“14. Anëtarët Beqarë”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).
“14. Anëtarët Beqarë”, Manuali i Përgjithshëm.
14.
Anëtarët Beqarë
14.0
Parathënia
Shpëtimtari i fton të gjithë njerëzit të vijnë tek Ai dhe t’i përkasin Kishës së Tij (shih te 2 Nefi 26:24). Burrat dhe gratë që nuk janë martuar ende ose të cilët janë shkurorëzuar apo kanë mbetur të ve, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të anëtarësisë së Kishës. Është e rëndësishme për të gjithë që të gjejnë shpresë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih te Ethëri 12:4). Të vërtetat e përjetshme vijuese mund të ndihmojnë për ta zhvilluar një shpresë të tillë:
-
Shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme pohojnë se çdo njeri që është besnik në mbajtjen e besëlidhjeve të ungjillit, do të ketë mundësinë për ekzaltim.
-
Koha dhe mënyra e saktë në të cilën jepen bekimet e ekzaltimit nuk janë zbuluar të gjitha. Por ato gjithsesi janë të sigurta (shih te Mosia 2:41).
-
Pritja për Të nënkupton bindje dhe përparim të vazhdueshëm shpirtëror drejt Tij (shih tek Isaia 64:4).
-
Perëndia u ofron jetë të përjetshme të gjithë fëmijëve të Tij. Të gjithë ata që kualifikohen për dhuratën e hirshme të faljes dhe i jetojnë urdhërimet, do të marrin jetë të përjetshme. (Shih te Mosia 26:30; Moroni 6:8.)
-
Vetëbesimi ynë te këto gjëra të sigurta i ka rrënjët te besimi në Jezu Krisht. Me anë të hirit të Tij, të gjitha gjërat që i përkasin vdekshmërisë, do të vihen në vendin e duhur (shih tek Alma 7:11–13).
Zoti ka nevojë për të gjithë anëtarët që të ndihmojnë në veprën e shpëtimit në lagjet dhe kunjet e tyre (shih te 1 Korintasve 12:12–27). Siç drejtohet nga Shpirti, anëtarët beqarë thirren në pozicione udhëheqëse dhe mësimdhënëse. Thirrjet e udhëheqjes mund të përfshijë shërbimin në pozicionet vijuese:
-
Presidencat e organizatave të lagjeve dhe të kunjeve
-
Presidencat e kuorumeve të pleqve
-
Këshilltarë në peshkopatë
-
Këshilltarë të lartë
-
Këshilltarë të presidencës së kunjit
Në këtë kapitull:
-
Termi “Anëtarët beqarë” u referohet të gjithë anëtarëve në moshë madhore të Kishës që nuk janë aktualisht të martuar.
-
Termi “Të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë” u referohet atyre që janë në moshën 18–30 vjeç.
-
Termi “Personat në moshë madhore beqarë” u referohet atyre që janë në moshën 31 vjeç e lart.
14.1
Anëtarët Beqarë në Njësitë Gjeografike
Shumica e anëtarëve beqarë frekuentojnë një njësi gjeografike me anëtarë të të gjitha moshave. Ata kanë mundësi të shërbejnë, të japin mësim, të udhëheqin dhe të shoqërohen me njerëz në shumë rrethana.
14.1.1
Udhëheqja e Kunjit
14.1.1.1
Presidenca e Kunjit
Përfshirja e presidencës së kunjit është veçanërisht e rëndësishme për angazhimin e anëtarëve beqarë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.
Presidenti i kunjit mund të caktojë një nga këshilltarët e tij dhe një këshilltar të lartë që të shërbejnë me personat në moshë madhore beqarë në kunj. Ai mundet edhe të caktojë njërin nga këshilltarët e tij dhe një këshilltar të lartë për të shërbyer me të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë. Po i njëjti këshilltar dhe këshilltar i lartë mund të caktohen në të dyja grupet.
Presidenca e kunjit u kushton vëmendje të veçantë të rinjve e të rejave në moshë madhore beqarë, sikurse bën për të gjithë anëtarët e brezit të ri.
Presidenca e kunjit përcakton nëse aktivitetet për të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë duhet të ndodhin në nivel lagjeje, në nivel kunji apo në një ndërthurje të të dyjave. Aktivitetet për personat në moshë madhore beqarë mund të ndodhin në nivel kunji ose shumëkunjësh. (Shih te kapitulli 20.)
Kur numri i anëtarëve në moshë madhore beqarë në një vendndodhje është i mjaftueshëm, presidentët e kunjeve mund të rekomandojnë organizimin e një lagjeje për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë ose për personat në moshë madhore beqarë (shih 14.3).
Një kunj (ose një grup kunjesh fqinje) mund të mos kenë mjaft anëtarë beqarë për të krijuar një lagje për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë ose për personat në moshë madhore beqarë. Në këtë situatë, Presidenca e Zonës mund të autorizojë një president kunji që t’i ftojë të gjithë këta anëtarë që të jenë anëtarë të një lagjeje të caktuar gjeografike. Kjo u lejon personave në moshë madhore beqarë ose të rinjve e të rejave në moshë madhore beqarë që të shërbejnë dhe të adhurojnë së bashku. Presidenca e Zonës këshillohet me anëtarin e Presidencës së Të Shtatëdhjetëve dhe të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve të caktuar për ta.
14.1.1.2
Komitetet e Kunjit për Personat në Moshë Madhore Beqarë dhe të Rinjtë dhe të Rejat në Moshë Madhore Beqarë
Anëtarët beqarë u shërbejnë fëmijëve të Perëndisë duke u angazhuar në veprën e shpëtimit dhe ekzaltimit (shih 1.2 dhe 14.2). Për t’i ndihmuar ta bëjnë këtë, presidenca e kunjit mund të krijojë një komitet për personat në moshë madhore beqarë (mosha 31 vjeç e lart). Ata mund të krijojnë një komitet për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë (moshat 18–30 vjeç). Këto komitete raportojnë rregullisht në mbledhjet e këshillit të kunjit. Anëtarët e këtyre komiteteve mund të ftohen të jenë të pranishëm në mbledhjet e këshillit të kunjit sipas nevojës.
Një këshilltar në presidencën e kunjit e udhëheq secilin komitet. Komitetet përbëhen nga disa persona në moshë madhore beqarë nga secila lagje. Komiteti gjithashtu përfshin një këshilltar të lartë dhe një anëtare të presidencës së Shoqatës së Ndihmës të kunjit.
Komitetet synojnë t’i përkrahin anëtarët nëpërmjet miqësisë dhe mundësive për të marrë pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shih 14.2). Ato planifikojnë mundësi për të mësuarit e ungjillit, për shërbim dhe aktivitete. Komitetet mblidhen sipas nevojës.
Komitetet e të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë bashkërendojnë me programet e institutit të komplekseve universitare, atje ku është e mundur.
Normalisht komiteti i personave në moshë madhore beqarë dhe komiteti i të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë funksionojnë të ndarë nga njëri-tjetri.
14.1.2
Udhëheqja e Lagjes
14.1.2.1
Peshkopata
Peshkopata është kyç për angazhimin e anëtarëve beqarë në veprën e shpëtimit dhe ekzaltimit. Ajo punon me këshillin e lagjes për të përcaktuar thirrje dhe detyra kuptimplota për anëtarët beqarë. Ajo i dallon dhe përpiqet të ndihmojnë që të përmbushen nevojat e prindërve beqarë.
Përgjithësisht, peshkopata i përkrah anëtarët beqarë sikurse i përkrah të gjithë anëtarët e kuorumit të pleqve dhe anëtaret e Shoqatës së Ndihmës. Sidoqoftë, për shkak të përgjegjësisë së saj parësore ndaj brezit të ri, peshkopata gjithashtu bën sa vijon:
-
Një anëtar i peshkopatës takohet me çdo të ri e të re në moshë madhore beqar/e të paktën një herë në vit.
-
Peshkopata merr përditësime të rregullta për mirëqenien e të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë. Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës diskutojnë për nevojat e të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë në mbledhjen e këshillit të lagjes. Udhëheqësit e komitetit të të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë mund të ftohen të jenë të pranishëm.
-
Peshkopata mund të organizojë një komitet të lagjes për të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë (shih 14.1.2.4). (Komitetet e personave në moshë madhore për ata që janë në moshën 31 vjeç e lart organizohen në nivel kunji.)
14.1.2.2
Anëtarët e Presidencës së Kuorumit të Pleqve dhe të Presidencës së Shoqatës së Ndihmës të Caktuar për Të Rinjtë në Moshë Madhore Beqarë
Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës mund të caktojnë veçan një anëtar/e nga presidenca e tyre për të shërbyer me të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë. Këta anëtarë të presidencave mësojnë për anët e forta të të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë dhe ndihmojnë të plotësohen nevojat e tyre.
Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës mund të raportojnë për këto përpjekje në mbledhjen e këshillit të lagjes. Udhëheqësit e komitetit të të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë mund të ftohen të jenë të pranishëm.
Këta anëtarë të presidencave janë pjesë e komitetit të lagjes për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë nëse organizohet një i tillë.
14.1.2.3
Udhëheqësit e Të Rinjve në Moshë Madhore Beqarë
Në një lagje me shumë persona në moshë madhore beqarë, peshkopata mund të thërrasë një të ri dhe një të re në moshë madhore beqar/e si udhëheqës për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë. Këto përgjegjësi përfshijnë:
-
Dhënien e ndihmës që të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë të marrin pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shih 14.2).
-
Udhëheqjen e komitetit të lagjes për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë nëse është krijuar një i tillë.
-
Mbledhjen rregullisht me presidencën e kuorumit të pleqve dhe presidencën e Shoqatës së Ndihmës. Në këto mbledhje, ata diskutojnë anët e forta të të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë dhe mënyrën se si të ndihmojnë që të plotësohen nevojat e tyre. Ata gjithashtu përqendrohen te dhënia e shërbesës ndaj të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë.
-
Shërbimin në komitetin e kunjit për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë kur caktohen.
-
Praninë në mbledhjet e këshillit të lagjes kur i ftojnë.
14.1.2.4
Komiteti i Lagjes për të Rinjtë në Moshë Madhore Beqarë
Disa lagje mund të kenë shumë të rinj dhe të reja në moshë madhore beqarë. Në këto lagje peshkopi mund të ndiejë që udhëheqësve të të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë mund t’iu vijë në ndihmë një komitet i lagjes për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë. (Komitetet e personave në moshë madhore beqarë organizohen në nivel kunji. Shih 14.1.1.2.)
Anëtarët e komitetit përfshijnë:
-
Udhëheqësit e lagjes për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë.
-
Të rinj dhe të reja në moshë madhore beqarë të tjerë të ftuar nga peshkopata.
-
Anëtarët e presidencës së kuorumit të pleqve dhe anëtaret e presidencës së Shoqatës së Ndihmës të cilëve u janë caktuar të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë.
14.2
Pjesëmarrja në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit
Perëndia i fton të gjithë njerëzit të vijnë te Krishti dhe të marrin pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit nëpërmjet:
-
Të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit.
-
Përkujdesjes për njerëzit nevojtarë.
-
Ftesës ndaj të gjithë njerëzve që ta marrin ungjillin.
-
Bashkimit të familjeve për përjetësinë.
Anëtarët beqarë angazhohen në këtë vepër në shtëpi dhe në kishë. Ata marrin pjesë në kuorumet e pleqve dhe në Shoqatën e Ndihmës. Ata shërbejnë në thirrje dhe detyra, përfshirë dhënien e shërbesës. Lagjet dhe kunjet mund të planifikojnë veprimtari fakultative që janë posaçërisht për anëtarët beqarë që zgjedhin të marrin pjesë (shih 14.2.1.3).
14.2.1
Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit
14.2.1.1
Mbrëmja e Shtëpisë dhe Studimi i Ungjillit
Udhëheqësit ose anëtarët që dëshirojnë të marrin pjesë, mund të organizojnë një ose më shumë grupe të mbrëmjeve të shtëpisë për personat beqarë dhe grupe të tjera për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë. Përgjithësisht, ata që marrin pjesë, nuk kanë fëmijë në shtëpi. Në kunjet me pak anëtarë beqarë, grupet e mbrëmjeve të shtëpisë mund t’i kalojnë kufijtë e lagjes.
Përveç kësaj, anëtarët beqarë mund të zgjedhin të mblidhen nëpërmjet internetit ose me prani fizike për studimin e ungjillit në shtëpi. Një burim mund të jetë manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.
Të gjithë të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë nxiten të regjistrohen në institut (shih 15.2).
14.2.1.2
Klasat e Shkollës të së Dielës
Nën drejtimin e peshkopit, presidenti i Shkollës të së Dielës për lagjen mund të organizojë një orë mësimore të Shkollës të së Dielës për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë (shih 13.3.2).
14.2.1.3
Aktivitetet
Nën drejtimin e udhëheqësve të lagjes ose kunjit, të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë mund të planifikojnë dhe marrin pjesë në aktivitete posaçërisht për ta. Këto aktivitete mund të ndodhin në nivel lagjeje ose kunji. Shembujt mund të përfshijnë:
-
Vizitat në tempull.
-
Punën për historinë familjare.
-
Përhapjen e ungjillit.
-
Shërbimin në komunitet.
-
Ngjarjet muzikore dhe kulturore.
-
Sportet.
Nën drejtimin e udhëheqësve të kunjit, persona në moshë madhore beqarë mund të planifikojnë aktivitete të ngjashme në nivel kunji.
Të Shtatëdhjetët Zonalë mund të punojnë me presidentët e kunjeve për të krijuar komitete që të planifikojnë aktivitete shumëkunjëshe për anëtarët beqarë.
Fondet për aktivitetet vijnë nga buxhetet e kunjit ose lagjes. Kur zhvillohen aktivitete shumëkunjëshe ose zonale, udhëheqësi siguron një shpërndarje të drejtë të fondeve mes kunjeve.
Gjetja e fondeve për aktivitetet duhet të jetë në përputhje me rregulloret te 20.2.6. Si përjashtim, anëtarët mund të paguajnë disa kosto kur zhvillohen ngjarje shumëkunjëshe ose zonale. Udhëheqësit sigurohen që të gjithë të mund të marrin pjesë.
Për orientime të tjera rreth aktiviteteve, shihni 20.2 dhe 20.3.
14.2.2
Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë
14.2.2.1
Shërbimi
Si të gjithë dishepujt e Jezu Krishtit, anëtarët beqarë kanë mundësi të rregullta për t’u shërbyer të tjerëve individualisht dhe si grupe. Shërbimi në komunitet është një nga mënyrat parësore në të cilat forcohen shpirtërisht të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë.
Aktivitetet e shërbimit mund të përqendrohen te:
-
Mirëqenia dhe mbështetja te vetja.
-
Historia familjare.
-
Ndihmesa në komunitet.
-
Përhapja e ungjillit.
-
Forcimi i anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet në kishë.
-
Nevojat për bamirësi në rang vendi ose gjithkund tjetër.
Atje ku është në dispozicion, JustServe.org sugjeron mundësi shërbimi për individë si edhe për grupe.
14.2.2.2
Dhënia e Shërbesës
Secilit vëlla beqar i caktohen vëllezër shërbestarë. Secilës motër beqare i caktohen motra shërbestare dhe vëllezër shërbestarë. Caktimet bëhen për individët, jo për grupet ose apartamentet. (Shih te kapitulli 21.)
14.2.3
Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Marrin Ungjillin
Anëtarët beqarë kanë mundësi për t’i ftuar të gjithë njerëzit që të marrin bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Ata e bëjnë këtë gjë duke përhapur ungjillin, duke i forcuar anëtarët e rinj dhe të kthyer në aktivitet dhe duke u zgjatur dorën e ndihmës atyre që nuk po marrin pjesë. (Shih te kapitulli 23.)
Disa të rinj e të reja në moshë madhore beqarë shpërngulen vazhdimisht. Të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë mund të organizojnë periodikisht aktivitete për të gjetur dhe mirëpritur në kunj të rinj e të reja të tjerë në moshë madhore beqarë. Këto aktivitete mund të bëhen edhe me kunjet fqinje.
Të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë mund të jenë veçanërisht të dobishëm në mësimdhënie dhe përkrahjen e misionarëve kohëplotë.
14.2.4
Bashkimi i Familjeve për Përjetësinë
Si individë dhe si grupe, anëtarët beqarë mund të ndihmojnë që familjet të bashkohen për përjetësinë. Për shembull, ata mund:
-
Të përgatiten për të bërë besëlidhje me Perëndinë duke kryer ordinanca, përfshirë dhurimin në tempull (shih 27.2.2).
-
Të shërbejnë si punonjës ordinancash ose vullnetarë në tempull (shih 25.5).
-
Të marrin pjesë në ordinancat për të vdekurit.
-
Të mësojnë për rrethin familjar dhe paraardhësit e tyre (shih broshurën Familja Ime: Histori që na Bashkojnë).
-
Të përcaktojnë paraardhësit që kanë nevojë për ordinanca në tempull (shih FamilySearch.org).
-
Të shërbejnë si këshillues për tempullin dhe historinë familjare (shih 25.2.4).
-
Të marrin pjesë në indeksim (shih FamilySearch.org/indexing).
14.3
Lagjet dhe Kunjet e Të Rinjve dhe Të Rejave në Moshë Madhore Beqarë dhe Lagjet e Personave në Moshë Madhore Beqarë
Shumica e anëtarëve beqarë i frekuentojnë lagjet sipas vendndodhjes gjeografike. Si përjashtim, atje ku shumë anëtarë beqarë jetojnë në largësi të afërta, udhëheqësit e priftërisë mund të rekomandojnë krijimin e njësive vijuese. Këto njësi duhet të përmbushin kriteret te kapitulli 37.
-
Një lagje për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë për ata që janë në moshën 18–30 vjeç (shih 37.2)
-
Një kunj për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë për ata që janë në moshën 18–30 vjeç (shih 37.3)
-
Një lagje për personat në moshë madhore beqarë për ata që janë në moshën 31–45 vjeç (shih 37.5)
Këto njësi përdorin programin e rregullt të Kishës sa më shumë që të jetë e mundur. Ato ndjekin udhëzimet në këtë manual.
Anëtarët që e kanë këtë të drejtë, mund të zgjedhin të jenë anëtarë të lagjeve për të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë ose për personat në moshë madhore, atje ku janë në dispozicion. Ose mund të zgjedhin të jenë anëtarë të lagjes së tyre gjeografike.
Anëtarësia në një lagje për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë ose një lagje për persona në moshë madhore beqarë është e përkohshme:
-
Kur martohet një anëtar/e beqar, ai ose ajo bëhet anëtar/e i një lagjeje gjeografike.
-
Kur një anëtar i një lagjeje për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë arrin moshën 31 vjeç, ai ose ajo bëhet anëtar/e i një lagjeje për persona në moshë madhore beqarë (nëse ekziston një e tillë atje ku ai ose ajo jeton) ose i një lagjeje gjeografike.
-
Kur një anëtar i një lagjeje për personat në moshë madhore arrin moshën 46 vjeç, ai ose ajo bëhet anëtar/e i një lagjeje gjeografike.
Kur bëjnë kalimin nga një lagje te një tjetër, anëtari/ja dhe udhëheqësit e tij ose të saj komunikojnë me udhëheqësit e lagjes gjeografike. Udhëheqësit e lagjes së re caktojnë vëllezër e motra shërbestare. Ata planifikojnë për një thirrje ose një caktim që do ta ndihmojë anëtarin/en të ndihet i/e mirëpritur dhe i/e angazhuar në punën e lagjes.
14.4
Orientimet dhe Rregulloret Shtesë
14.4.1
Vendet e Mbledhjes
Një vend mbledhjeje është një vendndodhje e caktuar ku të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë dhe miqtë e tyre mund të mblidhen për shoqërim dhe të marrin pjesë në ndonjë nga veprimtaritë në vijim:
-
Të mësuarit e ungjillit, përfshirë institutin
-
Kurset e mbështetjes te vetja, mundësitë arsimore dhe grupet e përkrahjes
-
Shërbimi dhe aktivitetet
-
Përhapja e ungjillit dhe ndihmesa në komunitet
-
Puna në tempull dhe për historinë familjare
-
Programe të tjera të Kishës
Të gjitha vendet e caktuara të mbledhjes duhet të miratohen nga Presidenca e Zonës. Vendet e mbledhjes mbikëqyren nga presidentët e kunjeve dhe peshkopët. Ato krijohen në godina ekzistuese të Kishës, të tilla si shtëpia e mbledhjes ose ndërtesa e institutit. Presidentët e kunjit që dëshirojnë të krijojnë një vend mbledhjeje për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë, duhet të vihen në kontakt me Presidencën e Zonës.
14.4.2
Mbrëmjet e së Hënës
Si përjashtim, lagjet për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë dhe lagjet për personat në moshë madhore beqarë mund të zhvillojnë aktivitete të hënave në mbrëmje, përfshirë në ndërtesat e Kishës (shih 20.5.3).
14.4.3
Kuorume Shtesë të Pleqve dhe Shoqata të Ndihmës Shtesë
Me miratim nga presidenti i kunjit, peshkopi i një lagjeje për personat në moshë madhore beqarë mund të organizojë më shumë se një Shoqatë të Ndihmës dhe një kuorum të pleqve. (Shih 8.1.3 dhe 9.1.3.)
14.4.4
Anëtarët e Thirrur për të Shërbyer në Njësitë për Anëtarët Beqarë
Vetëm peshkopi dhe presidenti i kunjit në njësitë për anëtarët beqarë nevojitet që të thirren nga një lagje gjeografike. Sipas drejtimit të Shpirtit, shumë thirrje të tjera mund të plotësohen nga ata që janë në njësinë për anëtarët beqarë.
Ata që thirren larg nga lagjja e tyre gjeografike për të shërbyer në një njësi për anëtarët beqarë, zakonisht shërbejnë jo më shumë se tre deri në pesë vjet në këto njësi. Kjo periudhë kohore përfshin kohën tërësore të shërbimit në thirrje të ndryshme.
Udhëheqësit e kunjeve gjeografike duhet të jenë përkrahës kur anëtarët merren në konsideratë për të shërbyer në njësitë për anëtarët beqarë. Sidoqoftë, udhëheqësit këshillohen së bashku për të kuptuar rrethanat e anëtarëve.
Thirrjet mund t’u jepen individëve ose çifteve. Në disa raste, njëri nga bashkëshortët mund të ketë nevojë të qëndrojë në një lagje gjeografike ndërkohë që tjetri shërben në një lagje për anëtarët beqarë.
Dokumentet e anëtarësisë të peshkopëve dhe familjeve të tyre normalisht qëndrojnë në lagjen e tyre gjeografike ndërkohë që ata shërbejnë në lagjet për anëtarët beqarë. E njëjta gjë është e vërtetë për ata që shërbejnë në presidencën e kunjit ose në peshkopatë, në këshillin e lartë ose në presidencën e Shoqatës së Ndihmës të kunjit, në qoftë se këta anëtarë thirren të shërbejnë jashtë lagjes së tyre gjeografike. Këta udhëheqës dhe familjet e tyre i paguajnë të dhjetën dhe ofertat në lagjet e tyre gjeografike. Ata gjithashtu shkojnë tek udhëheqësit e tyre të lagjes dhe të kunjit gjeografik për intervistat e rekomandimeve të tempullit.
14.4.5
Pushimet e Shkollës
Nëse është e mundur, lagjet e të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë duhet të vazhdojnë të funksionojnë gjatë pushimeve të shkollës. Lagje të shumta për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë mund të mblidhen së bashku nëse është e nevojshme. Në raste të tilla, lagjet i mbajnë veçan dokumentet, raportet e pjesëmarrjes dhe financat.
14.4.6
Intervistat në Lagjet dhe Kunjet për të Rinjtë dhe të Rejat në Moshë Madhore Beqarë
Në shumicën e rasteve presidenti i kunjit interviston anëtarët që po:
-
Kryejnë ordinancën e dhurimit për vete.
-
Vulosen me një bashkëshort/e.
-
Rekomandohen për të marrë Priftërinë Melkizedeke.
-
Rekomandohen për të shërbyer në misione.
Si përjashtim, presidenti i një kunji për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë mund t’i autorizojë këshilltarët e vet që të kryejnë disa prej këtyre intervistave.
Në lagje të mëdha për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë, peshkopët mund të autorizojnë këshilltarët që të kryejnë intervista për anëtarët që po:
-
Kryejnë ordinancën e dhurimit për vete.
-
Vulosen me një bashkëshort/e. (Shih 26.3.1.)
14.4.7
Pjesëmarrja në Aktivitete për Anëtarët Beqarë
Një person që është ndarë nga bashkëshorti ose bashkëshortja e vet ose po kërkon shkurorëzimin, merr pjesë në një lagje gjeografike. Ai ose ajo mund të frekuentojë një lagje ose aktivitetet për anëtarët beqarë kur vendimi për shkurorëzimin e tij ose të saj të jetë përfundimtar.
14.4.8
Prindërit Beqarë
Anëtarët dhe udhëheqësit i dallojnë dhe mundohen të ndihmojnë që të përmbushen nevojat e posaçme të prindërve beqarë. Prindërit beqarë me fëmijë në shtëpi normalisht frekuentojnë lagjen e tyre gjeografike. Bërja e kësaj lejon që fëmijët të jenë aktivë në Fillore dhe në organizatat e rinisë. Prindërit beqarë mund të shkojnë në aktivitetet e një lagjeje për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë ose për personat në moshë madhore beqarë.