. (Shihni 12.5.1.)
12.4
Udhëheqëset e Fillores në Kunj
Presidenca e kunjit thërret një grua në moshë madhore për të shërbyer si presidente e Fillores në kunj. Nëse një kunj është mjaft i madh, ajo rekomandon një ose dy gra në moshë madhore që të shërbejnë si këshilltare dhe një tjetër që të shërbejë si sekretare. Këto gra thirren dhe veçohen nga një anëtar i presidencës së kunjit ose nga një këshilltar i lartë i caktuar. Për informacion rreth përgjegjësive të presidencës dhe sekretares së Fillores në kunj, shihni 6.7.1 dhe 6.7.3.
Një këshilltar në presidencën e kunjit ka përgjegjësinë për Filloren në kunj. Ai gjithashtu ka përgjegjësinë për punën e presidencës së Fillores në kunj. Ai gjithashtu i udhëzon peshkopët për përgjegjësitë e tyre lidhur me Filloren.
Presidenca e kunjit cakton një këshilltar të lartë për të punuar me presidencën e Fillores në kunj (shihni 6.5). Ai shërben në komitetin e kunjit të udhëheqjes së rinisë (shihni 29.3.10).
12.5
Orientime dhe Rregullore Shtesë
12.5.1
Mbrojtja e Fëmijëve
Kur personat në moshë madhore po ndërveprojnë me fëmijët në mjediset e Kishës, duhet të jenë të pranishëm të paktën dy persona të përgjegjshëm në moshë madhore. Mund të jetë e nevojshme të ndërthuren klasat që kjo të bëhet e mundur.
Të gjithë personat në moshë madhore që punojnë me fëmijët, duhet ta kryejnë trajnimin për mbrojtjen e fëmijëve dhe rinisë brenda një muaji nga dita e mbështetjes (ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org). Ata e përsëritin trajnimin çdo tre vjet pas kësaj.
12.5.2
Fëmijët që Kanë Nevoja të Veçanta
Kur një fëmijë ka një sëmundje për një kohë të gjatë, aftësi të kufizuara ose nevoja të tjera të veçanta, udhëheqëset e Fillores flasin me prindërit dhe peshkopatën. Së bashku ata bëjnë një plan për ta përkrahur familjen dhe për ta ndihmuar fëmijën që të marrë pjesë në Fillore.
Fëmijët me aftësi të kufizuara zakonisht ndjekin klasat e tyre të rregullta të Fillores. Nëse është e nevojshme, mund të thirren mësues/e shtesë për të dhënë ndihmë.
Fëmijët me aftësi të kufizuara ose nevoja të tjera të veçanta zakonisht e përfundojnë Filloren në fillim të janarit në vitin kur mbushin 12 vjeç. Disa fëmijë mund të mos e përfundojnë Filloren sipas këtij programi të planifikuar. Peshkopi dhe prindërit punojnë së bashku që të vendosin se cila është gjëja më e mirë për secilin fëmijë.
Për më shumë informacion, shihni disability.ChurchofJesusChrist.org; shihni edhe 38.8.26 në këtë manual.
12.5.3
Burrat që Shërbejnë në Fillore
Peshkopata dhe presidenca e Fillores duhet të kujtojnë ndikimin pozitiv të burrave të denjë që shërbejnë në Fillore. Burrat mund të shërbejnë si mësues, udhëheqës të çerdhes, udhëheqës të muzikës, pianistë dhe udhëheqës të aktiviteteve të Fillores.
12.5.4
Siguria e Përdorimit të Tualeteve
Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et duhet t’i nxitin prindërit që t’i çojnë fëmijët e tyre në tualet përpara Fillores. Gjatë Fillores, cilido fëmijë i vogël duhet të çohet në tualet nga një prind ose kujdestar ligjor. Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et nuk duhet t’i çojnë fëmijët në tualet.
12.5.5
Veprimtaritë me Interpretim me Role
Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et duhet të jenë të kujdesshëm kur luajnë me role ngjarje të shenjta në Fillore. Ati Qiellor dhe Fryma e Shenjtë nuk portretizohen. Fëmijët mund ta portretizojnë Shpëtimtarin vetëm në një skenë të lindjes së Krishtit. Për udhëzime shtesë, shihni 20.5.6.
12.5.6
Unazat ZTD
Kur fëmijët fillojnë klasën ZTD 4, presidenca e Fillores ose mësuesi/ja e tyre e Fillores mund t’i kujtojë fëmijët të “zgjedhin të drejtën” dhe t’u japë atyre një unazë ZTD të gjelbër.
12.5.7
Paraqitja e Programit Fëmijët dhe Rinia
Në fillim të çdo viti, peshkopi, njëri nga këshilltarët e tij ose anëtarët e presidencës së Fillores mund të vizitojnë shtëpinë ose klasën e Fillores të secilit fëmijë që do të mbushë 8 vjeç gjatë vitit. Ata ua paraqitin fëmijëve dhe prindërve të tyre programin Fëmijët dhe Rinia. Çdo fëmijë merr emblemat e përkatësisë dhe një kopje të broshurës Zhvillimi Vetjak: Libër Udhëzues për Fëmijët.
Për më shumë informacion, shihni ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org.